Home » Kulturë » Poeti i jep oksigjen vargut të poezisë, në librin e titulluar ”Kërkoj yllin e fatit”

Poeti i jep oksigjen vargut të poezisë, në librin e titulluar ”Kërkoj yllin e fatit”

Gani S. Pllana

Gani S. Pllana

Autori i librit “Kërkoj yllin e fatit”,

shkurt 2015, Prishtinë

Të shkruash varg poezie, në radhë të parë, duhet që të flasë shpirti. Dhe, kur flet ndjenja shpirtërore, s’ka se si të ndodhë ndryshe. Kështu, poezia del vetvetiu nga skutat e fshehta të galerisë së mendjes e shtrohet si një tapet pranveror, plot ngjyra lulesh, mbi fletët e bardha, për te libri.

Takon poetin Gani S. Pllana, bisedon me atë shtruar në ”livadhin gjembor”  dhe prekë, padashur, edhe poezinë e tij. Poezia e poetit Gani S. Pllana, ka të veçantat e saj. Ajo është e thjeshtë në të shkruar, ka gjetje tematike të shumëllojshme, por nuk mungojnë edhe  gjetjet metaforike, krahasuese dhe, mbi të gjitha, lirika e stili i të shkruarit, që rrok kohën e djeshme dhe të sotmen. Ai, me stilin e vetë, që e kërkon vazhdimisht te vetvetja dhe në hapësirën mbarëshoqërore, jep mesazhe të qarta, me vargjet aq të ngrohta. Ato e bëjnë për vete lexuesin, në përgjithësi, dhe atë lexues, që e do poezinë si oksigjeni, që ne thithim në mushkëri.

Poeti ka ditur të përzgjedhë edhe fjalën e gdhendur, atë e ka vendosur aty ku duhet për te vargu me kolor ndjenjash. Kjo gjetje e ka bërë edhe më elastike, por edhe më të ngrohtë, poezinë e shkruar në këtë vëllim të ri, me titullin ”Kërkoj yllin e fatit”.

Kopetina e librit “Kërkoj yllin e fatit”, autor Gani S. PllanaNë këtë libër gjenden, si një gjerdan njëra pas tjetrës, plot 32 poezi. Poeti Gani S. Pllana, ka shkruar edhe më parë poezi. Dhe, si i tillë, ai është paraqitur para lexuesit me dy vëllime poetike, për të rritur. Në vitin 2013, na paraqitet me vëllimin e titulluar, ‘’Për një pikë ujë’’ dhe ”Melodia e përjetësisë”, në vitin 2014.

Përgjatë tërë gamës së krijimtarisë së tij, sikurse në dy vëllimet e mëparshme, edhe në  vëllimin më të ri të përmbledhjes ”Kërkoj yllin e fatit”, ai vjen më i plotë si krijues. Pra,  materies poetike në shqyrtim i jep edhe më shumë vlera artistike e letrare. Ky poet e shprehë këtë gjë qartë, nëpërmjet  vargut edhe në poezinë, që ka marrë titullin i  libri. Ashtu si ylli i mëngjesit  që ndriçon në qiell, edhe bijtë e bijat kosovare janë në kërkim të fatit të tyre. Poeti ka një revoltë të brendshme, që i cili e shpreh me vargje në kërkim të fatit, se si do jetë e ardhmja.

Më konkretisht, ai thotë:

‘’Në tokë të huaj, pa shpresë.

Për bukën e gojës,

Me legjendë në krahë të Nojës,

Për një jetë më të mirë…

Në meridianë të tjerë,

Turma- turma, turbull-këllirë!

Bredhje pa fund…

Ylli i fatit, askund!’’

 

Poetët, nëpërmjet vargut të poezisë, këndojnë si bilbilat në pranverë. Atyre u këndon shpirti, të cilët bëjnë gurët e pemët të vallëzojnë në vargun e shkruar prej tyre. Vargu i poetit Gani S. Pllana është i gjallë, e ”puthë” me dashuri gjirin e tokës mëmë. Në këtë kohë aritmike, ai i këndon Kosovës së bukur, asaj gonxhes së trëndafilit të larë me gjak e sakrifica nëpër shekuj, për të qenë e lirë dhe e pavarur, për të qenë një Zonjë e denjë, në vatrën e truallit arbëror. E, pse jo, një ”nuse” më e bukur, në mes të Evropës. Poeti shprehet thjeshtë, me vargjet e shkruara, te poezia me titullin aq domethënës e të dëlirë, por edhe me llavën e shpirtit të tij, si zjarr dashurie për Atdheun:

”Këtu, lindin djem e goca

Të bukur, syshkruar,

Shtathedhur – pehlivanë.

Përherë bukuri, këndej,

Lakmi na ka bota.

Një gjë e pakuptueshme:

Eksod,

Në çdo decenie?!

Në gjirin e tokës mëmë

Do bëj gjumin e përjetësisë”.

 

Emocione  poetike  gjen edhe tek poezitë e tjera, që jepen me aq forcë e dinjitet, në poezinë me titull aq domethënës, ”Kosovë ujë bilur”:

 

”Kosova, përherë ishte

Një nënë e mirë,

Për bijtë e bijat e vetë,

Mikpritëse për miq.

Zoti i dhuroi edhe begati,

Të veshur me kostumin

E ylbertë”.

Pra, në këtë krijim, poeti rrezaton fuqishëm dashurinë për vendlindjen, ecën i sigurt me hapin e kohës. Ajo shprehë edhe miqësi, jep mesazhe jete, kur e thotë aq hijshëm, me vargjet ‘’Mikpritës për miq, / Zoti i dhuroi edhe begati…”. Pra, janë të veshura me kostumin e ylbertë, që rroket deri në skutat e shpirtit tonë, me aq dashuri.

Poeti Gani S. Pllana është i vetëdijshëm edhe për ngjarjet e kohës, në të cilën jetojmë ne, por edhe vetë ai. Pra, është fjala për eksodet, që janë bërë si një çiban, në trupin e shoqërisë sonë shqiptare.

Ai vajton me gjithë shpirt, derdhë lot e dhimbje në zemër, e shikon të nesërmen si një kornizë xhami të thyer. Pra, e lexon qartë kohën, që jeton edhe vetë poeti. Poeti  ka ditur t’i fusë në rrjedhën e kohës ngjarjet  e kobshme, si një plagë e shoqërisë, që duhet rikuperuar. Synimi është që, në fund të fundit, të sjellë begati, në Kosovë e për gjithë shqiptarët. Një poezi, që na përcjell dhimbjen me vargjet e saj, është ajo me titullin kuptimplotë, “Matrapazët e pamëshirë”.

 

“Ka vdekur edhe shpresa e fundit!

Duan të zhduket smalti e mundi…

Ka hyrë në mendje arratisja,

Te shumë të rinj të pashpresë.

Të gjithë po ikin,

Të ikim edhe ne!…

Apoteozë biblike – e pa fre?”…

 

Ndërsa te poezia ”Një kërthi”, shprehet me këto vargje:

 

”Një kërthi gjashtëmuajshe në lukuni,

Këmbëzbathur në krah të babait,

Përtej lumit presin cerberët!

“Ndal,- i thotë zyrtari,-

Të zura – kaliboç…

Nuk mund të ikësh!”

Babai, me foshnje troç,

Nëna i zgjatë duart – në lot,

Foshnja qeshet,

Polici i huaj ngërdheshet…!?”

 

Autori e shprehë hapur atë mllef, që i del nga shpirti i ngarkuar me plagë dhimbjeje për fatet e Kosovës, të njerëzve të saj, të cilët sakrifikuan edhe me jetët e tyre, për të punuar e jetuar në Kosovën e lirë e të zhvilluar, si nga ana ekonomike e atë shoqërore, por edhe arsimore e kulturore. Ai  ka ditur të ndërtojë mure të forta kalaje, nëpërmjet vargjeve të poezisë, që na sjell te ky vëllim i ri. Poeti është i bashkangjitur si një metal, me problemet aktuale të shoqërisë dhe ngre fuqishëm zërin e tij, si një zgalem, nëpërmjet poezisë së tij.

 

Edhe poezia ”Nënëloket tona” ka gjetje të bukura metaforash, që të mban fort pas saj, me vargjet e shpresës, që krahët janë si të shqiponjës, por me bardhësinë e borës së maleve, plot mesazhe  jete:

 

Donin Nam’ e Arbëri,

Mbronin pragun e shtëpisë,

Më të forta se guri e stralli,

Të fuqishme si zana mali…”

 

Ashtu si e kemi shprehur edhe në fillim të hyrjes së parathënies së librit,  autori  i këtij vëllimi, poeti Gani S. Pllana, nga shpirti pjalmon për Atdheun, vargje me aromë pranvere, që janë mesazhe të qarta dritëdhënëse, për sot e për nesër. Ky mesazh duhet lexuar drejt, nga të gjithë, me qëllim që Pavarësia e liria jonë të jetojnë në shekuj, pra të kemi veç pranverë:

 

” Për pranverë kam një porosi:

Pëllumbi, kur të vjen krahëhapur,

Mbi derë të shtëpisë sonë,

Le t’u jap lajmin e prerë:

Do kthehem te ju!

Patjetër, në Pranverë

Çelë loti im.”

 

Vargjet e librit ”Kërkoj yllin e fatit”, të poetit Gani S. Pllana, janë gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtarë shqiptarë. Ata sikur rrezatojnë shpresë jete, perspektivë dhe krenari. Pikërisht këtë mendim të tij, autori Pllana e pasqyron me këto vargje:

”Presim me gëzim

Nëntorin e Tretë,

Do bëhet nuse krenare

Arbëria,  Zonjë vetë”.

 

Autorit të këtij libri i urojmë suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij letrare!

 

Xhevahir Cirongu

publicist, poet, shkrimtar.

Durrës, 20 shkurt 2015

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress