Home » Opinione » Rrënimi i kultit të dijës

Rrënimi i kultit të dijës

Shkolla është vatra ku brenda së cilës gjendet mundësia për të arritur deri tek pasuria më e madhe e njeriut, që padyshim është dija.  Kurse për të arritur këtë pasuri, përveç dëshirës e vullnetit, kërkohen edhe kritere të tjera që duhet ndjekur për ta ngritur nivelin e arsimit, duke filluar nga cikli më i ultë e deri tek ai akademik. Nëse hedhim një vështrim se ku ndodhemi, çfarë jemi duke bërë dhe si jemi duke kontribuar në këtë drejtim do të na shfaqet një gjendje alarmante, shqetësuese që ka nevojë për ndryshime jetike. Pikërisht një nga shumë problemet që i preokupojnë familjet tona në Luginë, është edhe problemi arsimor. Të jem objektiv dhe sa më i drejtë për nivelin arsimor në shkollat shqipe në Luginën e Preshevës do të bëjë një përshkrim në retrospektivë, duke vendosur në relacion me kohën e sotme, duke kujtuar ato vite kur isha në shkollë dhe çfarë na rrëfenin prindërit për kohën e dikurshme.

Niveli arsimorimë hershëm ishte arsim i nivelit të lartë, sepse ai nivel i lartë arrihej me kualifikimin e mësimdhënësve, me punën dhe angazhimet e shumta të të gjitha niveleve arsimore, ku me ndihmën dhe punën e tyre ishte e mundur që talentët të lulëzonin dhe nga ana tjetër nuk mungonte as vullneti dhe dëshira e nxënësve për mësim, edhe pse ambientet dhe kushtet ku ata merrnin dijen, nga ata njerëz të ndritur nuk ishin edhe për t’u lavdëruar, sepse mbaj mend se kushtet e punës nuk ishin të mira në krahisim me ato që kemi sot, në ato kushte të rënda, problem kryesor ishte përdorimi i teksteve në gjuhën shqipe, por, edhe për kundër këtij problemi, mësimdhënësit arrinin që me punën e tyre t’i përgatitnin nxënësit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u dhënë themelet për karrierën e mëtejme shkencore. Nga vetja ata shkrinin diturinë deri në pikën e fundit, që nxënësit e tyre tani janë jo vetëm të suksesshëm në profesione, por janë pjesë e akademive shkencore në shtetin ku veprojnë dhe në akademinë europiane. Mësimdhënësit ishin të një niveli të lartë përgatitor, ndërsa puna e palodhshme dhe përgjegjësia e tyre i bënin që ata të dalloheshin, vlerësoheshin dhe tani të kujtohen me plot respekt e nostalgji. Me punën e tyre, bënin që nga ato godina fëmijët të mos ktheheshin në shtëpi vetëm me librat e zakonshme, por ata çdo ditë në vete përfitonin nga dija të cilën do ta shpërndanin më pas në shoqëri, krahas kulturës dhe edukatës. Kurse nga ana tjetër, kurrë nuk kishte munguar respekti dhe nderimi kundrejt mësimdhënësit, jo vetëm nga ana e nxënësve por edhe nga ana e prindërve, që ndonjëherë edhe tejkalonte çdo limit. Në sytë e prindërve mësuesi dhe arsimi ishte shpresë e vetme e së ardhmes, jo vetëm familjare por edhe kombëtare. Ka edhe shumë gjëra tjera që kemi anashkaluar, por edhe me kaq dëshmohet se kujtimet në retrospektivë  na bëjnë shumë nostalgjikë për ato kohëra kur dobitë dhe niveli i lartë ishin pjesë e shkollave tona.

Sot, ato që bëjnë nivelin arsimor të rrëshqas apo të jetë shumë më ndryshe nga ai çfarë ka qenë, janë faktor të shumtë, ku do mundohemi t’i cekim disa nga problemet që janë shumë evidente tek shkollat tona dhe nuk kemi guximin dhe vendosmërinë që këto fenomene të luftohen.

E para: Niveli i dijës. Nuk është i atij niveli që dikur e kanë pasur shkollat tona sepse ai pësoi një rënie graduale të nxitur nga vetë ne dhe gjithmonë duke e çuar në drejtimin e vetëshkatërrimit ku karakteri edukues dhe kulturor është zbehur shumë. Pastaj të flasësh për nivelin e mësimdhënësve, mund të themi se janë sa qesharakë aq edhe amatoresk, mbështetur në përgatitjen e tyre të dobët, pastaj nga niveli kulturor e profesional, sepse në shumë raste ku është i plotësuar kuadri profesional lëndët ndahet në dyshe e treshe, madje edhe pa përgatitje profesionale. Në vend që shkolla të jetë vendi ku zhvillohet dija është bërë si fabrikë ku zhvillohet e prodhohet analfabetizmi e amatorizmi. Në ambientet e shkollës nuk rrezaton as një rreze e vetme kulturore nga se ata shohin vetëm kalendarin për të parë datën e daljeve të rrogave, kurse nga ana tjetër shpesh dëgjohen edhe fjalët e shumta me sarkazëm e ironi nga nxënësit për mësuesit e tyre që në mendje kanë marrjen dhe shpenzimin e rrogës. Të paktën janë mësimdhënësit të cilët shqetësohen për nivelin e dijës që shfaqin nxënësit, kurse masa tjetër është e zhytur thellë në pasivitet, suksesi apo mossuksesi i nxënësve është një meritë e tyre.

E dyta: Politika. Nëse tek njeriu ekziston virusi vrasës, kanceri, një virus i tillë është futur edhe nëpër shkollat tona që i kanë drejtuar ato në fundin e greminës, ai është virusi POLITIKA. Nëse ndonjë gjë është dashur të ngatërrohet me shkollat tona e fundit do të duhej të ishte politika, por, për fat të keq atë e kemi prezent në një masë sa nuk është prezentë edhe në vetë vendin e vet. Rruga që kanë ndjekur për shkollat tona është rruga më e gabuar deri më tani sepse ajo tani është futur në celulë. Ky problem sjell problemet tjera ndërvete : 1. Emërtimi i drejtorëve ; 2. Emërtimi i zëvendës-drejtorëve ; 3. Kontrollimi i konkurseve ; 4. Përzgjedhja e mësimdhënësve ; 5. Punësimi i thjeshtë ; etj. Procedura e shkarkim – ngarkim të detyrës së udhëheqësit të tempullit të dijës bëhet në mënyrën të paligjshme duke i munguar përgjegjësia ligjore dhe niveli përgatitor i tyre, vetëm e vetëm që në krye të këtij tempulli të vihen partiakët. Duke ndjekur sistemin piramidal partiak edhe përzgjedhja e zëvendësve është partiake, pastaj sistemi shtrihet edhe më gjerë tek konkurset dhe mësimdhënësit, ku konkursi manipulohet deri në pikën e fundit, kurse tek përzgjedhja e mësimdhënësve nuk ka kusht tjetër pos të qenit familjar, militant e simpatizant partiak, dhe rrallë here është e drejtë vetëm në raste ku drejtohet gjykata (me pro apo me një sugjerim). Dobësia më e madhe e politikës që merr primatin kryesor të shkatërrimit të shkollave është punësimi i mësimdhënësve të pakualifikuar i cili drejtohet nga prapaskena politike dhe në anën tjetër përdorë operacionin e shtuquajtur “fshesa”, duke larguar nga puna njerëzit në njërën apo tjetrën mënyrë. Sistemi i tyre piramidal përfundon me përzgjedhjen e punëtorëve më të thjeshtë.

Aktualisht ky lloj i menaxhimit të arsimit në Luginë na ka sjell në një degradim të shkallës intelektuale dhe si pasojë e këtij problemi kemi në rritje vetëm numrin e analfabetëve. Shpresa që mos të fiket ajo dritëz e arsimit na bënë të jemi optimist që një ditë do të bëhet vetëdisimi për menaxhimin e shkollave jo në bazë të interesave partiake e familjare por në bazën më të çmuar të dijës.

Autori Berat Amidi, jeton ne Bujanoc, ka perfunduar studimet per master shkencor ne letersine shqipe prane UP, ka punuar ne shkolla.


	
		

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch