Home » Lajme, Ndërkombëtare » Rifillojnë bisedimet në Bruksel

Rifillojnë bisedimet në Bruksel

Pas pauzës së takimit ndërmjet ekipeve negociatore të Kosovës dhe të Serbisë, Baronesha Ashton diku rreth orës 22:30 minuta ka rifilluar takimin trelateral, transmetojnë mediat serbe.
Sipas gazetës Blic, dialogu është ndërprerë diku rreth orës 20, për shkak të përplasjes verbale ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe zëvendëskryeministrit serb Aleksander Vuçiq. Përplasja verbale sipas medieve serbe është shkaktuar gjatë shqyrtimit të propozimeve, përkatësisht të pikave 9 dhe 14.
Vazhdimin e bisedimeve  e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, e cila në twitter.

Çfarë përmban oferta, që ka përmbushur kërkesat e Serbisë?
Beograd, 17 prill – 22:18 –
 (E plotësuar) Udhëheqja serbe ka marrë një ofertë të re, shumë të favorshme për ta. Siç mëson Blic, oferta i ka 15 pika, shtatë më shumë se nga propozimi i mëparshëm. Serbisë tash i është ofruar gjykata në Mitrovicë, që serbët ta kenë komandantin lokal dhe rajonal, ndërsa nuk dihet ende nëse ushtria e Kosovës do të jetë e pranishme në veri të Kosovës.
Me propozimin e ri është miratuar po ashtu kërkesa e Serbisë që asociacioni i komunave serbe të përfshijë katër komunat në veri, pa Mitrovicën e jugut. Në këtë mënyrë, asociacioni do të ketë shumicë absolute serbe.
Serbët do të kenë Gjykatë e Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës, me drejtoritë rajonale në secilën prej komunave, ndërsa do të kenë komandantët lokalë të policisë madje edhe në komunat në jug të Ibrit, citon Telegrafi gazetën serbe Blic.
Përveç kësaj, udhëheqja serbe ka kërkuar arsimin, planifikimin urban, zhvillimin ekonomik dhe informacionin.
Nesër Daçiq dhe Vuçiq do të bisedojnë me komandantin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. NATO-ja, sipas palës serbe, duhet të garantojë që ushtria e Kosovës nuk do të jetë e pranishme në veri të Kosovës, por ende nuk është specifikuar periudha për këtë.
Me këtë ofertë praktikisht është përmbushur numri më i madh i kërkesave të Serbisë.

Dialogu Prishtinë-Beograd do të vazhdojë pas orës 22
Bruksel, 17 prill – 20:20 –
 (E plotësuar) Pas pauzës së takimit ndërmjet ekipeve negociatore të Kosovës dhe të Serbisë, që zgjati rreth 3 orë, pas orës 19:00, Baronesha Ashton ka nisur edhe një tjetër rund të takimeve bilaterale me delegacionet nga të dyja shtetet, mëson KTV-ja. Me qëllim për të bindur palët për përafrim të qëndrimeve, Baronesha Ashton diku pas orës 19, ka mbajtur  sërish takime bilaterale me kryeministrin serb dhe me atë të Kosovës.
Zëdhënësja e Baroneshes Ashton, Maja Kocijançiq, ka shkruar në twitter se “bisedimet janë duke vazhduar. Baronesha Ashton është në takim me Ivica Daçiqin dhe po pret takim me Hashim Thaçin”.
Në ndërkohë, në një deklaratë për gazetarë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
ka konfirmuar se deri në orën 22 do të pasojë pauza e dytë.
“Takimet kanë vazhduar gjatë gjithë ditës. Ato janë duke vazhduar. Tani kemi një pauzë, për t’u rikthyer në orën 22:00, që t’i jepet kohë qartësimit të disa ideve, rreth të cilave ka ende dallime. Kemi ardhur me qëllimin e mirë për të arritur marrëveshje, që të konsolidohet dhe të forcohet shteti i Kosovës, të ndërtojmë fqinjësi dhe bashkëpunim rajonal. Pra, të arrijmë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal”, ka thënë Thaçi
Këtë e ka konfirmuar edhe maja Kocijançiq. Dialogu i nisur në mesditë pritët të vazhdojë pas orës 22:00, njofton zëdhënësja e përfaqësuese së lartë për politikë të jashtëm, Catherine Ashton, transmeton KTV
Maja Kocijançiq në rrjetin social twitter njofton se pas takimeve të Baroneshës Ashton me dy kryeministrat veç e veç, takimi i përbashkët nis në orën 22:00
Më herët,  pesimiste për marrëveshjen ishte deklaruar ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku. “Dhe, prapë lajmi i keq, Serbia duket se do ta refuzojne prapë marreveshjen! Keq! Të mos e humbasim këtë rast!”, ka shkruar Çitaku në rrjetet sociale.

Serbia nuk pranon marrëveshjen !

Bruksel, 17 prill – 19:40 –
 (E plotësuar) –  Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, në rrjetin social Twitter ka shkruar se Serbia i tha “JO” draft-marrëveshjes.
“Dhe ja, vijnë lajme të këqija: Serbia duket se dëshiron sërish të refuzojë draft-propozimin…”, ka shkruar Çitaku në një tweet. Ndërsa në një tjetër thotë: “Kosova është e gatshme të pranojë propozimin e Ashtonit, Serbia thotë JO. Serbia dëshiron propozime të reja dhe Kosova nuk dëshiron të lejojë ndryshime tjera. Kaq!”.

Ashton sërish në takime të ndara me palët
Bruksel, 17 prill – 18:12 –
 (E plotësuar) Në këto momente baronesha Ashton është në takim me palën serbe, pasi që paraprakisht kishte përfunduar takimin me palën kosovare. Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka thënë KTV-së se Prishtina është e gatshme për marrëveshjen, dhe po pret reagimin e palës serbe. Më vonë, pritet edhe një takim i ri përfundimtar i përbashkët mes palëve.
Pas spekulimeve të mediave serbe se gjoja kryeministri Thaçi ka lëshuar takimin, Bekim Çollaku, anëtar i delegacionit kosovar në Bruksel, ka sqaruar se bëhet fjalë për një pauzë të dakorduar nga palët.
“Jemi në pauzën e dakorduar dhe duke bërë konsultimet e brendshme”, ka thënë Çollaku për Express.
Ai ka shtuar se draft-marrëveshja e ofruar nga Baronesha Ashton është e favorshme për Kosovën.
“Draft-marrëveshja në tavolinë është reale dhe e mirë për t’u marrë seriozisht në konsideratë. Takimi do të vazhdojë çdo minutë dhe ne do te marrim vendimet e duhura në përputhje me Kushtetutën tonë dhe interesin tonë shtetëror”, ka thënë ai.
Në lidhje me lajmet nga Serbia, Çollaku ka thënë se “të gjitha lajmet e lansuara nga mediat e kontrolluara të Serbisë janë të orkestruara dhe pjesë e propagandës – asgjë më shumë”.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka shkruar më parë në rrjetin social Twitter “në parim është arritur marrëveshja”!
“Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila i jep fund armiqësisë shekullore, do të mbahet të premten”, ka thënë Selimi në Twitter.

Pas pauzës, rifillon takimi në Bruksel
Bruksel, 17 mars – 17:48 –
 (E plotësuar) Pas orës 17:00 ka vazhduar takimi në Bruksel ndërmjet palëve. Dalja e kryeministrit Thaçi pak kohë më parë, nuk ka qenë largim nga takimi, por pauzë e radhës. Burimet në Prishtinë kanë thënë për Koha.net se marrëveshja që pritet të arrihet do të jetë në favor të palës kosovare. Ministrja Vlora Çitaku disa herë gjatë ditës ka lajmëruar se marrëveshja është e mundshme, dhe nuk do të jetë në dëm të asnjërës palë.

Thaçi, i pakënaqur  lëshon takimin në Bruksel
Bruksel, 17 prill – 17:05 –
 (E plotësuar) Kryeministri e Kosovës, Hashm Thaçi ka lëshuar takimin trelateral në Bruksel, për shkak se ishte i pakënaqur me propozimin e ofruar , merr vesh 92. Momentalisht janë ndërprerë bisedimet Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton. Tashmë po vazhdon një pauzë. Më herët përflitej se Serbia ka marrë një propozim – ofertë të re.

Filloi takimi Thaçi – Ashton Daçiq 
Bruksel, 17 prill  –
 15:55 – (E plotësuar) –Para pak çastesh ka nisur takimi i përbashkët i baroneshës Ashton dhe dy kryeministrave Thaçi e Daçiq, njofton zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE Maja Kociançic. 

Konsultime para takimit të përbashkët
Bruksel, 17 prill – (E plotësuar) 
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka mbajtur takime bilaterale me delegacionin e Kosovës, të prirë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, të prirë nga kryeministri Ivica Daçiq.

Aktualisht palët janë duke zhvilluar konsultime, para nisjes së takimit të përbashkët.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksandar Vulin, citohet t’i ketë thënë televizionit shtetëror serb, RTS, se “ka gjasa që argumentet e palës serbe të merren parasysh”.

Në Bruksel vazhdojnë takimet bilaterale
Bruksel, 17 prill – 13:41 –  Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka nisur takimin me delegacionin e Serbisë, të udhëhequr nga kryeministri Ivica Daçiq.

Pas takimeve bilaterale, pason takimi i përbashkët, ndërmjet dy delegacioneve, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.

Kosova dhe Serbia po zhvillojnë Bruksel raundin e nëntë të bisedimeve, në kuadër të përpjekjeve të cilësuara si shans i fundit, për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ky takim vjen pas ftesës që iu bë të martën dy kryeministrave nga baronesha Ashton.

Thaçi, në hyrje të objektit ku zhvillohen takimet, u ka thënë gazetarëve se “kjo marrëveshje do të nënkuptonte bashkëpunim rajonal, fqinjësi të mirë dhe perspektivë euro-atlantike për të dyja vendet tona dhe popujt tonë”.

“Kjo marrëveshje nuk do të ishte vetëm në interesin e Kosovës, por edhe të Serbisë, Bashkimit Evropian dhe paqes dhe stabilitetit rajonal”, REL.

“Shpresoj që Serbia do të reflektojë dhe do të punojë në arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se duhet lënë prapa të kaluarën dhe duhet të shikohet kah e ardhmja.

Paraprakisht, nga Brukseli ishte bërë me dije se takimi do të zhvillohet vetëm nëse palët janë të gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes.

(KOHA)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch