Home » Kulturë, Lajme » Portret KUR MËSUESI VDES, NË DITËN E MËSUESIT!

Portret KUR MËSUESI VDES, NË DITËN E MËSUESIT!

MesuesiDita e Mësuesit, në Shqipëri festohet,më 8 mars, në shenjë kujtimi për hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, në vitin 1878.

Mëngjesi i kësaj dite, të rëndësishme për shqiptarët, kudo që ndodhen ata nga Bujanoci e deri në Çamëri, e gjeti pa frymë mësuesin e popullit Latif Thaçin. Ai, ndërroi jetë, në ditën e festës së madhe të mësuesit.

Kujtimet

Latif Thaçi, i njohur në popull si Mësues Lata, ka punuar si mësues klasor nëpër disa vendbanime të Komunës së Dardanës, prej nga e kishte edhe origjinën.

Gjatë viteve të 70-ta, Mësues Lata, vendosi të vijë për të jetuar në Komunën e Bujanocit dhe plot 46 vjet dha një kontribut të çmueshëm në fushën e arsimit, kulturës e humanitetit.

Jo më pak se 32 vjet, punoi si mësues në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërnoc dhe në Shkollën Fillore “Naim Frashëri”, në Bujanoc.

Me Shkollën Fillore “Naim Frashëri”, në Bujanoc, të ndjerin, dritë pastë Mësuesin Latë e lidhin shumë kujtime sa të hidhura dhe aq krenare. Nëpër disa shkolla fillore të Dardanës, Kamenica e dikurshme, Mësuesin Latë, e ndiqnin si hije të zeza njerëzit e sigurimit shtetërorë, të cilin nuk e linin të punojë më shumë se 2-3 vjet, për shkak dyshimit se mund të krijoj rreth dhe të bëhet i rrezikshëm për vendin ku jetonte. Dora e zgjatur e sigurimit shtetëror, nuk e linte të qetë as në Bujanoc.

Peripecitë

Gjatë vitit 1992, Gjykata komunale e Bujanocit e dënoi Mësuesin Latë me 15 ditë burg në Vranjë, me akuzën se ka kundërshtuar ndërrimin e emrit të shkollës fillore nga “25 Maji” në “28 Mars”, datës më të kobshme të popullit shqiptar, datë që lidhej me shembjen e Autonomisë së Kosovës, me gjak e hekur, nga ish regjimi diktatorial i Millosheviqit. Gjithashtu, Mësuesin Latë e akuzonin se ka penguar fëmijët e tij, të shkojnë në një shkollë që mban emrin nga më të shpifur dhe kobzi të popullit shqiptar. Por, nuk ishin vetëm këto, që e bënin Mësuesin Latë, të jetë në shënjestër të regjimit të Beogradit.

Sakrifica

Pushteti i atëhershëm sllavo-komunist dhe ai pluralist, mbushën dosjen e këtij veprimtari të devotshëm, që nga shkollimi i tij në Prishtinë, si normalist, pastaj si mësues dhe i kryetar i Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nëna Tereze” në Bujanoc. Po ashtu i zihej për të madhe nga sigurimi shtetëror se ka pranuar jashtëligjshëm t’i bëhej shtëpia qendër e organizmit të Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1991, pastaj shtëpia e tij u shndërrua në një shtëpi – shkollë për nxënësit e përjashtuar nga objekti shkollor në Bujanoc e kështu me radhë.

Mospërfillja

Për të gjitha këto kontribute autoritetet shqiptare të Komunës së Bujanocit, i dhanë Mësuesit Latë, vetëm një mirënjohje, duke e shpallur veteran të arsimit dhe hiç më shumë.

Pushtetet shqiptare në Bujanoc, nuk e panë të udhës, që këtij veprimtari të çmuar të çështjes shqiptare, t’ia punësojnë të paktën një djalë nga 5 sish, të cilët u detyruan të ikin nga Bujanoci, për të gjetur ndonjë vend pune në Kosovë dhe perëndim.

Kjo është arsyeja pse i ndjeri Mësuesi Latë, nuk pranoi që shoqja e tij, e vdekur para 3-4 muajsh, të varroset në Bujanoc, por në Gjilan, ku edhe, ai, e la amanet të përcillet për në banesën e fundit, më 9 mars 2016, për t’ia dërguar lulet e dhuratës për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të dashurës së tij.

Mesazhi

Një filozof ka thënë: “Shpirtvegjël janë ata, që punën e mësuesit e konsiderojnë të vogël!”

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch