Home » Lajme, Vendore » Rruga e Zarbicës, një premtim elektoral!

Rruga e Zarbicës, një premtim elektoral!

Zarbinca foto2Në një njoftim të Këshillit Qendror të Fondit Humanitar, për Malësi të Bujanocit, me seli në Gjilan, bëhet e ditur se nga Komuna e Bujanocit, vjen haberi “si top sheqeri”, për fillimin e asfaltimit të shumëpritur të rrugës Zarbicë –Muhoc!

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi dhe stafi i tij administrator, njoftuan delegacionin e Këshillit Qendror të Fondit Humanitar, se “projekti ideor është bërë gati, leja për tenderim është marrë dhe nga e hëna (08. 02. 2016), mund të bëhet tërheqja e dokumenteve nga kompanitë e interesuara për tenderim. Ky afat do të zgjatë 30 ditë. Pas këtij afati do të hapen ofertat dhe brenda pak ditësh, përkatësisht brenda afateve të procedurave tenderuese, do të dihet edhe fituesi i tenderit. Dhe nëse nuk ka ndonjë ankesë, që po ashtu janë afatet kohore procedurale, rregullimi, përkatësisht asfaltimi i rrugës Zarbicë –Muhoc, do të fillojë pas 53 ditësh nga tenderimi”.

Ata që marrin erë në politikë dhe nuk rrëmbehen lehtë nga emocionet, këtij njoftimi i thonë, as më pak e as më shumë se premtim elektoral! Pse?!

Sepse zgjedhjet e parakohshme lokale dhe parlamentare, në Serbi, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen, më 24 prill 2016. Nëse tenderimi për asfaltimin e rrugës Zarbicë-Muhoc, shpallet, të hënën, ditën e pazarit, më 08. 02. 2016 dhe zgjat 30 ditë, dmth deri, më 06.03.2016, nëse nuk ka ndonjë ankimim, po pati, atëherë procedura do të shtihet edhe ndonjë javë. Po qe se këtij afati ia shtojmë 53 ditë të tjera, kur do të filloj projekti pas tenderimit, atëherë del se asfaltimi i rrugës së Zarbicës, do të filloj diku, më 28 prill, katër ditë pas zgjedhjeve.

Çfarë cinizmi, nga autoritetet e Komunës së Bujanocit, se “projekti ideor” për asfaltimin e rrugës Zarbicë –Muhoc, është bërë gati!

“Projekti ideor”, për asfaltimin e rrugës Zarbicë –Muhoc, ka ekzistuar, që nga koha e Mareshalit Tito, Rankoviqit, Millosheviqit, pra, ekziston edhe sot në kohën e Koalicionit qeverisës të Komunës së Bujanocit, por, ajo edhe më tej, do të mbetet si plan ideor!

Ky pushtet aktual i Bujanocit, i cili nga Restoranti “Oxygen”, nga Kodra e Karaçevës, në afërsi të Muhocit, me dylbi e shohin Malësinë e Bujanocit, duke dhënë premtime elektorale, se një ditë do të bëhet mirë për malësorët e brezit kufitar!

Rruga e shumëpritur e Zarbicës, do të asfaltohet, pastaj do t’u rregullohen dokumentet e identifikimit të ç’regjistruar nga evidenca e gjendjes civile, si dhe do t’u kthehen vendbanimet e pasivizuara nga Beogradi zyrtar.

Gjithçka do të bëhet mirë, në këtë kohë të fushatës paraelektorale! Këtë e thonë me gojën plot zyrtarët e partive në pushtet, të cilët për katër vjet rresht, sa po zgjat ky mandat, nuk u ra ndër mend t’i baltosin këpucët e lustruara, duke ecur këmbë për në Priboc, Qarr, Zarbicë, Suharrnë, Novosellë e Ramnabuqë, për të parë nga afër si e fitojnë kafshatën e bukës banorët e paktë të këtyre zonave kodrinore – malore?!

E tashti kur jemi në prag të zgjedhjeve dhe çdo aktivitet merr ngjyrë politike, liderët institucionalë të Komunës së Bujanocit, kanë filluar të zgjidhin grykën e thesit premtues, për të vjelë ndonjë votë nga Malësia, duke u premtuar atyre zhvillim ekonomik, infrastrukturor, punësime etj.

Pas gjithë këtyre argumenteve, a nuk është edhe asfaltimi i rrugës Zarbicë – Muhoc, një premtim elektoral?!

 

Lidhja studentore preshevare

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch