Home » Intervistë, Lajme » PRANVERA DRITA GJONI: MBI EMOCIONIN GJATË KRIJIMIT, ËSHTË FJALA E LEXUESIT…

PRANVERA DRITA GJONI: MBI EMOCIONIN GJATË KRIJIMIT, ËSHTË FJALA E LEXUESIT…

Nga: Prof.Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

DRITA GJONI 

1.Këtë bisedë tonën, Pranvera, dëshiroj ta nisim me një ngjarje të veçantë të jetës tënde. Kështu, para pak ditësh, ti përurove dy libra në kryeqytetin tonë dhe, tashmë, je kthyer në vendbanimin tënd, në Belgjikë. Çfarë emocionesh dhe ndiesish përjetove, si në atë veprimtari, por dhe në takimet, që pate pastaj, me kolegë e miq krijues?

-Përshëndetje, profesor Murati! Mirë se ju gjej në këtë bashkëbisedim dhe mjedis të ngrohtë, që ju dini kaq mirë ta ofroni, me dashurinë, vlerësimin dhe komoditetin e shakave fine dhe të ëmbla.
Po, emocionet ishin të pa menduara më parë. Edhe pse i kisha përjetuar vitin e kaluar, kur u përurua vëllimi im poetik, “Autopsia e Shpirtit”. Ndërsa edhe këtë herë nuk munda t’i shmangia emocionet, lumturinë, lotët. Është kënaqësi e pafundme, kur poetë të mirfilltë, kritikë e miq, që e njohin mirë poezinë, e shkruajnë dhe e interpretojnë, vlersojnë artin tim të të shkruarit dhe atë më kryesoren i të qënit njeri. Është një ndjesi, që e gjej të barazvlershme te lëvdatat, që marr për fëmijët e mi, në përditshmëri.
Dhe, në fund të fundit, si fëmijët ashtu dhe librat, janë krijesa të mijat, të sjellura në këtë jetë me shumë dashuri, pasion, përkushtim, sakrifica. Edhe pse fëmijët janë krijesa gjaku, librat janë po kaq të rëndësishëm, pasi janë krijesa shpirti. Takimet me miq ishin “qershia mbi tortë”, gjatë qëndrimit tim në vendlindje. Bisedat e këndshme rreth letërsisë, në përgjithësi dhe poezisë, në veçanti, ishin të mrekullueshme dhe frytdhënëse. Gjithashtu, kontakti i drejtëpërdrejtë me miq, duke u parë ndër sy, duke shtrënguar duart, “theu” virtualitetin e ndrojtur, por jo vlerësimin për njëri-tjerin, që e kemi konsoliduar në largësi, duke e forcuar atë më tej dhe duke i dhënë së ardhmes frymë tjetër bashkëpunimi.

2.Lidhur po me këtë pyetje, sigurisht shkurt, mundësisht, na trego se cila është përmbajtja kryesore e këtyre dy vëllimeve? Po libra të tjerë a ke botuar dhe a janë të rinj, që presin radhën e publikimit?
-Në vëllimin “Në hark të horizontit tim”, përgjithësisht, trajtohen tema të ditës, me tematikë dashurinë, dhimbjen, humanizmin, padrejtësitë, kushtimet…etj, derdhur mbi to një frymë lirizmi, që të përjetohen sa më mirë, nga çdo lexues.
Po ashtu ngjet me vëllimin “Mendime të arnuara”, por me një thellësi tjetër mendimi, ku filozofia është “kostumi” i tij. Me poezitë e mia, jam përpjekur që të operoj në ind të problemetikave shoqërore dhe në palcë të individualiteteve, me vese të shëmtuara, me mungesë dinjiteti dhe identiteti.

Ballinat e dy librave të rinj, nga autorja Pranvera Drita Gjoni-1Ballinat e dy librave të rinj, nga autorja Pranvera Drita Gjoni-2

 

 

 

 

 

Ballinat e dy librave të rinj, nga autorja Pranvera Drita Gjoni..

.

Shtoj këtu se një meritë, në realizimin e këtyre dy vëllimeve, janë bashkëpunëtorët e mi: Dedë Shkurti, që ka bërë parathëniet e të dy librave dhe redaktimin e vëllimit të tretë; grafisti i talentuar i të gjithë librave të mi, Gjonatan Nikolli. Ndërsa botues i përkushtuar i librave të mi është Roland Lushi. Të treve u jam mirënjohëse për punën e kualifikuar dhe që janë pjesë e merituar e suksesit tim.
Po, kam libra në dorë, të cilët shpresoj që  tetorin e ardhshëm (me pak fat) do të jenë në dorën e lexuesit. Kam një vëllim me 99 lirika, “Bijtë e Drinit”, bashkautorësi me një lirike shumë të njohur, që tani nuk dua ta zbuloj. Këtë radhë, duke “thyer” mitin tim të dikurshëm. (Në moshën 18-vjeçare ka qenë përpjekja e parë për botim, me vëllimin “Përtej dashurisë”, me 80 poezi, që nuk u realizua, bile as pas përpjekjes së dytë, në vitin 1993. Ndaj, në botimet e mëvonshme, kam përdorur gjithnjë numrin 80 të matarialeve krijuese). Po, kështu parashikoj botimin e vëllimit poetik “Hajmalitë mistike” dhe studimin “Polet”, për të cilim kam kohë që punoj për të. E përmenda dhe më sipër, është vëllimi poetik “Autopsia e shpirtit”, i cili është pritur shumë mirë.

3.Përjetimet e emigracionit janë të njohura për të gjithë ne. Por, sigurisht, secili ka përvojën e vet. Kështu, çfarë mund të na thuash për këtë gjë, nga jeta në Belgjikë, si për  veten dhe fëmijët?

– Emigracioni, e thënë shkurt, është përpjekje jo vetëm për mbijetesë, por dhe për identitet. Fashitë disa dhimbje, shton shumë të tjera. Këtë e them për ecurinë e jetës sime, e cila në përmbajtje ka patur të gjitha ngjyrat ekzistuese. Kam sakrifikuar jo pak që të shkollohem këtu, për t’u përballur denjësisht me mentalitetin dhe  me cilësinë e jetës, që është në këtë shtet demokratik. Kurse për fëmijët, mund të them, se ka qënë më e lehtë, megjithëse përballjet me agresivitetin e jetës në një vend të huaj, nuk i kanë patur të pakta.

 4.Po në vijim të kësaj pyetjeje, sa ka ndikuar në krijimtarinë poetike largimi yt nga vendlindja dhe jeta në një mjedis të huaj?

-Mund të them që ai ka luajtur një rol të rëndësishëm. Pasi problematikat shqiptare i shoh në shumë këndvështrime. Bruto, të lëmuara, me delikatesë; egër, kritikuese, dëshiruese, ëndërruese… Gjë për të cilën një ndihmesë të madhe më jep horizonti i gjerë i përvojës së jetës, i përballjes me diferencën mes dy popujsh dhe, po kaq, me të përbashkëtat. Gjithashtu, janë studimi dhe leximi të pandërprerë. Gjykoj që, në krijimtarinë time, ato pasqyrohen në mënyrë transparente dhe ndjeshëm.

 5.Jo vetëm unë, por cilido që dëshiron, mund të njihet me mendime e vlerësime, që bëjnë njerëz të ndryshëm për krijimet tua të bukura, sidomos përmes faqeve të Internetit. Bile, ndonjëri ka thurur edhe poezi për ty…Pra, si ndihesh ti para lexuesve e dashamirësve tu?

– Oh, kjo është një pyetje paksa delikate! Nuk e di sesi do të arrij në një përgjigje, që të jetë afër ndjesive të mija?
Jam skuqur jo pak herë, pas ekranit të kompjuterit dhe kam qarë, njëkohësisht. Dhe kjo jo vetëm nga kushtimet e miqëve, por nga dashamirësia dhe profesionalizmi i lexuesit tim të kualifikuar për krijimtarinë time. Gjykoj se, mbi emocionin gjatë krijimit (gjë të cilën e përjetoj shumë rëndë, kur shkruaj), është fjala e lexuesit. Të tillë janë mesazhet tejet mirënjohëse, vlerësuese, pastaj dhe gjatë komenteve poshtë publikimeve të mija, hyrja në palcë në domethënien e krijimit, duke u bërë njësh me emocionin. Dhe kjo gjë, natyrshëm, më lumturon pafundësisht. Që të jem racionale, shumë herë krijimet që serviri nuk janë dhe aq të thjeshta.Përfitoj nga kjo bisedë, t’i falenderoj me mirënjohjen shpirtërore të gjithë ata kolëgë e miq dashamirës! Siç dihet, ekzistenca e një krijuesi varet vetëm nga lexuesi.

6.Unë pata kënaqësinë ta njihja vajzën tënde, Anën, e cila të shoqëronte në Tiranë. Ajo ishte vërtet një bashkatdhetare e jona e mirë. Këtë gjë e vërejta në fjalat e rrjedhshme shqipe, megjithëse ka shkuar në Belgjikë e vogël dhe tani dinte disa gjuhë të huaja. Nipn tim e kam, afërsisht në moshën e saj dhe mënjëherë u bëmë “miq” me Anën.  Kjo mësoi që kam shkruar libër për mbesën time, Dorelën, e cila më quan “Babush”. Me atë pamjen e vet të çiltër, menjëherë, m’u drajtua edhe ajo “Babush”!(ha,ha)…A je e kënaqur me vazhdimësinë tënde, pra si me vajzën Anë dhe djalin, Ergys? A shkruan ndonjëri nga ata, në poezi a në prozë ose cilat janë interesat e tyre kryesore?

– E vërtetë, ajo që keni vënë re. Të dy fëmijët janë mëkuar e rritur me gjuhën shqipe në shtëpi, por  dhe me diskutime, shumë herë të ashpra, rreth koncepteve për Shqipërinë, historinë, heronjtë dhe aktualitetin problematik. Ndaj, vendlindjen e kanë në zemër dhe në gjak. Vajza, Ana shkruan në prozë. Qëkur ka qenë 9-vjeçe, nxirrte nga mendja e saj e mençur: proverba, sinteza jetësore dhe përshkrime dukurish, me një veçori të pëlqyeshme. Zotëron një veti analizuese dhe sintetizuese të përparuar për moshën, që ka patur dhe ka. Ndaj, dhe është lexuesja e parë, e çdo krijimi tim. Kurse djali, Ergysi, nuk shkruan. Por është mbështetës i shkrimeve të mija, më shumë se vajza. Kujdeset për të gjithë elektronikën, me “usb”, me postimin në “pc”-të e tij dhe të motrës, që në një rast avarie me kompjutër, mos të më humbasë asgjë. Bile, ngulmon me të madhe që gjithçka ta shkruaj edhe me dorë (gjë për të cilën jam shumë dembele-ha,ha). Kanë interesa të kundërta nga njëri-tjetri. Vajza është shumë e dhënë ndaj politikës dhe muzikës. Në vitin  2011,mori pjesë në konkursin e talenteve të reja të këngës në “ Idool”, ku u rreshtua në 15-shen më të mirë, nga 5.000 kanditatë të testuar.
Ndërsa djali jepet më shumë pas ekonomisë (është më shumë materialist-ha, ha).

7.Megjithëse njihet si pyetje standarde, në mbyllje të çdo bisede, për të cilën dhe të falënderoj përzemërsisht: A dëshiron të shtosh diçka ose a ke merak të thuash ndonjë gjë tjetër?

-Po, përveç falënderimit me shumë vlerësim, për mundësinë e të shprehurit, të rrëfimit për veten, doja të shtoja: Pasioni i mban gjallë ëndërrat e, si i tillë, e zhvillon dhe e gjallëron jetën. Ndaj, do t’u thoja njerëzve që, me dashuri, mirësi, përkushtim e sakrificë, arrihen rezultate dhe kënaqësi të panjehsueshme për veten, familjen e shoqërinë. Gjithashtu, ju faleminderit për këtë bisedë të çiltër, e cila nuk ishte pa emocione për mua!

Tiranë-Belgjikë, 4 nëntor 2014

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch