Home » Opinione » Reciprociteti i munguar dhe Revanshizmi

Reciprociteti i munguar dhe Revanshizmi

Shkruan:Nehat Hyseni

Bisedimet Kosovë-Serbi që po mbahen në Bruksel, do të përfshijnë „temat më të vështira“, dmth. çështjen e serbëve të veriut të Kosovës, por jo edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Moszbatimi i parimit të reciprocitetit në trajtimin barabartë të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës me serbët e Kosovës, shkakton frustrime dhe mund të nxisë revanshizëm, duke rrezikuar kështu të gjitha vlerat, investimet dhe të arriturat politike në Kosovën e pasluftës.

Veriu i Kosovës në tavolinën e bisedimeve

Procesi i intensifikimit të bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel ka marrë hov dhe është duke u zhvilluar në nivelet më të larta. Takimi midis presidentes se Kosovës Jahjaga dhe presidentit të Serbisë Nikoliq i mbajtur më 6 shkurt 2013, gjithashtu në Bruksel, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, paraqet nivelin më të lartë të këtyre bisedimeve midis dy shyteteve të barabarta në Ballkan.

Kurse, raundi i radhës i bisedimeve që do të zgjasin dy ditë,  midis kryeministrit Thaçi dhe premierit Daçiq i caktuar për 20 shkurt 2013, do të përfshijë „temat më të vështira“, dmth. çështjen e serbëve të veriut të Kosovës.

Sipas planeve të përcaktuara dhe  parashikimeve të ekspertëve të BE, pritet që këto bisedime të përfundojnë deri në mars 2013, në mënyrë që Serbia të merr ftesën për fillimin e bisedimeve për antarësim të saj në BE deri në fund të qershorit 2013.

Nga përfundimi i suksesshëm i këtyre bisedimeve, Serbia pret të merrë ftesën për fillimin e negociatave për antarësimin e saj në BE. Andaj, ajo është e motivuar që të bashkëpunoj me institucionet e Bashkësisë Europiane lidhur me zgjidhjen e shumë problemeve të saj me Kosovën, e këtu nënkuptohet zgjidhja e problemeve të serbëve të Kosovës. Serbia, pra paraqitet në rolin paternalist ndaj serbëve të Kosovës dhe negocion në emër të tyre me Qeverinë e Kosovës, por edhe me presidenten e saj.

Ndërkaq, Kosova nga këto bisedime pret si „shpërblim“ avancimin në procesin e liberalizimit të vizave, ose të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj në zonën e BE-së, pa viza.  Pra, pritet heqja e vizave të cilat ishin vendosur që nga data 1 janar 1990, qe 23 vjet të plota.

Gjithashtu, Kosova pret që të zgjidhë një mori problemesh të funksionimit të shtetit dhe shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e saj, duke i formalizuar strukturat e pushtetit paralel, të cilat sipas të gjitha gjasave do të legalizohen, pastaj funksionimin e doganave, gjykatave dhe të institucioneve të tjera shtetërore, si dhe qarkullimin  e lirë të qytetarëve dhe mallrave duke i hjekur barrikadat e serbëve në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Në pamje të parë duket se Kosova nga këto bisedime nuk pret asgjë më tepër se sa t’i mundësohet funksionimi normal i shtetit. Dhe këtu, për europianin mesatar duket disi si e pakuptueshme dhe e pabesueshme që një shtet të bisedoj me një shtet tjetër (fqinjë) lidhur me qytetarët e vet, duke mos i përfshirë me këtë rast në këto bisedime edhe bashkëkombasit e vet përtej kufirit.

Lugina jashtë bisedimeve të Brukselit

Mirëpo, Kosova me këtë rast nuk ka arritur të fusë si temë bisedimi të barabartë edhe elementin e bashkëkombasve të vet shqiptarë, të cilët aktualisht jetojnë në Serbi.

Lugina, pra, ka mbetur jashtë bisedimeve të Brukselit dhe shqiptarët e kësaj treve kanë mbetur „jashtë loje“:  Serbia duke pohuar se „nuk ka çka të bisedohet“ pë shqiptarët në Serbi, sepse ata po i gëzokan të gjitha të drejtat dhe se qenkan „qytetarë me të drejta të barabarta“ si të gjithë qytetarët e saj.

Kryeministri i Kosovës, si përfaqësues i Kosovës në këto negociata me premierin serb Daçiq, çështjen e shqiptarëve të Luginë së Preshevës, sa duket e ka pasur „halë në sy“ dhe në qëndrimin e tij mbi gjashtë vjet, asnjëherë nuk i pranoi liderët e kësaj treve shqiptare deri më datën 15 janar 2013, kur u detyrua për shkak të eskalimit të situatës së tensionuar politike, lidhur me lapidarin e UÇPMB-së të vendosur para ndërtesës së Kuvendit Komunal të Preshevës.

Pra, qeveria e Kosovës është duke lozur rolin e „strucit“, dmth. të „futjes së kokës në rërë“ dhe duke menduar se meqë e mbulon kokën vet, se askush nuk e sheh problemin e Luginës së Preshevës, duke u ngutur që t’i zgjidhë problemet brenda shtetit të vet, si prioritet i preokupimeve dhe të agjendës së vet politike.

Mirëpo, jemi dëshmitarë se sado që qeveria e Kosovës „ta fus kokën në rërë“, problemet mbeten aty ku janë, duke rrezikuar për të shpërthyer herë pas here dhe duke rrezikuar edhe paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Edhepse retorika dhe diskurset politike, disi me nguti të pakuptueshme filluan të imponojnë bindjen se „ka kaluar koha e luftërave“ dhe se teza e vjetër se „Ballkani është fuçi baruti“ është e tejkaluar, ngjarjet e marsit 2004 në Kosovë dhe situata e tensionuar lidhur me lapidarin në Preshevë, tregojnë dhe sikur dojnë të na bindin në të kundërtën.

Pra, se Ballkani akoma mbetet si burim krize dhe shpërthimi dhe se mjafton ndonjë shkëndi që ta ndezë zjarrin mbi „gjethe të thata“ të pyllit ballkanik, për të marrë flakë gjithëpërfshirëse që vështirë do të shuheshin. „Shkëndia“ e tillë ndodhi më 24 mars 2004, kur në media u hodhë lajmi se „tre fëmijë shqiptarë të cilët, duke ikur nga qentë e ndërsyer nga serbët e Mitrovicës, kishin përfunduar në lumin Ibër“.

Në ato momente ishte vështirë të verifikohej saktësia dhe burimi i lajmit, por përmasat e ndezjes së gjakrave ishin kulminante, duke kërcnuar të gjitha investimet politike dhe të arriturat në Kosovë dhe rajon të periudhës pesëvjeçare, që nga lufta e vitit 1999 e këtej. Shkatërrimet e kishave ortodokse serbe, ndezja e automjeteve të UNMIK-ut dhe të ndërkombëtarëve të tjerë, bllokada e rrugëve, kërcnimi me luftë dhe grumbullimi i njerëzve, kryesisht të rinjëve tek ura në Mitrovicë etj. ishin skena tmerruese.

Moszbatimi i parimit të reciprocitetit të trajtimit të barabartë të shqiptarëve të Luginës me serbët e Kosovës, mund të nxisë revanshizëm

Se sa është e brishtë situata politike në këtë pjesë të Ballkanit, këtë e dëshmoi edhe çështja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, të cilin qeveria serbe kërcnonte për ta rrënuar dhe këtë e realizoi në mëngjezin e të dielës, më 20 janar 2013, në orë 7:00 duke e shfrytëzuar momentin derisa popullata akoma nuk ishte zgjuar nga gjumi. Ky akt barbar i qeverisë serbe u realizua me forca të mëdha të xhandarmerisë së armatosur deri në dhëmbë me mjetet dhe armët më bashkëkohore, duke krijuar tmerr dhe panik tek popullata vendëse.

Veprimi i tillë i qeverisë serbe i frustroi jo vetëm shqiptarët e Luginës, por edhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Reagimi ishte i menjëhershëm i të gjithë shqiptarëve, duke reflektuar të gjithë si një trup i vetëm, meqë një pjesë e tij u godit dhe u lëndua rëndë. Dhe „llava“ e vullkanit  të mllefit të papërmbajtur nxiti aksione revanshiste, duke u shfaqur edhe elemente vandalizmi me rrënimin e përmendores së Luftës së Dytë Botërore në Viti dhe rrënimi i 27 varrezave serbe, si shenjë hakmarrjejej për 27 dëshmorët e UÇPMB-së e emrat e të cilëve ishin të skalitur në lapidar, pastaj pati dëmtime edhe në vende të tjera, si në Prizren etj.

Pra, ky „revanshizëm“ si shpërthim i mllefit shqiptarë ndaj vandalizmit të qeverisë serbe mbi lapidarin dhe vlerat e dëshmorëve shqiptarë në Luginë, ishte dukuri e dëmshme dhe tejet e rrezikëshme dhe vetëm falë angazhimeve këmbëngulëse mezi u arrit të frenohet mllefi dhe frustrimi i akumuluar nga vandalizmi i pushtetit serb mbi shqiptarët e pambrojtur të Luginës së Preshevës.

 

Kulla e „Rozafatit“

Këto ngjarje dëshmuan, pra, se kjo trevë e Ballkanit mbetet akoma si „fuçi“ e rrezikëshme baruti dhe, poqese nuk trajtohet në mënyrë të merituar, kërcnon që të shpërthej dhe të përfshijë në flakë tërë rajonin.

Andaj, sado që dikush mund të mendoj se situata në Luginë „mund të pres“ dhe nuk është aq e rrezikëshme dhe se  nuk meriton të trajtohet me seriozitetin e merituar, gabon rëndë.

Dhe sado që do të mendojnë se ia arritën të ndërtojnë „urën“ e zgjidhjes së problemeve të serbëve të Kosovës, duke mos i përfshirë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke mos i trajtuar ata në mënyrë plotësisht të barabartë me serbët e Kosovës, rrezikon që në një moment krize, për një çast,  të rrezikoj të gjitha investimet dhe  të arriturat e gjertanishme.

Sepse, moszbatimi i reciprocitetit të trajtimit të shqiptarëve  të Luginës së Preshevës me serbët e Kosovës, mund  të çoj deri tek revanshizmi i papërmbajtur dhe, druaj i pakontrolluar i mllefit gjithëshqiptarë, duke shkatërruar gjithçka para vetes dhe duke shkaktuar pasoja të pariparueshme për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Dikush e përmendi rrezikun se bisedimet Kosovë-Serbi pa përfshierjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës i përngjet situatës sikur ndërtojmë kulla e pallate mbi bombën e kurdisur, e cila një ditë mund të shpërthej dhe të rrënoj gjithçka, duke na detyruar që t’i rrekemi çështjes së rindërtimit të tyre sërish nga e para, ashtu si dikur bënin ndërtimtarët e palodhshëm të urës së „Rozafatit“.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch