Home » Histori » Prizren-Kur therriste historia: VIZITË NË SHTËPINË-MUZE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

Prizren-Kur therriste historia: VIZITË NË SHTËPINË-MUZE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

Në përvjetorin e një Kuvendi Historik (1878-2012)

 

VIZITË NË SHTËPINË-MUZE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

 (Nga blloku i shënimeve)

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

…Është ditë e freskët dhe në Deçan të Kosovës ka nisur të vesojë shi. Kështu vazhdoi rruga deri në Gjakovë. Në dalje të këtij qyteti, shohim rrënojat e ish-postës së  madhe të policisë, që u shkatërrua nga bombardimet ajrore të NATO-s. Sigurisht, shqiptarët atë ditë, sikur u çliruan nga një ankth a litar, që ua shtërngonte grykën. Sa e sa kosovarë, sidomos të rinj e të reja, kanë provuar aty tortura nga më çnjerëzoret. Dhe vetëm pse kërkonin “liri, demokraci dhe Kosovën-Republikë!”

Udhëtojmë mbi urën e lumit Erenik e përkrah shohim Urën e vjetër të Tabakëve. Më tej është Ura e Shenjtë, ndërtuar mbi Drinin e Bardhë, e cila mbart mbi vete legjëndën e murosjes, si ajo e Kalasë “Rozafa” në Shkodër: “Na ishin, një herë, tre vëllezër, me tri nuse…”.

Kalojmë nëpër fshatrat Krushë e Vogël dhe Krushë e Madhe. Sa herë e kam dëgjuar dhe lexuar këtë emër, i cili lidhet ngusht me atë të  Bacë Bajram Currit. Pikërisht këtu, në vitin 1862, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit, ku pushtuesit osmanë po ia internonin familjen, lindi  një ndër figurat më të mëdha të lavdisë së Kosovës dhe mbarë Shqiprisë. Ndalemi në fshatin Landovicë, ku fotografoj Varrezat e reja të Dëshmorëve.

Pastaj lemë pas Dushanovën dhe përpara na shpaloset, me bukurinë e tij të rrallë, qyteti historik i Prizrenit. Është i shtrirë në prehërin e maleve dhe në horizont shihen radhë-radhë Bjeshkët e Sharrit, më poshtë shfaqet Kalaja shekullore. Emri i Prizrenit dëshmon luftëra e trimëri shumëvjeçare. Ai flet shumë dhe për luftën e sakrificat e panumërta, që u desh të përballoheshin, para stuhisë së agresorëve serbë. Po ata i kishin bërë llogaritë gabim. Ndoshta, e kishin “harruar” edhe Prizrenin, me Kuvendin e tij Mbarëshqiptar. Por jo, ata nuk e kishin harruar atë. Se u sulën si të tërbuar ndaj ndërtesës-simbol të Lidhjes së Prizrenit dhe e dogjën, e shkatërruan me egërsi; u përpoqën të zhduknin dokumente e simbole kombëtare. Por nuk ia arritën dot.

Ja, tani përpara kemi përsëri ndërtesën, ku dikur janë mbledhur krerët e Lidhjes, ku ka gjëmuar historia. Ajo është e re dhe e bukur. Si i zënë në “faj”, ciceroni thotë se është vendosur që çdo vizitor të paguajë nga një markë. “Shumat e mbledhura, do t’i përdorim për nevojat e Muzeut”,-vazhdon më tej ai. “Shumë mirë, këtu nuk ka asgjë të keqe”,-mendoj me vete dhe përpiqem që këtë t’ia shpreh me mimikën time bashkëbiseduesit. Kaloj nëpër shkallët e drunjta dhe më bën se brenda dëgjoj biseda burrash e trimash të paepur. Pranë kam bacën Qerim Pedpshi dhe dy luftëtarë trima të UÇK-së, Vesel Maliqin e Agim Lekën, të cilët tani shprehin kënaqësinë  për këtë vizitë tonën në qytetin e tyre. Ciceroni, Parim Kosova shpjegon me qetësi dhe aftësi. Ndërsa unë mundohem t’i përfytyroj mendimtarët dhe prinjësit e shquar popullorë, pjesëmarrësit në këtë Kuvend të Madh. Ata ishin: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, sheh Mustafë Tetova, Hasan pashë Tetova, Haxhi Zeka, Ali pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Zija Prishtina, Abdullah pashë Dreni, Shaban pashë Peja, Shaban bej Prizreni, Ahmet Koronica, Jashar bej Shkupi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra, Binak Alia, Filip Doda dhe të tjerë. Por në mendime e në vepra ishin bashkë me ta edhe Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi…

Radhë-radhë, ata të gjithë i bëjnë nder dhe i thurin lavdi historisë sonë kombëtare. Përshtypjet i kam të shumta, sa vështirë do të mundem t’i përmbledh ato në atë Libër të trashë, në afërsi të derës së daljes. Mendoj se sa njerëz të mençur, burra shteti, intelektualë e personalitete të shquara kanë shkruar aty. Megjithatë dhe unë e ndiej për detyrë të them diçka modeste. Si me nxitim, aty shkruaj këto fjalë:

“Në udhëtimin timë të parë, në Kosovë e Prizren, përulem me nderim e respekt të thellë para veprës madhështore të Lidhjes dhe luftës heroike të shqiptarëve, për liri e pavarësi. Nga: Prof. as. Dr. Murat Gecaj. Prizren, më 15.07.2000”.

Afër ndërtesës, ku u mbajt Kuvendi i Lidhjes, ndodhet Muzeu. Këtu gjejmë përgjigjen e pyetjes, që na mundon, por asnjëri nga ne nuk e shpreh. “Ja, ku janë dhe shtatoret e Ymer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit, si dhe mjaft objekte me vlera të mëdha historike,- shpjegon ciceroni.- Gjatë kohës së luftës, këto u ruajtën në vende shumë të sigurta. Së shpejti, këto shtatore do t’i vendosim para ndërtesës, ku u zhvillua Kuvendi i Lidhjes, pra aty ku kanë qenë…”. Sytë na buzëqeshin dhe sikur çlirohemi nga një barrë e rëndë. “Ju lumtë!”- e përgëzojmë Parim Kosovën, i cili në këtë rast përfaqëson edhe punjonjësit e tjerë, që shërbejnë në këtë ansambël muzeor. Ai shpreh shqetësimin e natyrshëm për pajisjen sa më mirë dhe sa më shpejt të tij, me materialet e duhura historike. Tregon se aty kishte qenë për një vizitë studiuesi i njohur, Emin Riza, biri i profesorit të shquar, Prof. Selman Riza. Me të kishte shkëmbyer mendime se si mund të bashkëpunojnë më mirë në të ardhmen, për këtë qëllim, shkencëtarët e Prizrenit dhe të Prishtinës, me ata të Tiranës.

Ndër të tjera, shqetësuese është gjendja e bibliotekës të kësaj qendre muzeore, pasi gjatë luftës serbët, pothuajse, i dëmtuan të gjithë librat historikë. Prandaj kërkonin  ndihmën e Ministrisë së Kulturës  dhe të Bibliotekës Kombëtare, në Shqipëri. Për këtë qëllim, u dërgoi një letër atyre, drejtori i Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Komunës së Prizrenit…

Pasi u ktheva në Tiranë, në Bibliotekën Kombëtare takova zv.drejtoren, Etleva Domin, bija e personalitetit të madh të kulturës kombëtare shqiptare, prof.dr. Mahir Domi-Akademik (i cili u nda nga jeta më 19 shtator 2000). Ajo e mirëpriti këtë ftesë për bashkëpunim, me Bibliotekën e Muzeut të Prizrenit dhe tha se kanë mundësi të mira për ta pasuruar atë, me fondet e tyre rezervë. Shpreha kënaqësinë për këtë fakt. Por mendova se edhe studiues të ndryshëm a familjarë, në Shqipëri e në Kosovë, mund e duhet të ndihmojnë për pasurimin e asaj biblioteke historike, e cila do t’u shërbejë mjaft brezave të ardhshëm.

 

2.

…Sapo përfundojmë vizitën në Muze, dalim nëpër qytetin historik të Prizrenit. Megjithëse bie pak shi, dëshiroj të regjistroj në kujtesë sa më shumë pamje, të fiksoj sa më shumë monumente në aparatin fotografik. Edhe këtu janë gjurmët e gjakut e të  dhunës serbe. Këtej vërshuan “karvanet e lotëve” për në qytetin e Kukësit dhe përtej, në qytete e fshatra të ndryshme të Shqipërisë. Për plagët e dhembjeve e të shpresës, tani të flasin prizrenasit. Por ato dëshmohen edhe në faqet e shtypit të kohës. Ndër të tjera, shfletoj një shkrim, që ishte në disa numra gazete. Aty flitej për “Listat e gjata të inspektorëve serbë”, se si ata i vinin në shënjestër kosovarët për t’i futur në punë të detyruar, për t’i përzënë me dhunë ose për t’i asgjësuar intelektualët dhe të rinjtë shqiptarë. Ja pak radhë:

“Disa ushtarakë dhe policët serbë e vazhdonin aksionin e tyre për kindapimin dhe marrjen me dhunë të të rinjve, për punë të detyrueshme për hapjen e kanaleve dhe ndërtimin e bunkerëve, për maskimin e armatimit të soldateskës serbe nga sulmet e avionëve të NATO-s ose për thithjen e gjakut. Inspektorët e policisë serbe, në bashkëpunim me hyzmeqarët e tyre, e filluan përpilimin dhe realizimin e listave të intelektualëve dhe veprimtarëve prizrenas, të cilët ose do të pushkatohen ose do të dëbohen përtej kufirit”.

Ndërsa më poshtë autori jep të dhëna rrënqethëse të përndjekjeve të kosovarëve, të realizuara nga rregjimi serb:

“Gjatë muajit prill, inspektorët dhe policët serbë kishin “mjaft” punë për dëbimin e “të padëshiruarëve” për në Shqipëri. Këta qytetarë “të padëshiruar” për rregjimin serb, nuk ishin askush tjetër pos intelektualave dhe veprimtarëve, puna dhe qëndrimi i të cilëve në Prizren e pengonte rregjimin serb. Kështu, nga ky aksion i këtij rregjimi, u dëbuan: Agim Krasniqi-jurist, Skënder Morina-jurist, Engjëll Ceta-jurist, Muhamet Shukriu-jurist, Bibë Dulaj-jurist, Muharrem Skënderi-jurist, Vehap Hashani-jurist, Bashkim Nevzati-jurist, Qazim Bllaca-jurist; Anton Ceta-ekonomist, Xhemajli Dizdari-farmacist, Xhafer Kabashi-arsimtar, Selman Bajrami-prof., Jehona Ceta-arsimtare, Bashkim Shkurti-prof., Abdullah Zymberi-prof.dr.Hysen Krapi-prof., Sabri Breza-prof.,Syreja Hapçiu-prof., Ibish Gashi-prof., Shaban Cocaj-psikolog, Sadik Rexha-ekonomist, Tush Nushi-agronom, Telat Skeja-arsimtar, Xheladin Kastrati-prof., Mujë Krasniqi-agronom etj.”

Në mbyllje, autori i këtij shkrimi shton: “Mirëpo, gjatë këtij dëbimi mjaft intelektualë e veprimtarë u keqtrajtuan nga inspektorët dhe policët serbë. Kështu, pas marrjes nga shtëpia, si në stacionin policor, ashtu edhe gjatë rrugëtimit për në kufi, u rrah me kërbaç Haxhi Ferati, profesor Universiteti dhe ish-i burgosur politik, i cili ende nuk e ka mbushur një vit qyshë se ka dalë nga burgu. Po ashtu, mjaft rëndë u keqtrajtua edhe prof. Ibish Gashi, kryetar i PNDSH-së, dega në Prizren, ish- i burgosur politik“.(Osman Goranci, gaz. “Rilindja”,Tiranë, 19 maj 1999, faqe 10).

Siç është e njohur botërisht, agresorët serbë krijuan “lumin e ikjes” në të katër anët e Kosovës dhe masivisht i përndoqën shqiptarët nga trojet e tyre të stërlashta, në drejtim të: Kukësit, Qafës së Prushit, Qafës së Morinës, Maqedonisë e Malit të Zi. Dëshironin të zbatonin sa më shpejt planin famëkeq të spastrimit etnik të Kosovës, të cilin e kishin menduar dhe argumentuar, sipas tyre, “shkencërisht”, pasi ajo na qenka “djepi i serbëve” apo “stara Serbia” etj. Mirëpo, studiues të paanshëm dhe me interpretime dinjitoze e sqarojnë ndryshe këtë pikëpamje të tyre. Pra, le të përmendim vetëm njërin prej tyre. Kështu, në këtë punim lexojmë:

“Kosova njihet si njësi autoktone që nga kohët pellazgjike, e banuar prej fisesh dardane, që kishin lidhje gjaku me Dardanët e Trojës, me frigasit ose Brygët dhe Hititët, siç e vërejta vetë duke vizituar Trojën, Muzeumin e Njeriut në Ankara dhe Anadollin…Prokopi i Çesareas (jetëshkruesi i Justinianit) gjatë shekullit VI, në librin “Jeta sekrete e Justinianit”, tregon se ilirët ishin tepër fisnikë dhe fëmijët e tyre i edukonin, kur sllavët u dyndën në Ballkan nga Uralet. Ata i sollën romakët për ta dobësuar Perandorinë Bizantine, e cila ishte shkëputur nga Roma, pas ndarjes në mes të bijve të Perandorit Theodhos, Arkadit e Honorit…Prokopi thotë se  sllavët ishin shumë të egjër. Jetonin nëpër karroca të mbuluara, strukur nëpër pyje, gjatë ditës. Natën, dilnin për të marrë ndonjë ushqim nga bagëtitë e ilirëve. Këtë tundim e pësuan ilirët: Dalmatë, Japodë, Dardanë, Taulantë, Enkeleas e Dasaretë, të cilët për disa kohë kanë qenë pre e hordhive sllave. Sipas studiuesit Makushev, sllavët serbë zbritën deri në Shqipërinë e Veriut nga mezi i shekullit VII, kurse bullgarët nga mezi i shekullit IX zunë pjesën veri-lindore…Që nga shekulli VII e deri në shekullin X, sllavët e pushtuan Ballkanin dhe u pasuruan”. Më poshtë shtrohet kjo pyetje dhe jepet përgjigja e duhur nga vetë autorja:  “Ndërkohë, do t’i pyesim serbët: Mos, vallë, e kanë ndërtuar ata Tyrben e Sulltan Muratit, në Fushë-Kosovë?  Skica e marrë nga të dyja flegrat e derës së Tyrbes, duke u mbyllur, trajton me motive lulesh shqiponjën dykrenare, gjë që tregon se kush e ka ndërtuar atë në vitin 1389, dy vjet pas dekretit të Carit Lazar. Ajo është restauruar në vitin 1911. Ndërsa duke kujtuar Kishën e Deçanit, del se atë e kanë ruajtur brez pas brezi djem të një familjeje shqiptare, bile myslimane”.

 (Fatbardha Shkupi, gaz. “Rilindja”,Tiranë,  14 maj 1998, faqe 9).

Faktet, dëshmitë, dokumentet e historia pohojnë shumë e janë kokëforta. Populli thotë:”nuk mbulohet dielli me shoshë”. Pra, sado që të përpiqen ideologët shovenistë serbë, nuk do të mundin ta “argumentojnë” dot se Kosova na qenka tokë “serbe”!? E vërteta i ka rrënjët thellë në histori dhe historia flet, dëshmon dhe akuzon rëndë falsifikatorët e saj, të cilët, në rastin konkret, e kanë emrin: serbë.

 

3.

…Lemë pas qytetin e “njëmbinjë dritareve”, Prizrenin e bukur historik. Ai i ngjan aq shumë Beratit, Gjakovës, Shkodrës, Pejës, Elbasanit, Gjirokastrës…Se njëlloj e kanë prejardhjen, sëbashku e kanë shkruar historinë: me flakët dhe gjëmimin e grykëve të armëve, por dhe me penat e librat e diturisë. Këtu, ndërtesat karakteristike, muzetë, objektet e kultit, shkollat ose institucionet kulturore etj., çdo gjë dëshmon, si drita e diellit, për lashtësinë shqiptare, për traditat e moçme dhe aq të larta, që u ruajtën të paprekura nga brezi në brez, megjithëse duke u përballur me agresionin serb: të armëve vrastare dhe të penave të tyre të ndryshkura. Por armët e penat e tyre, kurdoherë, ua përulën e ua thyen shqiptarët e bashkuar. Ndërsa dhe tani, përsëri, në liri e demokraci, të gjithë prizenasit së bashku dhe secili veçmas, në profesionin e tij: në arsim, shëndetësi, kulturë, ndërtim, tregti, mbrojtje…po e rindërtojnë jetën e re.

Kanë vuajtur shumë shqiptarët e Kosovës, ndër vite e shekuj, ashtu si të mbarë Shqipërisë; ata kanë provuar dhe pabesitë më të pështira. Kishte plotësisht të drejtë, kur poeti ynë kombëtar, Gjergj Fishta, shkruante edhe këto radhë, në poemën e tij-lapidare, për padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve në shekuj, duke e ndarë pjesë-pjesë dhe duke e përçarë: “Ju, qi jeni të shtatë Krajlat,/ edhe ti, Mbret’ i Stambollës,/ “falëmeshëndet” krenët e Shqypnisë,/ për njat gjyq, qi e keni bamun,/ qi nën shkja me u vue Shqypnia./ Pa shikjoni, se, për Zotin,/ mund t’ na bijë ndo’i punë e keqe,/ pse na rob s’i bahna kuj;/ nji ket’ tokë të Shqyptarisë,/ Zoti vet, Ai na e ka falun…”

Megjithatë, sot shqiptarët e Kosovës besojnë dhe janë optimistë. Prandaj punojnë shumë vetë, me parullën si në luftë: “në shtatë e në shtatëdhjetë!”. Por dhe kanë pranë e shpresojnë përherë e më tepër në ndihmën e pakursyer të miqëve e dashamirëve, kudo në Evropë e në botë. Se kohët kanë ndryshuar, nuk janë si më parë. Megjithatë,  historia i “thërret” përsëri ata: Jeni të bashkuar dhe vigjilentë!

 

(Pjesë nga libri: Murat Gecaj, “Si e pashë unë Kosovën”, Tiranë, 2000)

One Response

  1. Alexey thotë:

    A Pot thirrin vzaajt ty a hmmmm ta kallcoj un ti vallen hahahahha Si lock je 8 kg ke nji still te veqantKONGA ESHT PERFEKT VEC KUSH JAV KA INAtiJu pershendet adriana shkup cao 8KG tduuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuu

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch