Home » Lajme » Quinti: Të ndalen sulmet dhe të respektohen vendimet për certifikim

Quinti: Të ndalen sulmet dhe të respektohen vendimet për certifikim

Shtetet e QUINT-it, me anë të një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar nga subjektet politike që të ndalin sulmet ndaj kryesueses së Komisionit Qëndror Zgjedhor (KQZ), Valdete Dakës, teksa kanë bërë thirrje edhe për respektim të vendimeve për certifikim të kandidatëve për deputetë.

Në deklaratën, e lëshuar pas takimit me kryesuesen e KQZ-së, thuhet se Komisioni duhet të kujdeset që procesi zgjedhor të jetë transparent dhe i pa prekur nga politika.

“E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe speculative”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT-it.

Po ashtu, është kërkuar nga qytetarët që të respektohen masat anti-Covid përgjatë kohës së votimit.

Deklarata e plotë:

Më 25 janar, ambasadorët e shteteve të Kuintit takuan kryetarën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet tona të monitorimit të zgjedhjeve. Derisa pandemia ka krijuar sfida shtesë, jemi të sigurtë në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës t’i zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative.

I ftojmë të gjitha partitë dhe kandidatët që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës. Derisa shqyrtojnë pëzgjedhjen e tyre, populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues.

Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch