Home » Lajme, PVD » PVD shqyrtoi situatën politike të krijuar së fundmi në Kuvendin Komunal të Preshevës

PVD shqyrtoi situatën politike të krijuar së fundmi në Kuvendin Komunal të Preshevës

K U M T E S Ë

Partia për Veprim Demokratik, gjatë ditës së sotme mbajti mbledhje me grupin e këshilltarëve të PVD-së në Kuvendin komunal dhe me anëtarët e Kryesisë së degës.
Temë kryesore e kësaj mbledhje ishte situata politike e krijuar së fundmi ku Kuvendi Komunal i Preshevës mbeti pa shumicën e nevojshme, pas momentit që këshilltarja nga grupi i këshilltarëve të APN, Fetanete Mehmedi, vendosi që angazhimin e saj politik ta vazhdojë si këshilltare e pavarur. Në letrën e dorzuar sekretarisë së Kuvendit Komunal, këshilltarja Mehmedi i kishte rradhitur edhe arsyet që e kanë shtyrë atë t’a bëjë një hap të tillë.
Shkaktar i gjithë kësaj situate politike të krijuar në Kuvendin Komunal nuk është Partia për Veprim Demokratik siç po aludojnë udhëheqësit aktual të komunës, por janë dështimet e njëpasnjëshme, paaftësia e kryetarit aktual në përmbushjen e obligimeve të tij për funksionimin normal të pushtetit lokal, si dhe mosrealizimi i premtimeve megalomane parazgjedhore.
Me këtë rast kryesia e degës së PVD-së dhe grupi i këshilltarëve të saj e vlerëson lart aktin e guximshëm të këshilltares Fetanete Mehmedi si hap për ndaljen e kësaj keqqeverisje.
Duke qenë të vetëdijshëm që Lugina e Preshevës po kalon në një fazë mjaft të ndieshme pas kërkesës së përfaqësuesve politik Shqiptar që edhe ajo të jetë temë e bisedimeve Kosovë – Serbi, Kryesia e degës së PVD-së vlerëson se është e dëmshme dhe shumë e rrezikshme që komuna e Preshevës me këtë rast të futet në aventurat e ngërrçit politik, i cili do të çonte në instalimin e masave të dhunshme të Qeverisë serbe apo të zgjedhjeve të parakoshme.
Andaj, ftojmë që këshilltarët e APN duke i rezistuar shantazheve nga udhëheqja e këtij subjeti, të reflektojnë pozitivisht në situatën e rëndë të krijuar në Kuvendin Komunal.
Gjithashtu, duke i pasur parasysh arsyet e lartëpërmendura i bëjmë ftesë publike PDSH dhe LR PDSH që të japin kontributin e tyre për formimin e një shumice të re qeverisëse në komunë të Preshevës, pikërisht duke marrë parasysh ndjeshmërinë e kësaj periudhe kohore dhe domosdoshmërisë që komuna e Preshevës në këtë periudhë me rëndësi jetike të ketë legjitimitetin e përfaqësimit e poashtu edhe një qeverisje stabile në dobi të qytetarëve të komunës së Preshevës.

Preshevë, 20.01.2019

Ardita SINANI
kryetare e degës së PVD-së në Preshevë

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch