Home » Lajme, Ndërkombëtare » Rexhep Selimi: Luftën për liri e nisëm me Adem Jasharin, e përfunduam me Clark e NATO-n

Rexhep Selimi: Luftën për liri e nisëm me Adem Jasharin, e përfunduam me Clark e NATO-n

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi është paraqitur sot për herë të parë në seancën gjyqësore në kuadër të Dhomave të Specializuara.

Selimi ka udhëtuar drejt Hagës me 5 nëntor, bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, që të tre bashkëluftëtarë të  UÇK-së.

Në seancën e sotme Rexhep Selimi ka konfirmuar se e ka pranuar aktakuzën.

“E konfirmoj se e kam marr aktakuzën në gjuhën shqip,  një aktakuzë e redaktuar siç edhe jeni ju në dijeni”, tha Selimi.

Selimi është pyetur nëse i kupton akuzat të cilat i janë paraqitur sot nga administrate e gjykatës.

“E di që  ndoshta këtu nuk është moment e as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate, duke e ditur se këtë gjykatë e ka themeluar Kuvendi i Kosovës. Dua të theksoj se unë si deputet I atij kuvendi e pata kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate jo si shprehje kundër drejtësisë, por përkundrazi donim që drejtësia të bëhej nga institucionet e Kosovës në Kosovë. Më lejoni t’u kujtoj se pasi që Kosova shpalli pavarësinë Serbia e pati paditur në Gjykatën Ndërkombëtarë lidhur me pretendimet për shpalljen e pavarësisë vendimi i asaj gjykate ishte në favor të Kosovës dhe i dha legjitimet pavarësisë së Kosovës. Vetëm pak muaj më vonë, Serbia përmes senatorit Dick Marty nxorën një raport si kundërpeshë ndaj vendimi të kësaj gjykate dhe ndaj pavarësisë së legjitimuar të Kosovës, prandaj mendoj se s’duhet të ngrihej një gjykatë me synime anti-shqiptare dhe anti-Kosovë. Kjo gjykatë është një fakt dhe këtu s’jam si deputet që e kam kundërshtuar, por jam si luftëtarë i UCK-së dhe një nga themeluesit e saj, përballë një aktakuze të ngritur nga prokuroria dhe të konfirmuar nga ju, I vetëdijshëm për rëndësinë dhe seriozitetin e kësaj çështje. Rolet këtu i keni të ndara, jemi palë të ndryshme, por ju lutem më bëni të besoj se poashtu qëllimi i të gjithë neve do të jetë drejtësia, mbi të gjitha e vërteta. E pash aktakuzën e ngritur nga ana e prokurorisë, ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze e mbi të gjitha shumë e padrejtë, e pasaktë e padrejtë ndaj meje, por edhe ndaj luftës së popullit dhe shtetit prej nga vi unë. Ky proces do të dëshmojë se ne ishim një popull i shtypur që luftuam për liri, luftë e drejtë e çlirimtare, me qëllime të drejta e fisnike, bëmë një luftë të pastër e të drejtë dhe e tillë do të jetë edhe pas këtij procesi. Secili që ka dyshime do të bindet se as unë e as UCK, s’kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë. Po unë kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore, kundër asaj që i solli veç të këqija vendit. Vrasje, dëbime, dhunë, shfarosje e spastrim etnik e gjenocid ka bërë Serbia në Kosovë. Prandaj unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar, unë jam veç një çlirimtar. Që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me Gjeneralin Clark e NATO-n. Sot e kam për detyrë e nder të jem në anën e UCK-së dhe të aleatëve të kësaj ushtrie, kjo më takon ta bëj dhe do ta bëj. Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta duhet të jenë mbi të gjithë neve këtu, edhe të prokurorisë. E juaja është e do të jetë qëllimi im parësor në këtë proces gjyqësorë”, tha Selimi.

Selimi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës së konfirmuar nga Specialja.

“Kam pasur kohë të mjaftueshme që ta shoh, analizoj dhe kuptoj aktakuzën. Ndihem i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë. Unë zakonisht i deklaroj ato çka i ndjej, unë deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”,  është deklaruar Selimi.

Para se të deklarohet për fajësinë, ai ka mbajtur një fjalim para gjykatësit.

Fjalimi i tij kishte të bënte me legjitimitetin dhe punën e Gjykatës Speciale, luftën e pastër të UÇK-së, dhe gjenocidin që Serbia kreu në Kosovë. 

Avokati i Rexhep Selimit, Robert Karls, ka kërkuar që Rexhep Selimi, klient i tij në Speciale të lirohet për t’u mbrojtur në liri.

Ai ka thënë se nuk ka indikacione që Selimi do të arratiset apo të ndikojë tek dëshmitarët.

Tutje, Karls ka thënë se Rexhep Selimi mund t’i ketë mendimet e veta për gjykatën, mirëpo se kjo nuk determinon veprimet e tij karshi lëndës.

“Ne do të bëjmë një kërkesë për lirim të ndërkohshëm. Desha të shtoj se mbajtja në paraburgim duhet të bëhet edhe në baza solide, dhe kjo nëse ka rrezik të arratisjes. Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më përpara, dhe ajo që tha ai tani për mënyrën e arrestimit, ai u kontaktua nga zyra e Prokurorit, dhe u dorëzua vet. Këto janë indikacione se nuk ekziston rreziku i arratisjes. Çfarëdo që mendon klienti im për këtë gjykatë, s’ka asnjë indikacion që do të influencojë tek dëshmitarët, apo do të asgjësojë provat”, ka thënë avokati i Selimit.

Selimi ndërkaq sot është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.

Para se të deklarohet për fajësinë, ai ka mbajtur një fjalim në Gjykatën Speciale.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch