Home » Opinione » Plagët kanceroze të Kosovës

Plagët kanceroze të Kosovës

Qamil ZekolliTregëtia mafioze nuk ka tjetër ideal, përveç të hollave edhe kur ajo bije ndesh me interesat kombëtare !

Agjensitë turistike  si  “…. tours ” , ” …. Company ” , ” …. Market ” , “… komerc ” etj.,   filluan të përhapen me të madhe që në fundin e viteve ’80-ta kur në Kosovë pjesa dërmuese e popullit tonë ishin mobilizuar në mbrojtjen dhe kërkimin e të drejtave tona themelore , (të garantuara nga kushtetuta e RSFJ-së dhe Kushtetuta e KSAK-së) , të cilat rrezikoheshim haptas dhe me dhunë policore e ushtarake nga qarqet shoviniste të Beogradit .

Këto të ashtuquajtura ” agjensi turistike ” që në ditët e para , si me porosi , filluan një garë se kush të jetë i pari që të merr linjat më të gjata mbrenda dhe jasht RSFJ-së .  Nuk vonoi shumë dhe ato i kaluan kufijtë e federatës drejt Hungarisë, Çekosllovakisë, Austrisë, Gjermanisë, Zvicres por edhe drejt Turqisë .

Njerëz nga këto ” agjensive turistike ” , ose të afërt me to , kishin zënë vend para stacioneve të policisë në qytetet kryesore të kosovës dhe msitnonin hallexhijtë për tu “ndihmuar” për nxjerrjen e një pasaporte për të “dalur nga kriza ” . Si shkëmbim për këto “shërbime” duhej paguar shuma të majme të hollash .

Ata në bashkëpunim me UDB-në “ndihmonin” hallexhinjët , që kërkoheshin dhe ndiqeshin nga shteti policor jugosllav , për tu siguruar pasaportën dhe për t’i dërguar jasht shtetit . Për çdo mbrëmje nga gjashtë qendrat kryesore të Kosovës , drejt shteteve evropiane , niseshin autobuzët e “shpëtimit” të të stërmbushur plotë me hallexhinjë e sidomos të rinjë tanë të cilët ia mësynin rrugëve të botës .

Njerëzit shitnin ndonjë pasuri  si arë, livadh, zabel, lopë qumështi , apo edhe shtëpinë për tu paguar shuma marramendëse agjentëve të agjensive “turistike” , (lexo: agjentëve të UDB-së), për “shërbimet” e tyre. Kishte raste të shpeshta kur kurdiseshin dosje fiktive, gjoja për kërkim të ndonjë arme dhe viktimës i afroheshin ndërmjetsuesit “shpëtimtarë” dhe i propozonin ndonjë armë që e merrnin nga vetë policia , ia shitnin viktimës , i kërkonin edhe një shumë jo të vogël të hollash për komandantin e policisë  , sepse për ndryshe do ta torturonin me rastin e dorëzimit të armës .

Gjëmët dhe vaji i nënave tona për bijtë e tyre që ktheheshin në arkivole nga ushtria jugosllave , gjëmët dhe vaji i nënave tona për largimin e bijëve dhe bijave të tyre nga atdheu, gjëmët dhe vaji i nënave tona për ngeljen e më të dashurve të tyre në mes rrugësh të Vojvodinës,Hungarisë, Austrisë e sidomos Çekosllovakisë, gjëmët dhe vaji i nënave tona për braktisjen e fëmijëve , ngulfatjen e fëmijëve ,…, gjatë kalimit të kufirit çeko-gjerman kanë filluar qysh në mesin e viteve tetëdhjeta .

Gjëmët dhe vaji më ogurzi i nënave tona  ka qenë kufiri çeko-gjerman ku hallexhinjët prap është dashtë t’u paguajnë shuma të majme kontrabanduesve të qenjeve njerëzore për kalimin e këtij kufiri .

Kush mund ta dijë se sa varre fëmijësh  , por edhe të rriturish do të bëheshin po të gjindeshin dhe të varroseshin të vdekurit dhe të braktisurit nëpër kënetat dhe pyjet ndërmjet Çekisë dhe Gjermanisë .

Ky lloj agjentësh në fillim të viteve nëntëdhjeta shkonin shumë shpesh edhe në Shqipëri . Ata zënin dhoma hotelesh ose banesa me qera dhe qëndronin gjatë në shtetin amë duke u marrë me lloj-lloj pisllëqesh dhe për një kohë ia arritën qëllimit të hapin hendekun në mes kombit të ndarë në dysh .  Deri në vitin 1998 , kur filloi Lufta Çlirimtare në Kosovë, kudo në Shqipëri e sidomos nëpër qytetet kryesore, ka qenë bukur e zorshme të durohen bisedat rreth ,si thonin atje , maskarenjëve kosovarë .

A kishin të drejtë ?!…  Kujtoj se për masat e gjëra ishte krijuar një opinion negativ ndaj nesh, sepse jam i bindur që në fillim të viteve nëntëdhjeta , nga të gjithë vizitorët nga viset shqiptare të okupuara nga jugosllavia, më së paku 90% të tyre ishin agjentë të shërbimeve të ndryshme dhe lahpera e maskarenjë të të gjitha llojeve .

Vetëm 10%  e vizitorëve mund të ishin nga ajo shtresë kombëtare , të cilët kishin si ëndërr ; – Vetëm të shkel njëherë në tokën shqiptare të shtetit amë , edhe në vdeksha nuk do më mbesin sytë çelë !

Për fat të keq shumëherë të gjithë kosovarët futeshin në një thes , apo në një kallëp si e thojnë vëllezërit tanë në shtetin amë.

Po këto agjensi bastarde,  mbas viteve nëntëdhjeta u lidhën edhe me skafistët dhe kontrabanduesit  e qenjeve  njerëzore në shtetin amë . Nuk janë të pakëta viktimat nga motoskafet e fundosura në kanalin e Otrantos, por shpesh edhe të hedhur qëllimisht nga  motoskafi në detin e hapur .

Para se të fillojë lufta në Kosovë një pjesë e madhe e këtyre agjentëve i larguan familjet dhe i dërguan jasht vendi . Shumë prej tyre patën ble shtëpi në Tiranë, apo në bregdetin shqiptar. Pse jo, sepse kishin fitue mjaft të holla me “shërbimet” e tyre për “shpëtimin” ” njerëzve hallexhinjë .

Pasi kishin sigurue familjet e tyre një pjesë bukur e madhe e tyre, gjatë gjithë kohës,  punonin për të përhapur kontrabandë kundër djemëve dhe vajzave të UÇK-ë , qoftë nga Shqipëria , qoftë nga diaspora , por edhe  mbrenda për mbrenda në Kosovë .

Lumë e shyqyr mbaroi lufta dhe Kosova u çlirue !

Njerëzit e sinqertë kishin ushqyer shpresën se , pas lufte  çdo gjë do të rregullohet dhe do të merrte fund kalvari i vuejtjeve , i largimit nga vendlindja , nga padrejtësitë , nga fukarallëku , nga papunësia , nga korrupcioni , nga burokracia , nga përbuzja , nëpërkëmbja , shkelja e dinjitetit individual dhe kolektiv të popullit heroik , të shumëvuajtur e martir të Kosovës .

Serbia nuk lejoi që bashkëpunëtorët e sajë , të bien as ekonomikisht , as politikisht .Beogradi i ruajti, i ngriti dhe i vendosi agjentët e vetë në nivelet më të larta të pushtetit kosovar si në anën ekonomike, ashtu edhe në ate politike .

Me vendosjen e UNMUK-ut në Kosovë , në vendet më të mira dhe kyqe të punës , u punësuan pjesa dërmuese e agjentëve dhe qytetarëve lojalë ndaj pushtetit okupues të Serbisë . Krejt e natyrshme , sepse në praktikë pas çdo lufte ,ose ndrrimi pushteti, pushtet i ri së pari do t’i kërkojë agjentët e pushtetit të vjetër. Arësyja kryesore është për ta kontrolluar më lehtë situatën në njërën anë dhe për të mbledhur sa më shumë informata në anën tjetër .

Stereotipet e tilla janë servilë dhe mbase nuk dinë asgjë më mirë se spiunazhin në kurriz të popullit që i ka lindur dhe rritur dhe servilitetin ndaj padronit . Atë punë do ta bëjnë kudo që shkojnë dhe cilido pushtet që të vijë në fuqi .

Për masat e gjera popullore , përveç largimit të forcave ushtarake , policore e paramilitare nga Kosova , nga ana ekonomike nuk ndryshoi gjë.  Ekonomia e Kosovës u rrënua me shitjen pa kushte dhe kritere tregtare e kombëtare të atyre fabrikave që posedonte Kosova .

Rinia jonë ende nuk mund ta gjej veten në Kosovë, sepse mungesa e perspektivës është fare e dukshme .

Vendet e tyre të punës i zunë qytetarët lojalë të Beogradit dhe ate në të gjitha nivelet . . .

Pamunësia ,  korrupcioni,  burokracia e familjarizmi janë plagët më të rënda  për cilën do shoqëri .

Pamunësia ,  korrupcioni,  burokracia e familjarizmi,  jo që nuk u pakësuan as u zhdukën, por u rritën, u përhapën dhe depërtuan në të gjitha lëmitë, në të gjitha sferat e jetës dhe në të gjitha nivelet e shoqërisë kosovare. Nuk mund të gjindet asnjë parti politike kosovare, që në kryesinë qendrore të mos ket individë me influencë dhe që fare mirë   dihet e kaluara e tyre antikombëtare .

Për ta gjetur një vend pune në Kosovën tonë duhet të kesh dikend të njohur me pushtetin lokal ose qendror , përndryshe diploma nuk vlenë fare . Më së lehti të gjejsh punë në Kosovë është të keshë përkatësinë e ndonjë minoriteti . Përparësi apsolute në punësim kanë serbët e deri diku edhe turqit e Kosovës .

– Fejesat dhe martesat me letra janë kthye në modë .

Të rinjët tanë mbarojnë fakultetin , nuk mund ta gjejnë veten askund dhe nga mungesa e perspektivës në vendlindje, si pasojë e gjithë kësaj logjike të errët dhe gjendje të nderë e të rëndë ekonomike, politike e sociale , kërkojnë fatin e tyre jasht sajë.

Diaspora shqiptare, ( jo e gjithë diaspora ) , dikur ishte shumë aktive dhe dorë e djathtë e çështjes kombëtare , por tani si duket ka rënë në grackën  e ndjenjave , emocioneve dhe dashurisë  për vendlindjen .

Rinia në Kosovë nga halli kërkojnë  zgjidhje , kurse rinia në diasporë nga rënja në grackën e atdhedashurisë kërkojnë që të martohen me të rinjë , respektivisht  të reja nga vendlindja sikur mos të kishte bashkëmoshatar të tyre në diasporë . Ata duke idealizuar rininë në vendlindje , kujtojnë se të rinjët dhe të rejat në Kosovë janë më të pastër dhe më të ndershëm nga ana morale .

Për fat të keq shumë nga këto fejesa e martesa , në shumicën e rasteve, nuk janë bërë dhe nuk bëhen nga dashuria në mes dy të rinjëve .

Faktori numër një është gjetja e zgjidhjes për të dy palët .

I riu,(e reja), nga Kosova kërkon të dal jasht vendit duke menduar se do të gjej shpëtimin , kurse i riu,(e reja), nga diaspora kujton se e ka gjetur njeriun e duhur për jetën bashkëshortore . Për fat të keq shumë nga fejesat dhe martesat e tilla nuk zgjasin gjatë, sepse përballja me realitetin e ri shpesh i zhgënjen të dy palët . Pikë së pari njohja e të rinjëve bëhet në mënyrë virtuale , pra përmes internetit . Në pjesën dërmuese të rasteve kjo “njohje” kurorëzohet me një takim në prezencën e prindëve dhe u kërkohet të vendosin pa e njohur mirë njeri tjetrin . Pra unë kujtoj që të dy palët janë viktimë e ndjenjave . Qofshin ato nga malli për atdheun, apo nga cytëshmëria për të ikur nga Kosova dhe për të “gjetur parajsën” .

Si përfundim tani diaspora, nga një dorë e djathtë dhe e fortë në shërbim të çështjes kombëtare po e merr një karakter krejtësisht tjetër . Diaspora padashtas po kthehet në dorë të djathtë të atyre që duanë ta zbrazin Kosovën nga elementi shqiptar !

– Zgjate Zot kështu !

Dhe ja tani prap po kthehemi te agjensitë “turistike” në Kosovë dhe në diasporë . Për ta, si thotë populli : – Zgjate Zot kështu ! , sepse deri sa do të ket krizë në Kosovë , do të ket më shumë kërkesa për viza, bileta rrugëtim ilegal dhe më shumë mundësi për kontrabandë me njerëz edhe përfitime të majme nga fatkeqësia e të tjerëve . Atyre që deri para lufte , në bashkëpunim me Beogradin , kanë larguar me qindra e mijëra shqiptarë nga trojet e pushtuara shqiptare , prap : – U ka ra shi në kallamoq ! ,…, dhe po vazhdojnë me avazin e vjetër duke i mbushur autobuzët e tyre  plotë e përplotë  , sidomos me të rinjë dhe nisen çdo mbrëmje, (se zakonisht nisen në mbrëmje, kur nuk ka dritë, sepse edhe vetë zemrën dhe shpirtin e kanë Zi skëterrë) , nga të gjitha qytetet kryesore të Kosovës dhe viset tjera shqiptare . Kështu ata kalojnë mes për mes Serbisë , sepse i kanë dyertë hapur edhe pse shumica e udhëtarëve nuk kanë viza udhëtimi e as pasaportë , por vetëm një letërnjoftim .

Me sa jam i informuar unë , aty afër lumit Tisa ku para dy vitesh  në tentim për të kaluar në Hungari , u mbytën në lumë disa shqiptarë , tani Beogradi ka menduar për “të mirën” e shqiptarëve dhe të fatzinjëve tjerë nga lindja e mesme dhe Azia dhe paska ndërtuar një kamp refugjatësh me kapacitet prej disa mijë vetash . Edhe në këtë moment që po shkruaj në atë kamp janë më së paku disa qindra shqiptarë në pritje për të kaluar në shtetet e Bashkësisë Evropiane …

Si pasojë :

 – Vaji dhe gjëma e nënave tona nuk ka të ndalur ! Rreth 30% të shtëpive në Kosovën tonë janë të kyçura me dry ! Numri i nxënësve nëpër shkollat tona po zvogëlohet tragjikisht ! Shtëpitë e kyçura me dry , ose të mbetura vetëm me pleqë po shtohen dita ditës !

Kosova merret ndër vendet me natalitetin më të lartë në Evropë . Po si ka mundësi atëherë që kjo Kosovë në regjistrimin e popullsisë në vitin 1971 kishte 1 800 000 banorë, kurse në regjistrimin e fundit dyzet e një vjet më vonë 1 731 000 banorë . Pra numri i popullsisë në vend se të rritej, është zvogluar dikund rreth 70 000 banorë më pak ?!….

Tregëtia mafioze nuk ka tjetër ideal, përveç të hollave edhe kur ajo bije ndesh me interesat kombëtare !

Ja këto të ashtu quajturat ” agjensi turistike” janë ndihmësit më besnik dhe të përhershëm të Beogradit për shpërnguljen dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova .

Vetëm në vitet 1990 – 1996 me autobuzët e këture firmave kosovare janë larguar rreth 600 mijë shqiptarë. Pjesa dërmuese e tyre janë lënë në mes rrugëve të Çekosllovakisë së atëhershme në mëshirën e të pamëshirshmëve ! …Askush nuk e di se sa shqiptarë janë larguar nga Kosova pas vitit 1996 e deri sot , por është fakt se  kjo dukuri e shëmtuar nuk është ndalur asnjëherë .

Populli prej delesh , ka qeveri prej ujqish ! – populli

Sindikatat e “Pavarura” të Kosovës dhe shumë organizata joqeveritare të cilat thirren në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe të qytetarëve në Republikës së Kosovës tashti e pesëmbëdhjetë vite asnjëherë nuk kanë bërë punën dhe funkcionin e tyre të mirëfillt për të cilën janë të thirrura dhe të detyruara ta ushtrojnë dhe ta bëjnë .

Ato janë kthyer në bishta të cilësdo qeveri të pasluftës duke mos lënë anash se ishin edhe bisht të UNMIK-ut dhe janë edhe bishta të EULEX-it .

Ato në vend se të mbrojnë dhe të kërkojnë të drejtat e punëtorëve dhe të qytetarëve të Kosovës luajnë rolin e hipnotizuesve dhe qetësuesve karshi qytetarëve dhe punëtorëve në favor të pushtetit . Kështu pushteti është rehat dhe nuk ka frikë nga zëri i fuqishëm , protestat e qytetarëve dhe rrezikimi i pushtetit , sepse udhëheqësit e sindikatave dhe OJQ-ve të ndryshme i kanë nën kontroll të plotë . Si kompenzim për shërbimet që këta të fundit   i bëjnë pushtetit , marrin ca favore të mjera nga pushtetmbajtësit .

Në qoftë se keni më të voglin dyshim shikoni se në çfarë kushte jetojnë qytetarët, punëtorët,…, dhe në çfarë kushtetsh e ç’standard jetësor kanë udhëheqësit, (lexo: uzurpuesit), e kryesive të sindikatave dhe OJQ-ve të ndryshme në rrethin tuaj !

Shteti në të cilin ekziston korrupcioni, plaçka, familjarizmi, meritokracia, burokracia, krimi i organizuar, mos sundimi i ligjit etj. , medoemos favorizon lulëzimin, rritjen dhe përhapjen në çdo mjedis dhe në çdo sferë të jetës , të korrupcionit, plaçkës, familjarizmit, hajnisë, krimit ,…, mos respektimit të ligjit . Njerëzit e veshur me pushtet , të afërmit e tyre dhe të ledhatuarit nga pushtetiti janë të paprekshëm nga ligji . Ata qëndrojnë mbi ligjet e “shtetit ligjor” , edhe pse ditë e natë artikulojnë fjalinë e famshme …” askush nuk qëndron mbi ligjin ” .

Kjo ” askush nuk qëndron mbi ligjin ” vlenë vetëm për masat e vobekta dhe qytetarët që nuk kanë lidhje me pushtetin .

Më e keqja prej të gjithave është se qytetarët e Republikës sonë janë vënë në gjumë apo një lloj hipnoze , i ka zënë një amulli, njëfarë narkoze,, njëfarë dehje vullnetare dhe as që mendojnë të organizohen për të ndalur këtë llavë njerëzish të korruptuar dhe të kriminalizuar tash e pesëmbëdhjetë vjet dhe të cilët duhet vënë para  përgjegjësisë për së paku tre lloj krimesh në kurriz të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës!

1. Krime ekonomike

Sepse lejuan dhe muarën pjesë në shkatrrimin e ekonomisë së Kosovës .

2. Krime politike

Sepse lejuan dhe muarën pjesë në humbjen e një pjese të territorit të Kosovës ,qysh në vitet 2006-2007 në të famshmet “bisedime teknike” në Vjenë  nga   Grupi i “Unitetit ” , duke ia falur Serbisë një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore e historke  të kombit shqiptar , pa i bërë thirrje historisë dhe fakteve historike .

3. Krime njerëzore

Sepse lejuan dhe muarën pjesë në vrasjen dhe zhdukjen e gjurmave dhe dosjeve të tëra lidhur me vrasjet e pazbuluara e të pagjykuara në njërën anë dhe lejuan dhe ndihmuan në zbrazjen e Kosovës nga elementi shqiptar e sidomos nga rinia shqiptare në anën tjetër.

 

Kam frikë se nuk jemi pjekur të gëzojm Lirinë !

Si po e shoh popullin tonë e ka zënë një amulli, njëfarë narkoze,, njëfarë dehje , pothuaj vullnetare , tash e gati 15 vjet , sepse ende ka njerëz që të vrasin për këtë , apo për atë “lider” partiak .

Kosovën e ndanë, e copëtuan si është zi e më zi , pra e ndanë në baza etnike , ia shkatërruan dhe ia shitën gjithë industrinë , e çka nuk i bënë dhe ky popull nuk luajti vendi , por ende është në gjumë !  – Shpresoj që jam ëndërr ! – thoshte gomari .

Po të kishin ndodhur vetëm 10% e pisllëqeve të Prishtinës, , ose të Tiranës zyrtare në Gjermani, apo në cilin do vend tjetër evropian, njëqind qeveri do të rrëzoheshin deri sa të përmirësoheshin gabimet , (lexo: -fajet ) , e politikës antikombëtare .

Një miku im deri sa pinim nga një kafe në Prishtinë , në bisedë e sipër më tha :

– E sheh këtë shesh ?!

Ky është sheshi i pafytyrësisë, i tenderave, i korrupcionit, i plaçkës, i hajnisë, i kontrabandës me armë, me drogë, me qënje njerëzore …..

Prej godinës së qeverisë e deri te hotel Grandi bëhen të gjitha pisllëqet më të ndyra që ekzistojnë në këtë botë .

Këtu vetëm për popull nuk mendohet dhe nuk punohet asgjë e mirë !…

 

Unë kujtoj se , deri sa të vetëdijësohemi dhe të ndërgjegjësohemi si individë dhe si popull , politika shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë do të vazhdojë t’ i ha zogjët e vetë , ose t’ i le rrugëve të botës  në mëshirën e të pamëshirëshmes, kurse do të vazhdojnë të marrin në gji dhe rritin zogjët e kurvave nga Beogradi , Athina e Stambolli !

Politikanët e tillë ,  duhet  së paku , që populli t’i dënojë me votë !  Kam frikë se nuk jemi pjekur ta gëzojm Lirinë !

Po sot , Ku është shteti ?

A i shohin këto dukuri pushtetarët tanë ?

A është bërë diçka për parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga elementi shqiptar ?

Nëse po  . Çka është bërë ?

Çka mendohet të bëhet, apo nuk mendohet fare ?

A ka ndonjë projekt real për të luftuar këto dukuri dhe jo vetëm këto ?

Kujtoj që , Ne shqiptarët nuk po dijm ti kërkojm dhe ti mbrojm të drejtat tona në Paqe dhe në Liri !

Kam edhe shumë e shumë pyetje , por kujt t’i parashtroj pyetje kur unë vetë  jam i zhgënjyer dhe nuk pres ndonjë mrekulli nga kjo llavë politikajsh, sepse ata mund të quhen me shumë emëra por,  kurrën e kurrës  as klasë ose as elitë politike .

Së paku unë  kështu kujtoj . Shpresoj të jem gabim!

Shkuar nga Qamil Zekolli

qamil_zekolli@hotmail.com

Tel: +32 473 32 83 59

Më 2 dhjetor 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch