Home » Opinione » PROPOZIMI I DAÇIQIT PËR “SHKËMBIM TERRITORESH” DHE SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS

PROPOZIMI I DAÇIQIT PËR “SHKËMBIM TERRITORESH” DHE SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS

Shkruan: Nehat Hyseni

Me paralajmërimin e dialogut Kosovë-Serbi që do të mbahej në selinë e Këshillit të Europës dhe të Aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, në Bruksel, në Luginë të Preshevës u riparaqit “furishëm” ideja për “bashkim me Kosovën” nga disa liderë politik lokalë, duke e sfiduar kështu Kosovën, Shqipërinë, BE-në, SHBA-të dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë dhe  duke mbështetur idenë e Daçiqit për “shkëmbim territoresh” midis Veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.

Daçiqi “patriot” shqiptar ?!

Ivica Daçiq është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, dmth. i SPS-it dhe Kryetar actual I Qeverisë së Serbisë. Është  pauses i  Sllobodan Millosheviqit, i cili shkaktoi dhe i udhëhoqi luftërat shfarosëse në territorin e ish Jugosllavisë dhe në Kosovë, gjatë decenies së fundit të shekullit të kaluar,Sikur ky fakt  nuk i mjaftoi disa partive politike të shqiptarve të Luginës së Preshevës, që edhe ata t’I bashkangjiten kësaj “ideje” dhe këtij “opcioni” politik?!

Historia e këtij fenomeni, pra “ofertës” së Daçiqit për ndarje të Kosovës dhe “shkëmbimit të territoreve” të Veriut të Kosovës me atë të Luginës së Preshevë, është sa të pabesueshëm, poaq edhe të papranueshëm për Kosovën, për Bashkësinë Europiane dhe për  mikun dhe aleatin më strategjik dhe më të dashur që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët në historinë e tyre të shumëvuajtur kombëtare,SHBA-të, është “servuar” në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit.

Autorësia e”idesë”

Por, këtu nuk pushon befasia e një ideje të këtillë. Për më tepër, autorësia e vërtetë mbi këtë ide apo opcion politik i takon, ndoshta më tepër “babait” të Serbisë modern, akademikut Dobrica Qosiq, i cili me kohë kishte “propozuar” një gjë të tillë, duke vazhduar pastaj me Nikolla Pashiqin, gjatë qeverisjes së të cilit ndodhi katrahura shqiptare e fillimshekullit XX, e deri tek “Naçertania” e Garashaninit.

 

 

Pastaj, para dy vitesh, me paralajmërimin e dialogut Kosovë-Serbi që do të mbahej në selinë e Këshillit të Europës dhe të alencës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, në Bruksel, në Luginë të Preshevës u paraqitë “furishëm”ideja për “bashkim me Kosovën” nga disa liderë politik lokal, të prirë nga z. Ragmi Mustafa, kryetar aktual i Komunës së Preshevës, duke pretenduar se këta ishin “autorët” e kësaj ideje.

Paraqitja e tyre ishte mjaftë agresive, duke mos lëshuar pe në as një rast të vetëm, pa e shprehur këtë “opcion”, apo “ide”, bile edhe duke u thirrur në Referendumin e shqiptarve të Luginës të vitit 1992 për “Autonoimi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”, etj.

Nga opinioni shqiptarë, kjo paraqitje e stërpërsëritur e z. Mustafa, ose më mirë me thënë, në pjesën dërmuese të mediave shqiptare dhe serbe merrej si “radikalizëm  politik shqiptar” dhe nga një pjesë e shqiptarve të Luginës përjetohej si “patriotizëm”.

Sjellja, apo opcioni i këtillë, sikur kishte gjetur mënyrën perfekte për t’i kënaqur të gjitha palët: shqiptarët e Luginës së Preshevës, ose së paku militantët e PDSH-së dhe satelitëve të sajë, me “patriotizmin” që e karakterizonin tonet politike të paraqitjes, herë-herë edhe me agresivitet të theksuar të këtij opcioni (të Daçiqit).

Pra, të opcionit “shkëmbimit të territoreve” dhe  të ndarjes së Kosovës dhe bashkangjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën, duke gjetur bazën dhe mbështetjen tek Referendumi. Krijohej bindja se, edhepse ky lidership nuk ishte dukur pothuajse fare gjatë organizimit të Referendumit në rethana të rrezikëshme politike gjatë periudhës Millosheviqeane, megjithatë, ata tani fiulluan ta “uzurpojnë” Referendumin, duke i dalur zot “realizimit” të tij në këtë mënyrë.

Sfidat e Autononomisë së Luginës

Edhepse pyetja apo opcioni politik i Referendumit ishte i ndarë në dy pjesë:

1) Realizimin e Autonomisë Politike e Territoriale dhe

2) Rezervimin e të drejtës për “bashkëngjitje me Kosovën”.

Veprimi i këtillë, sikur përpiqej që të imponoj përshtypjen e “legjitimitetit” të pakontestueshëm të tyre, duke lënë anash organizatorët e vërtetë të Referendumit. Sepse ata, kinse e paskan “harruar” fare atë.

Sa i përket pjesës së pare të Referendumit – Autonomisë Politike e Territoriale të shqiptarve të Luginës së Preshevës, pengesat dhe sfidat më të mëdha vinin pikërisht nga ata që impononin, gjoja idenë e “bashkimit” me Kosovën, pra pjesën  e dytë të pyetjes së Referendumit, duke e anashkaluar fare pjesën e pare të tij.

Në këtë mënyrë, injorohej dhe kundërshtohej çdo përpjekje për institucionalizimin e unitetit politik dhe administrative të shqiptarve në nivel të Luginës, duke krijuar një ninstitucion të përbashkët të tyre, me administrate dhe ekzekutiv përkatës, që do mtë merrej me problemet, kërkesat dhe nevojat e përbashkëta të tyre për mbrojtjen të drejtës për gjuhë, simbolet kombëtare, informimin, arsimimin në gjithën amtare, për sigurinë dhe prosperitetin e tyre ekonomik.

Vlen të theksohet se në këtë rrugëtim, sfidat ishin të mëdha dhe pengesat vinin nga pushteti serb, i cili me masa repressive dhe me dënime drakonike përpiqej që të dekurajoj çdo përpjekje të shqiptarve në këtë drejtim. Proceset e montuara gjyqësore ishin të shpeshta dhe kërcnimet, shpeshë edhe me likuidim fizik të aktivistëve politik shqiptarë, nuk pushonin.

Aktpaditë penale ndaj kryetarit të atëhershëm të komunës së Preshevës, si dhe ndaj aktivistëve të dalluar politik, me pretendime të dënimeve kapitale, nuk pushonin. Ndodhëte që disa procese gjyqësore zhvilloheshin paralelisht, në të njejtën kohë kundër nesh.

Trysnia e tillë shtetërore, pa diskutim se e dëmtonte aktivitetin dhe frymëmarrjen e lirë politike tek ne. Por, mund të them me plotë gojën se, megjithatë, nuk arriti kurrën e kurrës të na dekurajonte.

Përkundrazi, vendosmëria dhe këmbëngulësia jonë shtohej edhe më tepër për të mos lëshuar pe, duke i shtuar aktivitetet tona me përkushtim dhe me intensitet edhe më të madh.

Mirëpo, mjerisht, nuk mund ta fshehim faktin se, sfidat nuk na vinin vetëm nga pushteti serb. Pengesat na vinin edhe nga një pjesë e shqiptarve dhe nga disa subjekte politike shqiptare, të cilët sikur kujdestronin në kundërshtimin dhe pengimin e rreptë dhe të vendosur për realizimin e Autonomisë së shqiptarve në Luginë, duke krijuar një institucion tyë përbashkët të tyre në nivel të Luginës.

Derisa ashpërsia e, pushtetit dhe kushtëzimet dhe shantazhimet që vinin prej tyre, ishin pengesë dhe ferr i vërtetë, pengesat që vinin nga  nga kjo pjesë e subjekteve shqiptare kishin efekte edhe më shkatërrimtare.

Formimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarve

Duke u thirrur në “ide të mëdha”, ata sfidonin çdo përpjekje në këtë drejtim. Aktiviteti i tyre arriti kulmin gjatë organizimit të fushatës së mbledhjes së nënshkrimeve, që ishte organizuar nën mbikëqyrjen shtetërore e gjyqësore, për themelimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarve të Luginës së Preshevës në vitin 2009 dhe 2010, si dhe me bojkotimin e tyre  të zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta pë KKSH-në më 6 qershor 2010.

Megjithatë, partitë e tilla politike shqiptare, të cilat ishin për “ide të mëdha”, që tani përbëjnë koalicionin e qeverisjes lokale, dmth. merren me “ide të vogla”, në kuadër të të drejtave dhe detyrave të pushtetit serb.

Pra, ato  dështuan në përpjekjet e tyre destruktive me daljen masovike të shqiptarve të Luginës me reth 57%, në votime. Përqindje kjo që nuk ishte realizuar ndonjëherë në zgjedhjet locale. Kështu, shqiptarët e Luginës i bën të qarta qëndrimet e veta politike lidhur me institucionin e parë të tyre të përbashkët kombëtar, KKSH-në.

Duhet sqaruar opinionit se interesat e ngushta partiake dhe personale të disa liderëve politikë të Luginës, të cilët nuk e shihnin interesin e tyre grupor e personal në institucionalizimin e unitetit politik e administrativ të shqiptarve të Luginës ishin dhe mbeten pengesë dhe sfidë e realizimit të suksesshëm të pjesës së p[arë të pyetjes apo opcionit të Referendumit për Autonomi.

Andaj, mund të konkludojmë se, pushteti serb në një anë, si dhe interesat e ngushta partiake, grupore e personale të shqiptarve të Luginës, paraqesin sfidat dhe pengesat e realizimit të këtij objektivi të tyre politik.

Bashkimi me Kosovën

Ndërkaq, ne në Referendum kishim paraparë edhe variantin rezerve, dmth. “bashkangjitjen me Kosovën” në rastin e prishjes së kufijve aktualë shtetëror.

Por, askund nuk kemi theksuar se ne do të jemi të parët që do t’i prishnim kufijtë shtetërorë, duke rrezikuar kështu që të marrim  mbi vete fajsinë, si dhe prishjen e partneritetit të shkëlqyeshëm politik me BE-në dhe me partnerët strategjikë të shqiptarve të kryesuar nga SHBA-të.

Opcioni i Daçiqit për ndarje të Kosovës, si dhe për “shkëmbim territores​h” midis Veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevês praktikish​t do të thotë që komunat me shumicë serbe të Veriut të Kosovês: Zubin Potoku, Leposaviqi​, Zveçani dhe Mitrovica e veriut, që të gjitha së bashku kanë diç më pak se 43000 banorê, t’i bashkangji​tenb Serbisë.

Kurse, Lugina e Preshevës me komunat e banuara me shumicë shqiptare: Presheva, Bujanoci dhe disa fshatra të banuara me shqiptarë të komunës së Medvegjës, t’i bashkangji​ten Kosovës

Deklarimi për “bashkim me Kosovën” pikërisht në kulmin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton paraqet, pra, sfidim të qëllimshëm të politikave të BE-së dhe SHBA-së, si miqë dhe partnerë më të ngushtë të Kosovës dhe shqiptarve në përgjithësi.Prandaj edhe një qëndrim I tillë është I dëmshëm për çështjen e Luginës, e sidomos për Kosovën. Sepse, mbështetë opcionin e Daçiqit dhe e sfidon, bile dhe e kundërshton në mënyrë të ahspërt dhe të drejtpërdrejtë qëndrimin e tyre, duke e mbështetur dhe favoprizuar Daçiqin karshi kryeministrit të Kosovës z. Thaçi dhe kryediplomates së BE-së Baroneshës Catherine Ashton.

Paradoksi (i kobshëm)politik

Deklarimi (i përsëritur) i Daçiqit se ai kishte shtruar në tavolinën e bisedimeve të Brukselit idenë e tij për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar Veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës dhe se kjo ide nuk ishte përkrahur nga baronesha Catherine Ashton dhe nga Kryeministri Thaçi, sikur i qartësoi gjërat tek ne shqiptarët e Luginës.

Por, dorën në zemër, nuk mund ta mëshefim faktin se edhe na e “mjegulloi” rezonimin politik dhe mënyrën e të kuptuarit të politikës tek ne. Pra, disi na janë “dallashitur” konceptet. Sidmos, kjo e ka hutuar tejmase, disa liderë shqiptarë, me  këtë “mesele”, por sidomos masën e gjerë popullore.

Njerëzit tani po pyeten: Vallë, cilat forca politike të Luginës së Preshevës janë rrjeshtuar drejtë, si dhe cilat forca ,subjekte, parti politike dhe individë shqiptarë, tërë kohën kanë vepruar në anën e gabuar?

Bile, hutia nuk përfundon me kaq. Sepse, para pak javësh,  lideri i PDSH-së z. Mustafa u deklarua haptas kundër Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Thaçi, kundër Kryeministrit Sali Berisha dhe kundër baroneshës Ashton dhe SHBA-ve, me rastin e ofertës së baroneshës Ashton në dialogun e Brukselit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Paradoksi ishte se opinion kosovar, si dhe Kryeministri Thaçi konsideronin se kjo ofertë ishte e tepërt, duke kundërshtuar me vendosmëri dhënien ne kompetencave ekzekutive Asociacionit. Kurse, z. Mustafa ideja për formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, I dukej “pak”. Prandaj, ai u deklarua kategorikisht kundër kësaj ideje, duke pohuar se shqiptarët e Luginës janë për “bashkim me Kosovën”!

Sipas z. Mustafa, vetëm Kryeministri serb Ivica Daçiq është në rrugë të “drejtë”, sepse propozon “shkëmbimin e territoreve”, me çka do të bashkohej Lugina e Preshevës me Kosovën.

Kjo do të thotë, gjithnjë sipas z. Mustafa se neve shqiptarve të Luginës po na pendojnë të gjithë: Kosova, Shqipëria, BE,SHBA-të etj. Vetëm se kryeministri Daçiq është në rrugën “e duhur”! Dhe ky avaz është kah “zihet e përzihet” qe një kohë të gjatë, por tani ka shpërthyer në sipëfaqe.

Pas gjith ksaj, nuk e di se a mund të gjendet dikush në botë dhe të na sqaroj se ku jemi dhe kah jemi drejtuar (politikisht) ne shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe kend e kemi “miqë” e kend “armiqë”; me kend duhet të ndërtojmë partneritet dhe miqësi, e me kend jemi në armiqësi; kush po na ndihmon, e kush po na dhunon, si puna e lapidarit, të drejtave kombëtare etj.

Tani është krijuar një atmosfere “ideale” e shitjes për patriotizëm shqiptarë të gjërave më të pabesueshme dhe të dëmshme, do të thoja të kobëshme për ardhmërinë e kësaj pjese të mjerë të Shqiptarisë, e cila, tani për tani, i ka humbur shpresat se ndonjëherë do të bëhet mirë dhe do të jetohet dinjitetshëm këtu, ku i kanë varret e të parëve “den baba den”.

Ky dëshprim po “shndërrohet” në kolona të pandalëshme të shpërnguljes, duke e boshatisur dhe duke e lënë shkret vendlindjen e tyre.

Andaj, duhet të këndellemi, derisa nuk është bërë tepër vonë! Së paku duhet ta dijmë se cila është rruga e drejtë politike dhe cila është e gabuar, si dhe kah duhet të shkojmë për të ndërtuar një të ardhme më shpesëdhënëse për këtë pjesë të gjeografisë shqiptare.

(Autori ka qenë Kryetar i Qendrës për Informim – Zëdhënës i Referendumit të Shqiptarve të Luginës së Preshevës, të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch