Home » Kulturë, Lajme » RAJAMONDA MALEÇKA: POETE E SHKRIMTARE DHE PJESËMARRËSE TRIME, NË TRI LUFTËRA

RAJAMONDA MALEÇKA: POETE E SHKRIMTARE DHE PJESËMARRËSE TRIME, NË TRI LUFTËRA

Rajmonda MALEÇKA(Ose: Shota e dytë shqiptare)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

1.

Gjatë një veprimtarie përuruese, në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, takova për herë të parë shkrimtaren e re dibrane, Raimonda Maleçka. Me atë pamjen buzagase e dashmirëse të fytyrës, ajo shprehu kënaqësinë për njohjen tonë. Sigurisht, këtë gjë ia thashë dhe unë asaj.

Kisha lexuar sadopak për Mondën, në faqe të ndryshme Interneti. Por ndryshe është, kur bisedon nga afër, me një poete a shkrimtare. Në këtë rast, ishte kënaqësi e veçantë për mua dhe tërësisht përputhej me interesimin, që të merrja të dhëna nga ajo, për një libër të pritshëm, me disa shkrime kushtuar femrave krijuese. Ishte rasti më i rrallë ose pothuejse i vetmi, që do të kisha autore, në tufën e shkrimeve për mjaft libra, jo vetëm një krijuese të talentuar, por dhe një luftëtare të paepur për lirinë dhe dinjitetin tonë kombetar. Pra, ajo kishte mbajtur në duart e saj jo vetëm lapsin ose stilolapsin, por dhe pushkën e automatikun.

Bazuar në këto, që shkrova më lart, sigurisht edhe përmbajtja e librave të saj do ta kishte këtë tematikë. Së pari, për këtë gjë mora informacionin e duhur dhe u binda, duke parë skedarin online të Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Aty mund t’i shohë secili i interesuar titujt e librave të Raimonda Maleçkës, Nuk di nëse ka ndonjë libër të paregjistruar aty, por numri i tyre është 13, pa përmendur librat, që ka redaktuar, me tematikë luftën e UÇK-së. Po, për këtë gjë, më tregoi edhe vetë kjo autore, gjatë një bisedë të posaçme me të.

Rajmonda e Murati

Rajmonda e Murati (Tiranë, shkurt 2014)

2.

Ja, tani kam ndër duar dy libra të Mondës, të cilët ajo m’i dhuroi me shënimet e saj dashamirëse. I pari, e ka titullin “Safet Peci-Boletini, dy herë i pavdekshëm-Kujtesë”(Tiranë, 2013) dhe “Mbollën  gjak, mbijnë këngë-I”(Tiranë, 2013). Siç kuptohet lehtë, libri i parë flet për jetën heroike të një djaloshi. Në disa faqe përmban poezi, shumica me tematikë atdhetare. Të tilla janë ato me titujt: “Mëmëdheu”, “Ti, oj lule”,”Shqipëri”, “Kosovë” etj. Ndër vargjet e frymëzuar e kushtrim, për të gjithë bashkatdhetarët, janë dhe këta: “Ja do rrojmë, ja do vdesim,/ Shqipërisë nderin nuk ia shesim,/ s’do ia shesim kurrë për jetë,/ do ta ngremë si zonjë në truall’ të vet”( poezia “Betim”).

Në pjesën e dytë të këtij libri janë disa skica të frymëzuara, në të cilat flitet për traditat atdhetare, liridashëse e luftarake të fisit të Boletinëve, por dhe për një djalë trim të atij trualli, Safet Pecin-Boletini. Autorja dëshmon për të, se ai ka dy pavdekësi, pasi ishte poet dhe luftëtar i lirisë. Dhimbjen e madhe e kujtimin e përhershëm për birin shumë të dashur të tyre, si për nënën e babain, Zeqirin, për motrat e gjyshërit dhe tërë rrethin familjar, autorja e paraqet përmes fjalëve të saj, por dhe me mjaft fotografi familjare. Kudo, në qendër të tyre, është vendosur dëshmori i lirisë, Safet Peci i Boletinëve. Përmbledhurazi, Rajmonda Maleçka shkruan edhe këto radhë për personazin kryesor të librit të saj:

“Safet Peci-Boletini është një dhimbje krenare, jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë të rinjtë e Kosovës dhe të brezit të poetëve të kohës së tij. I lindur për dy dashuri të mëdha, dy dashuri të shenjta, të cilat i ka provuar sa jeta historia njerëzore, I lindur me ndjesinë e njeriut me botë të madhe prej vjershëtori dhe me zemrën që rreh me zemrën e madhe të Atdheut. Dy dashuri, që nuk të lënë të vdesësh kurrë, dy dashuri, që plotësojnë dhe ushqejnë njëra-tjetrën”. Siç shprehet autorja e këtij libri, ai djalosh mbeti përherë aty, me shtatoren, në mes të Mitrovicës së Kosovës, me heroizmin dhe vargjet e tij poetike.

Kopertinat e librit, “Mbollën gjak, mbijnë këngë-I”

Kopertinat e librit, “Mbollën gjak, mbijnë këngë-I”…

Siç është e kuptueshme, do të duheshin sa e sa faqe, për ta bërë paraqitjen e përmbajtjes së librit tjetër të kësaj autoreje, poete, shkrimtare e luftëtare. Ai u përurua këto ditë, në Skënderaj, me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës.

Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se po shënoj këtu vetëm që libri “Mbollën gjak, mbijnë këngë”-I (Trimëritë, kur këndohen, jetojnë gjatë…) ka 644 faqe dhe të gjitha janë në vargje. Në recensionin e tij, Dëfrim Cani e sintetizon tërë përmbajtjen e librit në fjalë, me këto radhë domethënëse: “Në treqind  “dedikime” , krijime artistike të llojit mes poezisë dhe baladës, Maleçka evokon veprën e të rënëve të Kosovës dhe trojeve  tona kombëtare, në një dimension tjetër,-ata nuk duhet të harrohen dhe praninë e tyre duhet ta kuptojmë…”. Dy faqet e para hapen                                                                                                   me vjershën kushtuar kryetrimit Adem Jashari dhe përfundojnë me atë për Zejnullah Rrahman Zenën. Tërë atyre, poetja u thurë vargjet: “Në gjithë kushtrimet për lirinë,/ në çdo shteg e në çdo prag,/ kur Kosova kishte dhimbje,/ ju u bëtë mehlem’ mbi plagë”. Prandaj  janë domethënëse dhe të kuptueshme fjalët, që ka shkruar një lexues, para përurimit të këtij libri, në Skënderaj të Kosovës: “Urime, mike e nderuar! Atë ditë do ta mbysim urrejtjen, do ta mbijmë këngën dhe do ta kthejme gjakun, mundin e sakrificën…”.

3.

Me pak fjalë, cila është poetja, shkrimtarja dhe luftëtarja trime për lirinë, Raimonda Bujar Maleçka? Ka lindur më 11 mars 1970 dhe shkollën 8-vjeçare, të mesme dhe të  lartën, për gjuhë-letërsi e gazetari, i mbaroi në Tiranë. Me pasionin për të thurur poezi, vëllimin e parë, “Ëndrra lozonjare”, e botoi në vitin 1998. Në atë periudhë, iu përkushtua me shpirt edhe luftës për çlirimin e trojeve tona amtare. Në një bisedë, të publikuar me të, dëshmohet se ajo ishte “luftëtare e disa njësiteve në çlirimin e Kosovës, Preshevës e Maqedonisë; e dënuar me 5 vjet burg nga drejtësia maqedonase, nën akuzën e “terrorizmit”, vetëm se ka përmbushur detyrën e gazetares, nëpërmjet dokumenteve e dëshmive të saj…duke përjetuar kalvarin e mundimshëm, që nga vënia në pranga, dhuna fizike, muajt në burgun e Shutkës dhe Idrizovës në Maqedoni, si dhe përpjekjet për pafajësi, deri në Gjykatën e Strasburgut”.

Prandaj, natyrshëm, i shkon bukur për shtat cilësimi, që i kanë bërë asaj, “Shota e dytë shqiptare”. Për meritat e shumta të saj, Rajmonda Maleçkës i kanë dhënë disa Mirënjohje dhe vlerësime të merituara, nga organizata e shoqata të ndryshme.

E përshendesim nga zemra këtë autore të talentuar, për shpirtin liridashës e poetik, guximin dhe përkushtimin e treguar, ndaj çështjes kombëtare shqiptare!

Tiranë, 19 shkurt 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch