Home » Opinione » Poshtë shqiptarët! Rroftë “kombi kosovar”!

Poshtë shqiptarët! Rroftë “kombi kosovar”!

Shkruan: Nehat Hyseni

Trendi i fundit i modës së skenës aktuale të politikbërjes kosovare para zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, është padyshim shndërrimi apo konvertimi i analistëve, gazetarëve e intelektualëve të ndryshëm, “të pavarur”, në politikanë dhe pretendentë të posteve politike në kuadër të partive dhe koalicioneve parazgjedhore, dmth në persona “të varur”.

Sepse, u “fejuan” me parti politike duke ua ofruar atyre “virgjërinë” ideologjike, që tani e tutje do të obligohen vazhdimisht ta konformojnë ndaj patronëve apo shefave të tyre politikë, në këmbim të futjes së tyre në politikë dhe “veshjes” me pushtet.

“Zhvirgjëruesit” e tyre janë, pra “bosët”, të cilët kërkojnë lojalitet dhe besueshmëri të pafund ndaj “kauzave” politike që pretendojnë, siç u shpreh kryeparlamentari i deridjeshëm. Që e prishi koalicionin qeverisës PDK-LDK dhe e rrënoi Qeverinë Mustafa, për t’u bërë vet kryeministër.

Por, “plani i shpisë”, sa duket, nuk iu përputh me “pazarin e çarshisë” dhe e uli pazarin përtokë, duke u pajtuar me gjendjen “më mirë pak se aspak”.

Dhe kjo “pak” na doli “boll” për Ramush Haradinajn, që e mori atë që Kadri Veseli e dëshiroi për vete, por dështoi dikund rrugës.

Por, megjithatë, ai akoma pa filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore, nuk hezitoi që t’i premtoj votuesve se do ta bëjnë “Kosovën si Zvicra”!

Premtim se jo mahi!

Pra, të mos keqkuptohemi dhe nesër ta keqinterpretojnë kundërshtarët dashakeq: “si Zvicra!”

Jo si Austria, Gjermania, Italia, Franca, etj., që janë më të “pazhvilluar”.

Por, z.Veseli na premton hiç ma pak se, si Zvicra, që është më e zhvilluara dhe më e pasura prej të gjithëve!

Natyrisht, poqese fiton koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma.

Sepse, ky koalicion në radhët e veta i ka tani Arbana Xharrën dhe Halil Matoshin.

Derisa Arbana nuk i ka lënë vend në Kosovë moralit politik, si vlerë e pretenduar aq shumë, dikur në shkrimet e saj, që na thoshte për çdo ditë të lume se po rrezikohet e po nëpërkëmbet si është më zi, pikërisht nga kjo parti ku ajo aderoi dhe prej aty po e gjuan Vetëvendosjen për “milionat” Vetëvendosjen dhe Lumir Abdixhikun, pse aderoi në LDK.

Mbase, ajo po e kryen punën e vet, për ta fituar rrogën “hallall”.

Kurse, Halil Matoshi aderoi në AAK, që garon me PDK-në, siç na thoshte dikur, si “burim i krimit dhe së keqes” në Kosovë, që me vite na përsëriste në televizion si “analist i pavarur”.

Edhe Halil Matoshi si Arbana Xharra, na e dëshmoi në vepër se promovimi publik i vlerave të caktuara dhe morali politik nuk ka rëndësi fare në Kosovë.

Por, me rëndësi fundamentale është vetëm se kush paguan dhe sa paguan.

Të tjerat pak rëndësi kanë.

Mbase nuk kanë rëndësi fare?!

Meqë Halil Matoshi tani e ka bërë shpinën e fortë, mund ta realizoj projektin e tij për kombin kosovar, duke e spastruar Republikën e Kosovës nga shqiptarët, si “element i rrezikshëm dhe destruktiv” që ishin dikur me “nacionalizëm dhe irredentizëm”dhe tani paraqesin rrezik me idetë e tyre “të çoroditura” për bashkim kombëtar.

Prandaj, poshtë shqiptarët, si “element destabilizues” në Ballkan!

Rrofshin “kosovarët” (e Nexhit dhe Halilit), si  “faktor stabilizues” në rajon!

Si analist politik Halil Matoshi deri tani nuk kishte fuqi politike ta realizoj këtë vizion politik “largpamës”, por tani si pjesë e koalicionit të “të fortëve”, pas zgjedhjeve të 11 qershorit, mbase do ta realizoj praktikisht dhe do ta “shpëtoj” Kosovën.

Me kombin kosovar, që do ta zhvilloj Kosovën e do ta bëjë “si Zvicra” dhe do ta stabilizoj Ballkanin!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch