Home » Lajme, Shoqëria Civile, Vendore » Reportazh – Sheshi “epokal” i Bujanocit!

Reportazh – Sheshi “epokal” i Bujanocit!

sheshi Bujanocit foto e vjeterNjë histori kronologjike përmes fotografive, shifrave dhe fakteve.

 

Para 44 vjetësh e kusur, pikërisht, më 1971, qendra e Bujanocit, është përshkuar nga një rrugë e shtruar me kalldrëm dhe trotuar anësor me drunj dekorativ, të cilat i kanë dhënë qytetit,  një pamje atraktive për vizitorët.

 

Bujanoci, gjatë vitit 1971

 

sheshi Bujanocit foto 1981Ndërsa para 34 vjetësh, pikërisht, në vitin 1981, qendra e Bujanocit, u bë me shesh dhe mori emrin me një vendim të atëhershëm të Komunës së Bujanocit, me shumicë delegatësh serbë Sheshi “Mareshali Tito”.

Në trekëndëshin midis ndërtesës së Komunës së Bujanocit, soliterit dhe Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq”, u ngrit përmendorja e Josip Broz Tito, njeriut që e ka sunduar ish Jugosllavinë për tri dekada e gjysmë. Shtatorja e Tito-s ka peshuar 4 ton mermer dhe buxhetit të atëhershëm komunal dhe jugosllav i ka kushtuar bukur shumë.

 

Pushtetarët e atëhershëm të Komunës së Bujanocit, me qëllim e ngritën përmendoren e Tito-s në qendër të qytetit, për t’i provokuar shqiptarët etnikë të kësaj komune. Ata vetë nganjëherë e gjuanin me gurë e baltë, përmendoren e Tito-s dhe i fajësonin shqiptarët, duke i ndjekur politikisht e gjyqësisht.

sheshi Bujanocit foto 1991Në vitin 1991, disa vjet pas vdekjes së Mareshali Tito, Kuvendi Komunal i Bujanocit, me shumicë votash të ish delegatëve serbë,  ndërroi emrin e sheshit të qytetit nga “Mareshali Tito”, në “Sheshi i Karaxhorgjit”. Po ata që e ngritën shtatoren e Tito-s edhe e shembën për tokë, duke e hedhur pastaj në mbeturinat e periferisë së qytetit, si dhe ia ndërruan emrin e Shkollës Fillore “25 Maji”, (shkollë shqipe) në Bujanoc, që lidhej me ditëlindjen e Tito-s, duke e emëruar “28 Mars”, datë e cila shënonte shembjen me gjak e hekur të Autonomisë së Kosovës dhe iritonte pa masë nxënësit, profesorët dhe prindërit shqiptarë të Komunës së Bujanocit dhe më gjerë.

 

sheshi Bujanocit foto 2002Bujanoci, në vitin 2002

 

10 vjet më vonë, pikërisht në mes viteve 2001-2002, kur shqiptarët erdhën në pushtet në Bujanoc dhe përbënin shumicën, qendra e Bujanocit, nuk pësoi ndonjë ndryshim të madh, përveç zhdukjes së llambave të neonit, të cilave mbrëmjeve qendrës i jepnin një pamje impozante dhe vendosjes së qoshqeve, për shiten e gazetave, cigareve, farave dhe kikirikave.

12 vjet më vonë, pikërisht, në vitin që e lamë prapa, u restaurua sheshi i qytetit të Bujanocit, i cili buxhetit komuna dhe donacioneve të tjera i kushtoi jo më pak se gjysmë milioni euro.

sheshi Bujanocit foto 2014Bujanoci, në vitin 2014

 

Me restaurimin e sheshit të Bujanocit, i cili akoma mban firmën e Sheshit Karaxhorgje, u shkatërrua kalldrëmi, fontanat dhe një shtatore me tre gurë të mëdhenj, që simbolizonin tri bashkësitë etnike në qytetin e Bujanocit: shqiptarët, serbët dhe romët.

Dhe në fund, në përmbyllje të këtij reportazhi, po e japim një pamje të sheshit të Bujanocit të mbuluar nga dëbora e janarit.

sheshi Bujanocit foto 2015Një plak, më pat thënë njëherë, se bora bie për t’i zbuluar tragjet e egërsirave, të cilat u shërbejnë gjuetarëve për gjah, ndërsa bora në qendër të Bujanocit, mbulon përkohësisht gjurmët e një krimi kulturor ndaj trashëgimisë së kalldrëmit e fontanave, të cilat u shkatërruan, duke u zëvendësuar me pllaka betoni, në emër të miliona dinarëve, të cilat nuk po duken, jo nga bora, por nga dora pushtetare!

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

 

 

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch