Home » Opinione » Pse nuk u ftua Hashim Thaçi në Konferencën për Ballkanin?

Pse nuk u ftua Hashim Thaçi në Konferencën për Ballkanin?

Nehat Hyseni12Shkruan: Nehat Hyseni

Mikja e madhe e Kosovës dhe shqiptarve, Kancelarja e Gjermanisë, zonja Angela Merkel, në Konferencën për Ballkanin, që do të mbahet më 28 gusht 2014,në Berlin, e ftoi vetëm Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, kurse e “harroi” Kryeministrin e Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaçin?!

Kjo “harresë” ka rëndësi dhe domethënie të madhe për Republikën e Kosovës, meqë ndikimi i Gjermanisë në Unionin Europian, sidomos nga koha që zonja Angela Merkel është kancelare, është tejet i madh, madje për shumë çështje edhe vendimtar.

“Zonja e hekurt”, si e quajnë ndryshe me nofkën përkdhelëse qarqet politike dhe mediat botërore, sot cilësohet si “zonja më e fuqishme në botë”, me një mbështetje rekorde në historinë e re politike të opinionit gjerman, si dhe me performansën me një liderizëm të pakontestueshëm të Gjermanisë në ekonominë dhe politikën  europiane e botërore.

Gjithashtu, edhe e kaluara jonë historike ka qenë e karakterizuar me miqësi  të veçantë të Gjermanisë ndaj shqiptarve, sidomos ndaj Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur okupimin gjerman shqiptarët e përjetuan si “çlirim”, ashtu si e përjetuam hyrjen e forcave të NATO-s në vitin 1999.

Andaj,diplomacia kosovare duhet të tregoj aftësi të përballimit të sfidave që kanë të bëjnë me raportet midis miqëve tanë ndërkombëtarë,  SHBA , Turqisë dhe Gjermanisë, të cilët kanë dhënë dhe janë duke dhënë kontribut të madh për shqiptarët në Ballkan dhe në Kosovë.

Me plotë të drejtë ne këta i konsiderojmë si partnerë strategjikë dhe miq të mëdhenjë të shqiptarve dhe Kosovës. Roli i tyre është tepër i madh për gjeopolitikën ballkanike, meqë ato shërbejnë si mburojë ndaj pretendimeve sllave në Ballkan, e veçanërisht ndaj atyre serbe e ruse ndaj trojeve shqiptare.

Secila prej tyre ka rëndësi të madhe dhe strategjike për ne dhe ka dhënë kontributin e pakontestueshëm dhe shumë të çmuar për Kosovën. Andaj, çdo pozicionim i yni pro njenit e kundër tjetrit, paraqet qëndrim jodiplomatik, shkurtpamës dhe të dëmshëm për Kosovën dhe ardhmërinë e saj.

Raportet e SHBA-së me Gjermaninë, që janë sfiduar me “aferën e përgjimeve”, si dhe ato të Gjermanisë me Turqinë, poashtu lidhur me përgjimet e Turqisë nga Gjermania, nuk duhet të ndikojnë në zbehjen dhe aq më pak në dëmtimin e raporteve të shkëlqyera e të ngushta të Republikës së Kosovës me secilën prej tyre veç e veç.
Pozicionimi i Qeverisë aktuale  të Kosovës dhe kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçit, lidhur me “aferën e spiunëve gjermanë”, të cilët u dëbuan në mënyrë spektakolare nga Kosova, para pak vitesh, kanë lënë pasoja të rënda në raportet diplomatike midis Kosovës dhe Gjermanisë.

Supozojmë se (ndoshta) ky mund të jetë shkaku kryesor për mosthirrjen e z.Hashim Thaçit në Konferencën për Ballkanin, që do të mbahet më 28 gusht në Berlin.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për dallim nga kryeministri në ikje i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ruajtur e kultivuar mirë raportet me Gjermaninë dhe me Kancelaren Angela Merkel.
Në pranverë të këtij viti, Edi Rama pati deklaruar me shkathtësi largpamëse diplomatike se”rrugët e Shqipërisë për BE kalojnë nëpër Gjermani”!

Ky ishte një komplimet shumë domethënës dhe mirënjohje e qeverisë shqiptare ndaj politikës gjermane në Ballkan dhe në raport me shqiptarët dhe Shqipërinë.

Pas skandalit të përmendur të dëbimit të “spiunëve” gjerman nga Kosova, Hashim Thaçi, si duket, pa kurrëfarë arsye dhe nevoje,  hapi një hendek diplomatik midis Kosovës dhe Gjermanisë.

Pasojat e ftohjes së këtyre raporteve, urojmë që të mos i dëmtojnë interesat strategjike të Republikës së Kosovës, meqë vlerësojmë se për gafet politike të të kujtdo qoftë, Kosova nuk duhet t’i vuaj pasojat e humbjes së partnerëve të vet strategjikë dhe miqëve tanë të mëdhenjë ndërkombëtarë.
Pas performansës së gabuar politike dhe jokorrektësisë së Qeverisë Thaçi ndaj Gjermanisë, sigurisht se mosthirrja e z. Thaçi në Konferencë, paraqet rrjedhojë të logjikëshme të gjërave dhe nuk mund të pritej ndryshe!
Urojmë që Qeveria e re e Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, t’i riparoj kêto marëdhënie, që u dëmtuan rëndë nga Qeveria Thaçi dhe ta përparoj miqësinë e shkëlqyeshme midis këtyre dy shteteve mike, Gjermanisë dhe Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch