Home » Lajme, Opinione » Radikalizimi islamik, ogur i zi në politikbërjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës

Radikalizimi islamik, ogur i zi në politikbërjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni
Situata e rënduar dhe tmerrësisht e pashpresë politike, ekonomike dhe shoqërore e viteve të fundit, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ka krijuar një realitet të ri politik e shoqëror, që karakterizohet me paraqitjen brengosëse dhe gjithënjë e më të thellë dhe më gjithpërfshirëse të radikalizmit islamik.
Ky radikalizim religjioz i tyre, me përmasa të manifestimit gjithënjë e më të madh të elementeve të ekstremizmit islamik, mjerisht, vërehet kudo: nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave gjithënjë e më shpeshë tek femrat “pehçja” apo mbulesa e tërësishme e fytyrës, sikur në Afganistan, Pakistan, në Arabinë Saudike dhe në vendet e tjera arabe.
Kurse, të rinjtë kanë filluar të veshin pantollona të shkurtuara deri “mbi zogun e këmbës”, me mjekrra të gjata e të pamirëmbajtura, thjeshtë ta fusin frikën dhe të mbushin me trishtim!
Këto proçese retrogarde, siç thonë sociologët dhe socialpsikologët, janë pasojë e krizës dhe kaosit shoqëror në të cilin gjenden shqiptarët e kësaj pjese të Shqiptarisë, që në masë të madhe prodhoi luftëtarë për Siri, Irak dhe për vatra të tjera të luftërave në Lindjen e afërt dhe atë të mesme, si dhe shpërnguljen masovike të shqiptarve drejtë Europës Perëndimore dhe gjithandej nëpër botë.
Kjo gjendje e mjerueshme shoqërore e tyre reflektohet fuqishëm edhe në organizimin dhe veprimin politik të tyre, duke formuar parti politike “radikale” siç e vetëquajnë ata veten, mllefi i të cilave është i orientuar furishëm në rend të parë kundër partive ekzistuese të shqiptarve, me arsyetimin se ato “nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët”! Prandaj, sipas tyre ato duhet të eliminohen nga skena politike urgjentisht!
Kështu, në Maqedoni partia më e re e shqiptarve është “Lëvizja Besa”, ashtu si “Alternativa për Ndryshim ” në Luginë të Preshevës.
Këto parti të sapoformuara, kanë një potencial e fuqi të madhe financiare, që është e befasishme, e pashpjegueshme dhe jotransparente reth burimeve enigmatike të financimit të tyre. Fillimet e tyre i kishin në aktivitetet e, siç deklarojnë ata vet, në “organizata”, si dhe në “fonde humanitare” dhe në shpërndarjen e ndihmave në mallra, e sidomos shquhen në me aktivitetet e tyre për festat fetare islame, dmth për Fitër Bajramin, si në në shpërndarjen e mishit të kurbanit dhe para për të varfërit, për festën e Kurban Bajramit.
Ata shumë shpejt këtë ndihmë dhe këtë aktivitet “humanitar”, në mënyrë të rrufeshme e shndërruan në lëvizje politike, për pushtet, duke e “kapitalizuar” dhe konvertuar në vota dhe mbështetje politike.
Kështu, Alternativa për ndryshim (APN) e Shqipërim Arifit, i cili si djalë “gastarbajteri”, është i lindur në Manhajmnë të Gjermanisë, në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016 shënoi rezultat spektakolar në komunën e Preshevës, duke u radhitur si parti e dytë, që fitoi 11 nga gjithsejt 38 vende në Kuvend.
Poashtu edhe Lëvizja “Besa” në zgjedhjet parliamentare të vitit 2016 në Maqedoni u radhit si e dyta parti shqiptare, me 5, nga gjithsejt 20 deputetë shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë.
Karakteristikë e përbashkët e këtyre dy partive të sapoformuara shqiptare, APN-së në Preshevë dhe “Lëvizjes Besa” në Maqedoni, pra, është se janë formuar pothuajse në të njejtën kohë dhe në rethana shoqërore identike, si dhe fitorja e tyre e “rrufeshme”, spektakolare në zgjedhje, me burime financiare të majme, por enigmatike, jotransparente dhe tepër sekrete.
Gjithashtu, këto i karakterizon edhe radikalizmi fetar islamik, me një shumicë vajzash dhe gra të mbuluara me shami, madje edhe me “pehçe”, që ua mbulon tërësisht fytyrën, e aty-këtu nuk përjashtohen as “burkat”!
Fuqia e pashpjegueshme financiare e tyre është e madhe dhe ato e zhvillojnë një aktivitet mikst, të përzier dhe jashtëzakonisht të mirëkoordinuar: të shpërndarjes së fondeve e ndihmave falas, aktivitetin fetar dhe atë politik. Kështu, për 8 Mars, Ditën e grave, APN shpërndau lule në saksi, në disa pika në Preshevë, falas dhe me logon e reklamat impozante të kësaj partie.
Kjo praktikë e korruptimit publik të mbështetjes politike nuk është parë asnjëherë dhe nuk njihej në Luginë të Preshevës, por besoj as në Kosovë e gjetiu.
Në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 24 prillit 2016, APN u paraqit me moton “për ndryshim ” dhe mobilizoi kryesisht të rinjtë.
Me qasjen radikale ndaj “politikës së vjetër”, ata arritën fitore të befasishme, duke marrë postin e Kryetarit të Komunës së Preshevës, në koalicionin e formuar paszgjedhor, me PVD-në e Riza Halimit.
Me rastin e ditës së parë të punës dhe inaugurimit të Shqipërim Arifit si kryetar komune dhe stafit të ri ishte organizuar një pritje apo qerrasje e punëtorëve të administratës komunale, para fillimit të orarit të punës, një pritje me llokuma, “bombica” e çokollada dhe me lëngje, identike sikur që organizohen para xhamive qerrasje të tilla me rastin duasë për shkuarjen në haxhillëk, apo me rastin e mevludeve, “hatmeve”, apo të “hafizllëkut” të personave të caktuar, etj.
Por, kurrësesi një adet apo praktikë e tillë e evenimenteve fetare nuk ishte organizuar dhe nuk ishte parë në inaugurime dhe evenimente të tjera politike!
Natyrisht se ky veprim i çuditshëm i hutoi qytetarët e komunës së Preshevës. Disave prej tyre u pëlqeu kjo “praktikë e re”, por pjesa më e madhe e mori me humor, duke e përqeshur dhe tallur dhe duke thurrur batuta e anegdota nga më të ndryshmet.
Por, intelektualët preshevarë një praktikë të tillë të instalimit të adeteve fetare në politikë e shikuan me shqetësim dhe e konsideruan si “ogur” jo të mirë dhe si një paralajmërim të futjes së fesë në politikë, që është karakteristikë e shteteve islamike në Lindjen e Afërt dhe sidomos në Lindjen e Mesme.
Ky shqetësim dhe kjo brengosje e intelektualëve të mirëfilltë të shqiptarve të Luginës së Preshevës është e bazuar në realitetin gjeopolitik aktual të ekspansionit agresiv të Rusisë së diktatorit Putin në Ballkan me ndihmën e Serbisë dhe në favor të saj, duke penguar me çdo kusht realizimin e plotë të Pavarësisë dhe Sovranitetit e integritetit territorial e shtetëror të Republikës së Kosovës.
Favorizimi dhe mbështetja e klerkt musliman të shqiptarve mga Rusia dhe Serbia është fenomen i vjetër i strategjisë politike antishqiptare në Ballkan. Prandaj, nuk është e rastësishme dhe nuk na habitë gjesti i Presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili me rastin e festës shtetërore të Serbisë, shpërbleu me dekoratë të lartë (të argjentë) një hoxhë nga Lugina e Preshevës.
Kurse, vetëm pak ditë më parë, ai deklaroi se është “i gatshëm t’i mbathë çizmet për të luftuar në Kosovë”, madje me dy djemtë e tij.
Pra, ai është i njohur për antishqiptarizmin dhe për albanofobinë e apetitet e tij kriminale ndaj shqiptarve dhe dekoron një hoxhë, me të cilin, siç e pamë në televizor dhe në internet, përqafohet “vëllazërisht”!
 Vallë, pse Presidenti Nikoliq nuk e dekoroi ndonjë intelektual, profesor, shkencëtarë apo dikend tjetër, por e dekoroi një hoxhë, madje një hoxhë që është kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, ku janë rrjeshtuar shumica e imamëve të Luginës së Preshevës?!
“Sihariqi” më i madh politik na erdhi pikërisht nga Shqipërim Arifi, i cili, në cilësi të kryetarit të komunës së Preshevës dhe si kryetar i APN-së ngriti deklarata kundër Referendumit të shqiptarve të Luginës së Preshevës “Për autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkëngjitjes me Kosovën”, të 1 dhe 2 marsit 1992, si të “panevojshëm”, madje edhe të “dëmshëm”!
Pastaj, ai shkon edhe më larg në mënyrë shumë herë të përsëritur, se “për gjendjen e mjerueshme të Luginës së Preshevës janë fajtorë vet shqiptarë dhe partitë e tyre”, meqë sipas tij, “nuk po dijnë të bashkëpunojnë me Serbinë”!!!
Kështu, Shqipërim Arifi, pa fije turpi dhe ndërgjegje kombëtare akuzon dhe denoncon shqiptarët si “fajtorë” para botës dhe amniston politikën antishqiptare të Serbisë para BE-së dhe botës demokratike!
Njëkohësisht, nuk pushon së plasuari fotografi të tijat dhe të tarafit të tij politik nga evenimentet fetare të ndryshme me pamje të grave me shamia, pehçe, etj., duke pretenduar që para botës demokratike ta theksoj si dominantë identitetin tonë fetarë, islamikë dhe duke e mëshefur e anashkaluar identitetin tonë kombëtar e sekularë.
Këto fenomene dhe dukuri ogurëzeza tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, që kohëve të fundit kanë marrë përmasa të rrezikëshme, me të drejtë i brengosin dhe e shqetësojnë ndërgjen intelektuale e kombëtare të shqiptarve të Luginës së Preshevës, sidomos tani kur agresiviteti i dominimit rus dhe rritja radikale e disponimit antishqiptar të Serbis si  dhe gjendja e trazuar dhe skajshmërisht jostabile e tërbimit antishqiptar të ekstremizmit sllavomaqedonas, duke ia bashkëngjitur gjendjen jostabile në Kosovë e Shqipëri, janë sinjale të qarta që do të duhej të na këndellin dhe që shqiptarët, si kurrë më parë, duhet ti bashkojnë forcat, dijen dhe zemrat për të siguruar mirëqenien dhe ardhmërinë e vet më të sigurtë në këto troje të tyre stërgjyshore, drejtë vlerave të mirëfillta demokratike dhe BE-së.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch