Home » Lajme » Presidenti Topi pret Krerët e Komunave Bujanoc dhe Preshevë

Presidenti Topi pret Krerët e Komunave Bujanoc dhe Preshevë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë në Zyrën e tij, Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu dhe Kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Me këtë rast, pasi u uroi mirëseardhjen, Presidenti i Republikës theksoi se po ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet në Luginën e Preshevës, duke vënë në dukje rëndësinë e trajtimit të shqiptarëve sipas standardeve demokratike ndërkombëtare, si dhe duke shprehur mbështetjen e palëkundur për të drejtat themelore të shqiptarëve në atë rajon dhe përfshirjen e tyre si qytetarë të barabartë në jetën politike, shoqërore dhe institucionale të shtetit të Serbisë.

Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit vuri në dukje se është në interesin e të gjithë qytetarëve të Komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës që të mundësohet një ambient i shëndoshë sigurie, duke i bërë thirrje, me këtë rast, të gjithë faktorit politik shqiptar atje, që të ruajë qetësinë dhe unitetin, duke shmangur acarimet dhe përplasjet politike. “Është shumë e rëndësishme, që për përmbushjen e kërkesave tuaja të drejta dhe legjitime ndaj shtetit serb, shqiptarët shprehen më një zë dhe të mbajnë një qëndrim” – vuri në pah Presidenti Topi, duke siguruar njëkohësisht se: “Shqetësimet e banorëve të kësaj Lugine do të vazhdojë t’i bëjë pjesë të axhendës dhe të çdo takimi që do të zhvilloj me partnerët ndërkombëtarë.”

Më tej, Kryetari i Shtetit nënvizoi se, në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe politikës moderatore e konstruktive që po ndjek në rajon, shteti shqiptar po punon për të zhvilluar dhe thelluar bashkëpunimin për çështje me interes reciprok dypalësh, pra, midis Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe të përfshirjes e pjesëmarrjes aktive të Kosovës në të gjitha veprimtaritë me karakter rajonal. “Është e rëndësishme të punojmë së bashku për t’i afruar qytetarët e vendeve tona, pasi njohja ndërmjet tyre, besoj se do të ndikonte në përballjen dhe, më pas, në kapërcimin e mendësisë së vjetër, të mbushur me konflikte etnike e tashmë, të vjetëruar, ballkanike. Ky hap është i nevojshëm për të përparuar drejt së ardhmes, për qytetarët e vendeve tona. Ndaj besoj se zhvillimi i marrëdhënieve pa paragjykime midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Serbinë, do të përbënte një kontribut për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, – theksoi më tej në takim Kreu i Shtetit shqiptar.

Duke nënvizuar rëndësinë e madhe të përmirësimit edhe të gjendjes ekonomike nё Luginёn e Preshevёs, plotësimit të kërkesave për arsim, për libra shqip, punësim, zhdukjen e varfërisë dhe mbështetjes më të madhe financiare nga Beogradi, si prerogativa për një zhvillim normal dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, Presidenti Topi dhe dy Krerët e Komunave vunë në dukje rëndësinë e veçantë që kanë edhe projektet e aktivitetet për zhvillimin e kulturës dhe ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu dhe Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, pasi falenderuan fillimisht për mikpritjen e ngrohtë e miqësore, vlerësuan rolin e Presidentit Topi dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, shprehën mirënjohjen e thellë për këtë takim të rëndësishëm, si dhe për kontributin e tij personal e institucional në të gjithë këtë proces, duke e ftuar njëkohësisht edhe për një vizitë në trojet e tyre, ftesë, e cila u pranua me kënaqësi nga Kreu i Shtetit shqiptar.

Tiranë 25 tetor 2011

These standards are a perfect reference point for elementary teachers passionate about incorporating financial literacy into david foster wallace essays online their lessons

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch