Home » Opinione » Pse Thaçi e jo Isa?

Pse Thaçi e jo Isa?

XHAVIT ÇITAKUNga XHAVIT ÇITAKU

“ Kur thehet qerrja, rrugë gjenden sa të duash”, thotë një fjalë popullore. Edhe me rastin e përfundimit të zgjedhjeve nacionale në Republikën e Kosovës dhe të fitores së PDK-së mund të gjenden lloj-lloj arsyetimesh se përse ndodhi kjo e jo ndryshe. Sado që kishte një optimizëm të madh në taborin e opozitës dhe jo vetëm të saj se kësaj radhe do të ndodhin ndryshime, sovrani votoi ndryshe dhe si parti e parë doli ajo e Thaçit. Po përse fitorja e PDK-së erdhi në shprehje edhe kësaj radhe? Mendoj se, në rend të parë, LDK gaboi rëndë duke e nominuar për Kryeminister Isa Mustafën i cili humbi në zgjedhjet lokale dhe atë Kryeqendrën e Kosovës, në të cilën që nga paslufta fitorja e kësaj partie ishte e padiskutueshme. Dhe të garon për kreun e qeverisë një personalitet që i humbi zgjedhjet lokale, kjo është një gjë paradoksale. Barrën e përgjegjësisë për këtë rezultat të pafavorshëm sigurisht se e mbajnë të gjithë ata që e sollën në krye të LDK Isa Mustafën dhe që e përkrahen që në një fitore eventuale ai të zgjedhet Kryeministër. S’do mend se edhe lakmia e liderit të LDK-së për të qenë në krye të qeverisë së ardhshme e bëri të vetën.

Fushat e vakët e LDK-së

Sipas analistëve lideri i PDK-së Hashim Thaçi nga shkurti i këtij viti nisi një fushatë të suksesshme dhe lirisht mund të thuhet të kulturuar dhe përfundimisht bindëse me faktin, që siç duket, në taborin e tij kishte edhe këshilltarë ndërkombëtar. Në mënyrë të qetë vizitoi biznese, fshatra e qytete, u takua me qytetarë në rrugë e rrugica në mbarë Kosovën, ofroi programin e tij “ bombastik” të misionit të ri dhe nuk i linin përshtypje kritikat, ofendimet, sharjet që vinin nga kundërshtarët politik dhe vartësve të tyre. Në këtë luftë për të bërë ndryshime, ishin futur edhe shumë gazeta e portale, që dorën në zemër, kanë ndikuar që fitorja e PDK-së të mbetët në këtë nivel çfarë është n ë këtë moment. Pra, po të mos ishte kjo propagandë aq shumë e sinkronizuar nga këto media dhe portale, por edhe të disa dështimeve që ishin të pranishme gjatë qeverisjes, PDK do kishte shënuar suksese më të mëdha në shkallë vendi. Isa Mustafa gjatë fushatës nuk ofroi alternativa bindëse , por vetëm sa i përcillte premtimet që i bënte kundërshtari kryesor politik i tij Hashim Thaçi. Në të vërtetë, derisa, për shembull, Thaçi premtonte 200 mijë vende të reja pune, duke u mbështetur në “ Fondin e Punësimit”, Mustafa premtonte 120 mijë por pa e arsyetuar konkretisht se si do të realizohet ai premtim që është vital për popullin e Kosovës. LDK dhe lideri i saj, po ashtu, shumë kohë shpenzuan edhe në kritika për një qeverisje të dobët të udhëhequr nga PDK, që siç dukët, tashmë votuesit janë bërë imun ndaj këtij fenomeni që është bërë rutinë e çdo partie politike. LDK-në nuk e ndihmuan as prurjet, jo edhe cilësore, por as ndihma që erdhi nga Gjermania e Donika Gërvalles. Sille kah të sillesh, fajtor për humbjen e LDK-së është vetë lideri i saj Isa Mustafa dhe nëse i përmbahet fjalës se në rast humbjeje do të jap dorëheqje atëherë mbetët që LDK të gjej një lider që do të mund të vërtetë ta freskoj këtë parti me kuadro kredibile që do të dinë ta udhëheqin dhe të korrin suksese në të ardhmen. Kjo garnitur politike rreth kësaj partie nuk premton më asgjë, ndaj edhe duhet të shkoj së bashku me liderin e saj, duke përjashtuar disa personalitete me perspektivë që i ka në mesin e saj.

Pse vetëvendosja duhet gjithsesi të mbetët në opozitë?

Një sukses të konsiderueshëm në këto zgjedhje pa dyshim se e arriti “ Vetëvendosja”, e cila duke u kalitur në procesin politik jo edhe aq të gjatë, arriti që të dyfishoj numrin e votave dhe të numrit të delegatëve në Kuvendin e Kosovës. Kjo parti dhe lideri i saj Albin Kurti në masë të madhe ndryshuan mënyrën e të vepruarit, përkatësisht nga protestat e nëpër rrugë zgjodhën kundërshtimin e tyre nëpërmjet institucioneve shtetërore, por edhe në bisedë të drejtpërdrejtë me qytetarin. Fushata ishte mjaft e koordinuar  dhe me programin e saj mjaft të pasur i binden votuesit se edhe kjo parti është alternativë që mund të bëj ndryshime edhe në aspektin nacional, edhe ekonomik, kulturor, sportiv etj. Mendoj se në të gjitha kalkulimet për formimit të qeverisë, Vetëvendosja duhet të mbetët në opozitë për shkak se asnjë parti as ajo fituese, por edhe LDK nuk mund të i shmangën bisedimeve me Beogradin, ndërkaq në anën tjetër kjo parti që nga fillimi ishte kundër këtyre bisedimeve, por edhe marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sukses mund të quhet edhe hyrja e Nismës në parlament por kjo nuk i përmbushi synimet për më shumë ulëse në Kuvendin e ardhshëm. Kjo mund të hyj në çfarëdo koalicioni të mundshëm se edhe ashtu nuk do të këtë ndonjë perspektiv në të ardhshmen. Për “ gjynah mbeti AKR përkundër një programi mjaft ambicioz ekonomik që pati.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch