Home » Lajme, PVD, Vendore » PVD me tubim të fuqishëm hap fushatën zgjedhore

PVD me tubim të fuqishëm hap fushatën zgjedhore

Sonte në mesin e një mase të jashtëzakonshme të aktivistëve, anëtarëve, veprimtarëve Partia për Veprim Demokratik hapi zyrtarisht fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme lokale të 24 dhjetorit të këtij viti. Riza Halimi në fjalimin e tij falënderoi që kësaj nisme të PVD – së iu përgjigjën pozitivisht ky numër i madh i aktivistëve e anëtarëve. Përveç shumë përparësive që këto zgjedhje i ka Partia për Veprim Demokratik, Riza Halimi theksoi atë më të rëndësishmen, që në këto zgjedhje ky subjekt e ka kandidatin më të përgatitur për kryetar komune. Një femër e dëshmuar në profesion, por edhe në udhëheqje. Shaip Kamberi, nënkryetari i PVD – së e njëherit edhe kryetari i komunës së Bujanocit, në fjalimin e tij iu drejtua sidomos kryetares së ardhshme të komunës së Preshevës, duke theksuar se në historinë e pluralizmit politik në Luginë të Preshevës, Ardita Sinanit i ka rënë të ketë një ndër përgjegjësitë më të mëdha në histori. Gjithashtu theksoi se për t’ia arritur qëllimit dhe synimit të caktuar nga PVD, ajo do ta ketë mbështetjen e gjithë strukturës së subjektit, por po shihet se e ka mbështetjen e fuqishme edhe nga qytetarët e komunës së Preshevës. Me entuziazëm u prit fjalimi i kandidates për kryetare të komunës, Ardita Sinanit. Znj. Sinani në fillim pasi falënderoi të gjithë të pranishmit, tha se para kësaj mase dhe kësaj energjie, ndihet shumë e vogël. Ajo falënderoi fillimisht PVD – në që në këto zgjedhje ia kishte besuar asaj përgjegjësinë që ajo të jetë kandidate për kryetare të komunës. Ardita Sinani kujtoi vitet e 90’ ta kur ajo ishte aktiviste e Forumit Rinor të PVD – së, kur ky subjekt ishte lëvizje kombëtare dhe kur kërkesë e Shqiptarëve të komunës së Preshevës ishte të mos udhëhiqej nga pakica. Fatkeqësisht edhe sot pas 27 viteve, kërkesë e Shqiptarëve të komunës së Preshevës është që të udhëhiqen nga njerëz të votuar, e jo nga zarfi i Qeverisë, njerëz të deleguar nga Presheva e jo nga Surdulica. Në fund ajo ftoi të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës pa dallim, që t’i bashkangjiten projektit të saj dhe të PVD – së për një përfaqësim dinjitoz e të përgjegjshëm.

Qendra për Informim e Partisë për Veprim Demokratik

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore – Portal Informativ · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by KosovaLindore