Home » Kulturë, Lajme » Romani “Zonja me të kuqe” – Një ode elegante për gruan

Romani “Zonja me të kuqe” – Një ode elegante për gruan

Majlinda Nana RamaPërshtypja e parë që vjen pas leximit të romanit “Zonja me të kuqe” të shkrimtares Majlinda Nana Rama është: një ode elegante për gruan. Këtë pritshmëri i krijon lexuesit, që në fillim, kur ballafaqohet me titullin e tij. Dhe menjëherë pas saj, kur sjell nëpër mend tërësinë tematike të rrëfimit romanor, vijnë radhazi reflekset e tjerë. Kryepersonazhi i romanit, Jasmina, me këtë rast, vjen e ngarkuar me një fragment të saj tragjik nga jeta, sapo shkel në faqen e parë të rrëfimit romanor: është lypseqare (emërtimi i huazuar nga Kim Mehmeti), plus e çrregulluar nga mendja dhe bredh rrugëve të një qyteti shqiptar sot. Në këtë valëzim mbresash, gjatë rrëfimit të këtij fragmenti jetësor, Jasmina sikur synon dy shtigje majash ajsbergu: fatin e vet tragjik dhe qenien e gruas, botën e saj në përgjithësi, shtresime të pazbuluara që, për burrin sidomos, vazhdojnë të jenë shtresime thellësisht deti.

 

Maja e parë paralajmëron, përkatësisht kërkon Jasminën Zonjë, formati superior në ambientin ku shquhet dhuna. Në këtë pikë persiatjeje, kjo zonja e Majlinda Ramës, më sjell ndërmend Çadskin, një personazh të shkrimtarit klasik rus, Aleksandër Gribojedov, i cili bëhet viktimë e mendjes së vetë të hapur, të ndriçuar, lindur dhe krijuar në provincën e mykur ruse të fillimshekullit nëntëmbëdhjetë, një mjedis me mendje të mbyllur dhe të ngujuar, që vetëm pse shquhet për të kundërtën pra, mendjen e hapur, shpallet si i krisur.

Është fatkeqësia e të qenit i mençur, fat që shtrihet gjerë e gjatë romanit në fjalë, duke ta theksuar çdo çast fatin, si pasojë e të dalluarit në mençuri a në moral.  Këtë rrugë të ecur të zonjës, autorja e le të vijë fragment i mjegullt dhe që në përfytyrimin e lexuesit lejohen vetëm disa shenja dhe reflekse të tërthorta për t’i imagjinuar, në radhë të parë përmes dhunës që ka pushtuar hapësirën tonë.

 

Majë e dytë, që konfigurohet si metaforë, është gruaja pa zë, memece, gruaja që nuk ka gojë, që nuk ka kujtesë, që është pa të kaluar, pa identitet: “Kushedi sa tilla ka në jetë, mijëra do jenë ato që nuk flasin, që s’u lejohet të flasin, që s’i dëgjojnë… është vërtet ajsberg gruaja… sikur s’u bëmë kurë burra-mediton njëri, e të ulemi krahë tyre për t’u gëzuar, për ta gëzuar atë që ato kanë brenda shpirti… sa të verbër jemi”. Kështu, në faqet e këtij rrëfimi romanor, autorja gërmon thellësive të botës së gruas, të qenies grua, shtresimeve që, siç beson shkrimtarja, s’i kapin dot burrat.

 

Më tej, ambientit të egër në këtë udhëtim narrativ, pasqyrë i bëhet edhe dhuna që manifestojnë të rinjtë adoleshentë të qytetit ndaj të varfërve, të pastrehëve, lypsave, të marrëve… profil, gjithësesi, aktual edhe i hapësirës shqiptare. Në vazhdim të këtij boshti, lexuesit i lihet, përkatësisht i sugjerohet, shtegu për të imagjinuar fatin tragjik të Jasminës. Mbase është mjedisi me mendje të mbyllur, të cilit i shkon brutaliteti, dhuna, si karakteristikë e parë e përditshmërisë në qytetin ku zhvillohet ngjarja. Në këtë kontekst vijnë njëra pas tjetrës reflekse që dëshmojnë krizën e vlerave morale të realitetit tonë, kriza e vlerave që ky mjedis s’i pranon, që i përbuz, sepse, rasti Jasmina, sado i veçantë dhe drastik, është produkt i kësaj krize dhe këtu, madje, është vetëm maja e ajsbergut. Ky degradim mbarëshoqëror shfaqet dukshëm në dialogun mes dy prokurorëve. Në këtë kapitull shohim paradoksin, i cili sillet kaq mirë nëpërmjet një prokurori korrekt, që për objektiv ka ndëshkimin e keqbërësit, por bëhet i padëshirueshëm tek eprorët e vet, tek shefat kryesorë, tek instancat më të larta, prandaj edhe, orë e çast, e përplasin nga një provincë në tjetrën, duke e bërë të ndihet fatkeq vetëm sepse është i ndershëm: “Sa herë kam tentuar të hap dosje të vrasjeve … për larje hesapesh, aq herë më kanë degdisur nga puna…”.

 

Ndërkohë, dashuria mes gruas dhe burrit në këtë roman është tharmi, është tisi i rrezes që e përshkon kryefund veprën, është shija emocionale e parë, është kulmi i lumturisë por edhe fundi tragjik. Dashuria e gruas, në këtë rrëfim do të jetë më e pastra, më e virgjëra, pra edhe më superiorja. Në rrethana, fillimisht ngasjesh të paqarta, e që më pas, shkallë-shkallë dashuria ngjizet e zhvillohet e shëndetshme mes Jasminës, tek e cila në intervale të ndryshme, valë-valë kthen kujtesën dhe ndjesitë, dhe Iliazit. Por dashuria e gabuar, mbase edhe konfuze, do të shfaqet ajo e burrit, çka e bën këtë dashuri të kalojë nëpër ngërçe shpirtërore… Përqendrimi i pamjaftueshëm i Iliazit, mungesa e kujdesit të duhur, pos dashurisë të madhe, nga ana e tij, shihen në këtë rrëfim si një shkëputje që nuk varet prej tij, por prej rrethanave që bien mbi të, përkatësisht mbi të rinjtë e këtij brezi. E, natyrisht, mbetet një debat i përhershëm ai i cilësive dhe çfarësive të ndjenjës nga të dy krahët dhe sipas të gjitha gjasave do të mbesin zona të pandriçuara në këtë mes dhe, pikërisht, për këtë konfuzion zhvillimesh, shpeshherë psikologjike, autorja ka zgjedhur këtë fund në përmbyllje të romanit. Është një fund tragjik. Perlati pasi vret Iliazin bën edhe vetëvrasje (gjë që do të përcillet në fund me hamendësi). Pra, narracioni na shfaqet aq i papritur, sidomos te paraqitja e beftë e Perlatit, me dashurinë e tij përmasash çmendurie për Jaminën, të cilën Iliazi e pat’ strehuar përkohësisht në banesën e “mikut të tij për kokë”. Dhe, natyrshëm, shtrohet pyetja: Mos vallë autorja e këtij rrëfimi romanor, do të ketë dashur të thotë se të adhuruarën, siç ishte Jasmina për Iliazin, nuk duhej lënë në besim të askujt? Sepse, mbetet i hapur diskutimi: i domosdoshëm vërtet ky fund? – Një hamendësi që mbetet në shijet e rrëfyesit dhe lexuesit dhe që, sigurisht, me gjasa, prezanton edhe copëza të së sotmes shqiptare, tek e cila, fatkeqësisht, rezulton se jeta vlen më pak se çdo gjë.

 

Janë vetëm disa nga reflekset e veçuara që mbart dhe nxit romani “Zonja me të kuqe”, përmes diskursit narrativ që në çaste, kërkon të përfshijë sa më shumë lëndë nga bota, të cilën e ka në fokus. Nga ana tjetër, më thelbësorja në roman, Jasmina, grua mbi standardet, mbi konvencat e ambientit, bëhet në vijim ngërç dhe fatkeqësi e autores, e cila duhet të siguroj edhe një mbyllje për të, një rehabilitim të saj, a jo. Jasmina, me shtresime shpirtërore dhe kulturore, që i zgjohen nga gjumi i rëndë në çaste ndriçimi të brendshëm, duket se shpesh, ikën nga vetja e atij statusi për t’i shmangur rreziqet që vijnë nga ambienti i dhunshëm përreth. Ky fat i një gruaje të tillë në një qytet të realitetit tonë bashkëkohorë, bart me vete reflekse anësore më të shumta, që në mesin e tyre ka edhe shtylla ndriçimi që mund të jenë rrëfime në vete.

 

Rrëfimi mbi dramën dhe dashurinë e Jasminës shtrihet ndjenjë dhe emocion rrëmbyes i qenies grua… Dinamike dhe rrëmbyese është edhe shfaqja e hapësirës dhe përditshmërisë, e botës reale, asaj shqiptare dhe njerëzore. Thekje kumbuese është sidomos dashuria e vërtetë, që, kur këputet, atëherë vdes gjithësia, – s’ka qiell, re, s’ka lisa, s’ka dete, zogj, lisa, s’ka jetë, por vetëm horizonte ngarkuar bosh, ajo çfarë përjeton Jasmina kur mbyll sytë përjetë i dashuri i saj…

 

Në mbyllje, ky roman sjell dashurinë, krizën e vlerave, në radhë të parë atyre shpirtërore, morale dhe, megjithëse në prapavijë, paraqitet në mënyrë korrekte, përditshmëria e një kombi jo imun nga merimangat mafioze, të pleksura e pajisura me pushtet. Duhet theksuar, pra, se romani elegant “Zonja me të kuqe” karakterizohet nga një stil i veçantë romanor, me tërësi refleksesh e tematikash të gjera. Ndërsa shkrimtarja, Majlinda Rama mbetet, padyshim, zëri më përfaqësues në letrat shqipe të kësaj gjenerate, i cila po na dëshmon penë të mprehtë, talent dhe kulturë letrare e krijuese.

 

Ali Aliu

Prishtinë,  janar 2016

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch