Home » Lajme, Opinione » Rrezistenca heroike e profesorëve dhe nxënësve të Q.A.”Skënderbeu” në Preshevë

Rrezistenca heroike e profesorëve dhe nxënësve të Q.A.”Skënderbeu” në Preshevë

Shkruan: Nehat Hyseni

Pas demostratave të 1981-shit, në të cilat shpërtheu vrullshëm pakënaqësia e shqiptarve me gjendjen e mjeruar ekonomike e sociale në viset shqiptare të Jugosllavisë AVNOJ-ane, e veçanërisht në Kosovë, pasoi presioni i paparë mbi shqiptarët dhe fushata e tërbuar e të ashtuquajturit “diferencim ideo-politik”.

Përmasat e kësaj fushate të egër antishqiptare ishin të mëdha dhe gjithpërfshirëse, por në rend të parë “tehu” i saj ishte fokusuar mbi inteligjencën shqiptare, kundër intelektualëve dhe rinisë shkollore e studentore.

Sulmet e Serbisë ndaj Q.A. “Skënderbeu” në Preshevë

Edhepse Q.A.”Skënderbeu” nuk ishte involvuar në mënyrë të drejtpërdrejt në demostratat e Prishtinës të 26 marsit 1981, n

me rastin e ardhjes së Stafetës së parë pas vdekjes së J.B.Titos më 4 maj 1980, si dhe në reagimin studentor ndaj brutalitetit dhe dhunës së shfrenuar policore me demostrata edhe më të ashpërta dhe më masovike më 1, 2 e 3 prill 1981, megjithatë, nuk vonoi shumë kohë dhe filloi “stuhia” e vrullëshme e mllefit shtetëror e partiak sllavokomunist mbi këtë tempull të dijes dhe edukimit të mirëfilltë të brezave të reja!

“Çka po pritet në Preshevë?”

Si sot më kujtohet artikulli shovinist në gazetën ditore beogradase “Politika Ekspres” të datës 4 qershor, me titull bombastik:”Çka po pritet në Preshevë?” (Šta se očekuje u Preševu?!).

Ishte ditë e shtunë dhe unë isha duke u kthyer nga ligjëratat e rregullta që i kisha çdo fundjavë në studimet postdiplomike dhe në kiosk (Beograd), nga larg më ra në sy ky titull makabër, që synonte t’i stigmatizoj shqiptarët si “armiqë” dhe ta nxisë opinionin e Serbisë dhe Jugosllavisë kundër neve shqiptarve të mjerë, që kurrë nuk e kishim shijuar me tamam lirinë, zhvillimin dhe barazinë kombëtare.

Asokohe, ne shqiptarët sapo kishim arritur disa rezultate të prekëshme dhe të mirëfillëta, fillestare, të cilat, sa duket, u pengonin qarqeve shoviniste antishqiptare e serbomëdha.

Filluan pastaj të shpeshtohen sulmet me “breshëri” të mediave serbe, forumeve dhe organeve të LKJ-së, si dhe të organeve policore dhe të Sigurimit Shtetëror instancave të larta të institucioneve të tjera shtetërore.

“Çerdhe e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”

Kështu, Q.A. “Skenderbeu” u cilësua si “çerdhe e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”!

Rezultatet kulminante që kishte arritur kjo vatër e arsimit me afër 1700 nxënës dhe me 57 paralele, që përfshinin edhe nxënës nga fshatrat e komunës së Kumanovës, në vend se të shpërbleheshin dhe të mbështeteshin, ata filluan të sulmohen me tërbim.

Mjerisht, kësaj fushate të egër antishqiptare, asokohe iu bashkëngjitën edhe disa kuadro udhëheqëse shqiptare të komunës së Preshevës.

Qyqarllëku i kreut komunal

ndaj Q.A.”Skënderbeu”

Në vend që ta mbronin Qendrën Arsimore “Skenderbeu”, ata e sulmonin me të gjitha forcat, duke bërë garë kreu komunal me Komitetin e LK të Preshevës, për të arritur poena politikë dhe për të ndërtuar karrierë politike në këtë mënyrë jokorrekte dhe të panderëshme.

Kjo rethanë rënduese dhe ky realitet i hidhur politik, na e vështirësonte edhe më tepër punën edukativo-arsimore, madje në mënyrë ekstreme.

Në mandatin katërvjeçar 1982-1986, unë isha delegat në Kuvendin Komunal nga Q.A.”Skënderbeu” dhe shpeshëherë ballafaqimet e mia kundër sulmeve të tyre në seancat e kuvendit, por dhe në biseda e diskutime të ndryshme në forume dhe evenimente të tjera, ishin tejet të ashpra, madje edhe dramatike.

Mandatin tim si delegat në Kuvendin Komunal të Preshevës e ndërpreva në gjysëm, meqë u transferova në Kuvendin e Kosovës, ku ia fillova punës më 1 tetor 1984.

Kurse, në vend timin u kooptua si delegat i Q.A. “Skënderbeu” Ali Ahmedi, profesor i biologjisë, i cili në vitin 1990 u bë kryetar i parë i PDSH-së në Preshevë.

Profesorët fajësoheshin asokohe për gjithçka që mund të bënin nxënësit, madje edhe jashtë shkollës, duke i shpallur ata si “fajtorë kujdestarë” për gjithçka.

Gjithashtu isha edhe kryetar i Konferencës Komunale të LRS në mandatin njëvjeçar 1982/1983, dhe si “shpërblim” për aktivitetin dhe angazhimin tim, mora ndëshkimin “Vërejtje” nga Komiteti Komunal i LK të Preshevës.

Sukseset kulminante

Përkundrejt sulmeve të ashpra dhe të parreshtura, megjithatë, në Q.A.”Skënderbeu” zhvilloheshin aktivitete të dendura në rregullimin e ambientit jetësor me aksione shumë të shpeshëta komunale, në pastrimin e shtratit të lumit, rrugëve dhe sidomos reth zgjërimit të ujësjellsit komunal.

Oborri i shkollës ishte bërë si një park botanik, me reth dyqind lloje lulesh zbukuruese, që atëbotë mirëmbajej nga drejtimi i biologjisë, duke u shërbyer nxënësve edhe si njohuri praktike në kuadër të aftësimit të tyre shkencorë e profesional.

Themeluam buletinin shkollor “Drita” që dilte katër herë gjatë vitit shkollor, dmth për çdo tremujor, në tirazh impozant prej 1700 ekzemplarësh.

Entuziazmi i madh

Entuziazmi dhe motivimi i profesorve dhe nxënësve asokohe ishte tepër i lartë dhe shkolla gumëzhinte nga aktivitetet e lira sportive, muzikore, aksionet punuese, prët letrare, gazeta e murit që ndërtohej për çdo javë, si dhe në kyçjen e nxënësve në vetëqeverisje në organet drejtuese të procesit edukativo-arsimor në shkollë, në organizimin e mësimit plotësues nga profesorët dhe arsimtarët për nxënësit e dobët, si dhe në organizimin tejet të suksesshëm të Aktiveve profesionale të profesorëve reth mbarëvajtjes së mësimit shtues,  si dhe garave dhe aktiteteve të ndryshme jashtëmësimore në shkollë, por dhe me pjesënarrje të tyre në aktivitete e evenimente të ndryshme jashtëshkollore.

Vendi i tretë dhe i dytë në Serbi

Si rezultat i këtyre aktiviteteve, entuziazmit të madh dhe vrullit rinor të nxënësve dhe profesorëve, Q.A. “Skënderbeu, në vitin 1982 zuri vendin e tretë, kurse në vitin 1983 e zuri vendin e dytë, në farat e shkollave të mesme në Republikën e Serbisë, që asokohe përfshinte edhe dy krahinat, Kosovën dhe Vojvodinën, me gjithsej 189 komuna!

Pra, këto ishin rezultate dhe suksese kulminante dhe paraqesin kohët më të lavdishme në historinë e Q.A.”Skënderbeu” të Preshevës, që na bënë krenarë që ishim pjesë e këtyre fitore dhe kësaj historie të lavdishme.

Këto  suksese kulminante, asokohe, realisht duhej t’i bënin krenarë edhe udhëheqësinë komunale dhe për rezultatet e arritura, meritonin të përgëzohen dhe të lavdëroheshin, e pse jo edhe të shpërbleheshin profesorët nxënësit dhe drejtoria e kësaj shkolle.

Mjerisht, jo vetëm që nuk u shpërblyen ata, por edhe u ndëshkuan me denime drakonike, duke u përjashtuar madje edhe nga puna dhe nga procesi edukativo-arsimor!

Garat ogurzeza të klaneve

Asokohe nuk ekzistonin shumë parti politike, si sot,  meqë ishte e lejuar vetëm një parti, Lidhja e Komunistëve, për të garuar për pozita dhe poste politike e institucionale.

Por, gara për pushtet dhe rivaliteti politik i kuadrove shqiptare në Luginë të Preshevës, si dhe gjithandej në Kosovë dhe viset tjera të banuara me shqiptarë, atëbotë midis klaneve e grupacioneve të ndryshme politike zhvillohej brenda vet Lidhjes së Komunistëve.

Prandaj, ndërskamcat dhe garat për karrierë politike të kuadrove udhëheqëse komunale “bashkëjetonin”, kurse “shigjetat” thyheshin mbi kokat e institucioneve dhe kuadrit arsimor, sidomos pas Demostratave të ’81-shit, meqë shkollat ishin shpallur si “fole” apo “vatra” të “veprimtarive armiqësore”.

Ndërkaq, profesorët, arsimtarët dhe mësuesit shikoheshin si “të dyshimtë”!

Parullat “armiqësore!”

Por, ç’është edhe më keq, në këtë punë ishin të përzier, me ose pa vetëdie, të shtytur nga ndokush apo jo, edhe një numër i vogël i nxënësve dhe shkruheshin parulla “Kosova Republikë”, apo vetëm “KR”, nëpër mure, rrugë, apo në WC-të shkollore.

Pastaj i tërë aparati shtetëror i policisë lokale vihej në aksion dhe i vërsulej Q.A. “Skënderbeu”, duke inçizuar, fotografuar dhe duke intervistuar dhe marrë pafundësisht në pyetje  dhe në “biseda informative” nxënësit dhe arsimtarët dhe duke maltretuar drejtorinë e shkollës.

Përjashtimi i profesorëve nga puna

Pasojë e kësaj gjendjeje nga sulmet e tërbuara antishqiptare dhe presioni të madh të Serbisë ishte edhe dorëheqja e imponuar nga posti i drejtorit të Q.A.”Skënderbeu” e profesor Riza Halimit, përjashtimi i tij bashkë me 31 profesorë të tjerë nga puna, si dhe përjashtimi edhe i disa nxënësve nga shkolla.

Ky ishte një “haraç politik” në të ashtuquajturin “diferencim ideopolitik” ndaj profesorëve më të dalluar, pa të drejtë pune në arsim.

Kuvendi komunal i Preshevës vendosi për ndërrimin e emrit të Q.A. nga “Skenderbeu” në “25 Maji”, pa e përfillur qëndrimin e punëtorëve, nxënësve dhe prindërve, më 10 korrik 1990, mori për ndërprerjen e punës së Q.A. “Skënderbeu”, duke e ndarë në dy shkolla të mesme:

  1. Gjimnazit “25 Maji” dhe
  2. Shkollës së Mesme Teknike  “Presheva “.

Rikthimi i emrit “Skënderbeu”

Në vitin shkollor 2004/05, u bë nisiativa nga drejtori Abdurrahman Zylfiu për rikthimin e emrit “Skëndërbeu”, në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Serbisë.

Më 28 korrik 2006, merret pëlqimi për kthimin e emrit të gjimnazit nga ‘’25 Maji’’, në “Skënderbeu’’.

Vendosja e bustit

Në vitin shkollor 2006/2007 u bë rregullimi i oborrit të shkollës dhe u vendos busti Skënderbeut, i cili qëndron me krenari dhe zbukuron me dinjitet ambientet shkollore, me pamje të mrekullueshme nga rruga kryesore në hyrje të qytetit të Preshevës.

Kurse, nga  2 marsi 2007, Gjimnazi “Skënderbeu” feston këtë datë historike të mbajtjes së Kuvendit të Lezhës (më  1444), si Ditën e Shkollës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch