Home » Lajme, Opinione » Ramiz LUSHAJ – PSE PS E EDI RAMËS NUK MUND TË QEVERISË E VETME ?

Ramiz LUSHAJ – PSE PS E EDI RAMËS NUK MUND TË QEVERISË E VETME ?

Edi Rama, edhe kësaj here, e ka disi të vështirë ta mbajë i vetëm “timonin” e kryeministrit të Shqipërisë, pavarësisht faktit se e ka sigurue shumicën parlamentare me 74 mandate. Atij, ndoshta, i duhet me e ndá “tepsinë” me të tjerët, me aleatë politik të vjetër apo të rinj.  Kjo nuk është e kushtëzuar vetëm nga “Reformat e mëdha” si: Kushtetuta e Re, Kodi Zgjedhor, ecuria e Reformës në Drejtësi, ndoshta rishikime në Ndarjen Administrative në bashki e rajone, etj. As nga ndonjë Marrëveshje e hapët apo e fshehtë Rama-Basha. As nga ndonjë porosi apo kusht i ndërkombëtarëve për antarësim në BE, etj.
 
Kjo ka të bajnë me një fakt tjetër, do të ndikohet fort edhe vet nga pushteti lokal i PS në të gjithë Shqipërinë, sepse prishja e aleancave të vjetra me LSI e me PDIU, numri i konsiderueshëm i këshilltarëve të PD-së e aleatëve të saj, e çojnë atë masivisht në Opozitë. Në shumë bashki e qarqe, po të duan forcat politike në opozitën e re LSI e PDIU dhe opozita e vjetër me PD e të tjera parti së djathtës, ia bllokojnë me mekanizmin demokratik të votës funksionimin e pushtetit lokal si në miratimin e buxhetit, në marrjen e vendimeve, etj.
 
Kështu, nga një këndvështrim në dy qarqe të mëdha të Shqipërisë, në Tiranë e në Durrës, shohim se PS në pushtetin lokal del në Opozitë, pasi në asnjë bashki nuk e ruan dot shumicën e këshilltarëve.
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka 61 mandate këshilltarësh, çka do të thotë se me daljen e LSI e PDIU në opozitë të re dhe opozita e vjetër me PD e aleatët e saj, e lanë PS veç me 25 mandate e me një aleat të vetëm të saj FRD me 1 këshilltarë. Pra, PS mbetet me më pak se gjysmën e këshilltarëve. Ndodh si në kohën e Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës, ku me ikjen e LSI nga pushteti qëndror PD me aleatët rá në opozitë, në vështirësi vendimmarrjeje. Ndaj, prapë provohet ajo thania urtnore e përjetshme: çka t’ia bajsh ti dikujt ta ban dikush ty. Këshilli Bashkiak i Kamzës i ka 41 këshilltarë gjithsejt, ku me daljen në opozitë të re të LSI e PDIU, forca politike PS me aleatët e saj ka vetëm 10 këshilltarë. Këshilli Bashkiak 31 vendësh i Kavajës do të ketë 18 vende të PD me aleatët dhe me LSI e PDIU. Edhe në Këshillin Bashkiak të Vorës, me 21 vende, për PS me PASH mbeten vetëm 4 këshilltarë.
Këshilli Bashkiak i Durrësit me 51 vende do t’i kenë 31 vende PD me PR dhe LSI e PDIU, ndërsa në Këshillin Bashkiak të Krujës me 31 vende do t’i kenë 18 prej tyre PD me aleatët dhe LSI, kurse në Këshillin Bashkiak të Shijakut me 21 vende opozita e vjetër dhe e re, PD me aleatët e saj dhe LSI, do t’i kenë 11 vende.
 
Pasqyra e Zgjedhjeve Vendore të vitit 2015 tregon se me numrin e këshilltarëve të PD e aleatëve të saj, si dhe me ikjen nga koalicioni i derisotëm mazhoritar i LSI e i PDIU, forca fituese e vetme e Zgjedhjeve Parlamentare 2017, Partia Socialiste në pushtet, del në Opozitë pothuaj në të gjithë Shqipërinë. PS mbetet në shumicë vetëm në bashkitë e mëdha Vlorë e Korçë e në ato ma të vogla si Kuçovë, Poliçan, Bulqizë, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Këlcyrë, Kolonjë, Mirditë, Pukë, Himarë, Konispol. Vetëm në 14 bashki nga 59 që ka e gjithë Shqipëria gjithsej, pa e llogaritë bashkinë e Pustecit në Qarkun e Korçës dhe atë të Finiqit në Qarkun e Vlorës, që kanë në shumicë të qeverisjes lokale parti të komunitetit të tyre etnik.
 
Sigurisht, kjo do të jetë humbja ma e madhe e PS në të gjithë historinë politike të saj në vitet e Tranzicionit Shqiptar. Një humbje e thellë. Humbje e papaparë e forcës së parë. Ende askush nuk i ka hyrë kësaj çështjeje të kësaj humbjeje katastrofë për PS, sepse ende nuk kemi një konfigurim real zyrtar të forcave politike të mazhorancës dhe të opozitës.  Çështja shtrohet qartë: PS do të qeverisë e vetme në mazhorancë dhe të jetë humbëse në opozitë në pushtetin vendor apo do të qeverisë në koalicion me forca të tjera politike që të jetë në shumicë në të dyja pushtetet, të ketë ma shumë lehtësi në kryerjen e reformave dhe të rrijë në qeverisje me një mandat të plotë?!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch