Home » Lajme » Prishtinë – FAMILJARËT KËRKOJNË KTHIMIN E DJEMVE TË TYRE NGA MAQEDONIA

Prishtinë – FAMILJARËT KËRKOJNË KTHIMIN E DJEMVE TË TYRE NGA MAQEDONIA

Prishtine protesta e familjareve te KumanovesQindra protestues bashkë me familjarë të të arrestuarëve dhe të vrarëve në Kumanovë, protestuan  para ndërtesës së Qeverisë dhe kërkuan një përgjigje për familjarët e tyre.

Babai i Arianit, Ukshini është burgosur nga policia e Maqedonisë në konfliktin e para dyjavësh që u zhvillua në Kumanovë.

Përgjigje kërkonte edhe Ylber Ndrecaj, për vëllain e tij Mirsadin i cili është vrarë në po të njëjtin vend.

E po ashtu edhe Fatime Krasniqi, nëna e Lirim Krasniqit, i cili rezultoi i vrarë sipas listës së autoriteteve maqedonase.

Në mbështetje të këtyre familjarëve dhe kërkesa të njëjta kishin sot edhe disa zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Të gjithë së bashku thanë se ata që shkuan në Kumanovë nuk shkuan për para, por për ideale dhe të drejta të shqiptarëve në Maqedoni.

Ariani e kërkonte nga Qeveria e Kosovës që babai i tij të kthehej në Kosovë, pasi ka dyshime se atje po maltretohen.

“Kam dal për babin tim Sami Ukshinin…Po kërkoj liri për të dhe për gjithë shokët e tij”, tha ai.

E, Ylber Ndrecaj, vëllai i Mirsad Ndrecajt i cili u vra në incidentin e Kumanovës, thotë se qëllimi i protestës së tyre është që institucionet t’i marrin parasysh kërkesat e tyre, pasi asnjë informacion nuk u kanë dhënë deri me sot.

Ndrecaj tregon arsyet se pse vëllai i tij shkoi në Kumanovë dhe dyshimet për tradhti që iu ka bërë grupit.

“Arsyet i ka bërë përpara gjashtë muaj më herët, përmes internetit, nuk ka pasur fshehtë diçka, arsyet kanë qenë për të drejtat e shqiptarëve të barabarta, edhe të prishet marrëveshja e Ohrit pasi nuk është respektuar së pari nga Ali Ahmeti, pastaj Maqedonët, nuk i ka mbajtur fjalët, kështu që ka shkuar për ideale të veta…Aty ka pasur tradhti të mëdha, merret vesh, çdo tradhti koha i qet, njerëzit do të përgjigjen për atë…pas flitet prej dy anëve…Ali Ahmeti e teposhtë…asnjë s’mund të akuzoj personalisht askënd, derisa të kryhet disa gjëra.

Ndrecaj thotë se është mburrje për të, e jo pendim, edhe pse vëllai i tij ka vdekur, sepse gjithmonë ka pasur këtë ideal dhe që sa kohë e ka paralajmëruar këtë.

Madje, edhe fëmijëve u ka vënë emrin, vajzës Ilirida dhe djalit Ilirijan, pasi ka pasur qejf ta shpall pavarësinë e Iliridës.

Ai i quan dezinformata ato që kanë dal në opinion se ata kanë shkuar atje për para, pasi që të gjithë kanë pasur jetë të mirë dhe asnjëri nuk ka pasur nevojë për para.

Fatime Krasniqi, nëna e Lirim Krasniqit, i cili rezultoi i vrarë sipas listës së autoriteteve maqedonase, thotë se djali i tij, ka shkuar për ideale në Maqedoni, e jo për gjëra tjera, sepse ai ka pasur jetë të mirë, meqë ka jetuar në Gjermani.

Ajo tregon se djali i saj u kthye nga Gjermani me 5 maj, por që nuk u kishte treguar se po shkonte në Maqedoni, por u kishte thënë se po shkonte në Tiranë tek një shok i tij.

“Kur erdh në Kosovë me 5 maj, na tha neve prindërve se do të shkoj të një shok në Shqipëri, do të shkoj ta vizitoj, nuk do të rri shumë, vetëm një natë, i thamë shko. Pritem dy, tri ditë, nuk kishim lidhje më me të, nuk e qonte telefonin….Ka shkuar për popullin e vet, për shqiptarët, ju ka bashkangjitur vendit të vet, po për qata, për atdheun e vet ka shkuar, se e ka pasur në gjak dhe shpirt, qysh i vogël kur e kam kthyer qysh në vitin 2000, kur kemi shkuar në Prekaz të familja Jashari, me ka thënë, a bre nanë të kisha qenë i rritur iu kisha bashkangjitur Jasharëve dhe e ka pasur në shpirt qata…po së bashku me shok…tash për çka ka shkuar neve s’na ka treguar, sepse ka shkuar pa na vet neve”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se kanë qenë në burgun e Shkupit dhe i kanë vizituar të arrestuarit, të cilët tha se janë brutalisht të rrahur e të maltretuar.

Në përkrahje të familjeve të të vrarëve dhe të arrestuarve ishin edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari tha se janë tubuar sot për të quar një mesazh duke filluar nga vet ata e deri te institucionet e vendit për të kryer detyrat.

“Ata që kanë pas nderin të bien në fushën e betejës për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarit kudo që ndodhet ai, janë ta pavdekshëm dhe kanë vetëm një emër dëshmor. Unë nga ky vend iu bëjë thirrje institucioneve të vendit që të jenë në krye të detyrave dhe të kryejnë obligimin ndaj qytetarëve të vendit, gjithashtu iu bëjë thirrje politikës ditore kudo që zhvillohet ajo në Prishtinë, Tiranë, Shkup që kanë obligim moral, njerëzor e kombëtarë që një herë e përgjithmonë të bëjmë një unitet dhe një forcë për të realizuar të drejtën e të gjithë atyre që luftuan e nuk kursyen as jetën e tyre që ne sot, e tutje, e kurdoherë të jetojmë si një popull dhe si një komb i bashkuar me të drejtën tonë historike”, tha Jashari.

Ai ka shtuar nga sot e tutje të gjithë ata që japin deklarata të pamatura në drejtim të atyre që luftuan në këtë pjesë të gjeografisë kombëtare, Kosovë, Luginë e Maqedoni e kanë gabim dhe askush në historinë e një populli dhe një kombi nuk mund dhe nuk ka fuqi që ta kriminalizoj luftën e një populli.

Në emër të familjeve, foli Taulant Gashi, i cili tha se po protestojnë sot në shenjë solidariteti për djemtë, familjarët por edhe për shokët e tyre. Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që të angazhohen sa më shpejt në zbardhjen e rastit për qytetarët e vet.

“Djemtë tanë torturohen në mënyrat më çnjerëzore nga regjimi Sllavo-Maqedon, sot ne familjarët terrorizohemi nga mungesa e informacionit, shpifjet dhe propaganda që lansohet për fatin e atyre çlirimtarëve, ne duam të dimë ku janë ata. Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj institucioneve tona, të cilat kanë më shumë se një javë që qëndrojnë indiferent ndaj qytetarëve të vendit të vet, të cilët vriten, rrahën e torturohen nga regjimi policor e diktatorial të Maqedonisë, andaj kërkojmë urgjentisht nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vet që janë të arrestuar e që po torturohen nga regjimi Sllavo-Maqedonas, kërkojmë urgjentisht që qeveria e Kosovës të ndërmarr vendime konkrete në identifikimin dhe sjelljen e trupave që ranë dëshmor për liri dhe drejtësi të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Gashi.

Përkrahje këtyre familjeve u ka thënë edhe AAK-ja. Në këtë protestë mori pjesë edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi e cila tha se institucionet duhet të marrin veprime konkrete për shtetasit e vet.

“Sigurisht që sot kemi dal në mbështetje të kërkesave legjitime të familjarëve të cilët kanë të drejtë të dinë mbi fatin e familjarëve të tyre, djemve të tyre. Nuk kemi asnjë informatë zyrtare edhe pse po bëhen dhjetë ditë… Ne jemi këtu për t’i bërë thirrje Qeverisë të marr veprime shtetërore pasi që fillimisht dështoi, meqë informatat e para që u dhanë ishte se kjo Qeveri kishte informata dhe mundi ta parandaloi vdekjen e qytearëve tanë atje, por mos veprime na solli në këtë situatë. Ne e thërrasim të veproi si shtet dhe të interesohet për fatin e shtetasve e shtetasve të Kosovës”, tha ajo.

Ndërsa, rreth përfshirjes së bashkëpartiakut të saj Xhafer Zymberi në incidentin në Kumanovë ajo tha se nuk kanë pasur asnjë informacion për veprimet që ai po bënte. Por, ka shprehur keqardhje, duke thënë se janë të shokuar për humbjen e bashkëluftëtarit të shumë figurave të AAK-së. Sipas listës që kanë publikuar autoritetet maqedonase, nga përleshja e armatosur në Kumanovë, janë vrarë dhjetë persona, ku 9 janë nga Kosova dhe 28 janë arrestuar, 21 nga Kosova.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress