Home » Kulturë » Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë

Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë

XHAVIT ÇITAKUKështu tha Ulmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve në festivalin e djeshëm të poezisë “ Sofra poetike” që u mbajt në Boros të Suedisë

Nga XHAVIT ÇITAKU

Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të dytë organizuan manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga Norvegjija, Gjermania, Zvicra e Greqia si dhe poet e miqë suedez. Sipas organizatorëve, Sokol Demakut, Bahtir Latifit dhe Hysen Ibrahimit, udhëheqës të këtyre asosacioneve  ky manifestim  që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare.

Në fillim të këtij evenimenti, Saranda Iseni, e cila ishte edhe moderatore, recitoj bukur vjershën e shkrimtarit suedez, Karl Nordstrym, “ Ata dhe Ne” kushtuar vuajtjes së madhe që shqiptarët patën gjatë luftës së fundit në Kosovë nga soldateska famkeqe serbe.. Me poezitë e tyre u paraqitën edhe Hysen Ibrahimi, Remzi Basha, Louesie Halvardson,, Henrik Mimerson, Shuquri Sejdijaj, Shaban Osmani, Nuha Zllufi, Myrvete Mehmeti. Ndërkaq, Juliana Janku që kishte ardhur nga Gjermania pos në shqip ajo lexoi krijimet e saja edhe në gjuhën anglishte me qëllim që edhe krijuesit dhe miqtë suedez të kuptojnë më afër përmbajtjen e tyre të mrekullueshme.

Dhimbja të bënë vjershëtar

Në këtë tubim të rëndësishëm poetik e morën fjalën edhe disa krijues, të cilët lartësuan poezin si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Ullmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve, i dha një përgjigje karakterit dhe domethënies se poezisë , kësaj ëme të artit duke thënë: Para shumë vitesh lexova  për një poet në kohën e Vikingëve, i cili shpjegoi pse ishte bërë poet. Ai e shprehu me gjuhën solemne të përdorur para në mijë vjetësh. “ E MORA DHURATËN E DHIMBJES, DHE PRA U BËRA VJERSHËTAR”. Ky poet i panjohur para njëmijë vjetësh na jep mesazhin se si vuajtja dhe dhimbja mund të shihen pozitivisht si dhuratë, duke qenë se ajo mund të shndërroj të keqen në diçka të mirë dhe të bukur, në poezi. Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë. Për këtë arsye besoj se ky poet nordik nga koha e larshtë ka një lloj ngjashmërie me poetët shqiptar deri në ditët tona. Dhimbja për fatin e atdheut, për krimet e armiqve mizor, për vdekjen që vjen pa pritur dhe pa mëshirë, të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi, prapë jo aq shumë sa dhimbja dhe malli. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye mirëpres me gëzim të madh këtë iniciativë për të futur përsëri  kulturën shqiptare dhe poezin në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”, tha ndër të tjera ai.Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Bardha Mançe, redaktore e programit shqip në radio Athinë, foli fjalë miradije për punën e mrekullueshme që po bëjnë qendra kulturore “ Migjeni” dhe Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar këtu në Suedi, të cilat duhet të jenë një shembull i mirë edhe për të tjerët se si duhet të punohet në mërgim. Behide Hasanaj , foli kryesisht për punën e saj 35 vjeçare në fushën e humanizmit dhe të ndihmës së madhe që ajo së bashku me shoqatën i dhanë popullit në kohën kur kishte më së shumti nevojë. Shuquiri Sejdijaj, krijues dhe gazetar, tha se vërtetë tash po e kuptoj se sa e fuqishme, sa magjike qenka poezia me vetë faktin se sot në këtë eveniment kanë ardhur krijues e dashamirë nga shumë vende evropiane.

U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira

Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, dy nga ato iu ndanë dy krijuesve suedezë. Do theksuar se në garë morën pjesë me krijimet e tyre morën pjesë mbi 30 poet nga shumë vende evropiane, Kosova e Shqipëria.  Të shpërblyerit janë: Lebibe Zogiani, Myrvet Elmazi, Bajram Muharremi, Louise Halvardsson, Vlhelme Vranari, Isa Ferizi, Vasa Papaj dhe Henrik Mimersson.

Në këtë tubim u promovuan edhe Libri i Lebibe Zogianit “ Më falë një jetë”, i Hysen Berishës “ Familja Teraba, i Nulla Zullufit” Larg Vendlindjes dhe i Shuquri Sejdijajt “ Veç një zemër”.

SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch