Home » Lajme, Opinione » Pse Qeveria e Serbisë e imponoi APN-në e Shqiprim Arifit në Preshevë?

Pse Qeveria e Serbisë e imponoi APN-në e Shqiprim Arifit në Preshevë?

Shkruan: Nehat Hyseni
Shqiprim Arifi është përzgjedhur si figurë ideale për pushtetin antishqiptar të Serbisë, të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit, sepse paraqet instrument të devotshëm për realizimin e politikave gjenocidale të Serbisë ndaj Luginës, e sidomos ndaj komunës së Preshevës, si qendër dhe lidere politike e shqiptarve në Republikën e Serbisë.
Meqë politikbërja e shqiptarve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, pas vendosjes së pluralizmit politik në vitet e ‘90-ta, u zhvendos nga Leskovci, që deri atëherë vendoste për fatin e shqiptarve dhe fliste në emër të tyre, në Preshevë, si qendër të politikbërjes shqiptare.
Prandaj, Serbia tërë aktivitetin e vet antishqiptar e përqëndroi kundër kësaj komune, si dhe kundër unitetit politik e veprues të shqiptarve, duke investuar në përçarjen e faktorit të pavarur politik të shqiptarve, nfa qendrat e deriatëherëshme të vendosjes serbe në emër të tyre.
Me instalimin e APN-së dhe të Shqiprim Arifit në politikbërjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës nga SNS-i i Aleksandar Vuçiqit, pas përgatitjes në Gjermani, Serbia krijoi një agjenturë perfekte për kontrollin e politikbërjes së shqiptarve në Luginë të Preshevës dhe për zbatimin e politikave dhe projekteve antishqiptare, mbase edhe më të përkryer e më të besuar edhe se ish Komiteti Komunal i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë në komunën e Preshevës, si dhe në Bujanoc.
Në këtë mënyrë Serbia arriti që ta sfidoj politikbërjen e pavarur të shqiptarve dhe programin e angazhimin kombëtar të faktorit politik të shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke e vënë nën kontroll efikas të kontrollit dhe të manipulimit me atë.
Me anë të APN-së dhe Shqiprim Arifit, Serbia arriti pothuajse sikur me “shkop magjik” ta kthej në favor të vetin situatën e politikës së saj diskriminuese të shqiptarve të Luginës, të cilët janë cilësuar si komuniteti më i diskriminuar në Europë.
Qysh në hapërimet e para politike, Shqiprim Arifi i shpalli luftë të gjithë shqiptarve të Luginës, duke i shpallur të gjithë liderët shqiptarë si antiserbë dhe fajtorë për ngecjen ekonomike të këtij rajoni dhe për diskrimin dhe shkeljeve të të drejtave elementare kombëtare të shqiptarve dhe për mjerimin e tyre social, “sepse nuk po bashkëpunojnë me Serbinë”, deklaronte paturpësisht ai!
Kështu, Shqiprim Arifi e arsyetonte dhe realisht e amnistonte Serbinë para opinionit politikbërës ndërkombëtar dhe i bënte shërbim mbrojtës politikës gjenocidale serbe ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës, sidomos tani kur po hapet kapitulli 23 i obligimeve që duhet t’i përmbushë Serbia për pranim në BE.
Sulmet e paskrupullta të Shqiprim Arifit u drejtuan edhe kundër Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale të shqiptarve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me të drejtë bashkimi me Kosovën, të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992.
Pastaj Shqiprim Arifi u vërsul edhe kundër luftës mbrojtëse të vitit 2000-2001 të UÇPMB-së, si rrezistencë e armatosur e shqiptarve të Luginës së Preshevës për liri, si dhe kundër Lapidarit të 28 dëshmorëve të lirisë, duke i injoruar plotësisht.
Synimet serbe për rikolonizimin e Preshevës me serbë, ishin detyrë programore e Shqiprim Arifit ndaj Serbisë, të cilin ai tentoi që me çdo kusht ta fusë në rend dite të mbledhjeve Kuvendit të Komunës së Preshevës.
Por, kjo tentativë makabre e tradhëtisë kombëtare, si bashkëpunëtor i ngushtë i realizimit të qëllimeve dhe projekteve antishqiptare të Qeverisë së Serbisë për komunën e Preshevës e Shqiprim Arifit u refuzua kategorikisht nga kryetarja e kuvendit, z. Ardita Sinani.
Prandaj, ky refuzim i saj edhe ishte njëri nga shkaqet kryesore për prishjen e koalicionit qeverisës APN-PVD, që rezultoi me shkarkimin e Shqiprim Arifit nga posti i kryetarit të komunës, më 10 mars 2017 dhe zgjedhjen e Ardita Sinanit kryetare të parë femër në historinë politike të komunës dhe të Luginës së Preshevës.
Reagimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i SNS-it, në një konferencë për mediat në Leskovc, ishte i ashpër kundër zgjedhjes së zonjës Ardita Sinani në postin e kryetares së komunës.
Duke e lavdëruar dhe ngritur në qiell Shqiprim Arifin, si “njeri të mirë”, Aleksandar Vuçiqi, realisht iu kërcnua shqiptarve të Luginës dhe i shpalli publikisht luftë politikbërjes së pavarur dhe vullnetit politik të shqiptarve të komunës së Preshevës, të deklaruar ne votë në zgjedhjet lokale.
I mbështetur fuqishëm dhe i nxitur nga Presidenti Vuçiq dhe nga Qeveria e Serbisë dhe premierja Bërnabiq, Shqiprim Arifi fitoi krahë dhe destruktiviteti dhe arroganca konfliktuoze e tij në mbledhjet e kuvendit ishte e paskrupullt, me qëllime makabre për konflikte dhe gjakderdhje e vëllavrasje midis shqiptarve.
Kështu, u bllokua plotësisht puna dhe funksionimi i Kuvendit Komunal të Preshevës dhe më 15 shtator 2017, premierja e Serbisë, Ana Bërnabiq nënshkruajti vendimin e Qeverisë së Serbisë për suspendimin e kryetares së komunës, zonjës Ardita Sinani dhe për emërimin e të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm”, me pesë anëtarë. Natyrisht, kryetar e emëroi Shqiprim Arifin dhe Armend Aliun nga partia e tij, si dhe një anëtar serb nga partia SNS e Aleksandar Vuçiqit.
Kurse, për partitë tjera që përbëjnë mbi 2/3 e Kuvendit Komunal emëroi vetëm dy anëtarë!
Kjo situatë dramatike ka krijuar tensione dhe gjendje alarmante në Preshevë, meqë Qeveria e Serbisë ka imponuar kontrollin e plotë antishqiptar në këtë komunë me anë të bashkëpunëtorëve të vet kolaboracionistë, si në kohën e imponimit të qeverisjes së dhunëshme antishqiptare nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit, kundër vullnetit politik të shumicës së shqiptarve, të shprehur në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by KosovaLindore