Home » Kulturë » “RROFSHIN, SA MALET, GJUHA DHE KULTURA ARBËRESHE!”

“RROFSHIN, SA MALET, GJUHA DHE KULTURA ARBËRESHE!”

(Nëpër faqet e revistës  emërbukur, “Kumbora”)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Ndoshta, nuk paraqet ndonjë interes për lexuesin kjo, që po them tani. Megjithatë, po shprehem lirisht. Gjatë jetës, rasti e ka sjellë që të udhëtoj në disa vende të botës, si në Europë, por edhe në Amerikë. Por, me gjithë këto udhëtime të bukura e mbresëlënëse, më ka mbetur një merak shumë i madh. Kështu, kam parë edhe mjaft qytete e krahina italiane, por jo ato arbëreshe. Pra, sikur dikush, që e ka në dorë udhëtimin tim, të më pyeste: “Në cilin vend tjetër dëshiron të shkosh?”, pa mëdyshje, përgjigja ime do të ishte: “Në disa qytete e fshatra, ku jetojnë arbëreshët e Italisë”. Këtë ndjenjë e mendim e kam të ngulitur që në vitet e studimeve  universitare, pra në vitet  ’60-të, të shekullit të kaluar, kur kam dëgjuar të flitet për arbereshët nga pedagogët tanë, në  degën gjuhë-letrëesi shqipe, të Universitetit të Tiranës. Veçanërisht, sikur më trokasin në kujtesës fjalët e profesorit të madh, Akademikut Eqrem Çabej, kur na fliste për De Radën, Santorin, Seremben, Zef Skiroin dhe personalitete të tjerë bashkëkohorë  të botës arbëreshe. Por rasti e ka sjellë që edhe të ndodhem, së bashku me studiues të njohur arbëreshë, në veprimtari të ndryshme shkencore ndërkombëtare, në kryeqytetin Tiranë, si për gjuhën, letësinë, folklorin, etnografinë, arkeologjinë e tjerë. Ndërsa, kujtoj këtu edhe takimin e ofruar, mjaft vite më parë, nga miku e kolegu im, Prof. Gjovalin Shkurtaj, me një grup studentësh arbëreshë, që patën ardhur në Tiranë. Asohere, bëmë fotografi sëbashku dhe kjo gjë dëshmohet lehtë, po të shfletohet libri i këtij studiuesi dhe njohësi të spikatur të tyre, “Shpirti i arbërit rron”.

2.

Pothuajse rastësisht, duke “notuar” nëpër botën e larmishem dhe të pafundme të Internetit, pak kohë më parë, mësova se arbëreshët publikojnë edhe një revistë periodike, me emrin interesant, “Kumbora”. Pasi  e gjeta adresën e e-mailit të redaksisë, u dërgova një mesazh përshëndetës. Nuk vonoi e mora këtë përgjigje, nga Prof. Luis de Rosa: “Ne jemi edhe në Durrës, ku banojmë disa muaj në vit. Në mes të korrikut e deri në fund të shtëtorit, do të jemi atje. Jemi tue pergatitur një ekspozitë me veprimtarinë arbëreshe, në vendin tim, Ruri (Ururi)”.

Më atë rast, ai pati mirësinë të më dërgonte, në PDF, tre numra të kësaj reviste, të cilat i printova menjeherë. Konkretisht, me nga 12 faqe secila, ato janë: Nr.92 (janar-shkurt, 2012),  Nr.93 (mars, 2012) e Nr.94 (prill, 2012). Revista është botim i Shoqatës Kulturore Arbëreshe, në Ururi, me drejtor Luis De Rosa dhe e ka vitin e 9-të saj . Më poshtë, sa për ilustrim, po e paraqes numrin e parë të revistës “Kumbora” të këtij viti.

Kërshëria ime, por besoj dhe e çdo lexuesi të interesuar, është që të dijë se për çfarë shkruhet në këto revista, pra  cila është tematika kryesore  e tyre. Mjaft kupotimplote dhe domethënëse janë fjalët-thirrëse, që shkruhen mbi kokën e revistës: “Rrofshin, sa malet, gjuha dhe kultura arbëreshe!”

Siç mund të pritej, që në faqen e parë, në numrin e janarit 2012, është një fotografi e Skënderbeut, në përvjetorin e 544-të të vdekjes së tij, me shënimin ”Ku na iku Skënderbeu?!” Ndërsa në brendësi është shkrimi me titullin “Pa Skenderbeg, pa kujtime“. Kolona e parë është shqip, ndërsa e dyta italisht. Pasi flitet në hyrje pak për Skënderbeun, dëshmohet se ku ndodhen statuja ose rrugë me emrin e këtij shqiptari të lavdishëm, që me ushtrinë e tij u bë mburojë edhe për Italinë, nga vërshimet e osmanllinjëve. Më poshtë, pohohet se, në fillim të viteve ‘900-ta, në horën e tyre, Rur, kishte një rrugë me emrin e Skënderbeut, “po ngë dihet kush e fshivi këtë emër dhe i vurën emrin rruga Komerçale, vetëm pse aty kishin hapur ndonjë butig”(?!) Prandaj, po aty, shkruhet se vandbanimi i tyre, me disa ndërtesa kishtare, është mirë të ketë edhe  një bust të Skënderbeut: “…I shkovi ka mendja të kujtohëshi edhe heroi i madh Skanderbegu, me një statujë ose me një bust, ashtu çë të mos harrohet edhe historija jonë”.

Në faqen vijuese shkruhet për disa veprimtari, që u zhvilluan me rastin e 21 shkurtit, me temën “Dita ndërkombëtare e gjuhës mëmë”.  Në sallën e këshillit bashkiak ishin të pranishëm personalitete zyrtare, por dhe studiues e mësues arbëreshë. Ndër ta, ishin: Luixhi Plesha e Luiza Jançi,  Fermanda Pujeze, Dr.Lia Glava e Dr.Serena Frate. Po kështu, folën poetët Guidi Tartajoni e Luis De Rosa. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe grupi muzikor i vendit, “Yjazët e rëgjënda”, “çë gëzovi publikun e vendit dhe i huojë, me disa kënga të tyre”. Po në atë veprimtari, u kujtuan me nderim futbollisti i ndjerë,  Mikelli Skorrani dhe shkrimtari i Rurit, Luixhi Inkoronato, që ka shkruar librin e tij kushtuar vendlindjes, “Morruni”. Më poshtë thuhet se, në atë krahinë arbëreshe,  u zhvilluan edhe disa verpimtari të tjera kulturore, muzikore e gjuhësore.

Interesin e lexuesve arbëreshë e plotësojnë edhe shkrimet letrare e krijimet e ndryshme, që botohen në faqet e kësaj reviste. Kështu, një ndër ato, është copa letrare “Gishtëza”. Disa fjalë e shprehje arbëreshe, botohen në faqen nr.9. Në faqen tjetër, është botuar një shkrim i Sami Frashërit (1850-1904), i vitit 1878, shoqëruar me dy fotografi të tij. Në mbyllje janë këto fjalë: “sa për përkatësinë shqiptare të Skënderbeut, është e kotë t’i hyjmë punës për të dëshmuar një gjë të tillë”. Nga autori shqiptar  Thoma Kacori janë publikuar vjershat “Letra jote e bukur” dhe “Sa ma ka ënda”. Në faqen e fundit janë zgjedhuar foljet “isha” e “të jem” dhe është venë “Alfabeti Arbëresh, me shënimin: “I njëjtë me atë shqip, sipas Kongresit të Manastirit (1908) dhe Kongresit të Drejtshkrimit të Tiranës (1972)”.

Po, në dy numrat e tjerë të kësaj reviste, çfarë është shkruar? Sigurisht, ka interes të tregohet me imtësi për këtë gjë. Por, për arsye vendi, po shënoj se, në nr.93, është një njoftim që, në Ururi, bëri një vizitë Ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola. Tema nga historia janë “Deklaratat e vitit 1741” dhe ‘Të krishterët greko-bizantinë në Jug”(nga Pal Borxha). Ndërsa janë botuar edhe shkrimet: “Muzika arbëreshe, kandidate e Unesko-s”,  “Këndi i poezisë” dhe ai i gjuhës, përalla “Tre vëllezërit” etj. Në kujtim të Kuvendit të Lezhës, që u mblodh në vitin 1444, është botuar një foto e vend-varrimit të Skënderbeut, e shoqëeuar më këto vargje: “Bajnë kuvend burrat e dheut,/ tuj dhanë besën Skënderbeut,/ tuj dhanë besën me luftue,/shpatën turkut me ja vue!”

Në nr.94, të majit 2012, Luis de Rosa shkruan për Festën e 3 Majit dhe ka rubrikën  kulturore e gjuhësore. Në shkrimin e pare, tregohet se ajo festë është më e madhja e tradicioonale në krahinën arbëreshe të  Ururit. Në rubrikën e poezisë janë botuar vjershat: “Kur ne u njoftuam”, “Vetëm për ty” e “Vajza e babait” (nga Luis de Rosa). Po në këtë numër, flitet edhe për një veprimtari gjuhësore në horën arbëreshe të Ururit e të Molizit, si dhe për ekspozitën e hapur në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, “Shpirti i Arbërit në shekuj” etj.

Parë në tërësi, kjo revistë modeste është një vlerë e veçantë, për njohjen dhe ruajtjen e traditave arbëreshe, të gjuhës dhe kulturës së tyre, në mjedisin italian, ku jetojnë. Me siguri, ata do ta vazhdojnë këtë udhë, që tashmë e kanë të shtruar dhe do të ecin të sigurtë nëpër të. Prandaj meritojnë urime e përgëzime, si Shoqata Kulturore Arbëreshe dhe  pjesëtarët e redaksisë së “Kumborës”, që drejtohet me kujdes nga Prof. Luis de Rosa.

Tiranë, 6 qershor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch