Home » Opinione » REZOLUTA …

REZOLUTA …

Nga Drilon Hyseni

Kuvendi republikan i Kosovës, nesër në seancën plenare, pritet të nxjerr një Rezolutë për Luginën e Preshevës.
Kjo është hera e parë në historinë e këtij Parlamenti, që çështja shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, mendohet të ngritet në shkallë legjislativi shtetëror.
Miratimi i Rezolutës së Parlamentit të Kosovës për Luginën e Preshevës, do të jetë nja nga ngjarjet më të rëndësishme politike, fill pas Marrëveshjes së Brukselit.
Rezoluta në rrafshin global nuk do të mund të krahasohej me Marrëveshjen historike të Brukselit, por në planin kombëtar do të jetë një mesazh i mirë i unifikimit të faktorit shqiptar brenda dhe jashtë Kosovës.
Kur themi kështu kemi parasysh se deputetët e Kosovës, pavarësisht ndarjeve politike dhe krahinore, kur është në pyetje Lugina e Preshevës, ata bëhen tok, në mendime dhe qëndrime.
Miratimi njëzëri i Rezolutës nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, është një shembull i mirë për gjithë shqiptarët kudo qofshin ata dhe një porosi për ndërkombëtarët dhe fqinjët se po u prek Lugina, shqiptarët reagojnë si komb.
Po, Rezoluta, nuk i bën bashkë vetëm deputetët e Kosovës, por edhe spektrin politik të Luginës.
E premtja sipas gojëdhënave, nuk është gjithmonë e zezë. Kjo e premte me Rezolutë të Kosovës për Luginën e Preshevës, do të jetë një e premte e bekuar, një e premte e bardhë, një e premte e dëlirë si shpirti i pastër i shqiptarit kur i del krah shqiptarit.
Rezoluta, është një leksion i mirë për Beogradin, i cili duhet të sillet më ndryshe me shqiptarët në jug të vendit, ngase atyre ka kush u del zot.
Këto ndjesi të Rezolutës shtatë pikëshe, do t’i qesin në harresë zënkat e shpeshta të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, pozitë-opozitë, të cilat shpesh përfundonin me fyerje, sharje, kërcënime e konflikte verbale.
Rezoluta shtatëpikëshe e Kuvendit të Kosovës për Luginën, është njëherit edhe një “infuzion” i mirë shpirtëror për shqiptarët jashtë kufirit me shtetin amë, për më shumë veprime e sakrifica për të mirën e vendit të tyre.
Rezoluta shtatëpikëshe e Kuvendit të Kosovës për Luginën, është e qëlluar dhe askush nuk e konteston se kush është kumbara e kësaj iniciative, nga kush vjen dhe nga vjen. Me rëndësi është se ia vlen Rezoluta, në momentet kyçe, nëpër të cilat po kalon Kosova dhe krahu i saj lindor.
Iniciativa e deputetit Haziri për Rezolutën shtatëpikëshe, ka zgjuar reagimin pozitiv të klasës politike shqiptare brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe ka hallakatur ndjenjat e serbëve të Beogradit dhe ka thelluar heshtjen e ndërkombëtarëve.
Sa do t’i shërbej Rezoluta shtatëpikëshe proceseve dialoguese Prishtinë-Beograd dhe sa do t’i ndihmoj Marrëveshjes historike të Brukselit, mbetet të shihet në vazhdim.
Vetë faktit se Rezoluta, vjen pak ditë pas Lutjes së Mëngjesit, e cila mblodhi në Prishtinë krerët e 70 vendeve të botës, pa përjashtuar as Beogradin, flet qartë se toleranca, mirëkuptimi, urtësia, mençuria, nuk janë arma e të ligut, qyqarit dhe zullumqarit.
Veç domethënies së pakontestuar të Rezolutës, është edhe simbolike numri shtatë i pikave të saj.
Sipas legjendës, numri 7 për shqiptarët dhe ndërkombëtarët është i shenjtë. Pse?
Sepse janë 7 ditët e javës, ylberi i ka 7 ngjyra, gjithashtu i kemi 7 mrekullitë e botës, Gojëdhëna thotë se qielli i ka 7 kat, pastaj shembulli i përrallës së plakut me 7 thupra, etj.
Prandaj, deputetë të dashur të Kuvendit të Kosovës, votoni shtatë pikat e Rezolutës së Kosovës për Luginën, sepse me këtë do të votoni për ardhmërinë politike të vëllezërve Tuaj, matanë kufirit me Serbi, të cilët fati i hidhur politik e historik i la të ndarë nga trungu amë, pa fajin dhe dashjen e tyre.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch