Home » Lajme, Opinione » POR SOT – KOSOVË, PA M’THUEJ SI JE?!

POR SOT – KOSOVË, PA M’THUEJ SI JE?!

Fehmi RAMADANIRilindësi ynë i shquar Vaso Pashë Shkodrani, qysh në Shek.XIX, atëherë kur Shqipëria ishte katandisur në krizë të thellë ekonomike, morale e kombëtare, në poezinë e tij “O Moj Shypni” kishte lëshuar gjëmën me disa rreshta: “Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po, sikur lisi i rrxuem përdhe. Ke pas qenë veshun, sot je me crule. E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë”. Çfarë koincidence, rrafsh 100 vjet më pas sikur këto gjëmë po përsëriten, por tani në një pjesë tjetër të Shqipërisë, të quajtur Kosovë, e cila ka një dekadë e gjysmë që është çliruar, përfundimisht nga thundrat okupuese!?
***

Kush më mirë se rilindësit tanë e kishin ndjerë shpirtin dhe zemrën e popullit shqiptar për kaq kohë të gjatë? Sot, sërish shtrohet dilema, pse kjo histori duhet të përsëritet vetëm pas një shekulli? Pse, kjo tani po ndodh me Kosovën?
Kosovë, kush po tenton që ta thyej të ardhmen tuaj pas 15 vite çlirimi dhe 7 vite të pavarësisë? Pa, më thuaj Kosovë, sot ku je tretur? Pse nga toka jote, sot po ikin burra, gra, fëmijë e të rinj, njerëz të varfër me shpresa të thyera e të humbura, të mllefosur e të zhgënjyer, të inatosur e të urryer për humbjen e ëndrrës se do të kenë një jetë më të mirë, një të ardhme më të ndritur për fëmijët e tyre. Ata po e lënë këtë tokë, babë e nënë, vëlla e motër, shtëpi e votër dhe vetëm e vetëm për të ikur nga këtu dhe të gjejnë ndonjë strehë tjetër, perspektivë, ndonjë shpresë për jetë më të mirë në ndonjë shtet të Evropës.

 

Kosovë, ti nuk ke guxuar të lejosh që të nëpërkëmbet gjaku yt i derdhur ndër shekuj për liri e pavarësi? Nuk ke guxuar të harrosh vuajtjet, sakrificat dhe peripecitë e tua gjatë shtypjes shekullore? Kjo tokë, gjatë historisë ka vuajtur shumë, në çdo cep të saj ende gërmon gjaku yt i derdhur. Çdo pëllëmbë e saj është e ujitur me gjakun e njomë e të freskët. Në këtë tokë gjithkund ka varre, ato janë të shumta dhe kurrë nuk guxojnë të harrohen!
***

Kosovë, ti ke bërë gabim që ke lejuar të harrohet shpejt, sidomos katrahurën e vitit 1999 në të cilën, sërish u derdh gjak. Vetëm gjatë kësaj lufte, në altarin e lirisë ranë dëshmorë rreth 2000 burrë, gra, djem dhe vasha më të mira të këtij kombi. Ty, Kosovë, nuk ke guxuar të harrosh, as rreth 15 mijë viktima, burra, gra, nuse shtatzëna, djem të rinj dhe fëmijë, të cilët u vranë nga barbarët serb nëpër shtëpitë e tyre? Për fat të keq, një pjesë e tyre edhe sot e kësaj dite nuk po mund t’i gjenden as eshtrat!
Kosovë, ti nuk guxon të harrosh rreth 1 milionë bashkëvendës të përndjekur nga toka jote shekullore? Këta shqiptarë, armiku i dëboi nga vatrat e veta për t’u mos u kthyer kurrë më. Por, ata sërish u kthyen dhe sërish u ngjallën si feniksi. Ata jo vetëm që u kthyen nëpër vatrat e tyre të djegura e të rrënuara, por me vete kishin edhe ëndrrën e madhe të lirisë dhe shpresën e sendërtimit të vendit. Ata, atëherë nuk donin viza azili, nuk pëlqenin jetën në ndonjë shtet të Evropës e gjetiu, por donin të jetojnë të lirë dhe të ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre.
Kosovë, ti nuk guxon të mos mbash në mend as shkatërrimet e shumë fshatrave, qyteteve, vendbanimeve dhe të mirave të shumta materiale? Ti nuk ke guxuar të harrosh shumë gjëra? Më fal, nuk po i përmendi të gjitha, sepse plagët e tua janë të rënda dhe nuk po dua të lëndoj më shumë.
Por, vetëm desha të shtrojë një pyetje:
Pse, a nuk pate dije, apo forcë që t’i dilje përballë të keqes që ta përgatitën armiqtë, maskarenjtë, faqezinjve, intrigantët, profiterët, mashtruesit, pseudopatriotët, pseudointelektualët, puthadorët, servilët, klounët dhe lloj lloj ilet tjerë, të cilët të prunë në këtë qereste?
***
Tani Kosovë, ku janë njerëzit e shkolluar, akademikët, shkrimtarët, shkencëtarët, intelektualët e vërtet, gazetarët e njëmendët, profesorët, mësuesit, nëpunësit shtetëror, të cilët nuk po e ngrehin zërin në këto çaste të vështira? Për çka i shkollove këta, vetëm për famë dhe ego personale, apo për ngritje të vetëdijes dhe kontribut shoqëror e kombëtar!?
Ty, Kosovë të kanë mbetur pakëz njerëz të vërtet e të shkolluar, të cilët do ta kthenin nderin, shpresën dhe krenarinë që e meriton. Shumica prej tyre të shkolluarve janë futur në petkun e partive politike, të grupeve të ndryshme të interesit, në vallen e përfitimit personal, interesit grupor, apo e kanë zgjedhur edhe rrugën e mos kundërshtimit ndaj gjendjes së katandisur ndoshta po ju prishet punë në ndonjë interes të tyre të ngushtë, për ndonjë pozitë, punësim, apo edhe për ndonjë lakmie tjetër.
***
Kosovë, të flasim drejt, padyshim se fajtorë për gjendjen e rëndë në të cilën sot je katandisur është robëria shumë shekullore, por ky nuk është arsyetimi i duhur. Për gjendjen tënde të rëndë fajtorë jemi të gjithë, që shijojmë lirinë tënde, por nuk bëmë mjaftë për sendërtimin e ekonomisë, zhvillimit, rendit, ligjit, arsimit, shëndetësisë dhe shumë segmenteve tjera të jetës. Të gjithë, shumica prej nesh kemi faj për keqpërdorimin e lirisë tënde që shumë pak bëmë për të tjerët dhe lejuam të kemi një shoqëri jo të barabartë dhe një jetë me standarde të ultë. Por, Kosovë ta dish se përgjegjësinë më të madhe për thellimin e kësaj krize shoqërore e ka klasa udhëheqëse, e cila edhe pas 15 vjet lirie dhe 7 vjet pavarësie të la në këtë gjendje të rëndë. Ata e mbajnë barrën më të madhe të llogarisë, sepse më shumë u morën me veten e tyre, familjet dhe grupet e tyre të ngushta, se sa me zhvillimin tënd.
Kosovë, në emrin tuaj shumica e tyre janë pasuruar dhe sot këta dhe familjet e tyre bëjnë jetë luksoze, ndërsa mbi 80 për qind e popullatës nuk jetojnë mirë. Raportet e organizatave botërore tregojnë për 18-20 për qind të popullatës jetojnë në varfëri të skajshme, me vetëm 0.75 cent për kokë banori. Ndërsa, në Evropë dhe gjetiu për kokë të një qeni ndahen 2.75 euro. Papunësia vetëm vitin e fundit 2014 ka arrit shifrën prej 60 për qind, apo 339 mijë njerëz të papunë, kryesisht të moshës së re. Këto raporte tregojnë se GDP e Kosovës është 3.5 për qind, e cila është e pamjaftueshme për një rritje ekonomike dhe punësim të numrit kaq të madh të rinjsh, të cilët në tregun vjetor të saj dalin 30-40 mijë njerëz të aftë për punë. Këta udhëheqës pa dallime të grupimeve partiake shumë pak u morën me ekonominë, më shumë ishin në funksion të shkatërrimit të saj se sa ndërtimit dhe zhvillimit të projekteve të ndryshme, të ardhmërisë tënde. Ata janë fajtorët kryesorë, pse sot ky vend ka shkolla të bollshme, kurrë më parë nuk kishte pasur më shumë, por që nuk ka arsim të nivelit të duhur. Sot, ky vend ka ambulanca dhe spitale të shumta, si private dhe shtetërore, por kurrë më parë se tani nuk ka shërbime cilësore, ka korrupsion dhe nepotizëm të lartë.
***
Sot, në këtë vend ka ndërtime të shumta të egra, por kurrë më parë ndërtime vend e pa vend, me leje e pa leje, të cilët i kanë shëmtuar, kryesisht vendbanimet urbane. Në këtë vend punëtori, sidomos në sektorin privat, kurrë më parë se tani nuk është i diskriminuar. Ata shfrytëzohen në formë të egër, por që shteti nuk i mbron ata, nuk merr masa ndaj shkelësve të ligjit.
Kosovë, ka shumë gjëra për t’i renditur, por kryesisht janë këto të lartcekura që kanë rënduar shumë jetën e shumicës së njerëzve të këtij vendi. Për këtë dhe shumë shkaqe një pjesë bukur e mirë e rinisë sate tashmë gjendet nëpër kampet e shteteve perëndimore dhe po kërkojnë zgjidhje për të ardhmen e tyre. Disa raporte po thonë se janë rreth 230 mijë njerëz që janë larguar, ndërsa fluksi i tyre ende nuk është ndalur. Ditë për ditë po dalin njerëz nëpër këto vende, por tashmë në formë shumë ilegale dhe në numër të vogël. Një pjesë e tyre që ishin të gatshëm të dalin jashtë vendit vetëm pas një propagande mediatike dhe politike kanë ndërprerë këtë rrugë dhe me vesh në krah po presin ndonjë lajm për investim ë ri dhe hapje të ndonjë vendi të ri punës për të mbetur këtu.
Kosovë, udhëheqësit e këtij vendi duhet më shumë të punojnë për njerëzit e vet, duhet të bëhen plane urgjente për zhvillim më të shpejt ekonomik dhe hapjen e perspektivës, sidomos për të rinjtë. Ti ke shumë punë për të bërë, e para është të ndryshosh qasjen ndaj njerëzve tu, të jesh në shërbim të gjithmonshëm ndaj tyre. E dyta, të braktisësh tabiatin e udhëheqësve tu, sidomos në ndryshimin e kursit qeverisës, shtimi i përgjegjësisë maksimale qeverisëse, kontrolli në të gjitha segmentet e jetës institucionale, shtimi i projekteve të ndryshme investive në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe të gjitha poret e jetës. Pra një politikë dhe reformë globale shoqërore do të ishte udha më e mirë e daljes nga kjo krizë e thellë shoqërore dhe ekonomike.
Kosovë, çdo vonesë në këtë drejtim do të shtonte edhe më shumë plagët tua, andaj është koha e fundit që udhëheqësit tu të këndellen dhe të kryejnë punët dhe detyrat me përgjegjësi të lartë, për çka e kanë obligim dhe paguhen. Ata kanë përgjegjësinë, që përfundimisht këtë vend ta nxjerrin nga kjo gjendje e rëndë dhe ta shndërrojnë në një vend me perspektivë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët që jetojnë në të.

Fehmi Ramadani

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress