Home » Kulturë » PUNA DHE STUDIMET PËR KULTURËN, KËNAQËSI E PËRGJEGJËSI…

PUNA DHE STUDIMET PËR KULTURËN, KËNAQËSI E PËRGJEGJËSI…

( Nga një veprimtari, kushtuar Dr. Fejzulla Gjabrit )

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Nga e majta: F.Gjabri e M.Gecaj (Tiranë, 6 tetor 2012)

Para pak ditësh, në Tiranë u shpërnda kjo ftesë: “Në kuadrin e 100 – vjetorit të Pavarësisë  së Shqipërisë, më datën 6 tetor 2012, ora 11.00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (Pallati i Kulturës), Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike organizon veprimtarinë “Gjurmë në trashëgiminë kulturore”, kushtuar studiuesit të etnokulturës, Dr.Fejzulla Gjabri. Pjesëmarrja Juaj është nderim”. Më poshtë renditej me imtësi tërë programi i kësaj veprimtarie, jo aq të zakonshme.

Ndërsa po shkoja për në vendin e caktuar, ku do të takohesha, së pari, me kolegun e mikun tim, Isa Halilaj, por dhe me të tjerë, mendjen e çova në një priudhë të mëparshme. Ishin vitet ’70-të, në shekullin e kaluar, kur kam  shërbyer kryeinspektor i kultures, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Nuk dua të zgjatem këtu e ta lodhi lexuesin, por shënoj se në ato pesë vjet pune ndieva mjaft kënaqësi, por edhe kuptova se është përgjegjësi të shërbesh në këtë sektor. E njëjta gjë, mendoj, mund të thuhet edhe kur t’i përkushtohesh studimeve  dhe botimeve në fushën e trashëgimisës kulturore e shpirtërore të popullit tonë, siç është dhe fjala për Dr. Fejzulla Gjabrin.

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria.

Jo vetëm mua, por secilit nga ne, na sjell kënaqësi fakti se Fejzulla Gjabri, ky arsimtar e drejtues i njohur shkollash, nga Luma e Kukësit, ka edhe një vlerësim të merituar  për punën  dhe studimet e tij në fushën e folklorit etj., pra është “Doktor i Shkencave”. Po ta hapni skedarin “online” të Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë, menjëherë të bien në sy studimet dhe botimet, që ai ka kryer në këtë drejtim. Ja, po përmendi këtu disa prej tyre: “Teoria dhe praktika e legjendave krahinore”(Viti 2000”, “Gjurmë në katër bajrakët-studim”(2002), “Tirana, në legjenda dhe balada-studim foklorik”(2003), “Qazim Lika, jeta dhe vepra-monografi”(2008), “Fjalor enciklopedik i trashëgimisë shpirtërore”(2009) e “Dri, o Dri-legjeda”. Po kështu, ai është bashkautor në disa libra të tjerë të kësaj fushe. E njohur është edhe ndihmesa e tij në përgatitjen dhe botimin e 10 numrave të revistës së QKVF, “Gjurmë të shpirtit shqiptar”.

2.

Në  veprimtarinë kushtuar jetës dhe punës së Dr.Fejzulla Gjabrit morën pjesë mjaft të ftuar, si bashkëkrahinës, ish-nxënës, miq e kolegë të tij, punonjës të arsimit e kulturës në kryeqytet, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë. Programin e hartuar e paraqiti bukur  Nermin Spahiu. Së pari, u dha një montazh filmik, rreth veprimtarisë së pasur jetësore të tij.  Ndërsa temat e paraqitura ishin: “Vështrim i shkurtër për fushën e studimeve të F.Gjabrit”(Prof.Dr. Shefqet Hoxha), “Puna dhe përkushtimi i Dr. F.Gjabrit në QKVF”(Esat Ruka), “Libri “Arsimi në Katër Bajrakë, një vlerë e shtuar për arsimin në Lumë (Isa Halilaj, “Mësues i merituar”) dhe  “Etnokultura në studimet e F.Gjabrit” (Prof.Dr. Afërdita Onuzi).

Disa kopertina të librave, me autor Dr.F.Gjabrin

Pastaj, nga të ftuarit u bënë përshëndetje dhe u sollën mbresa e kujtime për Dr.F.Gjabrin. Të tillë ishin disa, si: Shqiponja Hasa (drejtoreshë e sotme e shkollës së mesme të bashkuar, në Bushtricë), Nuredin Lushaj (studiues e poet), Prof. Mark Tirtja e të tjerë. Një grup prej tre vetash, nga rrethi i Kukësit, përshëndetën duke  interpretuar disa këngë popullore, sidomos nga krahina e Lumës.

Me këtë rast, një përfaqësues i pushtetit vendor, nga vendlindja e tij, i dorëzoi Dr. F.Gjabrit  titullin “Qytetar Nderi” i Komunës së Bushtricës.

Duke i falënderuar nga zemra gjithë të pranishmit në këtë veprimtari, Dr.F.Gjabri veçoi gjeneralin në pension, Rrahman Perllaku dhe zv.ministrin e Mbrojtjes, Ekrem Spahia, si dhe sponsorët e librave të tij, Safet Gjici e Bashkim Gjoka.

Në fund, të pranishmit morën pjesë, bashkërisht, në koktejin e organizuar me këtë rast, ku i vazhduan bisedat e tyre për veprimtarin e njohur dhe studiuesin e pasionuar të çështjeve të kulturës popullore, Dr.Fejzulla Gjabri. Por ata u shprehën edhe për nevojën e kujdesit të vazhdueshëm dhe vëmendjen e veçantë, nga të gjithë ne, si për ruajtjen dhe studimin e traditave tona, në këtë sektor me rëndësi për identitetin kombëtar shqiptar.

Tiranë, 6 tetor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch