Home » Lajme » Prishtinë: Fletëvotimet pa simbolet e Kosovës, vetëm me logon e KQZ-së

Prishtinë: Fletëvotimet pa simbolet e Kosovës, vetëm me logon e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të jetë logoja e KQZ-së. Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka lëshuar mbledhjen e KQZ-së ne shenjë pakënaqësie të propozimit për heqjen e stemës dhe simboleve shtetërore nga fletëvotimet.
Ai në emisionin e Klan Kosovës Infomagazin tha se sot KQZ ka shkelur ligjin, kushtetutën dhe ka mohuar sovranitetin e Republikës së Kosovës me miratimin e fletëvotimeve pa stemën e Kosovës dhe pa simbolet e shtetit, përkatësisht vetëm me logon e KQZ-së.
“Ne do ta verifikojmë dhe do ta vlerësojmë me profesionalizëm këtë vendim të KQZ-së. Duke qenë të sigurt se ky vendim është i paligjshëm dhe antikushtetues, do ta adresojmë shumë shpejt në instancat gjyqësore, natyrisht duke mos përjashtuar edhe Gjykatën Kushtetuese për ta kundërshtuar një vendim të tillë”, ka thënë Adnan Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Rrustemit, KQZ ka votuar për heqjen e stemës së  Republikës së Kosovës nga fletëvotimet për zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas tij, tashmë totalisht është përmbushur kërkesa e kryeministrit serb Ivica Daçiq…
Heqjen e simboleve të Kosovës nga fletëvotimet e ka pohuar edhe ish-anëtari i KQZ-së  Fadil Maloku, nëpërmjet  facebookut. “Të nderuar miq, një pjesë e KQZ-së, para pak çastesh…në një takim AD HOC edhe formalisht e përmbushi kërkesën e shtetit serb që në zgjedhjet e 3 nëntorit të mos figurojë LOGOJA e shtetit të Kosovës!”, ka shkruar ish – anëtari i KQZ-së, Fadil Maloku në facebook.
Ndërkohë, për Radio Evropa e Lirë, anëtari i KQZ-së, Bajram Latifi ka thënë se
“KQZ-ja ka rënë dakord për dukjen e fletëvotimeve në përputhje me ligjin. Do të jetë logoja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila po ashtu mban logon e shtetit” Autoritetet në Beograd kanë kërkuar që në fletëvotimet e 3 nëntorit të mos ketë shenja të shtetësisë së Kosovës, sepse, në të kundërtën, nuk do t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në orët e mbrëmjes ka lëshuar një komunikatë ka njofton se  ka vendosur që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të jetë vetëm logoja e KQZ-së.
Përmes komunikates për shtyp Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton se në mbledhjen e sotme u diskutua për afatin shtesë për votuesit jashtë vendit, kërkesa e për ndryshimin e formularëve për certifikim të subjekteve dhe kandidatëve si dhe kërkesa që kishte të bënte me miratimin e përmbajtjes (formës – dizajnit) të fletëvotimit.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së fillimisht u miratua kërkesa e Ministrisë së Diasporës për afat shtesë për votuesit jashtë vendit, ku me me 2/3 e votave u bë ndryshimi i afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosove. Afati u ndryshua nga 4 shtator në 10 shtator.
Kërkesa thuhet se është bazuar në pushimet që kanë pasur bashkatdhetarët tonë dhe në numrin e vogël të aplikantëve të vetëregjistruar deri me tani.
“Kështu që gjithë votuesit jashtë vendit do të kenë mundësinë që të regjistrohen për të votuar përmes programit për votim jashtë vendit deri me 10 shtator. Ky afat do të vlejë vetëm për këto zgjedhje dhe do të vlejë për të gjithë votuesit jashtë vendit”, thuhet në komunikatë.
Pika dytë e takimit të sotëm të KQZ-së kishte të bënte me kërkesën e përfaqësuesit të Komunitetit serb në KQZ për ndryshimin e formularëve për certifikim të subjekteve dhe kandidatëve.
“Në të gjithë formularët në faqet e para të tyre do të jetë logoja e Republikës së Kosovës dhe logoja e KQZ-së (ashtu siç edhe kanë qenë). Ndryshimet do të jenë vetëm brenda tyre. Ndryshimi për këta formularë që janë pjesë e rregullores 2013/08 u arsyetua që t’iu lehtësohet procedura dhe t’iu ofrohen kushte më të mira subjekteve për t’u regjistruar. Kjo kërkesë mori 2/3 e votave të kërkuara me Ligjin për zgjedhje. Këto ndryshime do të vlejnë vetëm për këto zgjedhje. Subjektet që kanë marrë formularët e mëhershme nuk kanë nevojë që t’i ndryshojnë (pasi që edhe formularët e vjetër do të jenë valid). Këta formularë janë të njëjtë për territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Edhe pika e tretë e takimit po ashtu ishte bazuar në kërkesën e anëtarit serb në KQZ dhe kishte të bënte me miratimin e përmbajtjes (formës – dizajnit) të fletëvotimit për zgjedhjet lokale 2013.
“Përmbajtja e fletëvotimit u miratua konform nenit 87, përkatësisht 87.5 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme. Fletëvotimi përmbanë të gjitha elementet që kërkon Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme. Fletëvotimi do të këtë logon e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe do të jetë unik për territorin e Kosovës”, thekson KQZ.
Më tej në komunikatë thuhet se Komisioni Qendror Zgjedhor është i përkushtuar që të ofrojë kushte të barabarta për gjithë votuesit e Republikës së Kosovës.
“KQZ është e përkushtuar të përmbush obligimet kushtetuese, të organizojë zgjedhje në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Të gjitha vendimet e saj janë konform ligjit dhe janë të njëjta për territorin e Republikës së Kosovës. Të gjitha vendimet janë në interes të integritetit të vendit dhe kontribuojnë në krijimin e institucioneve legjitime në të gjitha 38 komunat e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Mbledhja e KQZsë është mbajtur në orët e pasditës, në vend të mbledhjes së paraditës, e cila nuk u mbajt për shkak të prezencës së mediave në  ambientet e KQZ-së.

(KTV)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch