Home » Histori, Lajme » Rëndësia e “Shtabit suprem të Kosovës” në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës (dhjetor 1944- tetor 1945)

Rëndësia e “Shtabit suprem të Kosovës” në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës (dhjetor 1944- tetor 1945)

Revista “Gjurmime albanologjike”

Seria e Shkencave Historike

Nr. 28, 29, 1998-1999

 

Prishtinë 2002

Muhamet Pirraku

Muhamet Pirraku

Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, sipas organizimit strategjik të Lidhjes II të Prizrenit, mori goditjet vendimtare aty nga mesi i nëntorit 1944. Aso kohe, ushtria e rregullt e Mbretërisë Shqiptare[1] mori direktiva nga Tirana për tërheqje nga kufijtë lindorë, verilindorë, veriorë, veriperëndimorë dhe perëndimorë të Kosovës dhe një pjesë e madhe e komandantëve popullorë të forcave vullnetare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, duke gjykuar, si të vetmen mundësi për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, iu bashkuan njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kominterniste të Shqipërisë dhe të Kosovës- Jugosllavisë.[2]

Në viset e Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, të cilat sot përafërisht i mbulon Zona Operative VI e TMK-së, besnikë dhe të paluhatshëm ndaj betimit mbi Programin e Lidhjes II të Prizrenit mbeti një pjesë e vogël e personaliteteve politike e ushtarake kombëtare, nacionalistë të sprovuar, ish veprimtarë politikë dhe luftarakë të Mulla Idriz Gjilanit, por të shkapërderdhur dhe pa lidhje organizative për veprim të organizuar politik dhe luftarak. Midis këtyre, më të dalluar ishin: Xheladin Kurbaliu, Sylë Zarbinca, Shefki Dersijovca, Hoxhë Lipovica, Ajet Rainca, Lam Breznica, Ymer Muçibaba, Faik Taliri, Shyt Mareci, Sylë e Mulla Dulë Hotla, Qazim Zekbasha, etj.[3]

Këso kohe , në arealin jugperëndimor të Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, kishin dhënë shenja të qarta të shkurorëzimit të kumbarisë me antifashistët kominternistë edhe krerët popullorë me autoritet: Hysen Tërpeza, Abdyl Dura, mandej gradualisht, edhe trimi Hasan Remniku,[4] madje edhe urtaku Ramiz Cërnica[5], etj. Edhe shumë personalitete të tjera popullore e ushtarake, si Hasan Kabashi, Din Hoxha, kapiteni Bajrush Xhakli, Muharrem Fejza, ish nënprefekt i Kaçanikut, etj, ishin tërhequr në vetëizolim, të papajtueshëm me robërinë jugosllave, që po i vihej Kosovës me ndihmën e UNҪ të Shqipërisë dhe të Kosovës.[6]

Momenti historik diktonte nevojën e lidhjes së këtyre personaliteteve në organizim politik e luftarak antijugosllav me frymë demokratike çlirimtare shqiptare. Me burime dhe kujtesë historike të revalorizuar shkencërisht, vërtetohet se detyra e flamurtarit të bashkimit të këtij faktori i takoi Mulla Idriz Gjilanit, i cili në Komplotin e Roganës, më 13 nëntor 1944, lëshoi betimin kushtrimor: “Njëqind vjet i paça jetë, të gjitha kam për t’i kaluar kaçak, e kurrë nuk kam për t’u pajtuar me pushtuesin e Kosovës e copëtuesin e Shqipërisë…![7]

Fillet e këtij organizimi, që solli në Kuvendin e Tërpezës, të 1 dhjetorit 1944, ku u rrumbullakësuan përpjekjet për ngritjen e Shtabit Suprem të Kosovës, për udhëheqjen politike e ushtarake të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare, i hasim në Kuvendin e Suharnës në Hashani, më 17 nëntor 1944, vetëm një ditë pas rënies së Gjilanit nën pushtetin ushtarak e policor të UNҪJ, përkatësisht të nesërmen nga Ploja e Bllacës së Hanit të Elezit, kur partizanët maqedono – serbë pushkatuan 128 shqiptarë civilë. Në këtë kuvend iu vunë themelet Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e viseve etnike shqiptare.

Programin e kësaj Lëvizje, amanet për brezat, e ngërtheu Fjala e Mulla Idrizit: ” hëpërhë, zgjidhja e çështjes së bashkimit dhe të lirisë së Shqipërisë Etnike u vulos me tradhëtinë e komunistave shqiptarë, aleatë politikë e luftarakë të sllavo-komunistëve pansllavistë, por ideja për Shqipërinë e Bashkuar dhe të lirë mbi programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e mbjellë në ndërgjegjen shqiptare të Kosovës duhet të ruhet edhe me sakrifica mbinjerëzore, duke i bërë kurban të kësaj ideje evladët, familjet, miqtë dhe veten…

Përmasat e pjesëmarrjes së fshatarësisë shqiptare të Hashanisë në Kuvendin e Suharnës e frikësuan UNҪJ. Në Shtabin e Mulla Idrizit në Stanec, më 23 nëntor dhe më 25 nëntor 1944, u dërguan për bisedime dy udhëheqës politikë e ushtarakë të brigadës partizane të Skënder Preshevës: Xhelë Guri dhe Selim Norça, të cilët Mulla Idrizit i garantuan amnisti për bashkëluftëtarët dhe e ftuan në luftë përkrah UNҪJ dhe UNҪSH dhe i premtuan poste të larta në veprimtaritë fetare.

Mirëpo Mulla Idrizi kishte një kërkesë betim: “Nuk luftoj veresi! Pranoj të bashkohem me partizanët shqiptarë dhe nuk më intereson ideologjia e tyre politike, por me kusht që Jugosllavia paraprakisht të nënshkruajë se garanton shprehjen e lirë të popullit shqiptar sot nën armët e komunistëve jugosllavë. Kjo të bëhet në prani të përfaqësuesve të Anglisë dhe të Amerikës...!”

Mulla Idrizi, më 26 nëntor 1944, kishte ftuar Kuvendin e Krerëve të Karadakut në vendin “Livadhi i Shehit”, nën drejtimin e Ymer Saçës së Muçibabës. Kuvendi aprovoi kërkesën për lidhjen e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore me Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare në viset e tjera të Kosovës dhe të Maqedonisë, e drejtuar prej një grupi organizativ e luftarak. Prej andej, Mulla Idrizi arriti në Tërpezë të Moravës së Epërme dhe e ngarkoi Hysen Tërpezën të shkonte në një takim me personalitete politike dhe luftarake të Zonës III të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në vise të Zhegocit.

Dhe më 28 nëntor 1944, në ditën e takimit të përfaqësuesve të Zonës III dhe IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në afërsi të Plitkoviqit, Mulla Idrizi ishte në Kurbali, ku i zhvilloi bisedimet e fundit me përfaqësuesin e UNҪJ- UNҪSH, Selim Norçën me përcjellës. Në proces-verbalin nga hetuesia, plot pesë vjet më vonë, më 25 nëntor 1949, Mulla Idrizi theksoi së në Kuvendin e Suharnës Liman Staneci “kërkoi të drejta të barabarta sikur edhe për të gjithë të tjerët, kurse Selim Norça ka kërkuar që ne të dorëzohemi dhe të shkonim në ushtri, në luftë kundër gjermanëve. Me këtë jemi ndarë, kurse Selimi tha se do të paraqitet. Unë nuk kam dashur ta pres përgjigjen nga Selimi, por jam nisur për në fshatin Tërpezë…

Kuvendi i Tëpezës, i datës 1 prill 1944, ishte si një vazhdim i Kuvendit të Plitkoviqit, në të cilin kishin marrë pjesë përfaqësuesit e ish “Grupit Intelektual të Prishtinës”, të Komitetit “Rinia Nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës”, të “Batalionit të Rinisë Nacionaliste ‘Nazim Gafurri’ të Prishtinës” dhe ish përfaqësues të shtabeve të Zonës III të Mbrojktes Kombëatre të Kosovës: Adem Gllavica, Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Abdyl e Mustafë Henci, Hamdi e Shemsi Mramori, Selim Maçestena, Januz Bajçinoci, Qazim Llukagjia, ismail Gorani, Rexhep Okllapi, Bahtir Dumnica, etj.

Kuvendi i Plitkoviqit kishte diskutuar për mundësitë dhe format e organizimit të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe kishte formuluar kërkesën për ngritjen e një trupi unik organizativ politik dhe ushtarak me pretendime për tërë Kosovën, me emrin Shtabi Suprem i Kosovës. Këtë kërkesë duhej ta kurorëzonte Kuvendi i Tërpezës, ku duhej të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore dhe përfaqësuesit e Moravës së Epërme, të Kaçanikut, të Ferizajt, etj. Kuvendi i Tërpezës u mbajt nën nikorqillëkun e Hysen Tërpezës, i cili, diç do të tregojnë zhvillimet, nga kjo ditë, ia ktheu pushkën njëherë e përgjithmonë nacional – çlirimtarëve jugosllavë e kominternistë të Fadil Hoxhës e të Enver Hoxhës.

Në Kuvendin e Tërpezës Mulla Idriz Gjilani erdhi me autorizime të plota të drejtuesve të grupeve guerilje: Xheladin Kurbalisë, Sylë Zarbincës, Faik Tahirit, Shyt Marecit, Ajet Kosovicës, Qazim Zekëbashës, Ajet Raincës, Sylë Hotlës, Ymer Saçës dhe Hoxhë Lipovicës. Në Kuvendin e Tërpezës, si përfaqësues i viseve që i përfaqësonte Mulla Idrizi, ishte edhe Muharrem Fejza i Hogoshit, i cili në Kuvend vinte me përfaqësuseit e Kaçanikut dhe ish sekretarin e Komunsë së Velekincës, Ndue Pepën. Në përcjellje të personaliteteve politike e ushtarake drejtuese në Tërpezë arritën rreth 400 luftëtarë të armatosur.

Sipas të dhënave të sistematizuara nga Shefi i Sekretariatit të Punëve të Brendëshme të Kosovës, kapitenit Luba Popoviq, ( aty pas vitit 1951), Kuvendi i Përfaqësuesve të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të 1 dhjetorit 1944, për komandant të Shtabit Suprem të Kosovës emëroi agronomin Adem Selimi Gllavica, kurse zëvëndës mekanikun Qazim Sefë Llukagjinë. Kuvendi kishte aprovuar një Rezolutë dhe një afishe, të cilat përfundonin me thirrjen: “Rroftë Shqipëria…!”[8]

Këtu dhe me këtë, zuri fill aktiviteti politik e ushtarak i Shtabit Suprem të Kosovës në fushë të ndërkombëtarizimit të Ҫështjes së Kosovës si Ҫështje Shqiptare që pret zgjidhjen e drejtë me të drejtën e Kosovës dhe të popullit shqiptar në vetëvendosje.

Me të dhëna burimore, mund të vërtetohet se në Kuvendin e Tërpezës u përfaqësuan, thënë më së buti, dy koncepte politike e luftarake. Të thuash, të gjithë personalitetet që vinin nga viset e Llapit, të Prishtinës, të Ferizajt e të Kaçanikut të Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës përfaqësonin konceptin për organizimin e një lufte ballore me përmasa të gjera kundër robërisë jugosllave, me sulme të rrufeshme në qytetet ku ishin koncentruar pushteti politik, policor e ushtarak kominternist jugosllav e shqiptar dhe pushtuesit dhe shpejtësimin e ndërkombëtarizimit të Ҫështjes së Kosovës si Ҫështje gjithëshqiptare, duke llogaritur në humbje të mëdha, pa parashikim të fitores. Me këtë opsion ishin bashkuar fuqimisht Muharrem Fejza, Hasan Kabashi, madje edhe Hysen Tërpeza, e pjesërisht kapiteni Bajrush Dakli e të tjerë.

Konceptin tjetër: Përqendrimi i rezistencës së armatosur guerilje në malësi vetëm me luftëtarë të sprovuar, hedhjen e rinisë së arsimuar në organet e pushtetit civil, policor e ushtarak për marrjen e segmentëve të pushtetit nga brenda dhe angazhimin e intelektualëve të lartë në aktivitete diplomatike në lidhje me misionet anglo-amerikane për afirmimin e kërkesave të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi për të drejtën në vetëvendosje, këtu e përfaqësoi Mulla Idriz Gjilani në emër të grupeve guerilje të Kosovës Lindore.

Mulla Idrizi në kuvendet e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Hashani dhe Karadak kishte paralajmëruar një luftë të gjatë, mbi bazë të strategjisë së Lëvizjës Kaçake të viteve 20, duke i ruajtur qytetet si hambare për furnizim të popullsisë fshatare dhe fshatrat si baza të papushtueshme të Lëvizjes.

Ngadhnjeu opsioni i parë dhe Kuvendi i Tërpezës mori vendim për organizimin e sulmeve të njëkohëshme dhe të rrufeshme fillimisht në tri qytete: Ferizaj, Gjilan e Rahovec, e më vonë edhe në qytete e tjera.

Këtu duhet të vihet në spikamë se pushteti politik, policor e ushtarak i okupatorit kishte njohuri të plota për mbajtjen e Kuvendit të Tërpezës dhe bëri mbi të një presion të dyfishtë. Pushtetari sovran i Gjilanit, Vllada Popoviç, i dërgoi misionarë Hysen Tërpezës, me letër të nënshkruar nga Mustafë Hoxhë Nisheci, dhe 500 yje pesëcepësh. E ftonte të ndikonte te personalitetet e luftëtarët shqiptarë, që kishin arritur në Tërpezë për riorientimin e tyre në ushtri partizane dhe në krye të tyre të hynte në Gjilan me yjet partizane në kësula dhe me parrulla: “Rroftë Fadil Hoxha!”, “Rroftë Enver Hoxha!”, “Rroftë mareshalli Tito!”.

Dhe, deri sa po lexohej Letra e “Hoxhë Nishecit” para pjesëmarrësve në Kuvend, ushtria jugosllave ia futi flakën fshatit Muçibabë, ku ishte përqendruar njësiti i gueriljes kombëtare të Ymer Saçës. Ky ishte provokim që nuk lejonte asnjë afri të mundshme me pushtuesin jugosllav kominternist, që shpejtësoi edhe organizimin e sulmit mbi Ferizaj, më 2 dhjetor 1944, me të cilin u shënua fillimi i ndërkombëtarizimit të Ҫështjes së Kosovës si çështje shqiptare, përmes gjuhës së pushkës.

Brutaliteti i ushtrisë partizane jugosllave e shqiptare kundër pjesëtarëve të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare pas luftës së Ferizajt solli masivizimin e rezistencës së armatosur dhe disfatën e ushtrisë jugosllave maqedone- serbe të shënuar me Luftën e Desivojcës, më 19 dhe 20 dhjetor 1944 dhe të pasuar me sulmin mbi Gjilan, më 23 dhjetor 1944. Këto dy ngjarje ndikuan në ndërgjegjesimin kombëtar në radhët partizane e kominterniste shqiptare dhe në ndërgjegjësimin politik anglo-amerikan në dobi të afirmimit për të drejtën e Kosovës dhe të kombit shqiptar në vetëvendosje.[9]

Pësimet nga sulmi në Ferizaj dhe nga sulmi në Gjilan dhe fitorja në luftën e Desivojcës u bënë mësim për Shtabin Suprem të Kosovës, për heqjen dorë nga sulmet në qytete dhe për përqendrimin e rezistencës së armatosur guerilje në malësi. Nga fundi i dhjetorit 1944 dhe gjatë pjesës së parë të janarit 1945, Shtabi Suprem i Kosovës vuri kontakte me drejtuesit e gueriljes shqiptare në vise të Llapit, të Shalës së Bajgorës, të Drenicës, të Llapushës, të Bajrakut të Suharekës e të Astrazupit dhe të Dukagjinit dhe u lidh edhe me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare në Dervenë të Shkupit, me të cilin, pas disa muajsh, të thuash do të bashkëshkriheshin në Organizatën Nacional- Demokratike Shqiptare.

Nga fundi i dhjetorit 1944, Mulla Idriz Gjilani do të tërhiqet në ilegalitet të thellë. Kjo ndodhi pas takimit me përfaqësuesin e Shtabit Suprem të UNҪ të Shqipërisë, Shefqet Peçin dhe më përfaqësuesit e Shtabit Operativ të UҪ të Kosovës, Rifat Berishën e Shaban Haxhinë- “Përzhën”, në malet e Zhegocit më 29 dhjetor 1944. Në pyetjet e Shefqet Peçit: “Përse luftoni e derdhni gjak kot, mbasi posrsa të stabilizohet gjendja, Kosova dhe gjithë viset shqiptare shqiptare të Jugosllavisë patjetër do të bashkohen me Shqipni, gja për të cilën mund të jeni fare të sigurt...?”[10]

Mulla Idrizi, duke iu drejtuar bashkëluftëtarëve përcjellës, midis të tjersh, ia la mallkimin e namën UNҪSH për robërinë jugosllave kominterniste që po i vihej Kosovës. Ai theksoi:

“Mo’ Zot ma keq për ne- edhe vllaznit t’anë shqiptarë të Shqipërisë së lirë, kanë ardhë me i ndihmue Titos dhe shqeve të Jugosllavisë, të cilët po duen me i marrë rishtas vendet tona dhe me na ba neve, ndër shpiat tona, skllavë e rrogtarë të tyne, ase me na zhdukë me na qitë fare, ah…i mjeri unë dhe bashkë me mue dhe Ju trima të mjerë, lufta jonë ka mbarue e veç Zoti na pagoftë, përse me derdhë gjak e me luftue me bijtë e nji nane dhe me vllaznit e nji gjaku e nji gjuhe, kuku e medet për ne!, se na pushkë për me luftue me serbët e malazëzët dhe maqedonasit e tjerë, bijë të shkinave, kemi pasë dhe kemi, por pushkë për me u vra shqiptar me shqiptar nuk kemi. Ma bani hallall bre luftarë trima dhe Zoti ynë e shpëtoftë Shqipninë e Kosovën e mjerë...!”[11]

Gjama e Mulla Idrizit ishte një hap tjetër në fushë të internacionalizmit të Ҫështjes së Kosovës si çështje gjithëshqiptare. Më 28 janar 1945, në jehonën e Revoltës së Shaban Palluzhës, më 23 janar 1945, dhe të Luftës së Drenicës deri më 21 shkurt 1945, u ngrit Komiteti Qendror i Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare me seli në Shkup, në të cilën u shkri Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare i Dervenit. Nuk vonoi dhe Shtabi Suprem i Koosvës vuri lidhje organizative të ngushtë me Komitetin Qendror të NDSH me anë të profesorit Ibrahim Kelmendi dhe, deri në mars të vitit 1945, të thuash e bashkoi aktivitetin politik e luftarak me aktivitetin politik e diplomatik të Komitetit Qendror të NDSH, i cili tani synonte një shtrirje në të gjitha viset shqiptare etnike jashtë Shqipërisë Londineze. Në mbajtjen e lidhjeve midis Shtabit Suprem të Kosovës dhe Komitetit Qendror të NDSH pati rol të rëndësishëm edhe Hysen Tërpeza me lidhjet e tij të ngushta me ish antifashistin Tefik Halid Shemsiun e Tanushës (Ish Tanisheci).

Krahas udhëheqjes së aksioneve luftarake, Shtabi Suprem i Kosovës i kushtoi rëndësi të madhe veprimtarisë politike me masat dhe personalitetet antifashiste shqiptare të inkuadruara në organet e pushtetit civil, administrativ, policor e ushtarak në Kosovë e Maqedoni. Nga fundi i shkurtit 1945, drejtuesit politikë e ushtarakë të Shtabit Suprem të Kosovës mësuan për takimin e përfaqësuesve politikë e ushtarakë komunistë të Kosovës: Miladin Popoviqit dhe kolonelit Fadil Hoxha me Titon dhe Kardelin, më 18 shkurt 1945 në Beograd, ndaj ngriti zërin kundër aprovimit të kërkesës jugosllave që Kosova, hëpërhë, të lidhej me Jugosllavinë si pjesë e aneksuar Serbisë Federale.[12]

Meqë pritej zyrtarizimi i aktit aneksional si kërkesë kosovare legale në Beograd më 7 prill 1945, përmes një delegacioni të “Kosovës” në krye me Mehmet Hoxhën, drejtuesit politkë dhe ushtarakë të Shtabit Suprem të Kosovës ranë në kontakt me disa personalitete të caktuar, anëtarë të “Delegacionit të Kosovës” nga F. Hoxha e M. Popoviq dhe kërkuan prej tyre që ata, para Titos, të shtronin kërkesën për respektimin e Rezolutës së Mbledhjes Themeluese të Komiteteit Antifashist Nacional-çlirimtar të Kosovës në Bujan, më 2 janar 1944, që do të thotë të respektohej e drejta e Kosovës dhe e shqiptarëve jashtë Shqipërisë Londineze në vetëvendosje dhe bashkim me shtetin amë- Shqipërinë.

Nga mesi i prillit të vitit 1945, edhe Mulla Idriz Gjilani, i cili nga ilegaliteti e drejtonte Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore, me anë të Salih Sadikut të Gjyrishecit dhe Mulla Ismail Hoxhaxhikut të Prishtinës i vuri lidhjet me Komitetin Qendror të NDSH dhe Organizatën Demokratike Turke “Juxhel” (Ngritja) të Shkupit, duke ruajtur lidhjen me Shtabin Suprem të Kosovës përmes Ismail Goranit. Falë lidhjeve të Mulla Idrizit përmes “Juxhel-it” dhe kontakteve të Ibrahim Kelmendit, konsullata e Turqisë dhe konsullata e Anglisë në Shkup kishin dijeni për përpjekjet politike e luftarake të Shtabit Suprem të Kosovës për ndërkombëtarizimin e Ҫështjes së Kosovës si Ҫështje Shqiptare që duhej të zgjidhej edhe me ndërhyrje të botës demokratike. Këto kërkesa me sukses i shpinte në Evropë, përmes Zagrebit e Sarajevës, edhe Halim Orana, kryetar i Komitetit Qendror të NDSH.

Megjithatë, përpjekjeve të Shtabit Suprem të Kosovës për ndërkombëtarizimin e Ҫështjes së Kosoëvs si çështje gjithëshqiptare, një afirmim të pa precedent ia bëri Hysen Tërpeza, më 15 maj 1945, në Takimin e Cërnillës me përfaqësuesin e UNҪSH, Shefqet Peçin, në “emër të Shqipërisë” dhe përfaqësuesin e UNҪJ, Ali Shukriun, “në emër të Jugosllavisë”. Komandanti i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Moravës së Epërme, Hysen Tërpeza, kërkoi të mos shkelej e drejta e Kosovës në vetëvendosje, të cilën e kishte garantuar propaganda antifashiste nacional-çlirimtare shqiptare e jugosllave dhe vuri në spikamë faktin se “Fadil Hoxha na ka thënë se ku i thonë bukës bukë ka për të qenë Shqipëri, e ku i thonë bukës hleba ka për të qenë Serbi!?[13]

Nga fundi i qershorit 1945, prof. Ibrahim Kelmendi organizoi një takim të Shtabit Suprem të Kosovës me Komitetin Qendror të NDSH në odën e Tefik Tanishecit (Tanushës). Komitetin Qendror e përfaqësuan: Kemail Skënderi dhe Mexhit Zyberi. U arrit marrëveshja për bashkëshkrirjen e Shtabit Suprem të Kosovës në organizëm ushtarak të organizatës së NDSH dhe u aprovua kërkesa e Muharrem Bajraktarit të Lumës për thirrjen e një konference të përfaqësuesve të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave dhe antikomuniste, me rëndësinë e një kongresi. Kjo konferencë do të mbahej më 15 dhe 16 gusht 1945, në Kopilakë, në shtëpinë e Zylbeharit.

Sipas informatave të ndryshme, në Kopilakë kishin arritur rreth 500 pjesëtarë të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare, kurse personalitetet më të shquara ishin: Adem Gllavica, Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Hysen Tërpeza, Hasan Kabashi, Din Hoxha, Bajrush Xhakli, Rexhep Okllapi, Shaban Haliti, Qazim Llukagjia, Qazin Zekëbasha, Sylë Hotla, Hajriz Kajolli. Këtu ishte edhe përfaqësuesi i Mulla Idrizit, Salih Gjyrisheci, kurse Komitetin Qendror të NDSH e përfaqësuan Kemail Skënderi, Mexhit Zyberi dhe Xhemail Qazimi.

Kjo konferencë do të trajtohet si Kongresi III i Ballit Kombëtar, kurse ndër vendimet më të rëndësishme të tij janë: Lëvizja e Rezistencës Shqiptare Antijugosllave, Lëvizja e Ballit Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Lëvizja Nacionale Demokratike Shqiptare, etj, të quhen me emrin: “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”,-LpLTSH. Së këndejmi edhe Kongresi i Kopilakës – Kongresi I i LpLTSH; forcat e armatosura të saj të quheshin “Ushtri Popullore Demokratike Shqiptare”, kurse Shtabi Suprem i Kosovës të quhej “Shtab i Luftës”. Për komandant të tij u emërua Hysen Tërpeza, ndërkaq Adem Gllavicës iu besua roli i eminencës së kaltër në Lëvizje, një si komisar politik në Shtab të Luftës, kurse Ibrahim Kelmendi e Luan gashi u ngarkuan me propagandë e lidhje me faktorin e jashtëm, përmes Konsullatës së Turqisë e Konsullatës së Anglisë në Shkup, për ndërkombëtarizimin e Ҫështjes së Kosovës si çështje shqiptare e pazgjidhur.

Kongresi I (III) aprovoi platformën politike të një Thirrje, e cila duhej t’i drejtohej popullit shqiptar dhe opinionit botëror, e me të cilën duhej të denoncohej e të hidhej vendimi farsë i Kuvendit të Prizrenit të Këshillit Krahinor të Kosovës i datës 8-10 korrik 1945, sipas të cilit kinse Kosova me “vullnet” i bashkohej Serbisë Federale. Dokumentin do ta hartojë Adem Gllavica dhe do ta aprovojë Shtabi i Luftës i LpLTSH në një takim në Male të Mirashit, kurse aty, pas 20 shtatorit 1945, për shumëzim e shpërndarje do t’i ngarkohet veprimtarit politik të Komitetut Qendror të LpLTSH, Abdullah Muslisë, kryetar i Këshillit të Rrethit të Ferizajt, në bashkëpunim me drejtuesit e Komitetit Qendror të LpLTSH (NDSH) në Shkup. Shtabi i Luftës lidhjen me Abdullah Musliun e arriti me anë të Ibrahim Cernillës, komandant i rojës partizane në komunën e Babushit.

Me të dhëna të verifikuara mirë[14] mund të vërtetohet se dokumentin me titull “Proklamatë” për botim e përgatitën personalitetet themeluese të Komitetit Qendror të Organizatës së NDSH: Azem Morana, Hasan Bilalli e Abdyl Kerimi, arsimtarë në Kursin Pedagogjik të Shkollës Shqiptare në Shkup, në prani të Abdullah Muslisë, i cili edhe mori pjesë në shpërndarjen e saj, në fillim të tetorit 1945. Ky dokument në dorën tonë ka arritur në përkthimin serbisht gjatë hetuesisë ndaj Abdullah Muslisë në OZN-an e Prishtinës, më 10 prill 1947. Përmbajtja e tij paraqet dokumentin dhe aktin më të rëndësishëm të Shtabit Suprem të Kosovës gjatë aktivitetit të tij, por edhe ndër ndërmarrjet më të fuqishme me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare politike të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare- LpLTSH, nga mesi i nëntorit 1944 deri kah fundi i tetorit 1945, kur realisht nisi të pushojë së vepruari Shtabi i Luftës nën drejtimin politik të Adem Gllavicës dhe nën komandën ushtarake të Hysen Tërpezës, për t’i lëshuar vend Shtabit të Zonës I të LpLTSH (NDSH) të Ajet Gërgurit- Mulla Arif Shalës, me seli në Drenicë, si mekanizëm i ri dhe përfundimtar ushtarak kryesor i Komitetit Qendror të LpLTSH (NDSH) të Halim Oranës, me seli në Shkup.[15]

Ky dokument, Proklamata e LpLTSH e tetorit 1945, pasqyroi gjenocidin serb kanibalist mbi shqiptarët, që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në kalvarizimin e rekrutëve shqiptarë për UNҪJ dhe Plojën e Tivarit të 1 prillit 1945, e me forcë të argumenteve historike, hodhi poshtë çdo mundësi për jetë shtetërore shqiptare me serbët, malazezët e maqedonët dhe afirmoi e ndërkombëtarizoi kërkesat e Kosovës dhe të popullit shqiptar për vetëvendosje dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike, ku shqiptarët banonin në vise kompakte 85-100 %.

Për rëndësinë që ka dokumenti për mendimin politik shqiptar dhe si burim për studime të veçanta të historisë kombëtare shqiptare, e sjellim In extenso dhe pa komentime të shumta.

 

Teksti integral i proklamatës

 

Vëllezër kosovarë, ju drejtohemi sot, ne vëllezërit tuaj, nga malet e lira të Kosovës. Kaluan dhjetë muaj në pritje të armatosur, kemi pritur me durim dhe kur është ndier nevoja kemi luftuar. Gjatë kësaj kohe i kemi hetue dy veprime dhe masa të çlirimtarëve dy arshinë. Ne, këto dy arshinë, i kemi ditur që në fillim dhe për këtë kemi shfaqur mendimin tonë  për premtimet e tyre boshe, duke pritur që edhe të tjerët të binden. Tani edhe më naivët, edhe simpatizantët e “çlirimtarëve” e kanë të qartë se si qëndrojnë punët. Tash e kanë kuptuar realitetin e hidhur  dhe tradhëtinë e madhe që i është përgatitur popullit qysh gjatë Luftës  së Dytë Botërore  nga internacionalistët jugosllavë.

Neve nuk na habisin qëndrimet e serbëve dhe të malazezëve. Ata janë të njëjtit që tradhëtuan më 1878, më 1912, më 1918  dhe, këta të fundit, janë bijtë e tyre, që janë më të moderuar për të përgatitur lojëra dhe janë të tillë që përgatisin “planet e dreqit”.

Këtë ne nuk po e themi pa fakte por po na çudit qëndrimi i disa shqiptarëve. Ata janë shndërruar në armë të verbër për interesa të huaja dhe e kanë okupuar dhe varfëruar deri në lëkurë popullin e vet shumë të përvuajtur. Popullit ja kanë marrë të gjitha dhe asgjë nuk i kanë dhënë, fakt i madh i barazisë dhe i lirisë së popullit, për të cilat fraza kanë trumbetuar kaq vite.

Pas luftës, në mënyrë sistematike, që dhjetë muaj, i rekrutojnë të rinjtë dhe i dërgojnë jashtë Kosove më shumë se 70 mijë shqiptarë, pjesa më vitale e kombit. Në brigadën e 7 kosovare u mashtruan dhe u inkuadruan rreth 20 000 shqiptarë.[16] Të gjithë këta u futën në brigadë për çlirimin e Kosovës nga se u thanë se do të mbesin në Kosovë dhe do të luftojnë për çlirimin e saj. Pas disa ditësh, të paarmatosur, i dërguan në Banat. Sot janë të sistemuar në shumë brigada, anembanë Jugosllavisë, të vrarë e të masakruar, të cilëve nuk u dihet as varri.[17]

Më vonë është bërë edhe një mashtrim tjetër duke tentuar që, në mënyrë vullnetare, të tubojnë ushtarë. . Por vullnetarisht askush nuk u shkoi. Atëhere e menduan formën tjetër të mashtrimit, u thanë se këta ushtarë do të shkojnë të shërbejnë në Shqipëri, se po i kërkon Enver Hoxha. E preku në tel shqiptarin. Kosovarët e pafat, të gatshëm të flijohen për Shqipëri, u futën nëpër brigada partizane. Por tradhëtia jugosllave nuk vonoi. I çarmatosën dhe i futën nëpër kazermat e Prizerenit, që, të mbushura me shqiptarë, u kthyen në kampe përqëndrimi  më të rënda se ato të fashizmit. Pas disa ditësh, të rinjtë shqiptarë i sistemuan në grupe të ndryshme “reaksionare” dhe “elemente fashistë”. Shumica e tyre, të zhveshur e të zbathur, fituan sëmundjen e tuberkulozit duke qëndruar nëpër barakat e ftohta të kazermave. Pjesën tjetër e çarmatosën, pa rrobe, të zhveshur e të zbathur nën përcjelljen e malazezëve të armatosur,  e nisën për në Shkodër.

Të kaplon tmerri kur i shikon këta të rinj shqiptarë, që nën tytën e pushkës së malazezëve të armatosur i nisën për në Shkodër. Më të fortit kundërshtuan dhe tentuan të iknin, por ranë pa shpirt, u qëlluan nga malazezët e armatosur. Rruga Prizeren –Shkodër ato ditë i ka përngja kasaphanes.

Disa, më të fuqishmit arritën t’i çarmatosin rojat dhe t’ja mësyjnë maleve. Ata, që arritën të iknin, na njoftuan për kasaphanën dhe sot janë pjesëtarë të batalioneve tona. Nga ata, u njoftuam për tragjedinë e shqiptarëve të rinj e të paarmatosur nga mjeshtritë e partizanëve. Kjo ndodhi atë ditë kur Haki Taha në Prishtinë vrau tradhëtarin më të madh të popullit shqiptar, malazezin Miladin Popoviç.[18]

Për këtë, Fadil Hoxha gjeti rastin e mirë, të cilin e ka pritur dhe i dha urdhër komandantit në Tivar që të pushkatonte një numër të caktuar të shqiptarëve, si hakmarrje për Miladin Malaziasin.[19] Këtë detyrë e ka kryer me pedantëri dhe shumë shpejt.[20]

Kjo nuk mbeti me kaq. Forcat malazeze të egërsuara jashtë mase, vranë 3000 shqiptarë duarthatë.[21] Kjo masakër do të zgjaste po mos të kishin qënë familjet nga Tivari, që e penguan atë të bëhej edhe më e madhe derisa të ishte vrarë shqiptari i fundit..[22]

Populli shqiptar e di mirë se kush është përgjegjës për këto ngjarje tragjike dhe ata shumë shpejt kanë për të dhënë llogari para popullit dhe familjeve të tyre.

Urrejtja të cilën këta tradhëtarë e kanë mbjellë midis popujve pasqyron qartë sistemin modern të bashkimit të popujve në Kosovë..[23]

Nuk themi ne por argumentet..[24] e Nacional – çlirimtares.

Populli shqiptar në Kosovë[25] përbën 85 % të popullsisë e vende- vende 100 %. Gjuhë zyrtare në Kosovë është gjuha serbe, ajo e 15 përqindëshit të popullsisë. Kjo mund të quhet barazi?!

Përse vulat janë shkruar lart serbisht dhe me shkronja të mëdha, kurse poshtë shqip dhe me shkronja të vogla- mikroskopike?!

Ne e kemi alfabetin tonë shumë të bukur dhe fare nuk na duhet cirilika sllave. Kjo nuk po ndodh në Slloveni, Kroaci dhe as në Maqedoni. Ne mendojmë se futja e cirilikës në Kosovë është e qëllimshme.

Kështu, para disa vjetësh filluan të vepronin edhe në Shqipëri..[26] Dallimi qendron vetëm në faktin se ato dhurata na vinin nga Roma dhe jo nga Beogradi.[27]

Kjo neve na kujton Mustafë Krujën, Shefqet Vërlacin, Fejzi Alizotin me shokët e tyre, të cilët në prill të vitit 1939, i dërguan telegram Musolinit dhe e lutën që Shqipërinë ta pranojë në kornizat perandorake. Kur u kthyen nga Roma, këta përfaqësues të popullit shqiptar (sic), e thirrën kuvendin me anëtarët e tubuar nëpër kafene dhe vendosën që Viktor Emanuelit t’i dërgonin Kurorën e Skëndërbeut.[28] Populli shqiptar, me goditjet vdekjeprurëse, të cilat ia dha Italisë dhe kuislingëve të saj në Shqipëri, tërë botës i tregoi sa vlejnë ato vendime. [29] Kjo komedi u luajt në prill 1939 dhe pas gjashtë vitesh komedia u përsërit në Kosovë. Kësaj here rolin e lirës e luajti dinari, kurse në vend të Vërlacit, Krujës dhe Alizotit me shokët është Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Rifat Berisha me shokët, në vend të Romës është Beogradi, kurse në vend të Duçes “marcialo de limbero” është shoku Tito- mareshall i Jugosllavisë. Analogji e çuditshme!?!

Në vitin 1939 në Romë dhe në Tiranë u krye shitblerja. Në vitin 1945 u krye shitblerja e dytë në Beograd dhe në Kosovë. Të dyja shitblerjet u bënë në kurriz të popullit shqiptar, por të gjithë e dinë sa kushton kjo shitje. Këto janë shitje të paligjshme të bëra pa e pyetur pronarin. Për këtë shkak, fuqimisht e shpallim se populli shqiptar i Kosovës nuk e ka marrë vet…[30] se kundër dëshirës së tij është marrë vendimi për bashkangjitjen e Kosovës Serbisë Federale dhe kurrësesi nuk pranon këtë akt, të cilin e kanë nënshkruar disa persona, të cilët nuk e përfaqësojnë popullin dhe dëshirën e popullit.[31]

Aq më pak e pranon Kuvendin e mbajtur më 8 korrik në Prizren, ku disa persona janë ftuar me thirrje nga të gjitha anët e Kosovës, kinse përfaqësues të popullit (pasi shumë prej tyre më parë ishin burgosur dhe frikësuar), kanë qenë të detyruar ta nënshkruanin Vendimin, sipas të cilit Kosova dhe Dukagjini shprehin dëshirën që të hyjnë nën administrimin e Serbisë Federale (sic) !?!

Popullit të Kosovës i vjen marre t’i pranojë për shqiptarë ata njerëz, të cilët e kanë nënshkruar këtë vendim, jo vetëm duke mos e pyetur atë sikurse e kërkojnë rregullat më elementare të demokracisë, por edhe duke mos e informuar për vendimin.[32]

Populli shqiptar i Kosovës, i cili këto vende i banon në masën absolute, kërkon të drejtat e veta natyrore: bashkimin me vëllezërit e vet nga Shqipëria e vitit 1913. Kjo ka qenë, kjo është dhe kjo do të jetë dëshira e vetme e shqiptarëve të kësaj krahine. Por Nacional – çlirimtarja ia ka mohuar këtë të drejtë këtij populli- të drejtën që ta ndajë të mirën dhe të keqen me vëllezërit e vet të gjakut e të gjuhës, që së bashku me ata ta ketë fatin e përbashkët.[33]

Këtë dëshirë, këtë të drejtë e quajnë shovinizëm, imperializëm dhe fashizëm!?! Ajo që kurrë askund në botë nuk ka ngjarë, ndodh dhe ende lejohet në Ballkan. më shumë shqiptarë jetojnë nën sundimin e huaj sa sa brenda shtetit shqiptar!?! Kjo politikë e padrejtë dhe mëtutje po vazhdon, lejohet dhe ndihmohet nga çlirimtarët e popujve.

Në Istër dhe në Triestë, e di bota e tërë, që nuk ka më shumë së 20% sllovenë. Ҫlirimtarët e popujve përpiqen që këtë krahinë t’ia bashkojnë Jugosllavisë. Këtë hap nuk e konsiderojnë aspak shovinizëm, imperializëm dhe fashizëm (sikur të mos kishte qenë..[34] gjenerali anglez, Aleksandri, i cili i shkroi Titos se pushtimi i kësaj krahine nga ana e Jugosllavisë të kujton pushtimet, të cilat i bëri Hitleri) edhe pse mu këta “çlirimtarë” e mohojnë dëshirën dhe të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës të marrin pjesë në Shqipëri, e aq më tepër denjojnë që këtë ta quajnë shovinizëm, imperializëm dhe fashizëm!?!

Demokracia (thonë së Jugosllavia e Re është demokratike!?) ia mohon të drejtën e bashkimit popullit shqiptar, a thua është kjo e drejtë e popujve për vetëpërcaktim?! Kjo e drejtë u është dhënë popujve nga ana e Fuqive të Mëdha Botërore me Traktatin e Atlantikut dhe me Konferencat në Krime dhe San Francisko, por për popullin shqiptar “këto konferenca nuk vlejnë”, sepse ky popull kinse është i paarsimuar dhe nuk di se çka është demokracia!? Gjegjësisht nacional – çlirimtarët jo vetëm se nuk na pranojnë për shqiptarë, duke na i mohuar të gjitha ato të drejta, por neve as nuk na llogarisin për njerëz!?!

Për 10 muaj të “lirisë” së premtuar nga komunistët jugosllavë janë vrarë e pushkatuar 35 000 shqiptarë, emrat e të cilëve dhe vendi i vrasjeve tashmë u janë njohur të gjithëve. Këto janë metodat e Pushtetit Popullor për “liri të popullit”.

Ka edhe raste të tjera të tmerrshme që populli ynë nuk i ka ditur. I thërrasin romët që t’u bien daulleve para burgjeve serbe, derisa brënda qelive në mënyrën më çnjerëzore keqtrajtoheshin shqiptarët e pafajshëm, tortura këto që të çmëndnin si futja e bajonetave në trup, këputja e pjesëve të trupit me dana, thyerja e eshtrave e shumë tortura të tjera. Krejt kjo bëhet që të mos dëgjohet ulurima e shqiptarëve nga dhëmbjet e shkaktuara.[35]

Plaçkitjet që partizanët ia bënë popullit shqiptar për ta varfëruar skajshmërisht, që të rrezikohen edhe me vdekje për shkak të urisë, nuk janë të rralla, Shqiptarëve iu digjen edhe shtëpitë, duke i arsyetuar veprimet e tyre, duke i cilësuar ata si “reaksionarë fashistë”. [36]

Çfarë ironie!..Të njëjtët partizanë që plaçkitën dhe djegin çdo gjë, tash vijnë shtëpi për shtëpi dhe regjistrojnë dëmet e bëra nga vetë ata dhe mundohen t’i bindin gratë tona se këto dëme i kanë bërë gjermanët, pasi që burrat shqiptarë janë nëpër male.

Populli shqiptar, i shumëvuajtur nga regjimet serbe të mëparshme, me gëzim priti “lirinë”, atë liri e barazi të premtuar gjatë luftës. Por përjetoi zullum, plaçkitje e vrasje, që sot e di e tërë bota.

Për “lirinë” e dhuruar nga Pushteti Popullor është njoftuar i tërë populli shqiptar. Prej shumë premtimeve, që u dhanë gjatë luftës, për vetëvendosje asgjë nuk është realizuar. Na mashtruan, ngase ky popull, i lodhur e i stërlodhur nga shumë regjime okupuese, u besoi premtimeve komuniste. Kur u hetua tradhëtia, ne veç ishim të armatosur dhe bijtë tanë më të mirë i internuan dhe i degdisën nëpër skajet e Jugosllavisë.

Ne ende i kemi të freskëta parrullat e komunistëve të proklamuara gjatë luftës: “Populli shqiptar do të vendosë vetë me kënd do të mbetet, me Shqipërinë, me Jugosllavinë ose republikë më vete”

Ditët e para të këtij pushteti, komisarët politikë të regjimit, flisnin në të katër anët me oratori të flaktë për të drejtat e liritë, duke propaganduar dorëzimin e armëve. Populli i shkretë, duke shpresuar në liri të plotë, filloi t’i dorëzojë armët, duke menduar se më ato nuk do t’i nevojiten, ngase erdhi liria.

Kosova i ka përjetuar padrejtësitë në këta dhjetë muajt e shkuar nga ana e terroristëve me yllin e kuq në ballë.

Kjo gjueti në njerëz, që bëhet kundër shqiptarëve të Kosovës për 10 muaj të “çlirimit”, nuk zbatohet askund në botë, por në Kosovë nuk është kurrëfarë risie, por përsëritje e historisë së viteve 1978, kur ardhacakët nga Beogradi (Karpatet), vranë dhe masakruan 100 000 shqiptarë nga vilajeti i Nishit. Ata që arritën të ikin sot këtu quhen “muhaxhirë”, të cilët janë të shpërndarë në të gjitha pjesët e Kosovës.

Në vitin 1912, prapë me urdhër të Beogradit, u pushkatuan hiç më pak shqiptarë se shifra e sipërshënuar.

Në vitin 1918 gjatë formimit të Jugosllavisë mozaike, prapë me urdhër të Beogradit, u vranë dhe u pushkatuan me mijera shqiptarë. Në atë kohë, në Konferencën e Paqës, është publikuar lista e 8000 viktimave, që është përcjellë me një protestë energjike. Por kjo është si gjithnjë “vok lajms in dezerta”.

Më 1945 përsëritet historia. Prapë me udhëzimet e Beogradit, bëhen masakra masive mbi popullin shqiptar. Ende pa kaluar 10 muaj, në regjistër janë evidentuar 35 000 të vrarë e të masakruar dhe mbi 50 000 të dëbuar, për fatin e të cilëve nuk dihet. Këto janë fakte të hidhura. Katër data tragjike të historisë, katër regjime të ndryshme, por me një politikë të përbashkët dhe identike dhe shumë të thjeshtë, asgjësimi dhe shkatërrimi i qënies shqiptare në Kosovë.

Italia fashiste, e cila ishte armike e përbetuar e shqiptarëve, ka qënë e detyruar ta pranojë karakterin shqiptar të trojeve shqiptare.

Ndërkaq pushteti popullor i sotëm, “çlirimtarët e popullit” tentojnë që të gjitha lidhjet me Shqipërinë të këputen, duke e tejkaluar okupatorin fashist. Këtë e ka treguar OZNA me veprime terroriste që i tejkalon ato të Gestapos. Diktatura dhjetëmujore me veprimet e veta terroriste e len pas diktaturën fashiste. Ne të lirët, në malet tona të lira, jemi të autorizuar dhe të obliguar ta shprehim vullnetin e popullit të Kosovës.

Për këtë arsye, në emër të popullit shqiptar të Kosovës, ngremë zërin dhe i drejtohemi opinionit ndërkombëtar dhe solemnisht deklarojmë që, pa dëshirën tonë, na kanë imponuar bashkimin me Serbinë.

Dëshira dhe vullneti ynë është bashkimi me Shqipërinë, me vëllezërit tanë, pa marrë parasysh se cili regjim është në pushtet, ngase kemi zakone të njëjta dhe kushte të njëjta morale dhe materiale.

Dëshirojmë që t’ja shtrijmë dorën njëri-tjetrit sa më parë dhe ta shkundim pjesën e errësirës dhe të robërisë, frikës nga terrori, që vuajtëm nga okupatorët e ndryshëm, duke e përfshirë edhe këtë të sotmin, të Beogradit dhe të kuislingëve të Prizerenit.

Ne nuk jemi kundër asnjë ideologjie, por as që përkrahim ndonjë ideologji. Ideologjia jonë është lufta për ekzistencën e popullit shqiptar. Jeta jonë dhe ekzistenca jonë mund të jenë të sigurta vetëm në një shtet shqiptar, që do të përfshijë kufijtë e tokave shqiptare.

Sa i përket pakicës serbe, të lindur në Kosovë, që jeton bashkërisht me popullin shqiptar, deklarojmë se do t’i ketë të drejtat të barabarta me shumicën shqiptare dhe në asnjë mënyrë nuk do të dallohet prej shqiptarëve.

Ata malazezë që në Kosovë kanë ardhur pas vitit 1912 dhe në vitin 1918, si kolonistë, i këshillojmë që të kthehen në vendet e veta nga e kanë prejardhjen, pasi tokat që ata i kanë uzurpue, u takojnë autoktonëve shqiptarë. Po ashtu, deklarojmë se në Kosovë nuk ka asnjë malazez autokton dhe të gjithë malazezët janë kolonizatorë. Këtë e dokumentojnë faktet e jo ne. Malazezët në Mal të Zi e kanë pushtetin dhe qeverinë e vet, ndërsa populli shqiptar dhe pse është katër herë më i madh në numër se sa malazezët këtë të drejtë nuk e gëzon.

Organizata jonë nuk ka lidhje me asnjë parti, organizatë të jashtëme apo me qeverinë e vendit që Kosovës ia konteston mundësinë të jetojë dhe të bashkohet me Shqipërinë

Sa i përket gënjeshtrave dhe thashethemeve tendencioze të terroristëve serbë e malazezë, deklarojmë se në batalionet tona nuk ka asnjë të huaj. Në të gjitha luftërat që kemi zhvilluar në këto 10 muajt e fundit në Kosovë nuk ka marë pjesë asnjë i huaj.

Veçmas, në mënyrë kategorike, demantojmë që organizata jonë mund të ketë lidhje me drazhistët për të cilën na akuzojnë terroristët. Vëllezër shqiptarë të Kosovës, regjimi terrorist me gënjeshtra po ju mashtron, nuk na mundëson që të lirë të votojmë e të vendosim për fatin tonë siç na kanë premtuar zhurmëshëm në fillim, sepse e kanë ditur se do të votojmë për Shqipërinë e jo për Beogradin. Kuislingët e Prizerenit ishin të njoftuar me dëshirën dhe qëllimet e Titos, i cili para delegacionit shqiptar (prill 1945) kishte paraqitur kërkesën e tij që shqiptarët e Kosovës do të ishte më mirë të mbeten me Beogradin?! (me Serbinë). Këta kuislingë që do të bëheshin lajkatarë të Titos nxituan që, sa më parë, ta plotësojnë dëshirën e tij..

 

[1] A kish mbretëri shqiptare atë kohë?! – shënimi im, Bardhyl Selimi

[2] Gjerësisht Dr. Izber Hoti, Lëvizja Nacional- Ҫlirimtare në Prishtinë dhe Rrethinë, Prishtinë, 1986, 104-107; dr Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992

[3] Gjerësisht Spasoje Djakociç, Sukobi na Kosova, Beograd 1986; dr Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Prishtinë 1995

[4] Ishte nën ndikimin e Ramiz Cërnicës, ndaj në vitet 1942-44 kreu edhe detyra të korrierit për lidhjen e aradhave partizane të Fadil Hoxhës me Komitetin e PKJ të Rrethit të Gjilanit.

[5][5] Ramiz Cërnica, me autoritet të madh në masat e Moravës së Epërme, do të lirohet shumë ngadalë nga ndikimi i ideve antifashiste kominterniste të mësuesit elbasanas Hasan Dylgjeri, të nënprefektit drenicar, Rifat Berisha dhe të të nipit, Kadri Halimi. Hysen Tërpeza, njëri ndër themeluesit e Shtabit Suprem të Kosovës, do të konstatojë: “Më 14 nëntor 1944 Ramizi më thirri në telefon nga komuna e tij dhe më tha, Hysen, sa më thirri në telefon Vllada Popoviç nga Vraja që më tha, Ti, e Hysen Tërpeza mos i lëshoni komunat se Ju jeni njerëz të Drzhavës së Parë…! I thashë, pa hamëndje e shkurt se kurrë s’e lëshoj pushkën…! dhe ja mbylla telefonin. Ramizi e donte karierën…” Tërpezë, më 12 shkurt 2000.

[6] Gjerësisht, dr. Daut Bislimi, Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945, Prishtinë, 1997

[7] Citatet nga fjalimet e Mulla Idriz Gjilanit e të tjera, nga vepra e M. Pirrakut ” Mulla Idriz Gjilani…”

[8] Gjerësisht, kapiten Luba Popoviq, Analizë për veprimtarinë e komiteteve nacional-demokratike shqiptare- NDSH e të grupeve të Rezistencës Shqiptare të armatosur 1944-1951, Prishtinë, pas vitit 1951 (mbi 220 faqe), Sekretariati i Punëve të Brendëshme të Kosovës, Dosja 50-1-0002.

[9] Gjerësisht S. Djakoviç, Sukobi na Koasovu, Beograd 1986, 205-228

[10] Tahir Zajmi, Lidhja II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruxelles, 1964, 94

[11] Gjerësisht po aty, 94-96. M. Pirraku, Mulla Idrizi Gjilani…335-338

[12] Gjerësisht, Rajo Vidaçiç, Kosovsko Metohijski edmetnici 1944-1952, Bezhednost, nr 4, Beogard, 1984; Pavle Delatoviç, 21 SS – Divizija Skenderbeg.

[13] M. Pirraku, Mulla Idriz Gjilani…., 322; Ilaz Metaj- Ali Llunji, Hysen Tërpeza histori e gjallë, Prishtinë `1992, 141-154. Vepra e I. Metaj- A. Llunji, Hysen Tërpeza….doli nga shtypi në pranverë të vitit 1995, disa muaj pas veprës së M. Pirrakut, Mulla Idriz Gjilani…

[14] Këtu z. M. Pirraku bie ndesh me studimin serioz të dr. Sulltane Ukaj – Kojçini botuar në revistat e Institutit të Historisë Prishtinë dhe në gazetën “Bota Sot”, më pas (2004), ku theksohet se proklamata në fjalë është hartuar nga Adem Gllavica – shënimi im Bardhyl Selimi

[15] shih gjerësisht, M. Pirraku, Dëshira jonë e vërtetë është bashkimi me Shqipërinë, Dituria Islame, Prishtinë, 1995, nr 73 faqe 32-34; nr 74, faqe 25-28

[16] Sipas të dhënave të sigurta, në brigadën VII pati mbi 19460 vetë (deri më 18 dhjetor 1944- 15260 nën komandën e Shaban Haxhisë së Bytyçit, Shqipëri dhe mbi 4200 nën komandën e Shaban Palluzhës, midis datave 6-23 janar 1945)

[17] Të dhënat flasin për 30 000 shqiptarë të dërguar nga Kosova në Srem – Banat

[18] Tregimi për vrasjen e Miladinit nga Hakiu është konstruksion i OZN-as. Popoviqin e likuidoi OZN-a e Kosovës me kërkesën e KQ të PKJ.

[19] Sipas ushtarakut të lartë të AJ, Bajram Gola, ai ishte Gasha Markoviq, komandant i brigadës X malazeze, por pjesëmarrës komandues në krim ishte edhe veprimtari politik Velko Roloviq, shih M. Pirraku Kalvari i shqiptarsisë së Kosovës, Tivari 1945, Prishtinë 1993/4, 49-54

[20] Se Fadil Hoxha është implikuar në Masakrën e Tivarit ekziston edhe një dokument i proveniencës malaziase, i mëvonshëm. Mirëpo kjo ende kërkon dokumentim më të gjerë. Heshtja 56 vjeçare e Hoxhës për ndriçimin e këtij krimi është së paku bashkëfajësi.

[21] Sipas një raporti ushtarak jugosllav, më 26 mars 1945, Eshaloni i dytë, në nisje nga Prizreni, kishte “2400 shqiptarë”. Sipas raportit rekapitulues më 8 prill 1945, ky eshalon  në nisje për në Tivar pati “2382 shqiptarë” dhe në Shkodër më 30 mars 1945, iu dorëzuan malazezëve “2370 shqiptarë”. Këta e përjetuan Masakrën e Tivarit të 1 prillit. Prof. Ymer Berisha, në raportin për gjeneralin Hadson, më 22 tetor 1945, flet për 1690 të vrarë në Tivar, kurse ushtaraku Bajram Gola në një relacion për KQ të PKJ flet për 1700 të vrarë. Ka edhe të dhëna që sillen rreth 3000, por fjala është për të gjithë të masakruarit në Rrugën e Nacional – çlirimtare prej Prizrenit deri në Dubrovnik. Gjerësisht M. Pirraku Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës, Tivari 1945, Prishtinë 1994, 17-32. Përjetuesi i ngjarjes, Azem Hajdini- Xani flet për 3760 mbi 4000. Gjerësisht, Masakra e Tivarit (Memoare) Prishtinë 1998.

[22] Gjerësisht M. Pirraku Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës Tivari 1945

[23] Në tekst janë 12 pika.

[24] Në tekst janë 11 pika

[25] Në tekst janë 10 pika

[26] Në tekst janë 6 pika.

[27] Në Proklamata hetohet fryma antifashsite italiane e fortë, por edhe një maturi ndaj nazizmit hitlerian, i cili nuk mund të shkelej lehtë, nga se e bashkoi Shqipërinë dhe kombin shqiptar të copëtuar nga Evropa imperialiste me shumë traktate politike prosllave e progreke.

[28] Krahasimi nuk është i qendrueshëm shkencërisht. Veprimet e Krujës, të Vërlacit dhe Alizotit, në rrethanat e përpjekjeve të nazifashizmit për një Rend të Ri evropian e botëror, shkonin drejt bashkimit të Shqipërisë Etnike, kërkesë gjithëkombëtare shqiptare e përjetëshme. Edhe konstatimi i mësipërm tregon qartazi se hartuesit e dokumentit ishin ish-antifashsitë- ish “nacional – çlirimtarë” të zhgënjyer nga qendrimet antishqiptare të aleatëve kominternistë jugosllavë e shqiptarë.

[29] Aludim se nuk do të vlejnë as Vendimet e Kuvendit të Prizrenit të 8-10 korrikut 1945 si dhe nënshkrimet e Fadil Hoxhës e të Mehmet Hoxhës me shokët, para kësaj date.

[30] Në tekst janë 12 pika. Fjala është për Vendimin për anulimin e Rezolutës së Bujanit nga ana e Nacional-Ҫlirimtares jugosllave.

[31] Ata nuk qenë përfaqësuesi legjitim i popullit, por ishin të zgjedhur të posaçëm të organeve ushtarake e politike të Jugosllavisë.

[32] Veterani i luftarve për çlirimin e Kosovës, Hysen Tërpeza, më 12 shkurt 2000, theksoi: Në Kuvendin e Prizrenit vetëm Ramiz Cërnilla e foli një fjalë që duhej të thuhej ‘Meqë edhe Jugosllavia edhe Shqipëria tani janë vende demokratike, pse Kosova të mos shkojë me Shqipërinë?!’. Ky ishte shkaku që e burgosën..”

[33] Gjerësisht, M. Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992, 149-158.

[34] Në tekst janë 8 pika.

[35] Prof. Ymer Berisha, kryetar i organizatës “Besa Kombëtare”, i shkroi përfaqësuesit të Anglisë në Tiranë, Hadsonit më 22 tetor 1945: “..Pasi u mblodhën të gjitha armët, u burgosën të gjithë krerët, bajraktarët dhe personalitetet e njohura dhe u hodhën në burgjet më të këqia, në të cilat shumë prej tyre vdiqën nga uria (…). I merrnin natën nga burgu, nga 10-15 veta dhe duke luajtur me muzikë, i vrisnin pas torturave të mëdha, duke i rrahur e duke i pushkatuar, duke i therrur, duke i varur e, në disa raste, duke u rënë me çekiç në kokë, duke u vënë nën thonj gjilpëra (gozhdë), duke u rënë brinjëve, duke ua prerë pjesët e trupit derisa ata ishin ende gjallë” etj

[36] Në tekst janë 6 pika. Vetëm pse kishin qenë kryefamiliarë të mirë dhe kishin rritur e edukuar drejt më shumë se katër djem- i shkruante prof. Ymer Berisha gjeneralit Hadson

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch