Home » Histori, Lajme, Vendore » Rexhep Hasani – Rexha, figurë emblematike e Lëvizjes Kombëtare të Shqiptarve në Luginë të Preshevës

Rexhep Hasani – Rexha, figurë emblematike e Lëvizjes Kombëtare të Shqiptarve në Luginë të Preshevës

(1962 – 1994)
Sot, më 22 qershor 2019 u bënë 25 vjet ose një çerekshekulli nga ndarja tragjike nga jeta e veprimtarit Rexhep Hasanit – Rexhës, në lulen e rinisë, në moshën 32 vjeçare, duke lënë familjen e njomë dhe miqtë e shokët e idealit dhe mbarë shqiptarët e Luginës përjetësisht të pikëlluar.Vendkalimi i hekurudhës te fshati Raincë është një pikë e zezë që shkaktoi shumë tragjedi dhe mori shumë jetë njerëzish, jo vetëm të Rexhës me shokë, por pesë vjet më vonë, më 13 nëntor 1999 edhe të ekonomistit të diplomuar Xhelal Ymerit me familje dhe paraqet rrezik permanent edhe sot për popullatën e kësaj ane.Rexhep Hasani -Rexha (sekretar), së bashku me Nexhat Sadullahun (nënkryetar)me shokë, ishte njëri ndër themeluesit kryesorë të Partisë për Veprim Demokratik dhe Sekretar i parë i saj.Kontributi i Rexhës për Lëvizjen Kombëtare të Shqiptarve në Luginë të Preshevës ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos në vendosjen e themeleve të politikbërjes së pavarur të Shqiptarve të Luginës së Preshevës nga Leskoci dhe Beogradi.Pluralizmi politik në Serbinë e viteve të 90-ta të shekullit XX, kishte në veti sfida, kurthe e rreziqe të mëdha për shqiptarët e komunës së Bujanocit, Medvegjër, por edhe të Preshevës që të përfshiheshin në Partinë Socialiste të Serbisë, SPS-in famëkeq të Sllobodan Millosheviqit.Ky rrezik ishte i madh në veçanti për shqiptarët që punonin në organet shtetërore, tek të cilët ushtrohej presion i madh, që të ashtuquajturit “shqiptarët e ndershëm”, anëtarë të SPS-it të shpalleshin dhe të konsideroheshin si përfaqësues politikë të interesave të Shqiptarve të këtyre komunave të banuara me shumicë shqiptare në Serbi.Ky rrezik real për rethanat historike të asaj kohe, u evitua falë vendosmërisë këmbëngulëse dhe veprimtarisë së palodhëshme patriotike të PVD-së dhe Rexhës me shokë, duke formuar Degën e kësaj partie në komunën e Bujanocit, e cila do të merr pjesë në zgjedhjet pluraliste lokale, duke i dalur zot votës së Shqiptarve dhe duke pamundësuar shkapërderdhjen e votës së tyre nëpër partitë serbe, siç ishte rasti i gjendjes së mjerueshme politike para Luftës së Dytë Botërore.Rexha qëndroi në ballë të të gjitha aktiviteteve politike të Shqiptarve, duke mos u zmbrapsur nga presionet, kërcënimet dhe shantazhimet e panumërta dhe të ashtuquajturat “bisedat informative” të policisë së Serbisë në regjimin e tërbuar antishqiptar të Sllobodan Millosheviqit.Ka ndodhur shumë shpeshë që Rexha duke u kthyer nga aktivitet e shumëta partiake e Kombëtare nga Presheva e Prishtina, të pritej para shtëpisë së tij në Bujanoc nga policia dhe të merrej në stationing e policisë, ku i bëhej presion i madh për të treguar për veprimtarinë dhe angazhimet e tij dhe për të marrë informata, por edhe për ta dekurajuar e zmbrapsur nga aktivitetet e tija politike e Kombëtare.Por, jo vetëm që nuk kanë arritur që ta zmbrapsin Rexhës nga veprimtaria e e palodhëshme patriotike.Përkundrazi, ai vazhdonte edhe më me ngulmë e vendosmëri dhe këtë ua thoshte policisë në sy, pa u trembur e pa u zmbrapsur asnjë milimetër.Madje, Rexha thoshte se “mbasi po dojnë me na pengu e me na trembë policia dhe shteti i Serbisë, kjo do të thotë shumë për neve. Sepse, me këtë po bindemi se sa të rëndëshëm për çështjen tonë Kombëtare jemi dhe sa i rrezikshëm jemi për regjimin antishqiptar të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit”!Natyrisht se asokohe veprimtarinë politike të Shqiptarve e karakterizonte sakrifica dhe vetëmohimi dhe kishte rrezik permanent për aktivistët shqiptarë dhe për familjet e tyre, e kurrësesi nuk kishte privilegje e levërdi të ndryshme materiale e të tjera, siç është sot.Roli i Rexhep Hasanit-Rexhës ka qenë i madh në organizinin e Zgjedhjeve të para parlamentare në dhjetor të vitit 1990, si dhe në organizimin e bojkotimit të suksesshëm të Regjistrimit të Popullsisë në Serbi, më 31 mars 1991.Por, mbi të gjitha, angazhimi i Rexhës reth organizimit dhe mbajtjes së Referendumit të Shqiptarve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me të drejtë bashkimi me Kosovën, ka qenë i pazëvendësueshëm.Meqë unë, si kryetar i parë i Degës së PVD-së në Preshevë isha zgjedhur nga Kuvendi si Zëdhënës i Referendumit, me Rexhës kemi bërë shumë udhëtime të përbashkëta, në Maqedoni (Tetovë) për fletëvotimet, në Kosovë, por dhe nëpër nëndegë, në të gjitha vendbanimet e Luginës së Preshevës.Veçanërisht më kujtohet udhëtimi me Rexhën për Novi Pazar, ku nëpërmes SDA-së së Sanxhakut, ishim angazhuar për të vendosur kontakte me organizatorët e Referendumit në Bosne, që mbahej në të njejtën kohë me Referendumin tonë.Para se të shkonim në Novi Pazar,në orët e herëshme të mëngjesit të ditës së premte, kur organizohej konferenca javore për shtyp e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe LDK-së, shkuam në Prishtinë, ku me Profesor Fehmi Aganin i shkëmbyem informacionet dhe morëm instrukcione për kontaktet me Bosnën dhe për veprimet vijuese.Gjithashtu, aty dhamë edhe intervistën për Radio Sarajevën gazetarit Sadri Hadërgjonaj, që siç na tha ai, kjo intervistë do të emitohej gjatë orëve të herëshme të mëngjesit të një marsit, dmth në ditën e parë të Referendumit për Pavarësi të Bosnës, si “motivim shtesë” për votuesit e tyre.
Në selinë e LDK-së na e shumëzuan dokumentacionin e Referendumit duke e fotokopjuar në shumë kopje. Për fat të mirë, gjatë shkuarjes, edhepse kishte shumë policë rrugës, nuk na ndaluan askund dhe arritëm në Novi Pazar pa na ndalur për kontrollë në asnjë vend. Atje na pritën shumë ngrohët në selinë e SDA-së, sekretari Rasim Lajiq me disa shokë dhe mësuam se sapo ishin bërë gati për tu nisur për Sarajevë. Kështu, ua dhamë nga disa kopje të dokumentacionit për Bosne, ku Ejup Ganiq ishte një mik i vjetër i Shqiptarve dhe ishte shumë i gatshëm që në çdo kohë të na ndihmonte më mundësitë që kishte dhe me autoritetin e madh që gëzonte si person që ishte në rethin e ngushtë dhe mê të lartë të kierarkisë politike të boshnjakëve (muslimanëve) në Sarajevë.Por, gjatë këthimit tonë nga Novi Pazari, ne padashje bëmë një gabim të madh, që shumë lehtë ka mundur të na kushtojë ndoshta më jetë. Meqë na kishin tepruar reth shtatë kopje të dokumentacionit të Referendumit, ne pak për naivitet e për pakujdesi, në vend që t’i asgjësonim ato fotokopje, i futëm në makinë dhe i morëm vete, duke rrezikuar pa nevojë veten. Kështu, në kufirin administrativ më Kosovën, afër një hidrocentrali ishte parkuar një kamion ushtarak përplotë me policë me helmeta në kokë dhe të armatosur “deri në dhëmbë”. Kurse, nja pesë a gjashtë policë, me kallashnikovë të drejtuar nga ne, na ndalën për të na kontrolluar. Rexha ishte duke vozitur, kurse unë isha i ulur në sedilen e djathtë. Policët nga të dy anët i hapën dyertë e përparme dhe me bërtimë pyetën se nga vinim dhe çka kishim mbrenda, kurse njëri nga ata më urdhëroi ta hapë kasafortën. Aty i kishim futur kopjet që kishin tepruar të materialit të Referendumit, që ishin reth 100 fletë. Unë i nxorra shumë ngadalë, duke u kujtuar se si do t’ia bëjmë, por njëkohësisht edhe duke parë edhe gabimin që kishim bërë dhe që krejtësisht pa nevojë e kishim futur veten në një rrezik të madh, më fund të paparashikueshëm.Në atë moment, policia nga dera e majtë pyeti me zë të lartë së a kishim deviza. Rexha, me një indiferencë e gjakftohtësi të paimagjinueshme, gjithashtu me zë të lartë iu përgjigj: kemi! Atëherë bërtiti polici: tregoni ku i keni! Përgjigja e Rexhës e befasoi edhe policin nga ana ime, i cili mëpyeste se ç’janë këta dokumente, por nuk mi merrte nga duartë. Unë i thashë se janë të firmës. Por, tani ai e kishte vëmendjen nga Rexha, duke pritur se do t’i tregonte “devizat”. Por, Rexha iu përgjigj se “devizat i mbajmë në shtëpi, sepse e dijmë që është e ndaluar me i mbajtë më veti “. Kjo përgjigje inteligjente e Rexhës e shtendosi situatën dhe unë e ktheva në sirtar dokumentacionin e Referendumit, pa u hetuar dhe pa u kundërshtuar nga polici. Pastaj na këthyen dokumentet e udhëtimit dhe ne vazhduam rrugën, të gëzuar pamasë që shpëtuam “pa therrë në këmbë”. Natyrisht, falë gjeturisë së Rexhës.Pastaj, shumë herë me Rexhën e komentonim këtë ngjarje.Rexha ka dhënë kontribut të madh edhe në organizimin e zgjedhjeve të para pluraliste lokale në komunën e Bujanocit, si dhe në ricaktimin e njësive zgjedhore, me të cilin fitohej shumica shqiptare në përbërjen e kuvendit komunal, nga 11 këshilltarë në mbi 20 këshillëtarë shqiptarë, aq sa i ka sot ky kuvend që udhëhiqet nga kryetari shqiptar dhe nga mazhoranca shqiptare.Frytet e veprimtarisë së bujëshme patriotike e Kombëtare të Rexhep Hasanit -Rexhës ndihen kudo ndër shqiptarët në Luginë të Preshevës që do t’i kujtojmë me mirënjohje, falemnderim dhe respekt të pafund, përherë dhe në çdo rast, ngjarje, eveniment apo solemnitet Kombëtar.Lavdi e përjetëshme i qoftë jetës dhe veprës patriotike të të madhit Rexhep Hasanit-Rexhës!Zoti i madhëruar e bekoftë familjen e nderuar të Rexhës dhe mbarë Shqiptarët e Luginës së Preshevës!

Nehat Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch