Home » Lajme » Prishet koalicioni shqiptaro-serb në Bujanoc, që ishte duke qeverisur për më shumë se dy vjet

Prishet koalicioni shqiptaro-serb në Bujanoc, që ishte duke qeverisur për më shumë se dy vjet

Sipas burimeve të Rtv Presheva, në Bujanoc, dje është prishur koalicioni shqiptaro-serb, që ishte duke qeverisur për më shumë se dy vjet, kjo pasi anëtarët e partive shqiptare miratuan një propozim me të cilin largohen 17 emrat serbë të rrugëve në këtë qytet dhe zëvendësohen me emra shqiptarësh.

Propozimi për t’i ndryshuar emrat e rrugëve është miratuar nga komisioni shtatë anëtarësh, nga i cili katër përfaqësues shqiptarë mbivotuan tre anëtarët serbë. Pro propozimit votuan vetëm anëtarët shqiptarë, ndërsa të pakënaqur, anëtarët serbë e lëshuan mbledhjen.

Me këtë vendim në Bujanoc hiqen emrat e rrugëve: Car Lazari, Carica Milica, Vojvod Mishiqa, Vojvod Stepe, Radomir Putnik, Dimitrije Tucoviq, Dositej Obradoviq, Svetozar Markoviq, etj.

Këta emra pritet të zëvëndesohen me Skënderbeun, Rexhep Hasanin, Naim e Sami Frashërin, Idriz Seferin dhe shkrimtar dhe luftëtar të tjerë shqiptarë.

Sipas mediave serbe, emër të një rruge do të ketë edhe dëshmori Fatmir Ibishi, ish pjesëtar i UÇPMB-së, për të cilin siç raporton Blic, në shkurt të vitit 2000 në Konçul kishte vrarë në një aksion një polic dhe kishte plagosur rëndë tre të tjerë.

Ndërkohë, sheshi qendror në Bujanoc, që mbante emrin e udhëheqësit të kryengritjes së parë serbe, Karagjorgj Petroviq, do ta merr emrin Sheshi Skënderbeu.

Rreth vendimit të Kuvendit Komunal të Bujanocit, vendimin përfundimtar do të jep komisioni përkatës i Ministrisë së Administratës Publike, Administratë Lokale, të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Menjëherë pas kësaj, përfaqësuesit serbë në Kuvendin Komunal kanë deklaruar prishjen e koalicionit qeverisës me shqiptarët në këtë komunë.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch