Home » Histori, Lajme, Opinione » REFERENDUMI I 1 DHE 2 MARSIT 1992 DHE AKTUALIZIMI I TIJ

REFERENDUMI I 1 DHE 2 MARSIT 1992 DHE AKTUALIZIMI I TIJ

Lugina e Preshevës është e banuar me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë. Ajo qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar.Luginën e Preshevës e bëjnë komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës(këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës dhe të Maqedonisë paraqesin etnikumin më të vjetër në rajon. Ata bënin pjesë në Mbreterinë Dardane, e cila për ketë etnikum paraqiste tërësi etnogjenetike dhe politike. Mundësi e madhe që ky etnikum të jetoje në një territor të përbashkët, me cilësi të përbashkëta etnike, kulturore, gjuhësore, ekonomike e politike. Mirëpo, luftërat e shumta të Mbretërisë së Dardanisë me Maqedonasit aq shumë e dobësuan, sa që pushtuesit e ardhshëm : Roma,Bizanti, Perandoria osmane, Sllavët e copëtuan dhe e ndan këtë etnikum në disa territore. Megjithate, asnjëherë nuk u shua kërkesa, shpresa e Shqiptarëve për bashkim të këtyre territoreve në Shqipëri Etnike.
Historiani Shukri Rahimi shprehet:” Historia e popullit shqiptar është e pandarë. Shqiptarët në kuadër të Perandorisë Osmane bënin një tërësi tërritoriale, etnike, kulturore, arsimore, pra nuk ishin të ndarë me këta kufij artificial që u vunë më vonë, me dhunë nga forcat e huaja, prandaj edhe sot , këto treva i konsideroj si të tilla, të ndara artificialisht.”
Pra, qysh me kohë , Shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar.
Pas Kongresit të Berlinit , më 1878, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës, shpresë e madhe që Shqiptarët e Luginës të jetojnë sëbashku. Mirëpo, zhgënjimi erdhi më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës i takoi Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup,Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.
Aspiratat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë në te, për t’u deklaruar se dojnë të mbeten nën Serbi. Pra, ky ishte ai “plebishiti gjithëpopullor” i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë apo të Serbisë u kurdis fati i Preshevës,që të mbetet në Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë, nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit.
Aspiratat për bashkim kombëtar nuk pushuan tek popullata shqiptare e Luginës së Preshevës edhe më vonë.
Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi, kështu që edhe Shqiptarët e Luginës i kapi kjo valë e pluralizmit demokratik, u organizuan politikisht, formuan partitë e tyre politike, për ta organizua popullin politikisht dhe nëpërmjet të programeve dhe qëllimeve partiake dhe politike të kërkojnë të drejta individuale dhe kolektive kombëtare për Shqiptarët si dhe për ta internacionalizuar çështjen e pazgjidhur kombëtare të Shqiptarëvë të Luginës së Preshevës.Kështu në Luginë u themeluan shumë parti politike, të cilat në vend se ta unifikojnë luftën politike, ato çështjen e pazgjidhur të Shqiptarëve aq shumë e parcializuan saqë nuk mbeti mëhallë, familje pa u politizuar, jo për interesa kombëtare, por për interesa të ngushta individuale e familjare.Sipas meje u thya kolektiviteti familjar dhe kombëtar, u prish dhe filloi të çthurret edhe familja shqiptare. Dolën në shesh antivlerat politike, kulturore, arsimore, ekonomike.
Mirëpo shpirti i popullit shqiptar është gjithmonë i parahatshëm dhe i pakënaqur me statusin e tij shoqëror e kombëtar, sidomos me regjimin e atëhershëm. Shqiptarët nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë nga partitë politikë në Luginë të Preshevës / PVD-kryetar Riza Halimi dhe PDSH-kryetar Ali Ahmeti/, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin Gjithëpopullor në Luginën e Preshevës, me të vetmin qëllim politik e kombëtar, përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik për të ardhmenë e tyre. Shqiptarët e Luginës, të bashkuar rreth qëllimit politik të Referendumit dolën në mënyrë masovike, për t’u deklarruar në votim : “A JENI PER AUTONOMI TERRITORIALE POLITIKE TE SHQIPTAREVE NE PREHSEVE, BUJANOC DHE MEDVEGJE ME TE DREJTE BASHKIMI ME KOSOVEN?”
Vullneti i lirë i Shqiptarëve dhe vota e tyre ishte me 99,94% për këtë deklarim politik në Referendum. Edhepse gjatë formulimit të pyetjes për Referendum pati edhe alternativa të tjera minimaliste: Autonomi personale, kulturore sipas modelit të Kroatëve, Hungarezëve në Serbi, dhe ribashkim me Kosovën, por në fund dominoi fryma kombëtare dhe në Referendum u shtrua pyetja e përmendur, duke I pasur parasysh rrethanat ekzistuese të atëhershme. Më vonë po të njëjtit individë politikë me përgjegjësi, Referendumin shumë e minimizuan, duke u deklaruar se kjo ishte modë aktuale, apo populistat se menjeherë duhet ta nisim luftën për ribashkim me Kosovën si dhe t’i vijëzojmë kufijt shtetëror, e jo si kapital dhe si akt kombëtar edhe i Shqiptarëve të Luginës.
Pas formimit të Kuvendit për shpalljen dhe organizimin e Referendumit, në kuadër të tij u zgjodhë edhe Kryesia e Kuvendit me Këshillat përkatëse të veprimit.
Më 19 shkurt 1992, në Prishtinë u mor vula e porositur e Referendumit dhe u përgatitën 2 Konferenca për shtyp.
Më 24 shkurt 1992, u organizua Konferenca e Parë për shtyp, në lokalet e PVD-së, ku morën pjesë shumë gazetarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Shefki Ukaj, gazetar i mirënjohur.
Konferenca e Dytë për shtyp u organizua më 4 mars 1992, ku morën pjesë shumë gazetarë.
Më 28 shkurt të vitit 1993, në Shtëpinë e Kulturës u mbajt Tribuna politike me temën:”Referendumet e Shqiptarëve në-ish-Jugosllavi dhe rëndësia e tyre në zgjidhjen e çështjes kombëtare”, të cilën e organizoi Partia për Veprim Demokratik, në shenjë të kremtimit të 1-vjetorit të mbajtjes së Referendumit më 1 dhe 2 mars 1992.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përkrahur dokumentet e Konferencës së Hagës, Brukselit dhe dokumenteve të tjera aktuale, në formë më demokratike e shprehën kërkesën dhe disponimin e tyre politik lidhur me çështjen e Autonomisë, duke e kuptuar atë si formën kaluese më të përshtatshme demokratike si dhe formë kaluese në drejtim të bashkimit me Kosovën. Duke i pasur parasysh rrethanat e atëhershme aktuale politike në Europë, në botë si dhe në Ballkan e Serbi ishte e kuptueshme që të kërkohet edhe forma e Autonomisë. Mirëpo tashti rrethanat politike kanë ndryshuar, u shpall Pavarësia e Kosovës dhe ndodhi Lufta e UÇPMB-së në Luginë, mbetet të kërkohet forma e vetmja demokratike : ribashkimi me Kosovën, pjesë integrale e së cilës ishim sipas të gjitha kritereve relevante etnike, kulturore, terrotiriale, gjuhësore, familjare, ekonomike. Shqiptarët e Preshevës duhet t’i kthehen djepit të tyre të fëmijërisë, Kosovës dhe gjirit të Dardanisë së vjetër, ku ishin edhe më parë, por pa vullnetin e tij politik si dhe pa dëshirën e tyre, në mënyrë arbitrare u futën në familje artificiale.
Marrëveshja e Konçulit, nënshkrimi i palës shqiptare me në krye me UÇPMB-në dhe qeverisë jugosllave e serbe shtroi kërkesa konkrete për të dy palët, derisa pala shqiptare i përmbushi detyrimet, u bë demobilizimi e tjera, ajo pala tjetër, pos policisë multietnike asgjë tjetër nuk përmbushi nga Marrëveshja.Faktoti politik shqiptar i Luginës i kërkoi palës serbe përmbushjen e detyrimeve, por nuk pati vullnet nga ajo,sepse Marrëveshja dhe aktet tjera nuk e obliguan qeverinë serbe, Marrëveshja dhe zgjidhja e Çështjes së Shqiptarëve të Luginës nuk u ndëshkua me Kushtetutë dhe me ligje konkrete në Serbi.
Shqiptarët e Preshevës me vite e mbajnë pushtetin lokal dhe e qeverisin ate, ashtu siç dijnë dhe dojnë, në Bujanoc për herë të parë Shqiptarët më 2002 e morën pushtetin lokal dhe ende e qeverisin. Është me rëndësi ta qeverisish vetveten. Andaj edhe bëhet luftë e madhe demokratike, ndonjehere edhe pa ferplej, partitë politike konkurojne për këtë pushtet lokal në Preshevë e Bujanoc.
Më vonë, rrethanat politike në Luginë të Preshevës e detyruan klasën politike që të themelojnë edhe Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë që luajti një rol pozitiv në rrethanat e përmendura aktuale politike në Luginë, u bë njëfarë unifikimi i kërkesavë dhe i shpresave politike të Shqiptarëve të Luginës. Por si duket edhe ky institucionalizim sikur edhe disa të tjera do të harrohet, sepse nuk pati vullnet politik të partive politike lokale dhe dolën alternativa të reja politike.
Aktualizohet Këshilli Nacional i shqiptarëve të Luginës. Para këtij themelohet Trupi koordinues për Luginën e Preshevës, organ i cili nuk tregoi ndonjë përparësi cilësore në zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve, por as që zgjidhi problemet elementare, me të cilat ballafaqoheshin Shqiptarët e Luginës. Për Këshillin Nacional pati debate të ashpra për e kundër.Formimi i Këshillave Nacionale ishte kërkesë e qeverisë serbe, e cila me Ligj e ndëshkoi këtë lëmi. Partitë politike shqiptare u deklaruan disa për po dhe disa për jo. Sipas meje kërkesat dhe shpresat tona kombëtare për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk duhet të mbështeten në dëshirën dhe vullnetin individual të politikanëve serbë, por në Kushtetutë dhe ligje konkrete serbe, sepse këta nesër mund të ndërrohen. Kërkesa dhe shpresa jonë mos të jetë e fundit për Këshillin Nacional si të vetmin organ, i cili do të mundësojë të mira materiale dhe financiare si dhe të mos jetë zhgënjim edhe njëherë në mbështetjen tonë në vullnetin e individëve të klasës politik serbe. Edhe një herë po e përsëris kërkesën dhe shpresën e vetme të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës : Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, të aktualizohet edhe më në Europe dhe SHBA, për ta marrë vesh dhe për t’ia bë të ditur këtyre , kërkesën, shpresën dhe zjgidhjen vetme për Shqiptarët e Luginës së Preshevës : TË DREJTËN E VETËVENDOSJES DEMOKRATIKE – RIBASHKIM ME KOSOVËN.
Në këtë drejtim Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë në planin e saj vjetor ka organizimin e një Konference shkencore: Çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, aktualizimi dhe ndërkombëtarizimi i saj.

 

Fushë Kosovë, më 28 shkurt 2016

Xhemaledin Salihu,

kryetar i Shoqatë për Trashëgimi  dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë

 

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch