Home » Kulturë » RA SIPARI I PANAIRIT TË 15-TË TË LIBRIT, “TIRANA-2012”

RA SIPARI I PANAIRIT TË 15-TË TË LIBRIT, “TIRANA-2012”

(Fotoperportazh)

Nga: MURAT GECAJ

Në mjediset e Panairit (nga e majta): Daja, Dorela e Murati

Këtë vit, sikur të isha i dërguar “special” i ndonjë medie, të shkruar ose elektronike, kam qenë i pranishëm pothuajse çdo ditë, në mjediset e Panairit të 15-të të Librit, “Tirana-2012”. Një ndër motivet e një vëmendjeje të jashtëzakonshme të lexuesve, ka qenë se ne ndodhemi në prag të festimeve madhështore të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për këtë arsye edhe botimet kanë qenë të shumta e cilësore, po me këtë tematikë. Ndërsa mua  më tërhoqën, si me “magnet”, jo vetëm mbesa ime 9-vjeçare, Dorela, por edhe mjaft miq e dashamirë, autorë të njohur të letrave shqipe. Ndër ta, emrin më të merituar e ka zënë Sadulla Zendeli-Daja, nga Gostivari dhe i ardhur posaçërisht në Tiranë, nga Suedia, për këtë ngjarje të shënuar kulturore. Ai i dhuroi mbesës sime librin shumë të bukur, në përmbajtje e ilustrime, “Enciklopedia ime e vogël”.

Por kanë qenë edhe mjaf botues, studiues e shkrimtarë të tjerë, me të cilët kemi bërë takime e vizita nëpër Panair dhe kemi marrë pjesë në disa përurime. Kështu, rikujtoj përurimet, që ndoqëm dhe për të cilët kam shkruar më parë, si shkrimtarja italiane-shqiptare, Konçeta Marota; shkrimtari për fëmijë Bardyl Xhama, studiuesi ing.Agron Shehu me banim në Kanada etj. Ndërsa autori i 27 botimeve nga Prishtina, Agim Gjakova ma dhuroi librin e tij në prozë, ”Përsiatje” dhe, gjithashtu, kolegu i tij, Sylejman Aliu ma dhuroi me nënshkrim  librin, “Filozofia e krrokamës-II”.

Në ditët e Panairit….

Por, bashkë me Dajën, kolegun Ibrahim Hajdarmataj, poetët Vojsava Nelo e Bajazit Cahani dhe poetin nga Prishtina Xhevat Syla, në ditët vijuese, ndoqëm përurime të librave nga disa autorë të tjerë, publikuar nga SHB “Toena” etj. Të tillë ishin librat e shkrimtarit Zija Çela, “Buza e kuqe dhe gjaku i errët” e “Pika drite në eklips”, për të cilët folën Irena Toçi,  Ali Aliu e Rudolf Marku. Me vëmendje të veçantë u ndoq përurimi i librit të Akademikut Ali Aliu, ardhur nga Shkupi në këtë Panair. Libri i tij titullohet “Don Kishoti shqiptar”(studim letrar për 15 autorë tanë). Rreth tij folën Akademiku Alfred Uçi, publicistja Klara Buda, shkrimtarët Bardhyl Londo e Zija Çela. Përurime të librave të tyre bënë edhe  shumë autorë të tjerë, disa nga të cilët më ftuan në veprimtaritë e tyre, si Marash Hajati e Kolec Traboini. Një ndër përurimet e ditës së fundit të këtij Panairi ishte libri me tregime, “Papagajt e Nembrotit”, shkruar nga Moikom Zeqo.

Kritiku letrar, Akademik Ali Aliu, bisedon me Klara Budën…

Por, siç është e kuptueshme, gjatë vizitave e veprimatrive në Panairin e 15-të të Librit, me kënaqësi  bëmë edhe  vizita te stendat e disa shtëpive botuese, si “Dituria” e “Neraoda”, revista “Shijë” e tjerë. Vizitorëve të panumërt në këtë Panair, përveç fletëpalosjeve të përgatitura me kujdes, iu dhurua edhe një botim i vogël fetar, me titullin “Libri i Shpresës”.

…Kështu, sot ra sipari i Panairit të 15-të Librit, “Tirana-2012”, i cili ishte në datat 14-18 nëntor . Në përgjithësi, ai dëshmoi për prurje të shumta e cilësore të qindra autorëve, nga të gjitha trevat shqiptare e diaspora, në këtë vit jubilar të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Tiranë, 18 nëntor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch