Home » Kulturë, Lajme » REMZI BASHA DHE LIRIKA E MËRGATËS SHQIPTARE

REMZI BASHA DHE LIRIKA E MËRGATËS SHQIPTARE

Poezia është dimensioni më i pastërt që e ka çdo qenie njerëzore. Libri më i ri i Remzi Bashës (Delta e Dashurisë), është një kurorë e artë e takimit të tij me adhuruesit e poezisë. Përderisa shumë poetë shkruajnë gjatë për të thënë pak dhe shkurt, Remziu shkruan shkurt për të thënë shumë dhe gjatë. Për mua leximi i poezive të këtij poeti të mirënjohur, paraqet një kujdes të veçantë ndaj mendimit të shprehur dhe fjalës së shkruar, sepse ai ndërton tekste të konstruktuara me imagjinatë të bujshme, me figura stilistike, me bukuri artistike dhe me një diskurs elegant e të fuqishëm. Poeti vjen para opinionit me hijen e hijeshisë që i ringjall iluzionet dhe ëndrrat. Pasqyra e shpirtit poetik është simbol i hijeshive të jetës, ku zbulojmë ikona të gjalla.

           Poezia e Remziut është dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit. Jehona e një ndjeshmërie të brishtë. Prodhimi më i zgjedhur i meditimit, ku lartësohen ndjenjat. Pa kurrfarë dyshimi, ai është një poet i mirëfilltë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Remzi Basha është një nga poetët më të shquar të mërgatës shqiptare në Suedi, për tepër modest dhe me një ndjenjë të mirë të cilësisë së tij të çmuar dhe të kërkuar në ditët tona, sepse vetë petku i tij poetik i hije. Poezia e tij është sa intelektuale, po aq edhe përdëllimtare. Dhe, edhe në njërin, edhe në rastin tjetër, ajo deshifrohet në vargje të panumërta besnikërie të padyshimtë në fjalët e  shprehura dhe të kuptueshme nën shenjën e yllit magjik të krijimtarisë autentike.

          Pa dyshim, poezia është një rrugë komunikimi, një rrugë e majave. Fusha e fjalorit të etshëm për të thënë diçka nëpërmjet ritmit, harmonisë apo përfytyrimit – siç theksonte Paul Valéry – i përshtatet në kontekst komentimit të poezisë së Remzi Bashës, krijimtaria e tij duke shkëlqyer më një harmoni të veçantë të mbrendshme, fjalët duke rrjedhur njëra nga tjetra në një natyrshmëri fort precize të studiuar. Prej këtu vjen ajo gjendje e një fuqie të jashtëzakonshme që e zgjon lekturimi i vargjeve të tij.

          Trëndafilat e Therandës, Kënga e sentimenteve, Të joshur nga çastet kalimtare, Trofeja e lotëve, Zemra e vesës, Shikime magjike, Faleminderit, jetë, Kënga e jetës, Shpresa, Fshehtësia, Peshorja, Rrota e jetës, E vërteta, Bekimi, Naim Frashëri, Aspiratë, Gëzim, Poeti, Zëri i sirenave, Atë që s’e dije, Askush nuk harron, Fjalë, Kthimi, Rruga, janë disa nga tutujt e poezive më të frymëzuara të kësaj vepre me 100 faqe.

           Vepra e strukturuar me rigorozitet, krijimtaria poetike e mjeshtrit shqiptar nuk degdiset as në gërshetimin deskriptiv të përfytyrimeve të cilit poetë të panumërt ishin të obliguar t’i nënshtrohen përmes cenzurës djallëzore politike të pesë dekadave të fundit. Poashtu, nuk degdiset as në intimizmin pa fluturim dhe pa shkëlqim që e përbën, në përgjithësi, pala tjetër e frymëzimit në këtë perimetër gjeografik. Lehtësia nuk e kërcënon kreativitetin e këtij poeti të arrirë tashmë në maturitetin e artit të tij. Remzi Basha, po qe se e kërkojmë në linjën sa më të afërt të universit obsesiv, regjistrohet në linjën e Azem Shkrelit dhe Ali Podrimjes, që pa dyshim është, poeti më i rëndësishëm i mërgatës shqiptare të kësaj dekade të fundit dhe dhe njëri nga më reprezentativët të Skandinavisë shqiptare. (Baki Ymeri, Bukuresht, Qershor 2020)

TRËNDAFILAT E THERANDËS

Lulet më folën më shumë

Se sa mund të dëshmoja me fjalë.

Ato janë bukurshkrimet e engjëjve

Të dashura nga të gjithë njerëzit

Për shkak të bukurisë së tyre

Dhe ka disa që dinë të deshifrojnë

Fragmentet e kuptimit të tyre…

Përshkallëzimi i trëndafilave

Në një realitet të prekshëm

Ku përmallimi për miqësi

Zbret ngadalë nga qielli…

Pa kuptime konkrete

Pa arsye dhe pa ideale

Mes kurtheve të kohës

Nganjëherë trëndafilat

Pendohen për petalet e tyre

Që bien me pendim të hidhur…


KËNGA E SENTIMENTEVE

Më frikëson besimi i tyre

Se mund t’i ndihmoja

Por ende nuk mundem.

Unë mund t’i mbroj ata

Vetëm në këngë, në poezi…

Gjithmonë në arrati

Pas kësaj jete në mërgim

I duam fëmijët tanë

I duam gratë tona

I duam prindërit tanë

I duam vëllezërit, motrat

Dashamirt. miqtë e nipërit

Dhe mbi të gjitha

E duam atdheun, dhe

Të gjithë i duam…


TË JOSHUR NGA ÇASTET KALIMTARE

Një hije kalon pranë të gjithëve

Një keqardhje që nuk ishte

E cila ende nuk u duk

Si një butësi momentale

Për mendimet e humbura

Për rininë e humbur

Për hijet e humbura

Gjithmonë të joshur

Nga momentet e humbura

Etje për jetë dhe përmallim

I lashë lotët që të m’i puthin

Ëndrrat e mia kur do të vij

I joshur nga burimet e vendlindjes

Në një fushë të madhe lulekuqesh

Ti qan së bashku me mua, e joshur

Nga hapësirat e trojeve dardane

Me krahë që digjen në fluturim

Më dashuro moj zanë me durim

Më dashuro në emër të të gjithëve

Të joshur nga mendimet e bukura

Krenari me një zinxhir ndjenjash

Unë dua të jem pronari i fatit tënd…

TROFEJA E LOTËVE

Më dashuruan rrezet e dritës

Mendimet, vashat, poezitë

Gjethet krenare të zabelit

Lule n’zjarrin e tyre të gjallë…

Më dashuruan lotët e tu

Gjaku i mihur në jehonë

Ëndërrat pa i refuzuar

Shirat që po bien përsëri…

Më deshën horizontet e larta

Fjalët me përplot vlerë

Dhe gotat e mbushura me verë

Çastet e prekura me lutje e pëshpëritje

Me përkëdhelje të buta dhe falje…

Më dashuruan përmallimet e kujtimet

Zana ime  ylber në mjedis të shpresës

Trofe që e fisnikëron puhinë e lehtë

Parfum i  dashurisë në të cilën lartësohet…

ZEMRA E VESËS

Të vdesësh nuk është asgjë

Asgjë është të mos jetosh

Në puhinë e përmallimit të parë

Ëndrrat digjen dalngadalë

Bërthama e vesës i mbyll

Lotët në pasqyra të lëngshme…

Larg përmallimit e  dashurisë

Gjaku në shpinë është i hollë

I shëruar nga trofetë e ndjenjat

Turbullim joshës i kohës…

Mos e lëndo thelbin e vesës

Mos e ndaj lotin në dysh

Kur shkon përtej horizontit

Në një humbje fitimtare…

Ledhatoje me mallin e zemrës

Sepse e din se nuk është faji i asaj

Që plagët tona na i  ka mbyllur

Në kotarin e ëndrrave të bukura…

SHIKIME MAGJIKE

Lutem dhe s’ankohem

Shikoj dhe po harroj

Unë fal dhe po shpresoj

Shkrirjen e dritës në qiell…

Shenjtorë të pikturuar

Me një hyjnizim i qartë

Unë rrëfej dhe nuka qaj

Durimi i botës është i matur…

Lutem dhe s’ankohem

Nuk ka më argumente

Për shenjtorët e pikturuar

Për më tepër unë jam

Poeti që shkrihet

Dike dashur ndjenja të reja

Më fal moj zanë Shqipëria

A jam unë plotësisht

Një tërësi me  arsye…

Lutem dhe s’ankohem

Unë shikoj dhe s’harroj

Unë fal dhe ende e kërkoj

Portretin tënd në diell, dhe:

Shkrirjen e dritës në qiell…

FALEMINDERIT, JETË!

Ne kemi nevojë për shpresë

Për dritë, për jetë dhe besë…

Ne kemi nevojë për gjithëkend

Për dritën e gjakun e dashurisë

Për faljen e mëkateve të rinisë…

Ne kemi nevojë për shtëpi me fëmijë

Për petalet me engjëj dhe poezi…

Ne kemi nevojë për qiej të qartë

Për vesën e jetës në mes të fateve

Kemi nevojë për fytyra me shkëlqim

Për festat e qenies dhe të durimit…

Kemi nevojë për mendime të reja të dritës

Për faqet natyrale, për plot paqe të gjallë

Kemi nevojë për thjeshtësi dhe për risi

Për shokët e plagosur gjatë luftërave

Ne kemi nevojë për shans, lutje, shëndet

Dhe për gjërat më të bukura në jetë…

Ne kemi nevojë për Zotin dhe dashurinë

Për të dashurit, për lotin e tyre në rrjetë

Kemi nevojë ta themi me shumë shpresë

Në çdo mëngjes: “Të faleminderojmë, Jetë!”

KËNGA E JETËS

I rrethuar nga drita me dritë

Sakrificën e vetmisë sate

E mbaj pëprherë në shpirt

Me besim dashuri dhe falje

Drita në lot po dridhet

Krenari në mes të ylberit…

I rrethuar me pikëshikimin

Si një hije në mbrëmje

E kemi të vështirë ritakimin

Përmes shikimeve që pyesin

Drita në lot po dridhet

Duke lypur dashurinë e Zotit

Shuma e gjallë gjithëpërfshirëse

Po e shumëzon dashurinë time…

SHPRESA

Lutem e dashuroj

Por ç’po më mbetet

Veçse të pres

Kalimin e kohës…

E panjohur nga askush

Ti po vuan

Dhe e do Hënën

Dhe ke po atë fytyrë

Të zbehtë si unë

Si gjethet që

Në erën e vjeshtës

Bien një nga një…

FSHEHTËSIA

Ç’fshehtësi fsheh Hëna

Askush nuk e di

Çfarë fshehtësie fshehin

Shikimet e syve të mi

Askush nuk e di

Atëherë, Ti

Përse po dridhesh

Kur të shikoj…

PESHORJA

Kur them

Çka mendojnë

Këta rreth nesh

Hidhërohen…

Ti po hesht

Dhe po dëgjon

Se ata po gëzohen…

RROTA E JETËS

Sot do jetë dje

Nesër do bëhet vonë

Ardhmëria bëhet e shkuar

Mbi flatrat e erës

Gjurmët degdisen

Unë e festoj

Ditëlindjen tënde

Për çdo vjet

Ti o Zot, na fal

Se vështirë kuptojmë

Të mendojmë me kthejlltësi

Të të kujtojmë në pranverë

Dhe të dashurojmë përherë…

E VËRTETA

Cila është rruga

Vetëm unë mund ta gjej

Duke vajtur rrugës

Së stërgjyshërve të mi

Apo duke përdorur

Mëndjen për gjykim

Dhe të kem

Besim në vetëvete

Dhe në Zotin

Që të jetë pranë meje

Asgjë s’dua më shumë

Veçse të dua ta dëboj

Ligësinë nga mirësia…

BEKIM

Në parajsën e Tij

Zoti buzëqesh

Duke kundruar

Veprën e artistit

Dhe dërgon

Herë pas here

Një piktor

I zbritur

Nga qielli

Mbi tokë…

NAIM FRASHËRI

Më e fuqishme se ne është vdekja
Më e fuqishme se ajo je ti

Çka do të mund të thoshin tani

Fjalët e mia të frymëzuara

Kur dashuria jonë ndaj teje

Daton një jetë të tërë

Që na është dhënë…

Ti do mbetesh ashtu siç ishe

Shkëlqimtar mes yjeve…

ASPIRATË

Rri dhe mendoj

Ç’është lumturia?

Kur meditoj e mendoj

Kur ambicionohem

Të kem më shumë

Apo të pi më mirë

Apo të kaloj

Kohën me dashamirët?

Duke më njohur mua

Arrij më pranë

Të vërtetës

Madje dhe nëse

Lumturia

Ende është larg…

GËZIM

Më mundon gjithmonë

Po ajo pyetje.

Ashtu siç dhe të tjerët

Ndoshta njësoj

Që kurë po e dashuroj

Këtë truall të bejuar…

Qysh kur jam njeri

Duke fituar fuqi nga ujërat

Dhe nga bjeshkët…

Këtu në Dardani

E shkuara quhet

Ardhmëri…

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch