Home » Lajme » Rama: Nëse Serbia do të vendoste veto për Kosovën, unë nuk do të isha këtu

Rama: Nëse Serbia do të vendoste veto për Kosovën, unë nuk do të isha këtu

“Serbia nuk ka vënë asnjë veto për Kosovën, përndryshe unë nuk do të isha këtu duke shtrënguar duart”, deklaroi sot në Novi Sad, Kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë për gazetaren, Marsela Karapanço, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët me Presidentin e Serbisë, Alekasandar Vuçiç dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për Minishengenin në Ballkanin Perëndimor, Kryeministri Rama theksoi se në takimin e 10 nëntorit në Ohër do të jenë të ftuar të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Do të jetë një proces i vazhdueshëm konkretizimi. Thjesht, duhen vënë në jetë gjëra që janë thënë dhe janë stërthënë në të gjitha tryezat e procesit të Berlinit, në të gjitha takimet e përbashkëta të vendeve të rajonit. Koha nuk pret. Njerëzit me të drejtë kërkojnë shumë më tepër dhe për të bërë shumë më tepër nuk jemi të mjaftueshëm si zona dhe si tregje dhe patjetër që duhet t’i krijojmë hapësirë lirie njerëzve tanë”-, nënvizoi Rama.

I pyetur nëse janë konsultuar me Kosovën përpara se të vinin këtu dhe pse Kosova nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshje, Kryeministri Rama tha se “ishte një takim i organizuar në këtë format për të çelur një proces ku nuk diskutohet se gjithë përfshirja është shumë e rëndësishme. Ajo çfarë kemi folur e stërfolur për hapjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe për mundësimin e lëvizjes së lirë pa dy palë kontrolle, vjen dhe bëhet realitet me këtë proces të ri. Bazuar në këtë dakordësi nuk do të ketë më mundësi të buçasë menjëherë thirrja: “Edi Rama po synon Shqipërinë e madhe” apo “një axhendë alternative po triumfon me një plan B, C, D”. Jo, është momenti për t’i bërë të gjitha dhe besoj se kemi nevojë vetëm për një vullnet të fortë dhe një bashkërendim të veprimeve”.

Lidhur me pyetjen nëse deri më 10 nëntor do të ketë një ftesë publikë për Kosovën, Rama u shpreh se “Kryeministri Zaev e tha se në takimin e Ohrit do të ftohen të gjithë. Padiskutim, çfarë është shkruar në deklaratë është më shumë, me gjithë respektin për njëri-tjetrin, sepse është e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe e konfirmuar nga tre palët. Serbia nuk ka vënë asnjë veto për këtë. Përndryshe, unë nuk do të isha këtu dhe nuk do të ishim duke shtrënguar duart. Për mua dhe për shqiptarët, kjo është një çështje që nuk negociohet. Kështu që, për sa kohë nuk ka asnjë veto lidhur me këtë, është një kapërcim i madh sepse asnjëherë nuk është folur për lëvizjen e lirë të njerëzve në të gjithë rajonin”.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se “i gjithë ky proces është i dakordësuar gjatë gjithë rrugës së procesit të Berlinit dhe nuk ka absolutisht asgjë të re në aspektin e ndonjë pike konflikti apo ndarjeje. Deklarata titullohet: Për zbatimin e katër lirive të BE në Ballkanin Perëndimor””.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch