Home » Opinione » Pushteti i ri në Bujanoc: FITORJA E PIRROS

Pushteti i ri në Bujanoc: FITORJA E PIRROS

Ende pa u mbush një muaj nga konstituimi i ri i Kuvendit të ri Komunal në Bujanoc, ndryshimet në udhëheqësinë komunale po bëhen me hapa të shpejt.

Nuk ndërrohen vetëm strukturat udhëheqëse të komunës, por edhe drejtorët e ndërmarrjeve publike, të cilave ende nuk u ka skaduar mandati.

Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit Komunal, koalicioni qeverisës i përbërë nga një parti shqiptare dhe disa serbe, në ditën e Deklaratës kushtetuese të Kosovës të 2 koorikut arritën të shkarkojnë nga funksionet shqiptarët për t’i zëvendësuar ato me kuadro serbe.

Pushteti aktual multietnik në Bujanoc ka gjetur formulën për arsyetimin e ndërrimit të drejtorëve me mandat katërvjecar, gjysmë viti para se me u skaduar mandatet: keqmenxhim i ndërmarrjes publike! Paramendoni, për kaq muaj duhet të zgjidhet ushtruesi i detyrës së drejtorit nga radhët e partnerëve të koalicionit qeverisës!

 

Pse vepron kështu ky pushtet dhe pse i ngutet kaq shumë?!

 

I ngutet ngase pushteti i ri para pushimeve verore duhet t’i mbaroj punët e shkarkimeve dhe emërimeve të reja, për të shku në pushimet verore.

Këtë pushtet të ri, gjithashtu e detyron edhe fitorja e ngushtë e cila njihet me shprehjen “Si fitorja Pirros”.

Pirroja ka zhvilluar beteja të shumta ku ka pasur fitore dhe mjaft humbje,,,por në fitoret e tij më të mëdha, ai, ka humbur më shumë se gjysmën e ushtrisë së tij….prandaj përdoret edhe kjo shprehje për një fitore të mundimshme, por që nuk ka shumë vlerë, duke e krahasuar me humbjen shumë më të madhe…..

Termi fitore si e Pirros tregon një fitore me shumë sakrificë, një fitore që nuk ia vlen shumë.

Ky shembull i shkon për shtati fitores së Partisë Demokratike të Nagip Arifit, i cili me 12 këshilltarët e tij, i nxori nga pushteti 18 këshilltarë shqiptarë për t’i favorizuar 9 sish nga bashkësia etnike serbe e cila fitoi pushtet më shumë se sa i ofroi rezultati i zgjedhjeve.

Për t’i nxjerrë në opozitë PD-ja partitë shqiptare iu desh një guxim, sakrificë dhe shkathtësi.

Partitë politike serbe i rrëmbyen kaq shumë pushtet Gipës së Partisë Demokratike, sa që e kthyen aty ku e nisi në periudhën e qeverisjes lokale multietnike të vitit 2002.

Tamam fitore e Pirros! Ambulanca e qytetit, dikur ishte në kuadër të Ministrisë, e cila udhëhiqej nga serbët lokalë. Me shumë sakrifica dhe mundi ky institucion shëndetësor kaloi në duar të shqiptarëve, ashtu sic kaloi Qendra Sportive “Rinia”,  si dhe Biblioteka e ndërmarrje të tjera publike që kanë për themelues pushtetin lokal.

Të njëjtin fat e përjetoi edhe Biblioteka e qytetit, e cila e udhëhequr nga serbët lokal, mbante të anatemuara shumë libra nga autorët e mirënjohur shqiptar: Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj.

 

Kush është fajtor për të gjitha këto?!

 

Fitorja e Pirros. Partia Demokratike u fut në aventurë politike për ta ndarë vet kulaqin e fitores jo me shqiptarët, por me serbët.

Seance e dytë e rregullt e Kuvendit Komunal e dëshmoi këtë. Pas ndërrimit të drejtorëve pasojnë edhe largimin e një pjese të punëtorëve, për t’i zëvendësuar me militantë të këtij subjekti politik, shefi i së cilës pat premtuar se do t’i punësoj 2000 vetë!

Me kaq nuk mbarojnë të këqijat e këtij pushteti, i cili ka angazhuare inspektorët komunalë dhe republikan për të hetuar procedurat e pranimit të punëtorëve nëpër ndërmarrje publike, pastaj tenderët, projektet dhe harxhimet e tjera gjatë mandatit që po lihet mbrapa.

Opozita shqiptare ka ra në gjumin veror. Jeton me ëndrrat se këtij pushteti nuk do t’i  zgjas shumë. Ajo duhet të jetë aktive në seancat komunale dhe të njoftoj opinioni shqiptar për këto dallavereve, që po ushtrohen në qeverisjen multi-kulti të Bujanocit.

Elektorati shqiptar nuk i ka votuar të zgjedhurit e tyre për t’i bojkotuar punimet e Kuvendit Komunal, por për të marrë pjesë aktive në zgjedhjen e problemeve të tyre.

Partia Demokratike, jo vetëm që ka bërë gabim që u fut e vetme në qeverisje lokale me serbët, por ajo po shkon më larg duke e forcuar lokalizmin.

Në ndërmarrjet publike ku u bënë ndryshimet kadrovike si dhe në ato që pritet të ndodhin janë caktuar kuadro të këtij subjekti politik nga Tërnoci.

Në krye të Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq” u caktua ushtrues i detyrës së drejtorit nga Tërnoci, po ashtu edhe drejtori i Barnatores së qytetit. Nga i njëjti katund u emëruan edhe drejtori i Direksionit për ndërtim, drejtori i Komunalisë, drejtori i Agjencisë Turistike, kryeredaktori e redaktori i RTV Bujanoci si dhe disa resorë në komunë: kryeshefa, shefa, referentë etj të gjithë tërnocas. Këtyre ndërmarrjeve  kur i shtohen drejtoratet: Biblioteka e qytetit, Palestra sportive dhe Ambulanca, të cilat i takojnë partnerëve të kolicionit nga bashkësia serbe, atëherë delë se pushteti lokal u nda vllaznisht në mes Tërnocit dhe Llapardincës, dy bashkësi lokale me veti të përbashkëta për lidhje lokalizmi e farefisnie.

Si ja ka nis ky pushtet, nuk di se si do të përfundoj?!

 

Mr. Nehat Hyseni

(Autori është publicist dhe analist politik nga Lugina)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch