Home » Kulturë » PPËRMES ARTIT, PËRCILLET QARTË MESAZHI I ATDHEDASHURISË…

PPËRMES ARTIT, PËRCILLET QARTË MESAZHI I ATDHEDASHURISË…

(Për librin “ Nimfa e një zemre të lënduar”, me autor Asllan Qyqallën)

 

Nga: Prof.Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi

Kopertinat M-Gecaj

Kopertinat e librit të ri

 

Vizioni ndaj botës krijuese, imagjinatës dhe përjetimit, të mbledhura tok në nënqiellin, ku bashkëvepron autori i librit: “Nimfa e një zemre të lënduar”(tregime e skica), Asllan Qyqalla të lë përshtypjen se frymëzohet prej emocionesh, të cilat mjeshtërisht e formësojnë strukturën kompozicionale të tregimit.

Teksa e mora dorëshkrimin e Asllan Qyqallës, sikur një parandjenjë më orientonte në personalitetin e autorit, me faktin që bën jetë artistike. Dhe, vërtet, në brendinë e prozave pikasa aftësinë krijuese të tij, si një ndërlidhje e pashkëputur me atë, që njihet “vetëdije e personazhit”, përmes të cilës kornizohet vetë jeta, që nga formimi intelektual e moral dhe, gjithashtu, formimi i vetëdijes kombëtare.

I ndarë në dy pjesë, pra tregime dhe skica, libri ofron gërshetim të bukur tematik, me shumë fraza të krijuara me shije artistike, përmes të cilave ngërthehet tharmi i jetës. Madje, vetë procesi i thyerjes së njësive tematike, kur nga tema erotike kalohet në atë sociale, meditative, pastaj në atë të atdhedashurisë. Sidoqoftë, në të fashiten vizione për një perspektivë të përgjithshme, në suaza të artit të shkruar.

Në disa nga tregimet, si bie fjala, ai që hap siparin e këtij libri të bukur, me titullin intrigues “Nimfa e një zemre të lënduar”, e pasuar nga “Nën pushtetin e stinës” dhe skica “Bukurinë ua vodhe luleve”, janë frymëzim i asaj ndjenje përndezëse, që gjithësecilit i bëhet flakadan moshe, që i ndrit ëndrrat rinore. Këto proza, janë ndësrthurur si një simfoni e bukur, melodia e të silës u ngjiz nga ëndje të pafundme të kopshtit edenik. Pra, në epiqendër vihet erotizmi, si një stoli delikate, siç është vetë femra. Poashtu, narracioni i dendur dhe dinamizmi i frazave në to, të lënë përshtypjen se brenda tyre ka një dell ftillimi prozash poetike.

Vijnë bukur, në këto proza, edhe disa shkëputje imagjinative, nganjëherë në formë kujtimesh dhe përcillen me dialog. Kjo gjë, zakonisht, përçon entusiazëm, ndonëse mund të jenë dialogje të paktë. Por ato arrijnë të të tërheqin në labirintin e leximit, që më pas të të joshin me stilin rrëfimor. Edhe këtu, herë-herë, ndodh alternimi i dialogut, teksa i lë vendin narratorit të nënkuptuar.

Libri “Nimfa e një zemre të lënduar”, pra, karakterizohet edhe me dukurinë e narratorit, i cili dukshëm është i përfshirë për lidhjet detajore, herë pas here, duke ia lëshuar vendin dialogut,iI cili e rritë intensitetin e veprimit dhe përqëndrimin e personazheve, që së bashku bëjnë pjesën e pandashme të ngjarjeve. Personazhet, gjegjësisht kryeheronjtë, megjithëse janë të paktë, ata e fosforizojnë veprën, për të mos krijuar imazhin se çdo gjë është e blertë, optimizëm me çdo kusht, do thoja, por përkundrazi, e ndjerë e reale, si sajesa, që logjikshëm e pleksin shtjellimin. Kështu, prozat: “Kalvar rrugësh” dhe “Në grafikën e shpirtit të një azilanti”, e reflektojnë shkathtësinë artistike, për të përçuar po emocione të veçanta përjetimesh edhe te lexuesi.

Tregimi “Një natë e acartë” dhe skica “Në grafikën e shpirtit …”, pasqyron sagën kosovare, mjaft tronditëse për botën e civilizuar dhe, mbi të gjitha, për bijtë e saj, brenda dhe jashtë atdheut. Në këto dy proza, sakrifica e shqiptarëve përshkruhet përmes një dhimbjeje të thellë, por të matur, veçmas në tregimin  e cituar. Ajo, pothuajse, i përngjet përshkrimit tronditës të Janis Ricos, te vepra “E largëta”,  ku kufomat e shpërndara gjithandej, flasin si statuja të heshtur. Pra, dhe tregimi i Qyqallës shpreh dhimbjen, ashtu të matur, ku megjithatë, të duket sikur mbizotëron pavarësia e heshtjes. Sepse, fundja, arti ka subtilitetin e vet, që nganj herë ngulmon të mbetet në konturat e ëndrrës dhe së bukurës.

Tëhuajësimi e dhimbja e individit, e përshkruar nga autori në tregimin “Një natë e acartë”, përafron mjaft me artin migjenian, në veçanti me një tregim të së njëjtës tematikë, “Bukuria që vret”, një konceptim i hollë për socialen, si gjendje reale e atdheut. Po, vallë, a mund të zhbëhen sot pamjet tronditëse të përshkrimit migjenian? Thjesht, është e pamundur, ato vazhdojnë të mbeten relikte të çdo kohe!

Proza “Në grafikën e shpirtit …”, e vë lexuesin para kulminacionit të konfliktit, aty ku do të duhej të gjendet zgjidhja e atyre njerëzve, që në ëndrrat e tyre e kishin sajuar parajsë, me një trajektore si: vendlindje – Igelheim. Ndërsa atje, ku i kishte shpënë udhëtimi pa kahje të sigurtë, ata gjetën vetëm lodhjen, përbuzjen dhe trishtimin për të nesërmen edhe më të pasigurtë. Kjo, në të vërtetë, ishte trajektorja e brengëdhimbjes së shqiptarit azilant. Përgjithësisht, prozat e Asllan Qyqallës i kanë të dyja pamjet, pikërisht, si vetë trishtimin dhe lumturinë e jetës, sfidat e të sotmes, për rimëkëmbjen e të nesërmes.

Po me një shpresë të fuqishme për jetën, për të ardhmen më të bukur, janë kompozuar skicat: “Se mos nga ti do marrë dikush mësime”, “Të kisha një vajzë si Mira”, “Vesa” dhe “Bija ime, na gëzo”. Gjithashtu, këtij sfondi tematik, mendoj se i përket edhe skica “Sikur të fitoja”.  Në këto proza, heroina bartëse të ngjarjeve dalin kryesisht femra entuziaste, të cilat e luftojnë patriarkalizmin e mbetur në fshatrat e largëta të malësisë. Pavarësisht sfidave, ato nuk dorëzohen përpara barrierave të shumta. Prandaj secila prej tyre, qoftë Mira, Hava ose Vesa, dinë si ta ndryshojnë jetën në të mirë të tyre. E, me këtë, janë të vetëdijshme se do ta ndryshojnë mbarë shoqërinë shqiptare. Prandaj, me të drejtë, edhe autori i librit, si mbështetës i optimizmit të tyre, i koncepton ato si rreze dielli, që vijnë pas një dimri të acartë, sepse shpresa e tyre, dikur e largët, e paarritshme, ndonëse e vënë përballë pengesash të shumta, sa vjen e bëhet realitet.

Të gjitha këto shqetësime të autorit, A. Qyqalla, në parim, vijnë nga bota e çiltër e një krijuesi, i cili përmes artit përcjell mesazhin kuptimplotë e të qartë të atdhedashurisë, si shqetësim parësor i gjendjes, në të cilën ndodhet atdheu i tij. Dhe, realisht, ky është mozaiku i harkuar i një shpirti të ndjeshëm ndaj mallit për vendlindjen, nënën, lulet e zogjtë, ato që shumëkujt i japin lumturinë e pafundme. Prozat në libër ndërthuren prej mjaft metaforash, si figura më të spikatura, po shpesh edhe pyetja retorike e eksklamacioni, janë përdorur me sens, në disa skica.

E tërë vepra vjen si një grafikë, ku shpirti që bredh me kohën, ka ruajtur me shumë dashuri, frymëzimet e një moshe, përjetimet e veçanta të jetës, ku pasioni nuk ndrydhet nga bota shpërfillëse. Ky frymëzim shpërthyes, në veprën e Asllan Qyqallës, është i pritshëm, apo…? Mendoj se s’kishte si të ndodhë ndryshe, sepse shpërthimin ideo-emocional, që e sjell një frymëzim i fortë, një mall i patretur strukur skutave të shpirtit, nuk e ndrydh dot as përgjumja, madje as …ëndrra! Ai frymëzim, një ditë, mjeshtërisht jetësohet në prozë. Urojmë që po këto gjurmë, të prijnë në shpirtin e lexuesve, me botë artistike brenda tyre!

(Shënim: Autori i këtij libri është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Naim Frashëri”, në Fushë-Kosovë. Recensent i tij është dhe Xheladin Mjeku)

Shtator, 2013 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch