Home » Lajme, Opinione » Prishja e koalicionit APN-PVD dhe lufta kundër mafisë politike në komunën Preshevës

Prishja e koalicionit APN-PVD dhe lufta kundër mafisë politike në komunën Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Prishja e koalicionit qeverisës APN-PVD, që është vendosur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 24 prillit 2016, akoma pa i mbushur as dhjetë muaj, ka shqetësuar shumë qytetarët e Preshevës.

Brengosja reale sidomos e një pjese të të rinjëve konsiston në shpresat e tyre për të bërë kthesë radikale në ndryshimet shoqërore që priteshin të ndodhnin pas rënies së qeverisjes mafioze 12 vjeçare të PDSH-së, në krye me kapon e krimit, Ragmi Mustafën, në komunën e Preshevës dhe Nagip Arifin, në komunën e Bujanocit.
 Në fakt, zgjedhjet lokale të vitit të kaluar cilësohen si zgjedhje “anti-mafi”, që ia kishte zënë frymën shqiptarëve të Luginës. Dhe kjo luftë “anti-mafi” dhe “anti-krim”, në komunën e Bujanocit u udhëhoq dhe u fitua nga PVD me Shaip Kamberin në krye. Kurse, në Preshevë situata ishte më e paqartë dhe PVD, edhepse e ka selinë dhe lidershipin qendrore nga kjo komunë, megjithatë nuk arriti ta fitoj besimin e plotë të votuesve për këtë mision të proklamuar me moton “ne jemi shpëtimi”.
 Fushata e vakët parazgjedhore e PVD-së, që kishte shumë konfuzitet, paqartësi e dilema të pajustifikueshme, tek votuesit preshevarë nuk zgjoi besim të mjaftueshëm, duke e radhitur këtë parti në vendin e tretë në zgjedhjet e 24 prillit 2016, që realisht paraqet humbjen më të madhe në historinë, që nga themelimi i saj më 19 gusht 1990.
Ndërkaq, votuesit preshevarë, sa duket, luftën “anti-mafi” ia votëbesuan më tepër partisë së sapoformuar, APN-së së Shqipërim Arifit, duke e radhitur si parti të dytë.
Kjo ishte befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve, që i tejkaloi të gjitha parashikimet dhe pritshmëritë.
Arsyet e kësaj befasie të dyfishtë: humbjes katastrofale të PVD-së dhe fitores së befasishme të APN-së, pra, duhet shikuar në gjendjen e pashpresë dhe zhgënjimin e preshevarëve me gjendjen dhe me shpresat për ndryshimin e saj.
Mbase, edhe “përtrirja” në kreun e PVD-së dhe paqartësitë tjera, shkaktuan kalimin e shumë votave tradicionale të kësaj partie të kalojnë në APN, meqë, siç thamë, qëllimi kryesor ishte fitorja “anti-mafi”, apo kundër Ragmi Mustafës dhe bandës së tij kriminale.
Prandaj edhe koalicioni më i natyrshëm dhe i mundshëm paszgjedhor ishte mes këtyre dy partive, dmth APN-PVD, si koalicion që do e stoponte dhe do e hiqte nga pushteti këtë bandë, që u vendos qysh të nesërmen e zgjedhjeve.
Por, qeverisja banditeske e mafioze e Ragmi Mustafës ishte cilësuar si e keqja më e madhe për komunën e Preshevës dhe më gjërë, edhe nga vet partia e PDSH-së, e cila menjëherë pas zgjedhjeve lokale filloi “diferencimin” brenda saj, që kulmoi në aktivitetin konfliktual e skandaloz zgjedhor brendapartiak dhe rezultoi me ndarjen definitive të PDSH-së, duke u shkëputur shumica absolute prej 9 këshilltarëve, dmth. reth 2/3, kurse me Ragmi Mustafën mbetën vetëm grupi i ngushtë, dmth grupi i krimit, që ishte dhe mbeti dorë e djathtë e tij në të gjitha marifellëqet skandaloze e ogurzezë, të krimit e “plaçkitjes patriotike” nga biznespolitika e dyshimtë e mafioze, që u shpërblye me para të majme nga buxheti komunal dhe nga Qeveria e Serbisë.
Kështu, u rrumbullaksua koalicioni “anti-mafi”, që filloi me APN me moton “për ndryshim”, si dhe me PVD-në me moton “për shpëtim”, dhe përfundoi me fraksonin e PDSH-së me moton “për drejtësi”, duke krijuar koalicioni “Anti-Ragmi”: APN-PVD-PDSh ( fraksioni i saj).
Prandaj, synimi dhe objektivi kryesor politik “anti-mafi”, si premtim i fushatës parazgjedhore u arrit plotësisht me mëposhtjen e Ragmi Mustafës&Company.
Rrjedhimisht, monopoli i luftës kundër saj nuk i mbetet vetëm APN-PVD-së, por këtë rol fuqishëm, mbase më fort dhe më ashpër e merr edhe fraksioni prej 9 këshilltarësh i PDSH-së.
 Andaj, prishja e koalicionit paszgjedhor APN-PVD nuk paraqet “fundin e botës”, aq më parë kur mosdija, paaftësia dhe kokëfortësia e arroganca e pashpjegueshme e tyre, e sidomos e Shqipërim Arifit, realisht treguan se ata e morën pushtetin “para kohe”, të “papjekur” sa duhet, aksidentalisht dhe, sa duket, atyre u duhet kohë për të mësuar e për t’u aftësuar për të dhënë kontributin e tyre zhvillimit ekonomik, social, kulturor e politik të komunës së Preshevës dhe Luginës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch