Home » Kulturë, Lajme, Vendore » POETI BEAT BRECHBUHL – LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

POETI BEAT BRECHBUHL – LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

Konferencë shtypi e Jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”


Poeti Beat Brechbuhl është fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit XXII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesi i letërsisë, Prof. dr. Ymer Çiraku, poeti dhe kritiku Ndue Ukaj dhe poeti Isuf Sherifi. Gjithashtu, Drejtoria e Festivalit e ka shpallë Laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi të Festivalit. FNP“Ditët e Naimit” do të mbahet prej 18 – 22 tetor 2018, në qytetin e Tetovës.

Kjo u bë e ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 21 shtator, në Qendrën e Kulturës në Tetovë, nga kryetari i Jurisë së Festivalit, Prof. Dr. Ymer Çiraku dhe drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Craig Czury (SHBA), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), Sebastiano Grasso (Itali), George Wallace (SHBA) etj.

Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 35 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Kolombi, Porto Riko, Malajzi, Danimarkë, Suedi, Holandë, Islandë, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Portugali, Malta, Zvicra, Poloni, Izrael, Greqi, Turqi, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të hapet nje ekspozite pikturash, do te promovohen libra të sh.b.”Ditët e Naiit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj.

Kryetari i Jurisë së Festivalit, Ymer Çiraku paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”. Poeti Beat Brechbühl është një nga shkrimtarët mjaft të njohur të gjuhës gjermane në Zvicër. Ai është autor i një vargu të gjatë veprash letrare, të cilat, deri më sot përmbledhin 22 vëllime në: poezi, romane, tregime, si dhe libra për fëmijë. Kohëve të ndryshme, autori i kësaj krijimtarie të gjerë dhe me dimensione të larmishme zhanrore e stilistike, ka fituar disa çmime letrare të rëndësishme. Veprat e Beat Brehbühl janë botuar në shumë gjuhë të botës. Nga viti 1980, ai është drejtues i shtëpisë botuese “Waldgut” në Frauenfeld. Është anëtar i Penqendrës së Zvicrës Gjermane, si dhe anëtar i Shoqatës së Autorëve të Zvicrës.

Veprat e këtij shkrimtari, gëzojnë prej kohësh njohje të gjerë mes lexuesve dhe kanë marrë vlerësime të shumta nga kritika letrare. Vlerësohet veçmas poezia e tij, të cilën, ai ka nisur ta krijojë  dhe ta botojë qysh në moshë fare të re, 16 vjeçare. Autori vazhdon t`i qëndrojë ende besnik këtij zhanri, duke përcjellë në vargjet poetike motive të larmishme dhe me një ekspresivitet dhe ndjeshmëri të theksuar ideoemocionale. Ndjenjat dhe përjetimet e holla dhe mbresëlënëse të dashurisë, janë si një fill që endet natyrshëm në  indet e gjithë kësaj poezie. Kjo dashuri, në fakt ka përmasa të gjera. Ajo nuk mbetet e njëanshme, por shfaqet e përcillet në të tëra rrafshet e saj: si dashuri dhe raport solidariteti human mes njerëzve, apo edhe me tërë shfaqjet e pasioneve të nxehta mes të dashuruarve. Kjo pranëvënie motivesh, krijon një ritëm të ekulibruar e të vlerësuar të kësaj poezie, e cila, shkon te lexuesi me variacione enigmash, imazhesh dhe kumtesh poetike.

Poezitë për njeriun e vetmuar e të mbyllur në guackën e përsiatjeve të natyrës egzistenciale, për njerëzit e margjinalizuar nga jeta, për refugjatë, ciganë…, të gjitha së toku, krijojnë simfoninë dramatike dhe njëkohësisht apelonjëse të kohëve të sotme. Por ato nuk rezulton që të mbeten brenda kornizës së një dëshpërimi fatal, pasi poeti e ka të pranishme edhe shpalosjen e atyre vlerave që sjellin lidhjet dhe solidariteti human – të cilat janë aq të nevojshme e të çmuara mes njerëzve. Ky besim, gjen shprehje të qëlluar dhe mjaft simbolike edhe në krijimin e imazhit poetik të atij çasti agu pranvere, në një nga poezitë e autorit,  kur lulekëmborët dalin fitimtare ndaj motit të armiqësuar…

Poezitë e këtij autori të njohur zviceran, me tërë motivet e ndjera e plot vibracione emocionale për dashurinë, për kuptimin e jetës nëpër projeksione egzistenciale, për miqësinë dhe vetminë, për gëzimet dhe humbjet fatale, krijojnë së toku një univers poetik origjinal dhe  po ashtu, mjaft tërheqës për lexuesin. Vlerë e kësaj krijimtarie, është edhe përcjellja e saj me një ligjërim bashkëkohor modern.

Dhënia e çmimit letrar “Naim Frashëri”, të Edicionit të XXII, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”  – për poetin nga Zvicra Beat Brechbühl, është vlerësim për krijimtarinë e çmuar të tij e po ashtu është vlerësim dhe nderim për rolin e çmuar të krijimtarisë letrare, e cila ka meritën e kapërcimit të kufijve gjuhësorë dhe nacionalë, duke ndërtuar ura komunikimi shpirtëror mes popujve.

 

Tetovë, 21 shtator 2018

D. Hadri

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch