Home » Kulturë » PËRUROHET VEPRA E AKADEMIKUT ALFRED UÇI, “ESTETIKA MIGJENIANE”

PËRUROHET VEPRA E AKADEMIKUT ALFRED UÇI, “ESTETIKA MIGJENIANE”

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

 

 

 

 

 

 

 

Autori A.Uçi, duke nënshkruar libra për pjesëmarrësit…(Foto: M.Gecaj)

Në sallën  kryesore “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,  u organizua përurimi i veprës së re të Akademikut Alfred Uçi, “Estetika migjeniane”, botuar  me rastin e 100-vjetorit të lindjes dhe 75-vjetorit të ndarjes nga jeta të Poetit tonë Kombëtar, Millosh Gjergj Nikolla, “Mësues i Popullit” e “Nderi i Kombit”. Ishin të pranishëm akademikë e profesorë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, shkrimtarë, studiues e botues, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Tubimin e rastit e hapi punonjësi i kësaj Akademie, prof.dr. Et’hem Lika, i cili e përshëndeti dhe e përgazoi autorin e këtij botimi, që shënon një ngjarje të rendësishme për kulturën tonë kombëtare.  Përmbajtjen dhe tërë filozofinë e tij, sikur e ka përmbledhur vetë Migjeni ynë, me fjalët: “Mendimet e mia nuk janë mendimet e një njeriu, që është i kënaqun me jetën, por janë mendimet e një njeriu që vuan. Unë vuej për gjithë sëmundjet e kësaj bote”.

I pari e mori fjalën autori, prof.Alfred Uçi-Akademik, i cili e shpjegoi shkurt,  para të të ftuarëve, punën e bërë dhe kujdesin e treguar, që kjo vepër, me 12 kapituj e mbi 600 faqe, të vinte sa më shpejt në duart e lexuesve, gjë që e kishte patur kurdoherë një merak mjaft të madh. Ajo pason librat e tij, të botuar jo shumë kohë më parë, për “Mësuesin e Popullit” dhe “Nderin e Kombit”, Petro Nini Luarasi, të cilin e paraqiti edhe në qytetet Shkup, Prishtinë, Ulqin e Pogradec dhe librin panoramik, në gjuhën italiane, për udhën e Shqipërisë, gjatë historisë së saj 100-vjeçare.

 

 

 

 

 

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria (Foto nga: Ilia Terpini)

Në fjalën e tij, prof. Josif  Papagjoni nënvizoi filozofinë migjeniane dhe, ashtu siç e analizon autori në këtë libër, Migjeni hodhi dritë mbi plagët e shoqërisë së kohës. Po kështu, në mjaft krijime të tij pasqyrohen mitifistifikimi e grotesku etj. Prof Zyhdi Dervishi theksoi dukurinë e analizuar të artit kompleks migjenian dhe të shkollës migjeniane në letërsinë shqipe, duke e cilësuar librin e prof. Uçit më të kompletuarin dhe më të thellin, deri më tani, në të gjitha studimet tona, për të. Në vazhdim të mendimeve të shprehura nga kolegët, prof.Bashkim Kuçuku foli për kalimin nga fusha e estetikës, në historiografinë letrare, për “çarjen” e mirëfilltë, që solli Migjeni në letërsinë shqipe. Autori ka bërë një analizë të plotë e bindëse historike-letrare të veprës së Migjenit, duke evidentuar identitetin e veçantë të saj. Prof.Përparim Kabo, sociolog, u ndal gjatë te mendimi i shprehur edhe në këtë vepër të prof. A.Uçit, e cila është një korpus enciklopedik, se Migjeni ishte një reformator i madh në letërsinë shqipe. Mendimet e tyre, rreth këtij libri, i shprehën para pjesëmarrësve edhe studiuesi Behar Gjoka e publicisti Erion Kristo.

Në mbyllje të këtij përurimi, Akademiku Alfred Uçi i falënderoi përzemërsisht, si folësit e gjithë të pranishmit dhe u shpreh se, me gjithë moshën e tij, përsëri do ta vazhdojë punën e përkushtuar për studime dhe botime të reja. Ai bëri fotografi të përbashkëta me ata dhe nënshkroi disa libra, që morën pjesëmarrësit e kësaj veprimtarie të bukur e mbresëlënëse.

Tiranë, 17 janar 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch