Home » Kulturë » POETJA LUMTURI YMERI (BERSAVA), BËN “RIKTHIM NË VITE”…

POETJA LUMTURI YMERI (BERSAVA), BËN “RIKTHIM NË VITE”…

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Sigurisht, që të shkruash për një njeri të caktuar, pra dhe për një poet ose shkrimtar, duhet të keshë një nxitje ose shtysë të veçantë. Nisur nga ky mendim, fillova t’i shkruaja këto pak radhë  për poeten Lumturi Ymeri, e cila në Internet njihet me emrin letrar, “Bersava”.  Nuk ka shumë kohë, kur lexova aty një poezi të bukur dhe poshtë  saj bëra një shënim, sigurisht, dashamirës. Shaku ishte edhe sepse ajo kishte shkëmbim mesazhesh me poeten, tashmë të njohur e me tri vëllime të botuara, Enkelejda Kondi, me banim familjarisht në Francë.

Siç është bërë e ditur, para pak ditëve u bë një tubim i bukur përurues, në mjediset e Muzut Historik Kombëtar të kryeqytetit. U fol rreth librave të rinj të poetëve Pilo Zyba, Enxhi Krasniqi, Dëshira Haxhi e Belantina Venari. Sigurisht, u lexuan edhe poezi nga krijimtaria e tyre. Kur tubimi përfundoi, paksa e ndrojtur, m’u afrua një pjesëmarrëse, e shoqëruar nga fëmija i saj. Në dorë ajo mbante një libër. Sakaq, m’u paraqit, se ishte pikërisht poetja Bersava (Lumturi Ymeri), me të cilën isha lidhur përmes Internetit. Natyrisht, i shpreha kënaqësinë time për takimin dhe e falënderova për librin e dhuruar, me fjalët dashamirëse: “Z. Murat Gecaj! Ky është udhëtimi im i parë, i fjalës dhe i ndjenjës poetike. Me respekt: Lu.Ymeri-Bersava”.

2.

Ja, kanë kaluar disa ditë dhe, tashmë, jam “familjarizuar” me krijimtarinë e Bersavës. Së pari, i lexova 64 poezitë e vëllimit të parë të saj, “Natë mbi gjysëmbotë” (Tiranë, 2011). Po kështu, në faqen e njohur të Internetit “Facebook” gjeta e lexova rreth 30 poezi të reja të saj. Pra, edhe aty lexuesi krijon bindjen, se ajo shkruan e shkruan dhe i publikon përherë krijimet e saj. Se kështu jo vetëm ndjehet vetë “e çliruar” nga muza poetike, por dëshiron ta masë “pulsin” e lexuesve të saj. Dhe, është domethënëse se, ata e ndjekin me kujdes ecjen e saj në udhën e krijimit poetik. Prandaj poshtë çdo poezie bëjnë shënime nxitëse dhe vlerësuese për të.

Ndërsa tani po i kthem vëllimit të Bersavës, që kam në dorë. Nuk di se përse, por m’u duk kuptimplotë e shprehës titulli i një poezie të saj, pra “Rikthim në  vite” (faqe 41), të cilin e vendosa në krye të këtij shkrimi. Kjo sepse, po të shihen me vemendje poezitë e publikuara, pothuajse me të gjitha, ajo e kthen lexuesin prapa në kohë e hapësirë. Një praktikë e tillë është e njohur për shumë poetë e shkrimtarë. Pra, regjistrojnë  në letër mbresa dhe kujtime të shkuara.

Që në poezinë hyrëse të vëllimit, ajo pohon e paralajmëron: “Vargjet e mia janë/ semaforë të kuq në kryqëzime./ Mos i kalo!…”. Në këtë udhë, Besava ka shkruar poezi të frymëzuara, kushtuar vetëvetes, dashurisë, nënës e babait të saj. Duke e kujtuar me mall të pashuar këtë, te poezia “Nënës” shkruan: “Të argjedtat-thinja,/ me gishta t’i kreha,/ netëve t’ vetmisë!/ Të qëndismat-rrudha/ me qepikë t’i gdhenda,/ nën gushë e rreth syshë!” Por edhe babain ajo e ka gjithnjë udhërrëfyes: “Frika pa Ty, më la pa krahë,/ jeta pa ty, një mister,/ ndaj të mbajta brenda meje,/ të di ku eci, të di ku shkel!” Ndërsa pranë prehjes së fundit të tyre shpërthen: “O mall, që më gulçon nga shpirti-zjarr, si llavë!/…si nuk u shkri ky mermer?!”

Me notat më të bukura të shpirtit poetik, te “Rikthim në vite” ajo thurë vargje për bashkudhëtarin e jetës dhe për filizin e zemrës së të saj: “Se si m’u bëre kaq i afërt,/ seç më plotësove, nuk e di?/ Por di një gjë, pa ty dhe djalin,/ për mua jeta s’ka kuptim…!” Ndjenja e pakrahasueshme dhe njerëzore e nënës për foshnjën e saj të parë, na jepet aq bukur edhe në vargjet: “…kudo, ngado, kurdo, të ndiej ty, vogëlushi im,/ që rritesh me  flladin e mallit të shpirtit tim…”(mars, 1990). Më tej, duke u “zbërthyer” me ndjenjat dhe shqetësimet e saj, te poezia “Erindit”, shkruan: “Shpirti im i vogël, ti zemër e ndjeshme,/ u rrite tani…/ Nuk dua t’i shoh sytë aq të thellë/ me lotë e mërzi”.

Duke jetuar me kujtimet e së shkuarës, te poezia “Hap pas hapi”, poetja shkruan: “Sa bukur kanë çelur lulet e dardhës,/ topçe-topçe valëviten në erë./ Atëherë, m’i këpusje e m’i vije në flokë,/ sa larg më duket kjo -atëherë”!” Faqe pas faqeje, lexuesi përjeton bukurinë e vargjeve dhe mendimeve të shprehura, artistikisht e me gjuhë të rrjedhshme, në poezitë: “E huaj sonte…”, “Yjet më janë zemëruar”, “Çast përjetësie…”, “Ne dhe ata”, “Vetëm pakëz”, “Ç’ gjëmon?” , “Fjala” etj. Aq përzemër i ka ëndrrat dhe dëshirat e saj Bersiana, sa i lutet detit që ato mos t’i trazojë: “Ëndrrat, dashirat e mia, të tuat, tuajat;/ i ndera lehtas mbi kaltërsinë e detit,/ iu luta të mos m’i zhysë thellësive të tij,/ janë engjëj”(faqe 51).

…Me këto ndiesi të bukura për jetën, për të djeshmen dhe për të sotmen, Bersava vazhdon të shkruajë e të publikojë poezi, sidomos në Internet. Nuk do të ndalem këtu në bukurinë e vargjeve të tyre, as në tematikën, që ato kanë. Po, për të krijuar një ide më të qartë, po përmendi disa tituj të tyre: “Agimi”, “Lapsi i mendimeve”, “Mbretëri qiellore”, “Kohës sime”, “Të gjitha pritjet”, ‘”Fëmijëri e ri(gj)etur” etj. Thënë shkurt, përmes tyre, kjo poete na shfaqet me talent, me veçori në mendim, në stil dhe në fjalorin poetik. I urojmë asaj gjitha të mirat në jetë dhe krijimtari sa më të frytshme, me libra të rinj të publikuar!

Tiranë, 10  qershor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch