Home » Opinione » Rexhep Rexhepi: Dituria s’blihet, ajo mësohet

Rexhep Rexhepi: Dituria s’blihet, ajo mësohet

Kohët e fundit gjërat sa vijnë  e bëhen aq më të vështira. Rajoni ynë çdo ditë e më shumë po zbrazet dhe po merr një hije të rëndë ogurzezë. Njerëzit kanë filluar të ikin nga këtu. Kur shoh ikjen e tyre menjëherë më  shkon nëpër mendje, më vërdallën disa pyetje që ma rëndojnë shpirtin. Mundohem këtyre pyetjeve t’i jap përgjigjen e merituar, por kot. Një përgjigje që e kërkon dhe e dëshiron gjithsecili. Kush do t’i mbushë shtëpitë që po zbrazen? Kush do të mbetet në këtë vend? Athua a kanë faj këta që po ikin? Vërtetë këta nuk e duan vendin e tyre, apo ka diçka tjetër që po i nxitë të shtegtojnë? E shumë e shumë pyetje të tilla…

Përgjigjen që po ma jep “koha”, po më thotë se këta njerëz nuk kanë faj.

Para ca vitesh në trevën tonë një pakicë e vogël e njerëzve pasi mbaronin shkollën e mesme vazhdonin studimet. Por, ata me të mbaruar studimet e tyre arrinin të siguronin vendin e punës dhe në një farë mënyre stabilizoheshin në jetë. Në kohën e sotme është duke ndodhur e kundërta. Shumica dërmuese e gjimnazistëve vazhdojnë shkollimin e lartë. Me të vërtetë kjo gjë është për t’u gëzuar, por, është për t’u ardhur keq sepse pakica prej tyre meritojnë atë diplomë.  Ku po mbeten studentët e dalluar? Ata që “nxehën karrigen” derisa mbaruan studimet. Ata që i lanë argëtimet mënjanë dhe u morën me studimet e tyre! A i vlerëson dikush këta? Jo! Tek ne së paku nuk vlerësohen. Më shumë vlerësohet një student që e bleu diplomën me para, e që u dha të holla atyre ‘të fortëve” për t’u punësuar se sa ai që meriton të punësohet. Ky realitet shqetëson çdo person me ndërgjegje të pastër e të zgjuar.

Ju e dini shumë mirë se një shtëpi për të qenë “shtëpi e fortë”, duhet t’i ketë bazat e forta. Duhet të ndërtohet shumë mire nga mjeshtër shumë të mirë. Kjo punë është njësoj me shkollën tonë. Duhet të ketë “mjeshtër të mirë” për të ndërtuar “shtëpinë e mirë”. Në këtë rast shtëpia është “nxënësi”.

Fatkeqësisht tek ne fillimisht nuk ka kuadro shumë të forta. Po t’i pyesësh studentët për gjimnazet tona, jam shumë i bindur se të gjithë do të ankohen prej tyre. Pse do të ankohen? Sepse kur shkojnë vazhdojnë studimet përballen me studentë të formuar e të përgatitur mirë nga gjimnazi. Këtyre studentëve ‘tanë” u duhet një  punë shumë e madhe për t’i arritur ata. Ndoshta trefishi i punës.  Kjo ndodhë sepse disa profesorë vijnë në shkollë vetëm se për ta marrë rrogën. Ata e gënjejnë veten por dhe nxënësit se shpjegojnë diçka, duke lexuar atë që e kanë përgatitur e duke mos e sqaruar dhe elaboruar materialin që ua ligjërojnë nxënësve. Kjo ndodhë sidomos me ata ‘profesorë’ të cilët kanë “blerë” diplomën me para. Ata të cilët nuk  arrijnë t’i japin provimet nëpër Universitetet shtetërore shkojnë nëpër universitete private dhe nga viti i parë kalojnë menjëherë në vitin e tretë. Këta e bëjnë këtë gjë sepse mendojnë se i pret vendi i punës. Janë të fortë financiarisht ose politikisht. Kur them politikisht, duhet të theksoj se miqtë dhe familjarët e tyre janë nëpër partitë në pushtet. Nuk dua të ofendoj asnjë parti të caktuar sepse secila që vjen në pushtet e bën një gjë të tillë. Ju lutem, bile nëpër shkolla të mos bëhet një gjë e tillë. Sepse shkolla është vendi ku nxënësi arrin ta kapë diturinë e mësuesit. E këta “mësues” me diploma të blera, çfarë diturie kanë? Ata nuk arritën të japin asnjë provim, e lëre më të arrijnë ta mësojnë dikë. Ai nuk di për vete. Ai nuk i meriton ato para që i merr.

Unë personalisht e kam përjetuar. Në qoftë se në shkollën fillore apo të mesme mësuesi apo profesori i një lënde të caktuar ka qenë i fuqishëm dhe i përgatitur mirë, edhe në studime nuk kam patur probleme me atë lëndë. Por shumë herë ka ndodhur edhe e kundërta. Një gjë të tillë ndoshta e kanë përjetuar shumë studentë si unë. Gjithashtu edhe mësuesi apo profesori ka luajtur një rolë shumë të madh që unë ta dua apo ta urrejë lëndën që ai e ka ligjëruar. Gjykoj se ky është një realitet që çdo kush mund ta pranojë dhe të niset nga vetvetja. Nuk duhet të merret çdo gjë vetëm si përfitim material, sepse në këtë mënyrë së pari e dëmtojmë veten dhe pastaj të tjerët. Duhet të gjithë të nisemi nga ndërgjegjja dhe të veprojmë në interes të drejtësisë dhe së vërtetës.

Jemi një provincë e vogël dhe e njohim njëri tjetrin. I lutem që bile popullata mos ta lejojë një gjë të tillë. Sepse fëmijët e tyre do ta kenë të vështirë. Ata do të vuajnë nga injoranca e profesorëve. Gjithashtu lusë edhe pushtetarët tanë që të jenë më sy çelë sa i përket kësaj çështjeje, sepse arsimi është niveli më i lartë për njerëzimin. Ai duhet të jetë shumë i fortë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch