Home » Lajme » Prishtinë: Vazhdimi ulëseve të rezervuara për pakicat, është kundërkushtetuese

Prishtinë: Vazhdimi ulëseve të rezervuara për pakicat, është kundërkushtetuese

Komunitetet pakicë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kërkojnë që edhe për dy mandate të tjera të kenë ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Kjo gjë, sipas njohësve të çështjeve juridike dhe kushtetuese, del përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaar-it.

Gjatë të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës pakicat kishin gëzuar privilegjin e vendeve të rezervuara. Një praktikë e tillë, në termet politike ishte cilësuar edhe si një diskriminim pozitiv. E njëjta praktikë vazhdoi edhe për dy mandate pas shpalljes së pavarësisë, siç përcaktohet edhe me Pakon e Ahtisaar-it dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Por, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kërkojnë edhe më tutje ta kenë një privilegj të tillë. Madje, vetë zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq, një gjë të tillë e ka shtruar një kërkesë të tillë kohë më parë. Ai nuk ishte i gatshëm të flas për këtë çështje të premten.

Njohësi i çështjeve juridike, deputeti i LDK-së Haki Demolli thotë se kjo çështje duhet të mbetet siç është në Kushtetutë dhe në Pakon e Ahtisaar-it.

“Kemi dëgjuar deklaratën e zëvendëskryeministrit, i cili në mënyrë ultimative ka thënë se në qoftë se nuk pranohen këto propozime tona, atëherë do ta bllokojmë tërë procesin reformues, qoftë në nivel kushtetues qoftë në nivel zgjedhor. Ne nuk kemi punë për ultimatume, prandaj jemi për atë që të mbetet ashtu siç është Pakoja e Ahtisaar-it, respektivisht Kushtetuta e vendit”, tha Demolli për Radio Kosovën.

Ndërkaq, eksperti kushtetues, Mazllum Baraliu thotë se vazhdimi i këtyre privilegjeve për pakicat, është kundërkushtetues.

“Çdo kërkesë për vazhdimin e këtyre privilegjeve, beneficioneve dhe favoreve që janë diskriminime pozitive për minoritetin serb dhe minoritetet tjera, është kundërkushtetuese, e paarsyeshme dhe e papranueshme. Këto shantazhe do duhej ndërprerë nga partitë minoritare për arsye se sëhtë antikushtetuese dhe antidemokratike”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Sipas Pakos së Ahtisaarit, në bazë të cilës është shpallur pavarësia e Kosovës, komunitetet pakicë gëzonin të drejtën e 20 ulëseve të rezervuar për dy mandatet e para të institucioneve të shtetit, kurse më pas, ato shndërrohen në ulëse të garantuara.

Dallimi qëndron në faktin se përmes ulëseve të rezervuara, komunitetet fitojnë 20 ulëse në fillim dhe llogarisin në vende shtesë që sigurojnë përmes votave gjatë zgjedhjeve. Kurse përmes ulëseve të garantuara, pakicat marrin vetëm 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch