Home » Kulturë, Lajme, Opinione » Rreth librit “Triumfi i Kombit” të Skënder Kapitit

Rreth librit “Triumfi i Kombit” të Skënder Kapitit

NGA VLADIMIR  MUÇA

1.-FILOZOFI E KARAKTERE NDER KOHERA

Brënda një harku kohor prej 3 vjetësh, patëm kënaqësinë të marrim nëpër duar librin e tretë të karakterit filozofik me një stilistikë psiko-analitike “Trumfi i kombit” të studjuesit të filozofisë tashmë të mirnjohur Skënder Kapiti.

Një libër që u prit mirë si nga lexuesit e thjeshtë por dhe nga qarqet akademike në Kosovë dhe  në Shqipëri.

Ky libër vjen disi më ndryshe. Ai vjen si një thirrje proklamatë me nocionet e një manifesti që buron bindshëm e rrjedhshëm  nga subkoshienca e autorit , disi më prakticist me evidentimin e punës së bërë e që duhet bërë në filozofinë e kohës që po kalojmë.Çdo gjë vjen konkrete si vetë jeta e jonë, pa stërhollime filozofike,  e prekshme në mendje , në sy e në zemër.

Me sa duket  filologu social-politik  Skënder Kapiti nuk rresht së ndjekuri hap pas hapi jetën me të gjitha zgiqet e saj;nxjerr prej saj deduksionet përkatëse  ku mirësia dhe e keqja ndeshen  në një rodeo  sociale  me ashpërsinë e demave të egër e të toreadorëve socialë.

Libri është një filozofi  e karakterit popullor pa ngarkesat e referencave filozofike e  traktateve të saj.Gjithçka jepet në dritë të diellit  si një e thjeshtë popullore.

Xhorxh   Fred   Uilliams, një mik i madh  nga Amerika  Demokratike, që para afro 100 vjetësh, më 1915 , në një miting në Boston e perifrazon shumë bukur karakterin dhe personalitetin e shqiptarit :

“Ata janë korrekt, të dashur kundrejt njëri tjetrit  dhe reciprokisht të sjellshëm.Në momentet më të rënda  ata janë plot respekt për superiorët e tyre.Ata zbatojnë urdhërin e tyre  me saktësinë më të madhe .Fjalët e tyre dhe sjellja shoqërohen nga dinjiteti.”

Ku jemi sot me këtë perceptim  filozofik të karakterit të shqiptarit nga Fred Uilliams? E kemi  forcuar duke shtuar valencat  e besushmërisë në forcimin  e karakterit  apo  kemi vajtur në një prapakthehu në vitin 1915?!

Cilat janë sot raportet shoqërore ndëretnike? Cili është perceptimi   i sotëm shtetformues e zhvillimi shoqëror ? Ç’raporte janë sot , mbas 100 vjetësh ndërmjet shtetasit dhe shtetarit?  Cili është evolimi i tyre i pritshëm , perspektiva?

Këto dhe shumë   shumë pyetje  e   shqetësime  shtron   për zgjidhje  në faqet e këtij libri, autori Skënder Kapiti .

Ndoshta me telepati të thellësive shekullore me fjalimin e para 1oo vjetëve  të Xhorxh Fred  Uilliamsit  për kombin  vital shqiptar, aq shumë të respektuar   që atëhere nga mendimtarë anë e kënd botës , autori vendos një gur këndor ,pastron myshkun e vënë  nga vitet e pushtimet në këtë panteon të kombit tonë.

2-MORALI  PARTIAK  E  MORALI  EKONOMIK

Ashtu sikundër  tek libri “Moralokracia” edhe në këtë libër , autori zbërthen moralin partiak  dhe moralin ekonomik si një unison i pandarë nga  njëri tjetri , ku politika e ndjekur nga   grupime  të ndryshme  partiake, s’është gjë tjetër veçse shprehja e koncentruar  e ekonomisë që ata synojnë të gllabërojnë   e ta  përfaqësojnë.

Që këtu fillon dhe shitja e moralit e cënimi i themeleve  të kombit, nga padrejtësitë social –ekonomike ,nacionale,  të cilat , sipas Skënder Kapitit   përbëjnë  thembrën e Akilit  të qenësisë të një kombësie e të një shteti  të fuqishëm.Janë pikërisht  këto agravime  që lindin nga diskordancat  e këtyre aspekteve ndërvepruese  e që e bëjnë  popullin shqiptar të vuaj sot të ashtuquajturin “tranzicion të tejzgjatur”.

AutoriS.KAPITI,fare açik , pa dorashka , e thotë hapur se janë partitë  ato, që  për interesa   të ngushta  të individëve  që e drejtojnë dhe e agravojnë  më shumë  këtë diskordancë  gjer në  një   papajtushmëri   e në mohim të mohimeve.Gjithçka ngjan me një  mekanizëm të sajuar që u shërben kastave  në një  përfitim individual , larg shtetit social.

Autori në ngulmimet e tij i përcakton qartas  këto  semafore kuq e blu,verdhë e jeshil që ndizen hera herës  si në kohë  fushatash  por dhe në  artikulime pas zgjedhjeve, duke u bërë mbartëse e përfitimeve të momentit  e jo afatgjata e masovike.Autori  këto përfaqësues të  këtyre grupimeve në konceptin frojdian  na i paraqet   me disa personalitete , ku sipas situatës , kohës dhe buxhetit korruptues , ata ndërrojnë fytyrat , karakteret,shërbesat.

Si  kundër vënie  autori  u referohet librave kuranorë dhe biblikë, si koncentrate  të urtësisë popullore  ndër  shekuj,  të cilët kanë lojtur një  rol   të rëndësishëm  si   rregullatorë të jetës sociale ndër shekuj.Kjo evidentohet  si  një risi në konceptimet filozofike në kuadrin e një katarsisi ndërshoqëror.

Shumë tema interesante shpalosen në këtë libër në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e të kujtesës historike; duke bërë një sinonimitet  të periudhës  totalitariste  dhe të demokracisë së  cunguar, të cilat  më shumë i afrojnë përngjasimet  sesa   diferencat dallimore ndërmjet tyre.

Qëndrimi  ndaj pronës, punës dhe të ardhurave që vinë  prej  tyre, trajtohen  nga autori si amalgamat bazë  të qenësisë  e të triumfit  social të shtetit  e të një kombi.

Në hedhjen e traktateve filozofike  si tek kapitujt “Qeverisja, komuniteti  dhe shteti”; ”Shteti dhe drejtësia”;  “Përse realiteti ynë  vazhdon të pengojë e të persekutojë”,  mbi këto probleme fondamentale për shoqërinë , autori  ka ditur të ndërthurë bukur  idetë dhe eksperiencat  reformiste të vendeve  të përparuara  demokratike ,duke sjellë të praktikuara  idetë dhe eksperiencat  e teoricienëve europianë  dhe amerikanë, por  të natyralizuar në habitatin shqiptar sipas kushteve specifike që imponon resursi  social pos totalitarist.

Në  këtë libër  të tretë  të një formature  e stilistike  krejt të veçantë, më befasoi  guximi (që Skënderi  e ka me tepri) për ti bërë  një karshillëk studimor e referencial ,gjëndjes ekonomike –shoqërore  e politike “bablokore” të dhjamosur të akademisë   së shkencave  dhe institucioneve , të cilët rrinë të   shushatur e presin  nga të fryjë era e të kthejnë kurrizin .

Nocionet  praktikante  që libri  përcjell  tek lexuesi dhe më i thjeshtë    më dhanë mundësinë që të përcjell disa refleksione siç mund ti ndjente dhe një  lexues i zakonshëm.Mesa duket  Skënderi   këtë libër  e ka bërë  apostafat  për masat  e gjera të popullit si një flakadan në ndriçimin e rrugës drejt një prosperiteti   mbarkombëtar , në mënyrë  që çdo bashkëkombas  të japë  kontributin në “Triumfin e kombit” mbi padrejtësitë   që  i  bëhen si nga jashtë dhe nga  plangprishësit e tij.

Skënder Kapiti nëpërmjet  këtyre produkteve librore ka sfiduar trafikun  e madh të prurjeve  çoroditëse të masmedias si dhe disa “vepra madhore”me tirazhe  marramendëse  në tregun e librit suportuar nga qarqe të caktuara oligarkiko-politike.

Ai vjen disi i veçantë  duke përfaqësuar  një prurje të çiltër,shumë të kuptueshme,autoktone, pa filozofikime të tepruara në metodën e të  shkruarit ;një  produkt që paraqet realitetin  shqiptar, si një  pasqyrë  ku reflektohet  jeta shpirtërore , sociale e materiale e vendit dhe popullit të tij.

Për mua si një lexues jo shumë i apasionuar pas   këtij zhanri , libri “Triumfi i kombit” është nektari i krijimtarisë së  tij studimore, me një tranzacion ardhur nga një izolim i gjatë nga një ndarje  klasore që vazhdon e thellohet gjithnjë  e më shumë , në suazat e një pseudo-demokracie.

Këtë libër, më shumë se çdo botim akademik e karakterizon ideali, ëndërra e një mendjeje  të kthjellët e të ftohtë , udhëhequr nga shpirti  bujar e fisnik.Suksesi i produkteve të Skënder Kapitit është: se ai di të kapë linjat e oportunitetit ndërshoqëror, të zbusë kontradiksionet e të riaktivizojë mendimin shoqëror të masave në nocione pajtushmërie, pa mohim të mohimeve që të çojnë tek  kërkundi .

Autori shkruan të vërtetën lakuriqe , siç ia dikton  llogjika filozifike dhe  imagjinata e saj për ardhmërinë.

Tek lexon kapitujt (traktatet do thoja unë) të librit “Triumfi i kombit” të shkon në mend  se tek ky autor , origjinaliteti,konçiziteti ,e vërteta, nuk janë gjë tjetër veç se një reflektim  i llogjikshëm  i asaj që shohim dhe ndeshim  përdita.Po të lexosh me vëmëndje edhe filozofët e mëdhenj  japin e marrin tek njeri tjetri  ide dhe perceptime .

Ndërsa Skënderi  flet me një lirshmëri, pa sforco,pa mllef, natyrshëm për atë çka ndodhur e çfarë ndodh tek ne, si në asnjë vend tjetër të botës, gjithnjë “si një fener ndriçues” në botë.Shumë qartazi, në perceptimin filozofik të jetës e botës shqiptare ,  pas shkëlqimit të rremë të dukshmes, të fasadës që na shfaqet përdita, fshihet jeta  reale me problematikat e saj, me fenomenet negative  të cilat çdo ditë e më shumë  po bëhen  në modë e po shndrohen  në plagë të shoqërisë, duke kryer funksionet e indeve patogjene, duke e ç’bërë shoqërinë, duke humbur  traditat shtetformuese të përfituara me aq mund nga brezat.

Janë këto fenomene  që e shqetësojnë autorin sepse mbi gjithçka  ligjin e bën paraja si “veziri i mehqemesë, që rri sipër sixhadesë”.

Ndaj dhe në këtë vepër të tretë mbas librit “Moralokracia”, spikat një trimëri morale që është shprehje  e virtutit që as nuk shitet   dhe as nuk blihet.

Pikërisht  ky është dhe virtut-thagma që e çon njeriun në mbrojtjen e së drejtës sociale.

Autori zotëron një trimëri dhe koshiencë të ftohtë  e të qetë(ndoshta ky është dhe karakteri  fisnor i brujtur në shekuj), ku spikat mjeshtëria tradicionale fisnore në interpretimin  popullor të filozofisë shoqërore.

Ai nuk shan ,nuk mallkon, nuk përbuz, por tregohet stoik në mendimet e veta. Guximi dhe kurajo civile janë cilësi të një karakteri të lartë .Nga përvoja autori e di mirë se mëria sjell më pas ç’mendimin total, duke mos lënë pas asgjë të risisë , por vetëm  pendimin për atë çka përjeton.Në këtë koncept  në kuadrin e terminologjisë e filozofisë klasike ai ka futur dengshëm  filozofinë popullore; ”Kur të vinë mend,nuk t’i hanë as qentë”.Ndaj autori  gjatë gjithë librit bën thirrjë proklamative se atëhere pendimi ynë nuk do të ketë asnjë vlerë.

3-SI  AMALGAMA   GJITHE   TREGUESE E TRAKTEVE   FILOZOFIKE   TE  KOHE

Nga  sa lexojmë autori sugjeron e evidenton se politika profesionale(mos të ngatërrohet me atë popullore) është një femër me dy fytyra: ku përpara gjykatësit  popull është një nënë e “dhëmbshur” që kërkon ndihmë nga i  biri ; kurse pas tij në monologje mitingjesh “fantastikë” qëndron një femër  gjithë epsh qeverisësh , që lakmon gjithçka.Sa më shumë të rrimë afër kësaj femre putanë, aq më shumë largohemi  nga këndvështrimi real i jetës sonë. Eshtë pikërisht kjo femër-politikë në këtë libër  që  nuk lejon këtë  popull  të shoh përtej së ardhmes ditore.

Këto politikanë të kësaj femre –politikë  hedhin njolla turpi jo vetëm në historinë e tyre por dhe në atë të kombit.Fuqia arbitrare e tyre është objekti  natyral i tundimit për çdo karrikexhi, ashtu siç është një femër  në prostituim , apo siç është një avokat sekseraxhi , apo korrupsioni  për gjykatat .Kjo është, mendoj unë, amalgama gjithë treguese e këtyre trakteve filozofike të jetës social –ekonomike e shtet-formuese  që përshkon nga fillimi  gjer në fund këtë libër në stilistikën e tij narrative.

Trashëgimnia  e autoritarizmit komunist ( e ngulitur thellë  dhe tek liderët e sotëm)ka sjellë bashkë me mungesën e traditës demokratike probleme serioze ekonomike e sociale të ndërthurura me dështimin total të elitarizmit, për ta parë e pranuar demokracinë nëpërmjet reminishencave të vjetra e brenda interesave të ngushta klanore e nepotikave “bllokmene”.

Kjo ka bërë që tranzicioni i Shqipërisë

të jetë tejet i dhimbshëm   dhe një demokratizim fallc. Kalimi i pushteteve nga një grupim partiak në një grupim tjetër partiak është bërë nën kaleidoskopin e një loje  ku duhet fituar  gjithçka , shpesh dhe duke i shpërfillur normat demokratike , duke kryer njëmijë e një manipulime në proçedurat zgjedhore, duke përfrikësuar pushtetet  gjoja të pavarura e duke kundërshtuar çdo rezultat të disfavorshëm.

Në këtë luftë  për pushtet ndryshimet e thella filozofike ndërmjet këtyre grupimeve kanë ardhur duke u atrofizuar, e tashmë ato japin e marrin tek njëri tjetri në konceptin e ndarjes së gjahut në një xhungël  sociale.Si rezultat i një politike të tillë, në lëmin ekonomik, politikën sociale, shteti i sotëm  po e zevendëson  me politikat rentiere  , duke u kthyer vetë  në rentjerin më të madh , më të pangopur.Në konceptin  filozofik ky problem trajtohet qartazi  si e keqja  numur një në kapitujt : ”Siguria ekonomike dhe sovraniteti”; ”Pushtetpolitika keqqeverisëse si antishtet  dhe anti-kombtarizëm”.

Shteti i sotëm rentier  s’mban asnjë përgjegjësi   dhe hallka e tij përfaqësuese në zinxhirin e zhvillimit ekonomik është këputur.Nuk ekziston asnjë lloj konkurence në prodhimin kombëtar . Anarkia ekonomike  gradualisht të çon  në anarki  sociale dhe  politike , çon në tronditjen e themeleve të shtetit  e të kombit në tërësinë etnike.

Starti ekonomik që ngren me të madhe autori është  rrotori që do të gjenerojë jetën socilae e që përgatit   kushtet në startimin e militantit politik .Në  këtë  këndvështrim  dhe ligjet kanonike të zhvillimit shoqëror duhet të jenë në një kontradiktë të vazhdueshme, në papajtushmëri   me prodhimin shoqëror.

Ky digresion kanonik  është dhe gjeneratori që vë në lëvizje, në zhvillimin progresiv , agregatet  e zhvillimit të shoqërisë e të triumfit të saj. Por siç e evidenton dhe autori,  klima e enklementimit  të resurseve njerëzorë  në favor të formacioneve politike, sfumimi i shoqërisë civile, është proçesi më regresiv që sjell njëmijë e një  të   zeza , sjell margjilizimin total të shoqërisë.

Ndaj në këtë proçes, ndryshimi i filozofisë politike vjen si domosdoshmëri e ndryshimeve të pritshme substanciale të shoqërisë duke u absorbuar  nga elektorati , sepse diletantizmi politik çon në fatalitet politik , çon në një pragmatizëm delirant.

Ashtu  sikundër Migjeni i madh , në ato vite të zymta  të një pushteti feudo-obskurantist, e gjente forcën  dhe vitalitetin te rinia, dhe autori me besim të patundur  i drejtohet rinisë  si  e vetmja shpresë, sepse :”Brezi i ri realizon aspiratat e vërteta patriotike, morale, fisnike  e intelektuale,sepse ai është i lirë, i pastërt e premtues për ndryshim e emancipim, nuk ka veset dhe  është shmangur   nga e kaluara dhe nuk i përket asaj.” Ndaj dhe në këtë zamallahi,duke pas përvetësuar në shkollat e marksizëm –leninizmit se ekonomia është shprehje e  koncentruar e politikës , jo më kot ata intervenojnë , i mëshojnë  mashtrimit ekonomik me sfumime, me rritje imagjinare, artificiale të rritjes ekonomike,”vend pa krizë”, duke shkelur në rrugë të pista.

4-TRURI   KOMBIT   DHE NACIONALIZMA

Ruajtja   e trurit të kombit dhe nacionalizma janë dy shtyllat mbajtëse të kombit.Këto vinë e qëndrojnë si një domosdoshmëri vitale. Krijimi i një “banke intelektuale” nën shembullin e SHBA –së , Kanadasë,vendeve skandinave  ku  subvencioni  intelektual  përfshin gjithë trungun familjar  për çdo person -pasuri intelektuale.Kjo është alfa e një qeverisje me vizion social  e njëkohësisht zhvëllimor.

Edhe nacionalizmi në faqet e këtij libri vjen si një bonus kombëtar dhe individual, vjen si një interlokucion shoqëror, ku  zvetënimi   nacionalist ka çuar e  çon dita e ditës në zvetënimin intelektual.Ndaj  dhe autori  ka besim  e mbështetet te populli, sepse populli  ka një frymë  e shpirt më të   lartë kombëtar se kanë politikanët dhe shtetarët.(f.64)

Nacionalizma kapitiane  vjen si një forcë progresive  që rrit valencat e unitetit integral brenda një shteti të fuqishëm , me personalitetin dhe prestigjin e tij.Ai vjen gjithëkombëtar, progresiv dhe demokratik  që ka të bëjë direkt me rritjen e mirëqenies materiale-kulturore.Nacionalizma,  nënvizon autori,është legjitimitet demokratik dhe jo autokratik. Idhtarët e nacionalizmit autokratik marshojnë me ngjyrimet e flamurëve për lavdinë e rreme , i cili më shumë se kushdo tjetër, vetëmashtrohet se po hyn triumfalisht në tempullin e lavdisë, por që me siguri e ardhmja e  nxjerr prej andej si  jashtëqitje e kombit.Në kontravers të abuzimit të këtyre idhtarëve dhe të formacioneve politikë që ato përfaqësojnë, autori evidenton potencialialet etnike,sociale e patriotike, ekonomike  e kulturore-intelektuale në rang ndërkombëtar duke bërë një ballafaqim  me  degresivitetin, ku qëndron etnika intelektuale atje rri   e ndezur në shpirt qenësia e një kombi  si prona, gjuha, doket, zakonet, simbolet.Kjo qenësi realizohet “ “me detyra parësore shqiptarizmi”, pra integrimi brenda shqiptar në çdo fushë  të jetës.”- thotë autori në një pasazh.Gjithçka në një erudicion analizues neutro-partiak, si  një çelës për daljen nga kolapsi i recesionit, intoksikuar nga nepotizmi e klanizmi si ide patogjene në mutacionin e sotëm shoqëror.Ky shpirt politikash që shkon në drejtim të veseve injekton në popull duke goditur lartësinë intelektuale e shpirtërore, duke burgosur vetë inteligjencën.

Kësisoj autori  i bën anamnezën shoqërisë së sotme  duke dhënë njëkohësisht terapeutikën  e shtresave të saj sociale.

Në tre letrat që autori i drejtohet bashkëkombsave , ai   interlokutohet me lexuesin, me mesazhet dhe moralitetin politik që përcillet nën frymën e një psiko-analize  e të një terapeutike ekzistenciale, drejt një katarsisi shoqëror e psikologjik nën vrojtimin e një  filozofie të paezauruar, po shumë të dëshirueshme  në konceptet e reja.Baza e këtyre koncepteve është tek mbështetja dhe tek intelektualizmi  i vërtetë  pa konsiguracione politike.Gjithçka vjen si një manifest kushtrimor për një angazhim total  të shoqërisë në riciklimin historik të rolit të masave  dhe individualitetit intelektual në zhvillimin shoqëror. Koncepti shqiptar i shkollimit është tepër i admirueshëm, unik   në aspektin social dhe në rang botëror .

Brezit të ri i del detyrë parësore të mos jetë një konsumator pasiv, por  të marrë funksionimin  e rotorit gjenerues.Qëndrimi indiferent është e keqja më e madhe e shëmbëlltyrës intelektuale.Nga ky qëndrim  vjen dhe varfërimi  i potencialeve  intelektuale , e keqja  më e madhe ; ajo është një vunerabilitet  historik  i zhvillimit të shoqërisë.

5- DREJTESIA   SHTETARE  E  DREJTESIA  PUBLIKE

Thembra e Akilit të së drejtës në një shtet  është drejtësia, më saktë drejtësia publike . Kjo drejtësi  ka një ndërlidhje  me raporte konverguese  me rendin dhe qetësinë e qëndrimet penale.E tillë vjen kjo qenësi  në faqet e këtij libri . Ajo vjen si një letër lakmuesi  që zbulon antraktimin e zhvillimit shoqëror . Kur qeverisja dhe pushteti   bëjnë padrejtësi, si bëhet në këta 20 vjeçarë  padrejtësitë e pushtetit vinë si krimet më të rënda në këtë shtet- perifrazon autori.

Sigurisht nga vëzhgimet  e cilido shtetasi  mosqeverisja me ligje kushtetuese , por me akte nënligjore antikushtetuese  çon në përligjje mbarëkombëtare , rrit degresionin  brenda shtetit e kombit në tërësi.

E  çfarë autoriteti i lartë është kjo kushtetutë kur  janë evidentuar 17 vendime  të gjykatës kushtetuese  të injoruara nga shteti dhe shtetarët , me akte nënligjore  duke i bërë karshillëk.Një gjë e tillë veçse ka thelluar ndasinë shtet-shtetas.Drejtësia është suporti i një demokracie të  mirëfilltë.Por kështu siç është konceptuar nga  zyrtarët e këtij tranzicioni të egër: ”Kjo  demokraci tranziti është një zëvendësim  i totalitarizmit komunist  me një rregjim monopol  korruptiv, korruptues e mafioz, që kanë

emërues të përbashkët  shtypjen e popullit, largimin nga afera  e “Triumfit të kombit”.”Kërcënimi më i  madh  i demokracisë –vijon autori  , f.104 – i vjen  nga mashtrimi dhe “mafia” demokratike , instalimi i së  cilës  mundësohet atëhere  kur shkalla e demokracitetit  është e ulët.”

Për  këtë  filozofi  i politikës modern  Makiaveli ka thënë : ”Se  në një shoqëri të korruptuar zor se del ndonjë gjë e mire.”

Këto referenca  tek Makiaveli  rrisin dukshëm valencat e të drejtave të proklamuara dhe nga autori në filozofinë e kohës që po kalojmë.Në  këtë suport makiavelian  vjen dhe manifesti  i autorit  për një rilindje  të vërtetë  Pan shqiptare e ku  gur themeli vendoset Patriotizmi dhe një demokraci e  vërtetë , mbushur me prosperitet , e aftë të rifitojë dinjitetin e krenarinë e nëpërkëmbur.Njëkohësisht kjo do të arrihet  kur të  shembet një herë përgjithmonë  autokracia  e pushtetarëve e kozmopolitika e masave si  barrierë kryesore  të nacionalizmës.

Në këtë proces , me një ngërthim , do të ndeshen  njeriu  modern   dhe idioti i ri.Ata vinë me nocionet e një psiko-analize të njeriut të sotëm duke u rekomanduar nëpërmjet një psiko-analize  nga autori, psiko –terepeautikën dhe  përfitimin e një katarsisi në funksion të ndryshimeve sociale në shërbim  të mirëqenies shoqërore e kombëtare.Sipas ngulmimeve të autorit  kjo do të jetë një letër pergamenë për të drejtën dhe vërtetesinë  e veprimeve të masave popullore, në vazhdimësi  lineare drejt standarteve të larta  në rigjallërimin shoqëror  në të gjitha aspektet.

Gjithçka  sintetizohet tek dyfjalëshi   në ballinë “Triumf I kombit”.Ndërkomunikimi  shtet-qeverisje-komunitet vjen si një hallkë e një zinxhiri mitik që në fillesat e shtetformimeve , të cilat mbajnë në drejtpeshim  vetë shtetin e shtetasit.Njerëzimi  krijoi shtetin për një mirëqenie të të jetuarit si autoriteti më i lartë i shoqërisë, si një lloj agjencie  për rregullimin e mardhënieve  individ-shoqëri –shtet.

Sipas Hegelit shteti është “egoizëm  universal” dhe jo siç  xhvesh e na e mirëpërcakton autori  si një “egoizëm tinzar”.Demokracia shtetërore – thotë autori –pretendon e  synon një marëveshje institucionale, funksionale, në një kornizë ligjore , ku vendimet  të jenë organizatore të jetës  me të gjitha afeksionet e saj si puna, liria e fjalës,liria e mendimit ,mirëqenia .

Ky libër me formaturën e një manuali filozofik, me nuance prakticiene, që u shërben jo vetëm intelektualëve në poste drejtuese , në shërbesa ndaj popullit, por u ndriçon mendjen, u kthjellon mendimin tërë  masave punonjëse në këtë zamallahi politiko-ideologjike që jo pa qëllime çoroditjeje përhapin në masmedia e në mitingje  elektorale grupimet e ndryshme politike,pararendëse të grupimeve ekonomike në aspektin e qartë filozofik.

21-24  tetor  2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress