Home » Lajme » Reagim nga Kosova Lindore: BARRIKADAT E DYFISHTA!

Reagim nga Kosova Lindore: BARRIKADAT E DYFISHTA!

Partia Demokratike Kombëtare, paralajmërimin e Vetëvendosjes, se më 14 janar, do ta bllokoj vendkalimin kufitar “Dheu i bardhë – Konçul”, e vlerëson të ngutshëm dhe me prapavi politike.

Pak ditë, para se të ndërroheshin motmotet, Babadimri qeveritar i Prishtinës dhe ai i Beogradit, në vend të dhuratave, i befasoi jo-këndshëm, qytetarët e Kosovës Lindore, me tarifa policore kufitare. Këto surpriza sa vijnë e shtohen, tashti edhe me barrikada!

Kjo Lëvizje vetëvendosëse, duhet ta ketë të qartë se shqiptarët e Kosovës Lindore, një barrikadë financiare e përjetuan në prag të motmotit e tashti do ta përjetojnë edhe një tjetër, jo me para, por me goma, gurë, dru e cunga.

Kjo barrikadë e dyfishtë edhe më shumë do t’ua vështirësojë lëvizjen qytetarëve të Kosovës Lindore me Kosovën. Ata në vend se të kalojnë rrugës legale, duhet për shkak barrikadës së 14 janarit, t’i kalojnë rrugët që shteti i Serbisë i quan ilegale, nga Dobrosini e Breznica, duke e vënë veten edhe më shumë në rrezik, sa nga pasiguria rrugore, sa nga forcat e shtuara të xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

Këto vështirësi të padurueshme të jetës së shqiptarëve të Kosovës Lindore, askush nuk i merr parasysh, as Prishtina e as Beogradi.

Të dy këto qendra të vendosjes, duke ia treguar dhëmbët njëra-tjetrës, po lëndojnë shpirtërisht, fizikisht dhe materialisht, qytetarët e pambrojtur në të dy anët e kufirit Kosovë-Serbi.

Sot, kolona të gjata të makinave presin në radhë për të kaluar kufijtë shtetërorë. Lëre që presin me orë të tëra për t’u pajisur me dokumente shtesë nga ato që posedojnë, por edhe me fletëpagesa, çmimin e të cilave po e paguajnë më së shumti shqiptarët e Kosovës Lindore.

E Vetëvendosja nuk kënaqet me kaq. Në vend se ajo të bëjë zhurmë në Parlamentin e Kosovës, për t’i hequr tarifat policore kufitare, mënjanimin e tabelave me targa të vjetra, mandati i të cilave është shtyrë për kohë të pacaktuar,  ajo kërkon barrikada të reja për vëllezërit e tyre të krahut lindor.

Pse kjo Vetëvendosje, nuk harxhon energji për t’i hequr barrikadat e serbëve në Veri të Kosovës, por vrapon për ta bllokuar rrugën kryesore për në Bujanoc, rrugë e cila asnjëherë gjatë historisë së këtij vendi nuk është mbyllur. Kur themi kështu, kemi parasysh edhe luftën e Kosovës edhe atë të UÇPMB-së. Kjo rrugë gjithmonë ka qenë e gjallë dhe funksionale. Po nëse këta të Vetëvendosjes kanë vendosur ta bllokojnë vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, më mirë le të vijnë në Konçul, ashtu si serbët e Beogradit në Mitrovicë.

Ne edhe ashtu kemi thënë shpesh, duke u thirr te reciprociteti, do të kërkojmë atë që e kërkojnë serbët e Kosovës, pra jo vetëm të kërkojmë, por edhe të veprojmë si ata. Ndryshe është me fol e ndryshe me vepruar. Prandaj, para se me marr një hap si ata të Vetëvendosjes, mirë është me menduar, se çka fitojnë e çka humbin shqiptarët e Kosovës Lindore, me veprime të tilla barrikadeske?!

PDK, çmon lartë çdo veprim të faktorit relevant shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, kur është në pyetje interesi jetik i shqiptarëve të Kosovës Lindore, pa u hamendur për as një rast e për asnjë çmim.

Shqiptarët e Kosovës Lindore, asnjëherë nuk i kanë këputur lidhjet me vëllezërit e tyre në Kosovë, pavarësisht nga këto barrikada politike, shpirtërore e financiare, thuhet mes tjerash në reagimin e PDK-së, të nënshkruar nga kryetari saj z.Nexhmedin Saqipi.

One Response

  1. muharrem thotë:

    o ti zotri i nderuar shum mir asht bo e qart se per shqiptaret e lugines se presheves nuk ka bllokim ata ecin qysh kan ec pa i pengu askush ky bllokim vlen vetem per mallrat serbe si dhe per vet serbet ju lutem shikojeni pak ma mir at qe po ndodh edhe ju duheni mi perkrah e jo mi kundershtu levizjen vetvendosje se serbet po i kthejn ministrat ku asht rasti i zotit makolli qe u kthy ne kunqul.edhe ju skeni pse me shku me 14 janar rrugve ilegale por vini ka jeni ardhur se ska bllokim per shqiptar

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch