Home » Lajme, Vendore » Qëndrimi i “Vatrës” me rrjedhën dhe rezultatin e bisedimeve Kosovë-Serbi

Qëndrimi i “Vatrës” me rrjedhën dhe rezultatin e bisedimeve Kosovë-Serbi

Shqiptarët e Kosovës  Lindore përveç diskriminimit të vazhdueshëm që u janë nënshtruar para, por edhe pas përfundimi të luftës në mes UÇPMB-së dhe forcave ushtarake policore serbe, këto ditë u janë nënshtruar një presioni shtesë, shkaku i bisedimeve mes dy shteteve.

Vatra, shumë  herë ka tërhequr vërejtjen te të gjithë faktorët relevant gjithandej për situatën e krijuar në Luginë, mirëpo nga të gjithë kemi marrë vetëm përkrahje morale.

Për koincidencë nga e 1913 deri më 2013, kurrë nuk na u nda gazepi.

sigurisht e dini, por po ua rikujtojë se ne asnjëherë, e ritheksoj, asnjëherë, me mundësit që kishim, nuk kemi bërë sehir kur Atdheu ishte në rrezik. Kujtoni vitet e vështira, por krenare të 80’ e-ta- 90’-ta, ne ishim kudo ku ishin vëllezërit tanë, në demonstrata, në aktivitete ilegale, në burgje, solidarizim, organizime kulturore-sportive, ndihmë në ushqime, veshmbathje, ndihma financiare, në armatim, pjesëmarrje aktive në luftë, bartjen e të plagosurve përmes territorit të Luginës, sigurimin dhe gjetjen e rrugëve alternative për kalim kufiri të politikanëve me emër të ditëve të sotme, e luftëtarëve të atdheut etj. etj.

Kur merret parasysh edhe lufta e UÇPMB-së e gjaku i atyre dëshmorëve,  dhe  shumë sakrifica tjera të popullit, por edhe e drejta legjitime për bashkim, habitemi si në bisedimet e sotshme Kosovë-Serbi, nuk u kushtëzua që edhe kjo pjesë të përfshihet në dialog. Madje, atëherë kur popujt e Evropës dhe të tjerët qarkullojnë lirshëm , neve, shqiptarëve të Kosovës Lindore  na është kufizuar e drejta e lëvizjes së lirë duke na gjobitur me taksa doganore dhe janë vënë barriera tjera që  po pengojnë lëvizjen e lirë dhe po e rëndojnë jetën e qytetarëve tanë atje.

Përgjegjësinë për këtë e mbanë Bashkimi Evropian sikurse edhe të gjithë faktorët relevant vendor, sepse deri sa Evropa të merr vendime në dëm të popullit shqiptar, e duke privilegjuar shtetin që kurrë nuk u ngop së uzurpuari me tokat tona, këtu qetësi nuk do të ketë! Prandaj, kërkojmë nga kryeministri i Kosovës të bëjë gjithçka që është e mundur, të mos e harroj këtë pjesë të territorit, dhe askush të mos pretendojë, e sidomos Serbia, se problemi i Kosovës Lindore do të mbyllet me disa premtime për  disa të drejta të avancuara në arsim, shëndetësi, hapjen e një fakulteti, njohje të diplomave e disa të drejta minore që do të pranoheshin edhe në shtetet që nuk kanë demokraci të zhvilluar.

Duke pas parasysh gjendjen e krijuar, kur populli kërkon zgjidhje, edhe liderët e Kosovës Lindore  do të duhej të bënin diçka, e më e pakta që mund dhe duhet të bëjnë do të ishte ngrirja momentale e bashkëpunimit me institucionet Qendrore të Qeverisë së Serbisë me  mundësinë e largimit edhe nga ato lokale.

Ne mendojmë se do të jetë i mangët pajtimi Kosovë – Serbi pa zgjidhjen e çështjes së Luginës, ngase moszgjidhja e këtij problemi do të ishte një bombë e kurdisur në mes të Ballkanit, që askush nuk do të di kur mund të aktivizohet.

Por, të nderuar pjesëmarrës, ne nuk do të ndalemi së vepruari me të gjitha mjetet e mundshme deri në fitore, por le të dihet edhe kjo se: Demarkacionin e kufijve të trojeve etnike e kemi shënuar me gjakun e të rënëve në të gjitha kohërat, andaj këtu nuk ka kompromis.

 

 

Gjilan, më 19.03.2013

 

Kryetari “Vatrës” – Sejdulla KADRIU

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch